Lajmet

​Autoriteti më i lartë ushtarak i NATO-s mblidhet për të diskutuar çështjet strategjike

Shefat e mbrojtjes së shteteve aleate do të marrin pjesë në mbledhjen e Komitetit Ushtarak, thuhet në deklaratën e lëshuar të mërkurën.

Publikuar

Autoriteti më i lartë ushtarak i NATO-s do të takohet të enjten në Bruksel për të diskutuar çështje strategjike, thuhet në një deklaratë zyrtare.

Shefat e mbrojtjes së shteteve aleate do të marrin pjesë në mbledhjen e Komitetit Ushtarak, thuhet në deklaratën e lëshuar të mërkurën.

Suedia gjithashtu do të marrë pjesë si e ftuar, tha më tej, në mes të bisedimeve për bashkimin e kombit nordik në aleancë.

Komandanti Suprem i Aleatëve për Evropën (SACEUR) gjeneral Christopher Cavoli dhe Komandanti Suprem i Aleatëve për Transformimin (SACT) gjeneral Philippe Lavigne do t’i bashkohen takimit nëpërmjet lidhjes video.

Përfaqësuesit ushtarakë do të diskutojnë shumë tema, duke përfshirë kapacitetet parandaluese, gatishmërinë dhe luftën në Ukrainë.

“Sesioni i fundit i ditës së parë, shefat e mbrojtjes do të takohen për herë të parë në një format të Këshillit NATO-Ukrainë. Ata do të diskutojnë luftën e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, situatën në terren dhe mbështetjen e vazhdueshme të NATO-s dhe aleatëve për Ukrainën”, thuhet në deklaratë.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg do të merr pjesë në takim në fazën e tij përfundimtare, për të diskutuar “objektivat dhe udhëzimet politike përpara Ministrisë së Mbrojtjes në shkurt 2024 dhe Samitit të Uashington në korrik 2024”.

Komiteti Ushtarak është autoriteti më i lartë ushtarak dhe organi më i vjetër i përhershëm në NATO. Ai këshillon Këshillin e Atlantikut të Veriut dhe Grupin e Planifikimit Bërthamor. /AA

Lajmet

Rama e opozita përplasen për Kalabrinë

Publikuar

nga

Kuvendi Komunal i Prishtinës ka mbajtur seancën e rregullt në të cilën është diskutuar për ndryshimin e planit urbanistik të lagjes Kalabria.

Kryetari i Prishtinës Përparim Rama ka thënë se e gjithë kjo bëhet për mirëqenie për qytetarët dhe do të vazhdojnë atë që kanë projektuar qeveritë e mëparshme, por jo me aq metra katrorë sa është paraparë pasi sipas tij nuk sjell asnjë vlerë shoqërore.

“Kjo është për të mirën e qytetarëve të Kalabrisë dhe jo vetëm, për të mirën e kryeqytetit për të mirën e tërë vendit… Ajo që është ofruar prej qeverisjeve të mëparshme ne jemi zotuar se atë do ta bëjmë, por jo ashtu me metra katrorë e pa vlerë shoqërore”, ka thënë Rama.

Por me këtë nuk u pajtuan asamblistët nga opozita PDK-AKR, të cilët kërkuan nga komuna të ndryshojnë planin urbanistik.

Sipas Partisë Demokratike e Kosovës, asamblistit Leotrim Retkoceri, komuna është treguar jo transparente që sipas tij kanë tentuar fshehjen e dokumenteve zyrtare. Gjithashtu ai ka vënë në dukje se me qeverisjen e Përparim Ramës, janë duke tentuar të bëjnë betonimin e kryeqytetit.

“Plani nuk është as para jush e as para kuvendit, është dërguar plani zhvillimor komunal me materiale të pa qasshme, nuk e di se kujt i shërben fshehja e dokumenteve edhe mungesa e transparencës. Sa jemi duke diskutuar këtu duhet thënë edhe një argument tjetër, e kuptojmë hallin e banorëve të lagjes Kalabria edhe gjithë qytetit, sepse nga sjellja po kuptohet si zonë e betonimit dhe planeve me koeficient, për grupe të caktuara, kjo nuk duhet ti ndodhë Prishtinës”, tha Retkoceri.

