Lajmet

Auditori konfirmon se KEK-u bleu energji elektrike më të shtrenjtë se ankandet

ZKA ka konfirmuar se në KEK ka pasur shkelje për tregtimin e energjisë elektrike.

Published

on

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka konfirmuar se në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) ka pasur shkelje për tregtimin e energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare.

KEK-u gjatë vitit 2022 për sasinë e njëjtë të energjisë elektrike të blerë ka paguar kosto më të lartë financiare në krahasim me atë që do të paguhej nëse do të pranoheshin ofertat fillestare të shitjes së rrymës.

Sipas raportit të fundit të ZKA-së, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) në kundërshtim me rekomandimet e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, ka përsëritur ankandet për blerje të energjisë elektrike me çmime më të larta. Si rezultat kompania publike, në këtë rast KEK-u, për sasinë e njëjtë të energjisë së blerë ka paguar kosto më të lartë gjatë vitit 2022.

Sipas të gjeturave të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), KEK-u me qëllim të arritjes së çmimeve më të favorshme kishte përsëritur ankandet edhe në rastet kur ofertat ishin të vlefshme edhe pse procedura e ZRrE-së në rastet e tilla kërkon që të mos përsëritet ankandi.

“Si rezultat i përsëritjes së ankandeve, kemi identifikuar se në dy raste, kompania kishte kontraktuar çmime më të larta sesa çmimet në ankandet fillestare, po ashtu edhe në dy raste tjera kontraktimet ishin me çmime më të ulëta se sa çmimet nga ankandet fillestare. Kjo ka ndodhur për shkak se kompania kishte vlerësuar se çmimet e ankandeve fillestare nuk ishin të favorshme. Si rezultat kompania për sasinë e njëjtë të energjisë së blerë ka paguar kosto më të lartë në krahasim me atë që do paguhej nëse do pranoheshin ofertat fillestare”, thuhet në raportin e ZKA-së për KEK-un.

Auditori rekomandon Bordin e Drejtoreve të KEK-ut të sigurojë procedura të brendshme efektive për të arritur rezultatin maksimal të kompanisë dhe eliminimin e kostove më të larta në të ardhmen.

Në raportin e ZKA-së është evidentuar po ashtu ndërprerje e pa arsyeshme e kontratave kornizë me çmime të bursës dhe nënshkrim i kontratave të reja me çmime fikse.

Sipas ZKA-së, KEK-u më 14 mars 2022, kishte ndërprerë me marrëveshje miqësore dy kontratat aktive për “Furnizimin me acid klorhidrik”, për nevojat e Termocentralit Kosova A-se dhe Termocentalit Kosova B, me arsyetimin që sipas furnizuesit ishin rritur çmimet e produktit dhe kostot e transportit dhe e kishte të pamundur realizimin e këtyre kontratave në vazhdim.

“Duke pasur parasysh se lëvizja e çmimeve ishte e paraparë në kontratat kornize ne kemi kërkuar sqarime shtesë, mirëpo nuk kemi marre arsye bindëse për ndërprerje”, thuhet në raport.

Procesi i ndërprerjes dhe lidhjes se kontratave të reja është sqaruar në vijim:

“Kontrata e ndërprerë për TCA-në, në vlerë 179,025 për sasinë prej 1,200 ton (149/ton) ishte lidhur më 13 nëntor 2020 dhe kishte afat deri me 12 nëntor 2022. Në datën e ndërprerjes vlera financiare e realizuar e kontratës ishte 102,000 apo 57% e vlerës së kontraktuar ose 790 ton apo 66% e sasisë së kontraktuar”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Ndërsa, kontrata e ndërprerë për Termocentralin Kosova B, në vlerë prej 181,104 për sasinë 1,050 ton (172/ton) ishte lidhur më 02 qershor 2020 dhe kishte afat deri më 02 qershor 2023.

Në datën e ndërprerjes vlera financiare e realizuar e kontratës ishte 98,772 ose 55% e vlerës së kontraktuar ose 764 ton apo 73% e sasisë së kontraktuar.

“Pas ndërprerjes së kontratave, kompania kishte zhvilluar dy herë aktivitetin e hapur të prokurimit (prill dhe maj 2022) por procedurat kishin dështuar për shkak te mos pranimit të ofertave të përgjegjshme. Me tutje, kompania kishte zhvilluar dy herë aktivitetin e prokurimit duke e përdorur procedurën e negociuar (maj, dhe qershor 2022), por nuk kishte lidhur kontrate për shkak se çmimet ishin më të larta se sa vlera e parashikuar”, bënë të ditur ZKA.

