Lajmet

Avokati i Pjetër Shalës kërkon që sa më parë të publikohet aktakuza e korrigjuar

Palët kanë diskutuar për procesin e hetimit, përkthimet dhe nxjerrjen e materialeve.

Published

on

Në Dhomat e Specializuara në Hagë është mbajtur konferenca mbi ecurinë e çështjes ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Pjetër Shala.

Palët kanë diskutuar për procesin e hetimit, përkthimet dhe nxjerrjen e materialeve. Mbrojtja e Shalës, avokati Jean-Louis Gilissen ka kërkuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar(ZPS) që të publikohet versioni i redaktuar i aktakuzës dhe një gjë e tillë të diskutohet në konferencën e ardhshme.

Gilissen ka thënë se aktakuza e korrigjuar të cilën ZPS e ka nxjerrë më 1 nëntor 2021, nuk është ende publike dhe sipas tij, një dokument i tillë i kësaj rëndësie duhet të bëhet publik sa më parë.

“Më vjen keq që ky dokument kaq i rëndësishëm që është dokument themelor për këtë procedurë nuk është publik edhe pse kanë kaluar 15 ditë nga nxjerrja e tij. Sigurisht nuk është qortim për zyrën administrative unë e kuptoj shumë mirë vështirësitë por tërheqja nga ZPS sa i takon pjesëmarrjes së zotëri Shala në disa elemente me të cilat mbështeteshin pikat e akuzat në aktakuzën fillestare janë shumë të rëndësishme për zotëri Shala për procedurën por në veçanti për ata që e ndjekin këtë procedurë, e kam fjalën për familjen e zotëri Shala, por edhe për mediat”, ka thënë ai.

Mbrojtja e Shalës ka kërkuar që aktakuza e korrigjuar të diskutohet në konferencën e ardhshme por e njëjta paraprakisht duhet të bëhet publike.

“Unë do të ngulja këmbë që versioni publik i aktakuzës të dalë sa më shpejtë sepse version i tanishëm i aktakuzës që është i paraqitur në ëeb site dhe në media, nuk pasqyron realitetin, faktet apo veprat që prokuroria me gjasë ia ngarkon zotëri Shala dhe të cilat zotëri Shala sigurisht i ka mohuar. Aktakuza e korrigjuar duhet të debatohet në konferencën e ardhshme për ecurinë e çështjes pro për tu bërë kjo ajo duhet të jetë publike”, ka shtuar ai.

Ndërsa nga prokuroria është thënë se nëse e njëjta nuk bënë pjesë në dokumentet të cilat i ka nxjerrë prokuroria mbrojtjes, atëherë do të dorëzohet së shpejti.

Por nga avokatët kanë deklaruar se nuk e kanë gjetur në asnjë prej dokumenteve që u janë dorëzuar nga prokuroria.

E gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou ka pyetur mbrojtjen nëse synon të bëjë kërkesë për rishikim të ardhshëm të paraburgimit.

Sipas një vendimi, mbrojtja do të dorëzohet parashtrimet për rishikim të ardhshëm të paraburgimit jo më vonë se data 17 dhjetor 2021, ndërsa përgjigjet dhe kundërpërgjigjet do të bëhen sipas afateve të rregulluara.

Nga mbrojtja është thënë se pajtohen që kërkesa për rishikim të bëhet para periudhës së pushimit që fillon më 20 dhjetor 2021, por nëse shtyhet pas pushimit, atëherë kanë deklaruar se duhet të konsultohen me Pjetër Shalën për hapat e mëtejmë.

Ndërsa gjykatësi i procedurës paraprake ka bërë të ditur që nuk parasheh kërkesa të tilla para pushimit meqë nuk përshtatet me kalendarin.

Guillou ka thënë se nëse mbrojtja vendos të mos dorëzojë asnjë parashtrim brenda këtij afati, ZPS i dorëzon parashtrimet për rishikimin e ardhshëm të paraburgimit jo më vonë se 23 dhjetor 2021 dhe mbrojtja mund të dorëzojë kërkesat e saj jo më vonë se 5 janar 2022.

E sa i përket diskutimeve për hetimet, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka thënë se hapat shtesë hetuese do të përfundohen para dorëzimit të dosjes paragjyqësore, për të cilën ZPS ka afat ta dorëzojë deri më 28 janar 2022.