Gjithashtu Retkoceri ka akuzuar komunën për gënjeshtra dhe ka bërë thirrje që të drejtat e qytetarëve të mbrohen në çdo formë.

“E kuptojmë që qytetarët janë gënjyer dhe janë të revoltuar edhe revoltën e tyre e kuptojmë edhe nuk ndihemi të rrezikuar, por pastaj nga rrena dhe mashtrimi i çojnë deri në arrestim dhe kjo është e papranueshme fjala e lirë e qytetarit duhet të mbrohet me çdo kusht dhe në çdo formë”, ka thënë Retkoceri.

Ndërsa për asamblistin nga Aleanca Kosova e Re, Sami Boroci, banorët e lagjes Kalabria tash e dy vjet janë duke pritur se çfarë do të ndodhë me planin urbanistik, duke kërkuar transparencë të plotë.

“Të mos dalim para banorëve karshi, ngase që dy vite po presin këtu sepse nuk e din se çfarë ka në atë plan, eja dëshironi transparencë, publikoje sot kryetar deri në 12, nëse e keni nëse nuk e keni mos luani me neve”, tha Boroci.

Por me këto nuk është pajtuar kryetari Përparim Rama, duke thënë se nuk merren me betonim sipas opozitës, por po e kryejnë punën për të cilën janë të thirrur si të zgjedhur të popullit

“Është mbrojtur e drejta e qytetarëve të Kalabrisë që të mos betonohet, qysh po thoni që ne po dëshirojmë ta betonojmë. Keni dashur ta betononi (opozitës), nuk po dëshirojmë na ta betonojmë tash. Për këtë arsye edhe e kemi realizuar, kemi diskutuar me qytetarët e Kalabrisë, vazhdojmë diskutimin me ta dhe krijojmë hapësira të mirëfillta me këtë densitet të madh që ju kanë dërguar qytetarëve të Kalabrisë”, ka thënë Rama.

Por edhe qytetarët e fshatit Shkabaj patën pothuajse probleme të ngjashme, ku përfaqësuesi Bahri Sejdiu ka kërkuar nga komuna zgjidhjen e lokacionit për ndërtimin e xhamisë së fshatit.

“Krahas të gjitha kërkesave që i kemi, i kemi shterë të gjitha drejtoritë e komunës dhe takimet tona qe nga 2008, Këshilli i Bashkësisë Islame të Prishtinës më shumë se 6 kërkesa iu janë drejtuar komunës së Prishtinës për zgjidhjen e një lokacioni për xhaminë e fshatit dhe shpronësimit të pronës e cila është në mes fshatit, prona e AKP”, ka thënë Sejdiu.

Të pranishëm në këtë seancë ishin edhe banorët e lagjes Kalabria dhe ata të fshatit Shkabaj të cilët nga kërkuan t’i mbajë premtimet kryetari Përparim Rama.

Vazhdo të lexosh

Lajmet

Komuna e Prishtinës ndan kompensim për qytetaren që u lëndua si pasojë e rënies së kulmit të komunës

Publikuar

nga

Kuvendi komunal i Prishtinës me 36 vota për, asnjë kundër e ka miratuar propozim-vendimin për kompensimin e Elza Ujkanit, e cila ishte lënduar nga rënia e kulmit të objektit të komunë së re të kryeqytetit. Ujkani do të kompensohet me 110 mijë euro për lëndimet e marra në këtë rast.

Kryetari i komunës, Përparim Rama, ka thënë se kjo është për shëndetin e Elzës.

“Ka të bëjë rreth përmirësimit të shëndetit të zonjushës Ujkani, e cila fatmirësisht sot është me ne, kështu që propozimi është për të vazhduar shërimi”, ka thënë Rama.

Ndërsa shefi i asamblistëve të Vetëvendosjes, Gëzim Sveçla, tha se e përkrahin propozimin.

