Aktualitet

Austin: Dërgimi i trupave koreanoveriore në Rusi, përshkallëzim i rrezikshëm

Published

on

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, ka thënë se përdorimi i trupave koreanoveriore nga Rusia për ta ndihmuar atë në luftën e saj kundër Ukrainës, është një “përshkallëzim i rrezikshëm dhe destabilizues”.

Duke folur në një konferencë për media në Pentagon mbrëmjen e 30 tetorit përkrah homologut të vet nga Koreja e Jugut, Austin tha se mbi 10.000 ushtarë koreanoveriorë janë vendosur tashmë në Rusinë lindore.

Disa prej këtyre ushtarëve po zhvendosen në rajonin e Kurskit, i cili ndodhet në kufi me Ukrainën, dhe janë të veshur në uniforma ruse dhe bartin pajisje ruse. Njësite të tjera nga Koreja e Veriut ndodhen tashmë në Kursk, sipas tij.

Ushtria e Ukrainës e kreu një inkursion të madh në Kursk gjatë gushtit dhe prej atëherë ka nën kontroll qindra kilometra katror territor atje.

Dërgimi e trupave koreanoveriore në Rusi jo vetëm që ka mundësi të zgjasë konfliktin, por gjithashtu mund t’i nxisë të tjerët të marrin masa.

Ka një numër gjërash që mund të ndodhin“, tha Austin.

Ai shtoi se “gjasat janë shumë të larta” që Rusia t’i përdorë trupat koreanoveriore në luftime.

Austin përsëriti se trupat koreanoveriore duhet të presin të jenë në shënjestër e ushtrisë ukrainase, e cila përdor armë të dhuruara nga SHBA-ja dhe aleatët e saj, në fushëbetejë, dhe se disa prej tyre ka mundësi ta humbin jetën.

Nëse ata luftojnë përkrah ushtarëve rusë, atëherë ata po bashkëluftojnë, dhe ne kemi çdo arsye të besojmë se ata do të vriten dhe do të plagosen si pasojë e kësaj”, tha Austin.

Shtetet e Bashkuara po e marrin situatën shumë seriozisht dhe i bëjnë thirrje Kremlinit ta ndryshojë kursin.

Ambasadori i Moskës në Kombet e Bashkuara tha në Këshillin e Sigurimit në Nju Jork më 30 tetor se bashkëpunimi ushtarak i Rusisë me Korenë e Veriut nuk shkel ligjin ndërkombëtar dhe nuk është “i drejtuar kundër vendeve të treta”.

Vasily Nebenzya gjithashtu mohoi lajmet se trupat koreanoveriore janë të pranishme në vijën e parë të luftës.

Këto deklarata për ushtarët koreanoveriorë në frontin tonë nuk duhet të habisin askënd, sepse janë gënjeshtra të hapura“, tha Nebenzya, duke akuzuar Uashingtonin dhe Londrën për “dezinformim”.

Koreja e Jugut ka paralajmëruar se Pheniani do të merrte mësime të vlefshme nga trupat e tij dhe do të shihte luftën moderne duke ndihmuar Rusinë, dhe kjo do të përbënte kërcënim të drejtpërdrejtë ushtarak për Seulin.

Ministri i Mbrojtjes i Koresë së Jugut, Kim Yong-hyun, tha në një konferencë për shtyp me Austin se ai nuk beson se dislokimi do të shkaktojë luftë në Gadishullin Korean, por mund të rrisë kërcënimet e sigurisë pasi Koreja e Veriut me gjasë do të kërkojë teknologji ushtarake ruse në këmbim të dërgimit të trupave.

Kjo mund të përfshijë armë bërthamore taktike dhe teknologji për raketa balistike ndërkontinentale.

Ndërkohë, diplomati i lartë i Koresë së Veriut mbërriti në Moskë për bisedime, që sipas agjencisë së spiunazhit të Koresë së Jugut, mund të përfshijnë diskutime për dërgimin e trupave shtesë dhe se çfarë do të marrë Koreja e Veriut në këmbim./REL/

Lajmet

Policia e Kosovës shpall masat e shtuara të sigurisë dhe bllokimet e rrugëve për finalen Kosovë-Turqi

Published

on

By

Sot, më 31 mars 2026, Prishtina është qendra e vëmendjes sportive botërore, pasi Stadiumi “Fadil Vokrri” do të jetë nikoqir i ndeshjes finale të play-off-it për Kampionatin Botëror “FIFA World Cup 2026” ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.

Dueli, i cili fillon në orën 20:45, konsiderohet si një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e futbollit kosovar, çka ka shtyrë Policinë e Kosovës të ndërmarrë një plan gjithëpërfshirës për rendin dhe sigurinë publike.

Për të garantuar mbarëvajtjen e kësaj feste sportive, Policia ka njoftuar se do të ketë prani të shtuar të zyrtarëve në stadium, në të gjithë qytetin dhe në tri “Fan Zona” të krijuara enkas për tifozët.

Si pasojë e fluksit të madh dhe lëvizjes së delegacioneve zyrtare, do të ketë bllokime të përkohshme dhe kufizime të qarkullimit në rrugët kryesore të kryeqytetit.