Megjithatë, KEK përmes procedurave të negociuara të prokurimit, në vazhdim kishte lidhur katër kontrata për furnizim me acid klorhidrik me çmime fikse (te pa indeksuara në berëz) si në vijim, kontrata e muajit qershor me 295/ton (29,500 për sasinë për 100 ton), kontrata e muajit korrik me 326/ton (32,686 për sasinë për 100 ton), kontrata e muajit shtator me 720/ton (71,980 për sasinë për 100 ton) dhe kontrata e muajit dhjetor me 566/ton (14,160 për 25 ton).

Sipas ZKA-së kjo kishte ndodhur për shkak se menaxhmenti ishte pajtuar me kërkesën e Operatorit Ekonomik për ndërprerje të kontratave për shkak të rritjes së çmimeve edhepse rritja/zvogëlimi i çmimeve ishin të parapara në kontratat kornizë.

“Ndërprerja e kontratave kornize për furnizim me acid klorhidrik kishte shkaktuar çrregullim në furnizim, emergjence dhe ka çuar në kontrata të negociuara, të cilat kanë siguruar më pak konkurrencë”, thuhet në raport.

E gjetur tjetër në raportin e ZKA-së është evidentuar edhe nënshkrimi i kontratave pas kryerjes së punëve dhe shërbimeve.

“Kompania (KEK) më 23 dhjetor 2021 kishte lidhur kontratë në vlerë prej 248,650€ me titull “Angazhimi i ekspertëve për inspektimin dhe riparimin e dëmeve të krijuara nga avaria në turbinën e shtypjes së ulët në njësinë B2-TCB”. Gjate ekzekutimit të kësaj kontrate, ekspertet e angazhuar kishin vlerësuar se duhet të kryhen punë shtesë dhe në dakordim me kompaninë këto punë ishin kryer gjate muajit janar 2022. Për këto pune shtesë kompania më 02 maj 2022 kishte pranuar faturën në vlerë 63,720€, ndërsa kontrata ishte nënshkruar më 30 qershor 2022, rreth 6 muaj pas përfundimit të punëve”, thuhet në raport. .

Kjo kontratë ishte emërtuar si “Riparimi i lopatave të dëmtuara dhe matjet e vibrimeve dhe balancim në turbinën e shtypjes së ultë në njësinë B2.

Po ashtu në një rast tjetër sipas ZKA-së, KEK-u kishte nënshkruar marrëveshje për marrjen e shërbimit të sigurimit fizik të objekteve 43 ditë pas marrjes së shërbimeve.

Marrëveshja ishte nënshkruar me 15 shtator 2022 për marrjen e shërbimeve për periudhën prej 03 gusht deri me 02 shtator 2022. Vlen te theksohet se kompania për këtë shërbim kishte zhvilluar paraprakisht procedura të prokurimit të cilat kishin përfunduar me procese ankimore ne Organin Shqyrtues te Prokurimit (OShP).

Raporti i ZKA-së për vitin 2022 ka rezultuar me 15 rekomandime të reja për KEK-un.

Aktualitet

DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 9 prill, në vitet nëntëdhjetë

Published

on

By

9 prill 1993

Lajm i plotë:

Konferencë për gazetarë e kryetarit të Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova

Kryetari i Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova tha në konferencën për gazetarë se në Kosovë po merr hov një valë e re e represionit. Me dënimin e përfaqësuesve të organizatave të ndryshme ndërkombëtare që vijnë në Kosovë dhe me njohjen ndërkombëtare të Maqedonisë, Kosovës i kërcënohet një izolim dhe bllokadë e plotë. Kryetari Rugova kërkoi që çështja e shqiptarëve në Maqedoni të shqyrtohet në OKB në kuadër të bisedimeve për Maqedoninë. Shqyrtimi i çështjes së Kosovës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së është një formë parandaluese e shpërthimit të konfliktit, theksoi dr. Rugova.