“Ashtu siç e ka potencuar kryetari, ku propozimi për paradhënie nuk e ndalon asnjë proces, çoftë të organeve të hetuesisë për gjetjen e fajtorit të rastit, e në një situate të tillë, ne e mbështesim dhe përkrahim ketë propozim”, theksoi ai.

Edhe asamblistët e PDK-së i kanë dhënë mbështetje këtij propozimi.

“Edhe ne si grup përkrahim këtë ndihmë financiare e cila do shkoj tek Elza Ujkani. Më e rëndësishme është që të bëhet sigurimi i kulmeve të objekteve të vjetra, edhe banorët e lagjes Ulpiana kanë kërkuar ndihmë për një kulm, pas një lëvizje të madhe. Andaj kërkojmë nga kryetari dhe organet të merren me rastet e tilla të mos përsëriten”, tha asamblistja e PDK-së, Gresa Lahu.

Vazhdo të lexosh

Lajmet

​Tahiri: Dakordimi për shpërndarje të Kuvendit të arrihet deri më 30 maj

Publikuar

nga

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri u ka bërë sot thirrje të gjitha partive politike që të mbështesin kërkesën e PDK-së për shkuarje në zgjedhje të parakohshme përmes shpërndarjes së Kuvendit.

Ai ka theksuar se Kuvendi i Kosovës ka degraduar në pikën ku “me zor mund ta mbajë edhe tetë muaj” deri në zgjedhjet e rregullta.

Komentet e Tahirit vijnë pasi në mungesë të kuorumit ka dështuar seanca plenare ku do të diskutohej për tri vjet qeverisje. Kjo seancë është ftuar me kërkesë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Deputeti i PDK-së ka thënë se mbështesin nismën e AAK-së për shpërndarjen e Kuvendit pasi Qeveria Kurti nuk mund të kalojë marrëveshjet ndërkombëtare pa opozitën, ndërkohë që nuk posedon as votat për miratim të projektligjeve me shumicë të thjeshtë.

“E kemi theksuar edhe në takime me drejtuesit e AAK-së edhe me kryetarin e grupit parlamentar, që PDK-ja do ta votojë këtë nismë të AAK-së. Mirëpo, ajo çka është më e rëndësishmja përtej kësaj seance përtej dështimeve të vazhdueshme, ju e shihni gjendjen në të cilën është Kuvendi i Kosovës, e kemi një shumicë e cila tashmë nuk ka as numrat për të kaluar as ligjet që janë me shumicë të thjeshtë. Le që nuk bëhet llaf që të kalojë marrëveshjet ndërkombëtare pa opozitën, mirëpo në anën tjetër nuk e ka as shumicën që të kalojë projektligjet të cilat kërkohet me shumicë të thjeshtë. Dhe ne si grup parlamentar i PDK-së ju bëjmë thirrje edhe njëherë të gjitha subjekteve politike në veçanti atyre parlamentare që të reflektojnë mbi kërkesën e PDK-së e që është hapja rrugë të zgjedhjeve të parakohshme përmes shpërndarjes së Kuvendit. Duhet lexuar drejt edhe vetë Lëvizja e kryeministrit të Kosovës, fakti që i ka hapur mundësi shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës, e cila duhet të ndodhë me dy të tretat dhe nuk mund të ndodhë pa votën e LVV-së, kjo tregon që tashmë kryeministri i Kosovës po i hap rrugë zgjedhjeve të reja dhe rrjedhimisht krijimit të një qeverie të re”, ka thënë Tahiri.

Sipas tij, më e rëndësishme se mënyrë se si të shkojnë në zgjedhje janë zgjedhjet në vetvete dhe krijimi i një Qeverie të re, sepse kjo e nxjerrë Kosovën nga sanksionet, gjendja e rëndë ekonomike, nga kolapsi në shumë sektorë.

