Lajmet

Auditori: Instituti Bujqësor nuk menaxhoi si duhet projektet në vlerë mbi 700 mijë euro

Auditimi konstatoi se Instituti ka mangësi në menaxhimin e kontratave.

Published

on

Rezultatet e auditimit tregojnë se Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përkatësisht Instituti Bujqësor i Kosovës nuk menaxhoi si duhet resurset dhe proceset e zhvillimit të projekteve të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit për të përmbushur qëllimin për digjitalizimin e tyre.

Ministria dhe Instituti nuk ishin efektivë dhe nuk menaxhuan si duhet projektet e Teknologjisë së Informacionit, me vlerë të përgjithshme prej 700 mijë e 766 euro, duke mos përfshirë profesionistët e TI-së në planifikimin dhe zhvillimin e këtyre projekteve.

Në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit thuhet se dy sisteme të ndara në vlerë prej 567 mijë e 406 euro janë zhvilluar për të njëjtin qëllim, por pavarësisht shpenzimeve këto sisteme nuk janë duke u përdorur.

“Për më tepër, auditori ka vërejtur se kishte rritje të trefishtë të vlerës së kostos totale krahasuar me vlerën e planifikuar. Struktura e TI-së mbeti e papërcaktuar dhe rregulloret për organizimin e brendshëm, rolin dhe funksionimin e IBK-së nuk u përditësuan. Për shkak të mungesës së planifikimit të duhur të investimeve, në kuadër të kontratave të ekzaminuara janë bërë shpenzimet e panevojshme prej së paku 98,000 euro”, thuhet në raport.

Më tutje, auditimi konstatoi se Instituti ka mangësi në menaxhimin e kontratave, mungesë të komisioneve profesionale të pranimit të produkteve të TI-së.

Gjithashtu, janë pranuar dhe miratuar produkte që nuk përmbushin specifikimet minimale teknike, sipas kontratës, si dhe ka mungesë të testeve të sigurimit të cilësisë.

Në raportin e auditimit të Teknologjisë së Informacionit “Menaxhimi i sistemeve të informacionit në Institutin Bujqësor të Kosovës” për periudhën 2017-2022 thuhet se siguria e informacionit dhe Plani për vazhdimësinë e biznesit për projektet e TI-së nuk ishin trajtuar nga Ministria apo Instituti.

“Më tej, nuk janë siguruar mekanizma për ruajtjen e të dhënave dhe vazhdimësinë e funksionimit të sistemeve të informacionit. Ka mungesë të kontrolleve të qasjes fizike dhe mbrojtjes nga fatkeqësitë natyrore ose nga ato të shkaktuara nga njeriu. Mungojnë edhe kopjet rezervë të sistemeve të informacionit, gjë kjo që ndjeshëm rrit rrezikun e ndërprerjes së sistemit dhe humbjes së të dhënave”, thuhet në raport.

Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca është shprehur se bazuar në dëshmitë e auditimit, në fushën e sistemit të informacionit në Institutin Bujqësor të Kosovës ka mungesë të sigurimit të cilësisë, mangësi në konfigurimin e sistemit si dhe në sigurinë dhe vazhdimësinë e sistemit.

“Mosmenaxhimi i duhur në fushën e TI-së në këtë Institut rezultoi me sisteme jofunksionale dhe të papërdorshme të cilat nuk përmbushin qëllimin e blerjes dhe zhvillimit të tyre, për më tepër kanë krijuar shpenzime të panevojshme dhe dëmtime buxhetore”, citohet në raport Spanca.

Si rrjedhojë, me qëllim të adresimit të çështjeve të identifikuara lidhur me menaxhimin e projekteve të sistemeve të Teknologjisë së Informacionit dhe komunikimit në IBK, ZKA dha 15 rekomandime për Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. 

Lajmet

Presidentja Osmani pret në takim të ngarkuarën me punë të SHBA-së në Kosovë

Published

on

By

Vjosa Osmani ka pritur në takim të ngarkuarën me punë të Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, me të cilën ka diskutuar për zhvillimet aktuale në vend dhe çështje të bashkëpunimit bilateral.

Sipas njoftimit të Presidencës, gjatë takimit u trajtuan zhvillimet e fundit politike në vend, si dhe tema të tjera me interes të përbashkët ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në fokus të bisedës ishte edhe rëndësia e ruajtjes së një mjedisi demokratik, ku respektohen mendimet e ndryshme dhe debati publik zhvillohet në mënyrë të përgjegjshme.

Presidentja Osmani theksoi përkushtimin e vazhdueshëm të Kosova për thellimin e bashkëpunimit me SHBA-në, duke ritheksuar se aleanca ndërmjet dy vendeve mbetet jetike dhe e pazëvendësueshme për Kosovën.