Gjatë javës që shkoi u shënua edhe një viktimë e torturës së policisë serbe, Ali Ramë Zeqaj nga Bokshiqi i Klinës vdiq nga torturat e policisë serbe, me pretekst të kërkimit të armëve, tha në fillim të konferencës për gazetarë kryetari i Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova. Aksioni ndëshkues i policisë serbe, me pretekst të kërkimit të armëve, po zgjat ende. Gjatë javës që shkoi pati lëvizje të shumta të ushtrisë dhe të policisë serbe në Kosovë. Represioni i policisë serbe u koncentrua sidomos ndaj deputetëve të Parlamentit të Republikës së Kosovës, ndaj udhëheqësve të Degëve të LDK-së dhe ndaj aktivistëve të Këshillit për Vetëfinansim të Kosovës që bën financimin e arsimit në Kosovë dhe që është një organ që funksionon mirë në Kosovë, theksoi dr. Rugova. Në vazhdim ai dënoi plaçkitjet e firmave të shqiptarëve dhe e qytetarëve shqiptarë, ndërsa dërgimin e të rinjve shqiptarë me dhunë në ushtri dr. Rugova e vlerësoi si një dukuri të rrezikshme. Dr. Rugova tha se mbajtja rektorit të Universitetit të Prishtinës prof. dr. Ejup Statovcit dhe arrestimi i profesorit të Fakultetit të Mjekësisë Adnan Shabani po bëhen me qëllim që të provokohen studentët dhe Universiteti i Prishtinës që po funksionon në kushte tepër të vështira.

Kryetari Rugova tha se ka reaguar zyrtarisht ndaj burgosjes së anëtarëve të organizatës humanitare “Ekuilibre”, e cila dëshiron të jetë e pranishme dhe të ndihmojë në Kosovë. Është bërë e qartë se regjimit serb i pengon prania e delegacioneve të ndryshme, prania e gazetarëve dhe e përfaqësuesve të organizatave humanitare, e madje, e, edhe e njerëzve. Në këtë mënyrë Serbia synon izolim të plotë, material, shpirtëror dhe politik të Kosovës. Ne, si edhe bashkësia ndërkombëtare dhe Qeveria e Frëncës e dënojmë këtë burgosje të dy humanistëve të kësaj organizate të rëndësishme humanitare, theksoi dr. Rugova.

Kryetari i Republikës së Kosovës tha se pranimi i Maqedonisë në OKB, me emrin ish-republika jugosllave e Maqedonisë, nuk i ndryshon pozicionet e partive politike shqiptare në Kosovë, Maqedoni dhe në territoret etnike shqiptare lidhur me pozitën e shqiptarëve, si element shtetformues i Maqedonisë, në bazë të vullnetit politik të shprehur në referendum. Ne vlerësojmë, tha më tutje dr. Rugova, se pa një marrëveshje me shqiptarët, për Maqedoninë nuk ka ardhmëri të mirë. Kryetari Rugova kërkoi që çështja e shqiptarëve në Maqedoni, të vihet në rend të ditës në Këshilin e Sigurimit të OKB-së, në kuadër të bisedimeve lidhur me Maqedoninë.

Kryetari i Republikës së Kosovës tha se njohja e Maqedonisë do të ketë pasoja edhe për Kosovën. Kërkojmë nga Këshilli i Sigurimit që të ndihmojë qarkullimin e njerëzve nga Kosova nëpër Maqedoni. Kufiri me Maqedoninë nuk bën të shndërrohet në kufi primitiv, pasi, ashtu, do të bëhej i pamundur qarkullimi i njerëzve nga Kosova, me çka do të bëhej një bllokadë e plotë e Kosovës në këtë situatë, theksoi dr. Rugova.

Kryetari i Kosovës përsëriti edhe njëherë kërkesën që çështja e Kosovës të vihet urgjent në rend të ditës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Shqyrtimin e çështjes së Kosovës në OKB, tha dr. Rugova, e konsiderojmë si një formë parandaluese të shpërthimit të konfliktit.

Duke u përgjigjur në një pyetje të gazetarëve që lidhej me gjoja ofrimin e dialogut nga ana e kryetarit të Kuvendit të Serbisë gjatë një vizite në Kosovë, dr. Rugova përsëriti qëndrimin se bisedimet me palën serbe duhet të zhvillohen me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare, përkatësisht në kuadër të Konferencës së Gjenevës. Përvoja e deritashme e bisedimeve me palën serbe për probleme të caktuara në Kosovë, është e keqe. Qe një kohë të gjatë po bëhen bisedime për arsimin në Kosovë në kuadër të Konferencës së Gjenevës, por, pa asnjë rezultat, tha kryetari i Kosovës. Duke u përgjigjur në një pyetje tjetër që lidhej me letrën e Lordit Ouen dërguar dr. Rugovës. ai tha se është shpresdhënës premtimi i bashkëkryetarit të Konferencës së Gjenevës se do të veprohet me qëllim të eliminimit të represionit në Kosovë dhe se ky problem do të shqyrtohet në kuadër të Konferencës së Gjenevës. Ne kësaj i dhëmë rëndësi, pasi jemi në një situatë kur ka marrë hov një valë e re e represionit të Serbisë në Kosovë. Ndërsa, lidhur me situatën në Bosnë, dr. Rugova tha se pala serbe dëshiron përfitim në kohë, implikimin e Rusisë si edhe krijimin e kushteve për transkancione të ndryshme lidhur me hartat,prandaj po shtyn momentin e nënshkrimit të Planit të Vensit dhe Ouenit.