“Më e rëndësishme sesa mënyra se si të shkojmë në zgjedhje janë zgjedhjet në vetvete dhe krijimi i një Qeverie të re. Kjo e nxjerrë Kosovën nga sanksionet, nga gjendja e rëndë ekonomike e cila është tani, e nxjerr Kosovën nga kolapsi në shumë sektorë, prandaj mendoj se një Qeveri e re është përgjigjja më e mirë që qytetarët e Kosovës mund të japin kundër sfidave, ballafaqimeve, telasheve, kostove të jetesës. Puna e këtij Kuvendi ka degraduar deri në atë pikë saqë me zor mund ta mbajmë në jetë edhe tetë muaj deri te zgjedhjet e rregullta”, ka shtuar ai.

Deputeti i PDK-së ka paralajmëruar se për shpërndarjen e Kuvendit duhet të arrihet një dakordim deri më 30 maj, në mënyrë që të shkohet në zgjedhje të reja në qershor ose korrik.

“Nëse deri më 30 maj ne nuk e arrimë një dakordim, për shpërndarjen e Kuvendit e humbasim mundësinë që qytetarët t’iu drejtohen kutive të votimit më datën 30 qershor apo 7 korrik, pra kjo është dita e fundit dhe ne nuk do t’i ndalim përpjekjet. Nuk jemi të interesuar të kemi shou të asaj dite kur do të përplasemi me fjalime për çështje të ndryshme politike, që tri vjet e gjysmë ne e kemi pasur ballafaqimin me këtë Qeveri dhe përtej shout mediatik që mund të prodhojë një seancë, përtej një cirku që mund të krijojë mendoj që më e rëndësishme është me i prodhuar numrin e votave të mjaftueshme që janë 80 deputetë”, tha Tahiri.

Debati parlamentar ka dështuar pasi kryeparlamentari Glauk Konjufca bëri të ditur se të pranishëm në seancë kanë qenë vetëm 40 deputetë.

Vazhdo të lexosh

Lajmet

Këto shtete votuan kundër rezolutës për gjenocidin serb në Srebrenicë

Publikuar

nga

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi dje rezolutën për gjenocidin serb në Srebrenicë të Bosnjës me 84 vota pro, 19 kundër dhe 68 abstenime.

Rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë u prezantua dje në seancën e Asamblesë së Përgjithshme me temën “Kultura e paqes”.

Projekt-rezoluta i kërkon Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara të krijojë një program informacioni të titulluar “Gjenocidi në Srebrenicë dhe Kombet e Bashkuara” për të filluar përgatitjet për 30-vjetorin e përkujtimit në 2025 dhe më tej i kërkon Sekretarit të Përgjithshëm t’u dërgojë një rezolutë të gjithë anëtarëve shteteve, organizatave të sistemit të Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të shoqërisë civile, thuhet në projekt-rezolutën.

Në preambulën e tekstit thuhet se “përgjegjësia penale sipas ligjit ndërkombëtar për krimin e gjenocidit është e individualizuar dhe nuk mund t’i atribuohet asnjë grupi apo komuniteti etnik, fetar apo tjetër në tërësi”. Për miratimin e projekt-rezolutës kërkohej një shumicë e thjeshtë e anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme.

Pro miratimit të projekt-rezolutës, ndër tjera, votuan Shqipëria, Australia, Austria, Belgjika, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kanadaja, Kroacia, Republika Çeke, Danimarka, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Sllovenia.

Kurse, kundër votuan Serbia, Siria, Kina, Rusia, Bjellorusia, Hungaria, Dominika, Kuba, Antigua, Mali, Eritrea.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e karakterizoi krimin në Srebrenicë si gjenocid në vitin 2007.

Ajo konstatoi se Serbia nuk ishte përgjegjëse për aktin e as bashkëpunëtore, por deklaroi se ajo nuk bëri asgjë për ta parandaluar atë.

Për gjenocidin e kryer, deri më tash, u dënuan më shumë se 50 persona me rreth 700 vjet burg.

Në mesin e tyre janë edhe presidenti i kohës së luftës i Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiq, dhe komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së atëhershme serbe, Ratko Mlladiq.

Vazhdo të lexosh

Të kërkuara