Segmentet më të prekura përfshijnë rrugët “Tring Ismajli”, “Agim Ramadani”, “Eqrem Çabej”, zonën te semaforët kryesorë, Bulevardin “Bill Clinton”, rrethin te Stacioni i Autobusëve, si dhe rrugët “Hekurudhat” e “Tirana” që çojnë drejt stadiumit.

Gjithashtu, kufizime do të ketë në perimetrin rreth stadiumit, përfshirë rrugën “Luan Haradinaj” deri te Ministria e Drejtësisë dhe rrugën “Fehmi Agani”.

Pas përfundimit të ndeshjes, vëmendja do të përqendrohet në rrugët që dërgojnë drejt aeroportit, duke përfshirë lagjen “Arbëria” dhe rrugën “Ahmet Krasniqi”. Policia e Kosovës u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve në terren, të shfrytëzojnë rrugë alternative sa më shumë që të jetë e mundur dhe të kontribuojnë në ruajtjen e qetësisë, duke e cilësuar sigurinë si një përgjegjësi të përbashkët për këtë ngjarje madhore.

Continue Reading

Lajmet

Haxhiu priti në takim Shefin e EULEX-it

Published

on

By

Kryetarja e Kuvendit së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim Shefin e EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano.

Në këtë takimit u diskutuan zhvillimet aktuale në Kosovë, me theks të veçantë në sundimin e ligjit, funksionimin e institucioneve dhe rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe EULEX-it.

Në këtë takim u rikonfirmua përkushtimi i përbashkët për forcimin e shtetit të së drejtës dhe për avancimin e proceseve që kontribuojnë në stabilitetin institucional dhe në rritjen e besimit të qytetarëve, sipas njoftimit të Kuvendit të Kosovës

Continue Reading

Lajmet

Ambasada e SHBA-së mbështet “Dardanët” para finales me Turqinë në “Fadil Vokrri”

Published

on

By

Atmosfera para përballjes vendimtare mes Kosovës dhe Turqisë është ndezur, madje kësaj ngjarje vëmendje i ka kushtuar edhe Ambasada e Amerikës në Kosovë

Përmes një postimi në rrjetet sociale, përfaqësia diplomatike amerikane ka rreshtuar veten përkrah tifozëve dardanë në këtë natë historike, duke dhënë një mesazh të qartë mbështetjeje: “Nga të gjithë ne në Ambasadën e SHBA-së, ne po ju mbështesim – luani fort dhe bëjeni Kosovën krenare”.

Kjo ndeshje, e cila konsiderohet si një finale e vërtetë për fatet e kualifikimit në Kampionatin Botëror, pritet të fillojë në orën 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Interesimi për këtë takim është i jashtëzakonshëm dhe shkallët e stadiumit pritet të jenë të stërmbushura me tifozë që kërkojnë fitoren historike.

Përfaqësuesja e Kosovës zbret në fushë me moral të lartë dhe me përkrahjen e plotë të partnerëve ndërkombëtarë, ndërsa vëmendja e gjithë opinionit publik është përqendruar në Prishtinë për këtë sfidë vendimtare që përcakton rrugëtimin drejt botërorit.

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Alumni i UBT-së udhëheq punëtorinë mbi psikologjinë klinike dhe formulimin e rasteve me studentët e nivelit master

Published

on

By

Me sukses është përmbyllur punëtoria “Clinical Psychology in Practice: Paraphilic Disorders, Case Formulation, and Pathways in Psychological Science”, një aktivitet profesional me studentët e nivelit master në UBT, që solli në fokus qasjen praktike të psikologjisë klinike dhe zhvillimin e karrierës në këtë fushë.

Punëtoria u udhëhoq nga alumni i Fakultetit të Psikologjisë në UBT, Olti Gjonbalaj, i cili ndau me studentët dhe pjesëmarrësit përvojën e tij akademike dhe profesionale, duke trajtuar tema të rëndësishme si çrregullimet parafilike, formulimi i rasteve dhe rrugët profesionale në shkencën psikologjike.

Punëtoria u pasurua edhe nga kontributi i folësve të ftuar ndërkombëtarë, të cilët sollën perspektiva të ndryshme nga fusha të specializuara të psikologjisë:

  • Jaidaa Amin – Counseling Psychologist
  • Aya Elsherif – Clinical Psychologist
  • Lucine Ahyi – Neuropsychologist
  • Ayah Fahmy – Neuromarketing

Gjatë aktivitetit, studentët patën mundësinë të angazhohen në diskutime interaktive, të analizojnë raste praktike dhe të eksplorojnë mundësi të ndryshme të zhvillimit profesional në psikologji, duke përfituar njohuri të vlefshme nga ekspertë të fushës.

Kjo punëtori dëshmon edhe një herë rëndësinë e rolit të alumni-ve të UBT-së në fuqizimin e brezave të rinj, duke krijuar ura lidhëse mes studimeve akademike dhe praktikës profesionale.

Continue Reading

Të kërkuara