Ndërsa mbrojtja synon të kryejë hetime në funksion të paraqitjes së provave nga ana e saj ndërkohë ka angazhuar persona që do të ndihmojnë në kryerjen e hetimeve në teren.

Avokati Jean-Louis Gilissen ka ngritur shqetësim edhe sa u përket përkthimeve për të cilat ai ka thënë se Pjetër Shala ka nevojë meqë duhet t’i lexojë dokumente në gjuhën shqipe.

“Zotëri Shala duhet të lexoj në gjuhën që e kupton dhe mendoj që vendimi kryesor duhet të ishte që të përkthehen plotësisht në mënyrë të tillë që i akuzuari të informohet plotësisht. Më lejoni të jap një shembull, e kam fjalën posaçërisht për vendimin e marrë nga ju zotëri gjykatës siç është vendimi për mocionet paraprake, teksa flasim këto vendime nuk janë përkthyer ende, disa njerëz mund të thonë që ky nuk është problem por kjo do të thotë që ne jemi të detyruar që të diskutojmë me zotëri Shala për mundësinë e apelimit të këtij vendimi ndërkohë që zotëri Shala nuk ka lexuar një përkthim të plotë në gjuhën shqipe të këtij dokumenti”, ka thënë mbrojtja e Shalës.

Nga prokurorja është thënë se u kanë dorëzuar mbrojtjes përkthime dhe pjesa e mbetur do të përkthehet dhe dorëzohet së shpejti.

Kjo ishte konferenca e katërt mbi ecurinë e çështjes së Pjetër Shalës, ish-pjesëtar i UÇK-së të cilin Zyra e Prokurorit të Specializuar e akuzon nën pretendimin për krime lufte.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Vendi

ATK: Mbi 900 milionë euro të hyra gjatë vitit 2026

Published

on

Agjencia Tatimore e Kosovës ka njoftuar se nga janari deri në shtator të këtij viti ka mbledhur 908.8 milionë euro të hyra tatimore, apo 114.5 milionë më tepër se në periudhën e njëjtë të vitit 2025.

Kjo është një rritje prej 14.5 për qind.

Po ashtu ATK ka thënë se ka rënë numri i ndëshkimeve për 22 për qind.

“Këta tregues pasqyrojnë një qasje të orientuar drejt përmbushjes më të madhe tatimore, parandalimit të parregullsive dhe administrimit më efikas të obligimeve tatimore. Rezultatet mbështeten nga puna e vazhdueshme e ATK-së në disa drejtime, duke përfshira monitorimin e bizneseve, me fokus të veçantë te tatimpaguesit me rrezik të lartë tatimor.  Informimi dhe edukimi i tatimpaguesve, përmes komunikimit më të gjerë dhe orientimit për përmbushjen e drejtë të obligimeve.  Parandalimi i shkeljeve, duke synuar rritjen e përmbushjes vullnetare dhe zvogëlimin e nevojës për masa ndëshkuese. Digjitalizimi i shërbimeve tatimore, për qasje më të lehtë, procedura më efikase dhe shërbime më të mira për tatimpaguesit”, ka njoftuar ATK. /A.K/

Continue Reading

Rajoni

Policia në Shqipëri: 71 policë të plagosur, disa prej tyre rëndë

Published

on

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, u kërkoi protestuesve që të distancohen nga dhuna. 

Ai në  një konferencë për media ka thënë se deri tash janë plagosur 71 policë, disa prej tyre me lëndime të rënda.

Ka shtuar se protesta është e drejtë e garantuar, por s’mund të jetë mburojë për dhunën e shkatërrimin.

“U bëj thirrje prindërve e mësuesve që të mos lejojnë nxënësit të përfshihen në akte dhune të organizuar. Pas maskave që udhëheqin protestën me shembullin e dhunës nuk  janë studentë, por janë individë te rekrutuar për qëllimet e errta të organizatoreve te vërtetë te kësaj proteste, brenda e jashtë vendit. Nga të gjithë të ndaluarit në natën e parë, asnjë nuk është student. Në natën e dytë një numër shumë i vogël i tyre ishin studentë. Çdo sulm ndaj policëve është sulm ndaj shtetit”, ka thënë ai. 