Continue Reading

Lajmet

Gjykata Evropiane: Ndalimi i ndryshimit të gjinisë në dokumente shkel ligjet e BE-së

Published

on

By

Gjykata më e lartë e Bashkimit Evropian mori vendim të enjten se ligjet kombëtare që ndalojnë ndryshimin e të dhënave gjinore në dokumentet e identifikimit janë në kundërshtim me ligjin e BE-së. Gjykata theksoi sfidat e mëdha me të cilat ballafaqohen personat kur identiteti i tyre gjinor nuk përputhet me dokumentet zyrtare.

Rasti në fjalë rrodhi nga një shtetase bullgare, e regjistruar si mashkull në lindje, e cila kishte filluar trajtimin hormonal dhe identifikohej si grua. Ajo ishte zhvendosur në Itali dhe u kishte kërkuar autoriteteve bullgare të ndryshonin gjininë ligjore, emrin dhe numrin personal në dokumente.

Gjykatat në Bullgari e kishin refuzuar kërkesën, duke u thirrur në rregullat kombëtare që e përkufizojnë seksin vetëm në aspektin biologjik dhe që ndalojnë ndryshimin e të dhënave gjinore.

Megjithatë, Gjykata Evropiane e Drejtësisë konstatoi se megjithëse shtetet anëtare janë përgjegjëse për lëshimin e dokumenteve, mosmarrëveshja mes identitetit gjinor dhe letërnjoftimit mund të shkaktojë dyshime gjatë kontrolleve rutinë, udhëtimeve apo ndërveprimeve profesionale. Sipas Gjykatës, këto “paparashikueshmëri të konsiderueshme” pengojnë të drejtën e personit për lëvizje të lirë brenda Bashkimit Evropian. /Reuters/

Continue Reading

Lajmet

KQZ pezullon AKR-në e Behgjet Pacollit

Published

on

By

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për pezullimin e partisë Aleanca Kosova e Re (AKR), pasi subjekti dështoi të organizojë zgjedhjet e brendshme deri në afatin e paraparë (25 shkurt 2026). Edhe pse partia ishte njoftuar paraprakisht, ajo nuk e ka përmbushur këtë obligim ligjor.

KQZ i ka dhënë AKR-së një afat shtesë prej 45 ditësh për ta mbajtur Kuvendin Zgjedhor. Nëse ky kusht nuk plotësohet as brenda kësaj periudhe, partia do të çregjistrohet përfundimisht nga regjistri zyrtar.

AKR, e cila ishte pjesë e Kuvendit që nga viti 2007, aktualisht udhëhiqet nga ushtruesi i detyrës, Vesel Makolli, pas dorëheqjes së Behgjet Pacollit në tetor 2025. Në zgjedhjet e fundit, kjo parti mbeti jashtë Kuvendit pasi nuk arriti ta kalojë pragun zgjedhor.

Continue Reading

Lajmet

IKSHPK: Ndotja e ajrit shkakton mbi 1,150 vdekje në vit në Kosovë

Published

on

By

Raporti i fundit i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK) për vitin 2025 ka alarmuar se ndotja e ajrit mbetet një rrezik madhor, duke shkaktuar rreth 12.1% të vdekshmërisë totale në vend.

“Rezultatet tregojnë se 1 150 raste të vdekjeve në vit (121/100 000 banorë) i atribuohen nivelit aktual të PM2.5 në Kosovë i cili paraqet 12.1% të vdekshmërisë totale, nga të gjitha shkaqet (natyrore)”, thuhet në raport.

Sipas të dhënave, gjendja më kritike është regjistruar në Prishtinë (veçanërisht në Kodrën e Trimave), Obiliq, Gjilan, Fushë Kosovë (Palaj) dhe Mitrovicë, ku nivelet e grimcave helmuese PM2.5 gjatë dimrit kanë arritur deri në 272 µg/m3, shifër kjo shumë herë mbi limitet e lejuara.

Shkaktarët kryesorë mbeten djegia e thëngjillit për ngrohje, termocentralet dhe makinat e vjetra, të cilat po rëndojnë shëndetin e grupeve më të ndjeshme si të moshuarit, gratë shtatzëna dhe fëmijët.

IKSHPK thekson se kjo ndotje lidhet drejtpërdrejt me rritjen e rasteve të sulmeve në zemër, goditjeve në tru dhe problemeve të rënda respiratore, duke kërkuar masa urgjente për zgjerimin e ngrohjes qendrore dhe reduktimin e përdorimit të lëndëve djegëse fosile.

Continue Reading

Të kërkuara