 

Lajme të tjera:

Konferencë për shtyp e përfaqësuesve të Universitetit të Prishtinës

Radio-Kroacia: Agresioni serb filloi në Kosovë

Dagllas Hërd: Serbia e Madhe – kurrë

Klaus Kinkel: Nënshkrimi i planit përmes kërcënimeve kundër Serbisë

Ushtarët gjermanë kanë të drejtë të angazhohen ushtarakisht në Bosnjë

U arrestua dr. Adnan Shabani

U rrahën dhe u keqtrajtuan disa banorë të Stari Tërgut

Në ankand publik oborri i Shkollës Fillore

Maqedonia u pranua në OKB

Rreth 150 mijë shqiptarë në Greqi

 

 

9 prill 1994

Lajmet kryesore:

Koment i “Bujkut”: Pavarësia e Kosovës nuk e rrezikon Serbinë

Anketa e “Zërit” për dialogun eventual shqiptaro-serb: Vetëvendosja për Kosovën – kusht për bisedime

Represioni në Kosovë

Në Skënderaj persona të panjohur thyen lokalet e SHH “Nëna Terezë”

Kërkohet Sadie Zymer Rexha

 

 

9 prill 1997

Lajmet kryesore:

Vlerësime rreth tryezës së Nju Jorkut

  1. Bërns: S’ka marrëdhënie me Serbinë pa u ndryshuar politika ndaj Kosovës

Reagimet e shtypit serb për tryezën e Nju-Jorkut

Elizabet Ren: Gjendja në Kosovë është dramatike

Në Saradran të Istogut nxënësi vrau nxënësin

Në Beograd arritën kufomat e mercenarëve të vrarë serbë në luftën e Zairesë

Serbia pa ligj të vetadministrimit lokal për shkak të Kosovës

Bastisje me pretekst të armës

Një delegacion i serbëve të Kosovës në Londër

Fitues i “Kurorës së Artë” në Strugë është poeti libanez Ali Ahmed Seid-Adonis

 

Lajm i plotë:

Azilkërkuesin shqiptar e vrau një algjerian

Prishtinë, 9 prill (QIK)

Pardje, Qendra për Informim e Kosovës, duke iu referuar agjencisë AFP, njoftoi për mbytjen me thikë të dielen në mbrëmje të një azilkërkuesi shqiptar në lokalitetin Recklinghausen në Gjermani.

Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Lipjan njofton sot se i mbyturi është nga fshati Dobrajë e Madhe e kësaj komune dhe quhet Esat Bahtiri (23).

Lajmin në familje e përcolli axha i Esatit, Ragipi, i cili gjithashtu ndodhet në Gjermani. Ai theksoi se i ndjeri është goditur me thikë dhe ka pësuar lëndime vdekjeprurëse nga një grup algjerianësh, gjithashtu azilkërkues në Gjermani. Rrethanat që sollën deri te ky akt tragjik nuk janë bërë të njohura.

Esat Bahtiri ka shkuar në Gjermani para dy vitesh dhe gjatë kësaj kohe ka ndihmuar vazhdimisht familjen e tij, e cila vdekjen e Esatit e priti më dhembje të madhe. Vdekja e për familjen e tij është edhe më e rëndë, pasi para një viti kjo familje humbi edhe një djalë tjetër trembëdhjetëvjeçar, i cili vdiq tragjikisht.

Esati është azilkërkuesi i tretë nga Dobraja e Madhe që u kthye në arkivol brenda një periudhe njëvjeçare. Vetëm tri ditë më parë në këtë fshat u varros Ramë Gashi, i cili humbi jetën tragjikisht në Zvicër.

 Foto: Nikollas Bërns, diplomat amerikan

Continue Reading

Lajmet

Dita e Kushtetutës së Kosovës

Published

on

By

18 vjet më parë, Kosova u bë me aktin më të lartë juridik, dokumentin bazë të shtetësisë, Kushtetutën e Republikës së Kosovës duke i dhënë fund qeverisjes së Kosovës në bazë të rezolutës së Kombeve të Bashkuara 1244.

17 shkurti i vitit 2008 shënoi Kosovën në hartat politike të shteteve të pavarura ndërsa dy muaj më pas Kuvendi i Kosovës ratifikoi Kushtetutën e Republikës së Kosovës e cila më 15 qershor të po atij viti hyri në fuqi.

Kushtetuta e Kosovës u ratifikua më 9 prill 2008 dhe hyri në fuqi më 15 qershor 2008.

Kushtetuta është akti më i lartë juridik, që garanton të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të vendit.

Pjesa më e madhe e kësaj kushtetute rrjedh nga Plani i ish-presidentit Martti Ahtisaari, duke i dhënë kështu të drejta specifike grupeve minoritare dhe një ambient më të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Kushtetuta e definon Kosovën si një shtet me pikëpamje neutrale ndaj fesë – neni 8. Ajo ka 14 kapituj dhe 162 nene.

9 Prilli është zyrtarisht festë shtetërore në Kosovë që do të thotë se institucionet për këtë ditë do të pushojnë më 9 prill, e enjte.

Continue Reading

Vendi

UBT lanson Global Virtual Campus, një model i ri i arsimit pa kufij

Published

on

By

UBT ka lansuar zyrtarisht konceptin më të ri inovativ në fushën e arsimit, Global Virtual Campus, një platformë që synon të transformojë mënyrën se si ofrohet edukimi në nivel global, përmes partneritetit strategjik me EON Reality.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, theksoi se ky model është një hap të rëndësishëm drejt së ardhmes së arsimit gjithëpërfshirës dhe të qasshëm për të gjithë.

Në këtë kontekst, Global Virtual Campus është një koncept dhe model i ri, modeli i së ardhmes, që mundëson ofrimin e të njëjtës përmbajtje dhe të njëjtës cilësi kudo në botë, me të njëjtin potencial dhe përvojë, pa humbur kohë dhe me kosto të përballueshme për të gjithë. Pra, kjo qasje e aksesueshmërisë dhe përballueshmërisë, kudo dhe në çdo kohë, është thelbi i Global Virtual Campus, të cilin po e ofrojmë përmes partneritetit tonë me EON”, u shpreh Rektori Hajrizi.

Rektori Hajrizi deklaroi se UBT ka një përvojë të gjatë dhe të suksesshme në arsimin e lartë, duke u renditur ndër institucionet më të vlerësuara globalisht në fusha kyçe si inovacioni, qëndrueshmëria, ndërmarrësia dhe shkenca.

Ai nënvizoi se institucioni njihet për standarde të larta cilësie dhe është i akredituar nga mekanizma ndërkombëtarë, përfshirë British Accreditation Council, si dhe gëzon një validim të fortë në raport me sistemin amerikan të arsimit.

“Ne besojmë fuqishëm në rëndësinë e kontaktit njerëzor dhe bashkëpunimit fizik, por në të njëjtën kohë duhet të shfrytëzojmë maksimalisht potencialin që ofron inteligjenca artificiale për të rritur cilësinë dhe për të zgjeruar qasjen në arsim”, u shpreh Rektori Hajrizi.

Një nga shtyllat kryesore të këtij transformimi është integrimi i inteligjencës artificiale dhe teknologjive të avancuara të vizualizimit në procesin mësimor. Sipas Hajrizi, përvoja e gjatë e partneritetit me platforma inovative si EON ka mundësuar ndërtimin e një sistemi që garanton cilësi të lartë të mësimdhënies, pavarësisht vendndodhjes së studentëve.

Global Virtual Campus synon të ofrojë përmbajtje dhe standard të njëjtë edukimi kudo në botë, duke eliminuar barrierat gjeografike dhe kohore, dhe duke hapur një epokë të re të arsimit global.

Video e plotë

Continue Reading

Vendi

Kryesia dështon të miratojë rendin e ditës: Mospajtime për rezolutën e luftës

Published

on

By

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit ka përfunduar pa një pajtim për rendin e ditës të seancës së radhës, pas mospajtimeve mes partive politike për pozicionimin e rezolutës për mbrojtjen e të vërtetës historike të luftës.

PDK-ja, e mbështetur edhe nga opozita tjetër, ka insistuar që kjo rezolutë të jetë pika e parë e rendit të ditës për seancën e së premtes. Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar që ajo të trajtohet si pikë e fundit, duke kërkuar një dakordim më të gjerë paraprak.

Për shkak të kësaj bllokade, rendi i ditës pritet të miratohet në fillim të seancës plenare. Përveç rezolutës për luftën, në agjendë janë edhe katër marrëveshje ndërkombëtare, votimi për anëtarin e Këshillit Prokurorial, si dhe debati për rritjen e çmimit të naftës.

Continue Reading

Të kërkuara