Ai ka thënë që nuk duhet ngatërruar vetëpërmbajtjen e policisë së shtetit me dobësi.

Hita ka thënë për vjedhje janë arrestuar disa persona dhe ndaj tyre janë ngritur edhe aktakuza.

Ai ka thënë se kreu i forcave të rendit në Shkodër është lënduar rëndë gjatë protestës, porse tashmë është  në trajtim dhe në gjendje stabile.

Hita ka deklaruar se reagimi i policisë ka qenë proporcional me sjelljen e protestuesve.

“Nuk ka pasur qasje të ndryshme nga policia. Jemi të vendosur të përballojmë çdo akt dhune ndaj çdo institucioni shtetëror dhe privat, si dhe të mbrojmë jetën e qytetarëve. Reagimi ka qenë proporcional. Ju nuk e keni parë lumin e gurëve që kanë rënë mbi policët”, tha ai./A.K/

Continue Reading

lajme

Kosova rrezikon organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030, ICMG paralajmëron masa

Published

on

By

Kosova rrezikon të humbasë të drejtën e organizimit të Lojërave Mesdhetare 2030, pas paralajmërimeve nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG) për mospërmbushjen e detyrimeve financiare dhe administrative.

Përmes një letre drejtuar kryeministrit Albin Kurti, kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, dhe presidentit të Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, ICMG-ja ka shprehur shqetësimin për vonesat në përgatitjet e këtij organizimi madhor sportiv.

Sipas dokumentit të publikuar nga Rama, institucionet përgjegjëse nuk i janë përgjigjur letrës së dërguar më 21 shtator 2026. Po ashtu, mungon garancia bankare që duhej të sigurohej në janar, ndërsa mbetet e papaguar edhe tarifa e muajit qershor.

ICMG-ja ka paralajmëruar se këto mangësi mund të rrezikojnë seriozisht organizimin e Lojërave Mesdhetare në Prishtinë.

Më 19 dhjetor, Komiteti Ekzekutiv pritet të shqyrtojë mundësinë e thirrjes së një Asambleje të Jashtëzakonshme, e cila do të vendosë për të ardhmen e këtij eventi.

Pas publikimit të letrës, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për situatën e krijuar, duke e cilësuar rrezikun e humbjes së organizimit si një goditje të madhe për sportin kosovar.

Ai ka theksuar se mungesa e përgjigjeve institucionale dhe mosrealizimi i obligimeve po e vënë në pikëpyetje një mundësi historike për vendin.

Fitimi i së drejtës për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030 ishte vlerësuar si një nga arritjet më të rëndësishme në historinë e sportit të Kosovës, ndërsa zhvillimet e fundit kanë ngritur shqetësime për realizimin e këtij projekti.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Zyrtarë të lartë të NATO-s vizitojnë veriun e Kosovës, vlerësojnë situatën e sigurisë

Published

on

By

Komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, admirali George M. Wikoff, së bashku me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Roberto Vergori, kanë vizituar të enjten veriun e Kosovës.

Gjatë vizitës, ata kanë vëzhguar nga afër patrullimin e përbashkët të pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës përgjatë vijës kufitare.

Dy zyrtarët janë takuar gjithashtu me kryetarin e komunës së Zubin-Potokut, Milosh Peroviq, me të cilin kanë diskutuar për gjendjen e sigurisë dhe zhvillimet në këtë pjesë të vendit.

Përmes një njoftimi, KFOR-i ka ritheksuar përkushtimin për ruajtjen e sigurisë, duke bërë të ditur se vazhdon të monitorojë situatën në terren, të bashkëpunojë me komunitetet dhe të mbajë gatishmërinë operacionale.

Një ditë më parë, Wikoff dhe Vergori kanë zhvilluar takime me drejtues shtetërorë, përfaqësues institucionalë dhe komunitete të ndryshme.

Ndërkohë, NATO ka vlerësuar se situata e sigurisë në Kosovë mbetet përgjithësisht e qëndrueshme dhe ka shënuar përmirësime. Megjithatë, Aleanca ka theksuar se çdo ndryshim në praninë dhe strukturën e KFOR-it do të varet nga zhvillimet në terren, duke mos përjashtuar rikthimin e masave të mëparshme në rast të përkeqësimit të sigurisë.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara