Lajmet

​‘Ato janë ne’, thirrje për sensibilizim me të mbijetuarat e dhunës në familje

Published

on

Rreth dy mijë raste të dhunës në familje janë raportuar gjatë këtij viti, ku 90 për qind prej tyre janë ndaj grave dhe vajzave. Kështu u tha në hapjen e fushatës globale “16 Ditët e Aktivizimit Kundër Dhunës me Baza Gjinore me aktivitetin “Ato janë ne”. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci kanë ngjyrosur duart me ngjyrë portokalli dhe më pas kanë lënë shenjat në banerin e vendosur pranë sheshit të kryeqytetit.

Presidentja Vjosa Osmani tha se ky aktivizëm kundër dhunës në familje duhet të jetë çdo ditë të vitit.

“Do të jenë 16 ditë përplot aktivitete ku synojmë që të ngrisim vetëdijen kundër dhunës mbi baza gjinore, dhunës në familje, dhunës ndaj grave në përgjithësi në çdo moment, qoftë ai ambient në shtëpi, në punë, në rrugë apo kudo tjetër. Siç e dini për fat të keq në Kosovë ka pasur raste të shumta të dhunës mbi baza gjinore dhe bashkë me ministren e Drejtësisë kemi punuar përgjatë këtij viti që jo vetëm që të ashpërsohen dënimet ndaj atyre që kryejnë këto vepra të tmerrshme penale, por në të njëjtën kohë që të punojmë së bashku me të gjitha institucionet në mënyrë që të kemi edhe parandalim të këtij krimi, jo vetëm dënim të tij pasi që të ndodhë… Dua të ju bëjë thirrje institucioneve të drejtësisë që ta luftojnë patriarkatin, që të luftojnë këto fenomene dhe t’i japin prioritet këtij luftimi, të këtij fenomeni duke dënuar ata që kryejnë dhunë mbi baza gjinore, duke respektuar edhe ligjin që është në fuqi, por njëkohësisht edhe udhëzuesit për këto dënime”, deklaroi Osmani.

Sipas Osmanit, një ndër prioritetet është që të ketë institucione të drejtësisë më efikase në luftimin e dhunës mbi baza gjinore. Ajo u bëri thirrje të gjitha grave dhe vajzave që të ngrisin zërin kundër dhunës.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu u shpreh se në kuadër të kësaj fushate kanë paraparë mbi 80 aktivitete kudo në Kosovë.

“Aktiviteti i sotëm ‘Ato janë ne’, është një thirrje dhe sensibilizim me të mbijetuarat e dhunës mbi baza gjinore dhe dhunës në familje, është po ashtu një thirrje për institucionet e Republikës së Kosovës, sidomos për policinë, prokurorinë dhe për gjykatat që rastet e dhunës mbi baza gjinore, rastet e dhunës në familje të mos i injorojnë, të mos i neglizhojnë, të mos i paragjykojnë por që të marrin veprime serioze në raport me adresimin e tyre dhe përgjegjësit, dhunuesit t’i vendosin para përgjegjësisë penale. Po ashtu është thirrje që qytetarët e Republikës së Kosovës kudo dhe kurdo që janë në dijeni që po ndodhë dhuna ndaj një vajze, ndaj një gruaje që të mos heshtin por që ta ndihmojnë viktimën dhe në anën tjetër është thirrje edhe për viktimat që një asnjë rrethanë të mos i lënë pa raportuar rastet e dhunës në familje”, tha Haxhiu.

Haxhiu u zotua se po angazhohen që të ofrojnë ndihmë juridike falas dhe në kuadër të kësaj fushate

Ministrja e Drejtësisë shtoi se gjatë këtyre ditëve do të lansohet programi i parë për trajtimin e dhunuesve.

“Nga janari deri më tani kemi pasur rreth dy mijë raste të dhunës në familje, ku 90 për qind e tyre janë ndaj vajzave dhe grave. Dhe në anën tjetër përqindja tjetër ndaj djemve dhe burrave. Por edhe kur ndodhë në familje dhuna ndaj djemve dhe burrave, është djali ndaj babait, apo babai ndaj djalit. Shohim se dhunën në familje e kemi fenomen në Republikën e Kosovës”, shtoi ministrja e Drejtësisë.

Në kuadër të 16 ditëve të aktivizmit, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci theksoi se kanë filluar aktivitetet vetëdijësuese në të gjitha shkollat e Kosovës.

“Sot në të gjitha shkollat e Republikës së Kosovës kanë filluar një varg aktivitetesh vetëdijuese për nxënësit, për mësimdhënësit dhe stafin tjetër në shkolla në mënyrë që të gjithë fëmijët, vajzat e djemtë jo vetëm të njihen me të drejtat e tyre por edhe të jenë të gatshëm të adresojnë shkeljen e të drejtave të tyre. Jo vetëm dhunën që mund të ushtrohet mbi baza gjinore por edhe format tjera të dhunës. Po ashtu kemi përgatitur dhe shpërndarë informator për të gjithë mësimdhënësit tanë, i cili do t’i ndihmojë dhe lehtësojë ata edhe në identifikimin e shenjave të nxënësve që mund të kenë përjetuar dhunë, por edhe adresimin e këtyre rasteve tutje”, përfundoi Nagavci.

Tutje, Nagavci tha se kanë lansuar edhe fushatën për kujdesin shëndetësor.

16 ditët e aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore do të zgjas deri më 10 dhjetor.

Lajmet

Prof. Blerim Canaj në “Inside Politics with Anisa”: Demokracia në Kosovë mes formalitetit, liderëve të fortë dhe rolit të mediave

Published

on

By

Në podcastin “Inside Politics with Anisa I”, i ftuar ishte profesori i shkencave politike në UBT, Blerim Canaj, i cili foli për gjendjen e demokracisë në Kosovë dhe në rajon, duke ngritur dilema mbi mënyrën se si ajo funksionon në praktikë.

Canaj tha se nëse demokracia shihet nga këndvështrimi historik që nga Greqia antike, atëherë shqetësimet e filozofëve si Platoni dhe Aristoteli mund të jenë ende relevante edhe sot. Sipas tij, shpesh krijohet përshtypja se sot jetojmë në një demokraci formale.

“Kam përshtypjen se ne sot jetojmë në një demokraci formale. Kemi zgjedhje, dhe në Kosovë ato madje janë për t’u lavdëruar krahas rajonit, por demokracia nuk nënkupton vetëm votimin,” u shpreh ai.

Sipas Canajt, demokracia nuk kufizohet vetëm te votimi, por përfshin edhe funksionimin e shoqërisë civile dhe mediave. Ai theksoi se në realitetin ballkanik, rol të madh shpesh luan edhe fuqia financiare dhe mënyra se si ajo ndikon në proceset politike.

Në Ballkan shpesh rol të madh luan kush i ka paratë. Fatkeqësisht, në periudhën e zgjedhjeve shpesh shohim sulme ndaj mediave dhe përdorim të buxhetit të shtetit, gjë që e dëmton zgjedhjen e lirë dhe të barabartë,” tha ai.

Ai shtoi se në shumë raste kjo krijon avantazh për ata që kanë më shumë burime financiare dhe e deformon garën demokratike.

Duke folur për fenomenin e “liderëve të fortë”, profesori Canaj u shpreh se në shoqërinë tonë ende nuk mbizotërojnë partitë programore, por kulti i liderit. Sipas tij, kjo ka ndikuar që vëmendja të largohet nga programet politike dhe të fokusohet te individi.

“Nuk fokusohemi te programet politike, por te kulti i liderit. Dhe nga kjo shpesh prodhohen edhe deputetë që nuk janë të përgatitur sa duhet,” u shpreh ai.

Ai theksoi se kjo qasje ka sjellë edhe largimin e njerëzve profesionalë nga politika, pasi shpesh përballja me kandidatë më pak të përgatitur krijon frustrim. Sipas tij, kjo ka ndikuar në forcimin e kultit të liderit dhe në krijimin e një dinamike ku lideri shihet si figurë qendrore, pothuajse “si baba”, ndërsa mbështetësit ndihen pjesë e një strukture familjare politike.

Në pjesën për mediat, Canaj tha se ato kanë rol thelbësor në funksionimin e demokracisë dhe në informimin e qytetarëve. Ai i konsideroi mediat si një lloj “qeverie në vete”, për shkak të ndikimit që kanë në shoqëri dhe në politikë.

“Po të mos ishin mediat, njerëzit nuk do t’i dinin të mirat dhe të këqijat e një vendi. Unë mediat i shoh si një qeveri në vete,” u shpreh ai.

Sipas tij, një shoqëri që i sulmon mediat rrezikon të rrëshqasë drejt tendencave autokratike, ndërsa theksoi se pa media të lira dhe funksionale nuk mund të flitet për demokraci të mirëfilltë, pavarësisht sfidave dhe problemeve që mund të ekzistojnë brenda vetë mediave.

Continue Reading

lajme

Eksperti norvegjez Anders Johan Almas ligjëroi në UBT mbi ndërtimin e qëndrueshëm dhe adaptimin klimatik

Published

on

By

Fakulteti i Menaxhimit të Patundshmërive dhe Infrastrukturës në UBT vazhdon të sjellë ekspertë ndërkombëtarë që u ofrojnë studentëve njohuri dhe përvoja nga praktikat më të avancuara globale.

Në këtë kuadër, studentët patën mundësinë të ndjekin një ligjëratë të veçantë nga Assoc. Prof. Dr. Anders Johan Almas nga Western Norway University of Applied Sciences (HVL), e organizuar në kuadër të lëndës “Arkitektura e Qëndrueshme”, të udhëhequr nga Prof. Dr. Visar Hoxha.

Gjatë ligjëratës me temën “Building Envelopes and Climate Adaptation”, Dr. Almas trajtoi rëndësinë e projektimit të mbështjellësve të ndërtesave dhe rolin e tyre në rritjen e efikasitetit energjetik, qëndrueshmërisë dhe rezistencës ndaj kushteve klimatike në ndryshim. Përmes shembujve konkretë dhe praktikave të aplikuara në vende të ndryshme, studentët u njohën me qasjet moderne që po transformojnë industrinë globale të ndërtimit.

Me më shumë se 20 vite përvojë në industri, kërkim shkencor dhe akademi, Dr. Almas ka kontribuar në fusha të ndryshme si menaxhimi i ndërtesave, projektimi, konsulenca, ndërtimi dhe hulumtimi shkencor. Përvoja e tij përfshin institucione dhe kompani prestigjioze si NTNU, SINTEF, Multiconsult, Veidekke, Vestlandsforsking dhe HVL, duke sjellë një perspektivë të gjerë mbi zhvillimet më të fundit në ndërtimin e qëndrueshëm.

Për studentët e Fakultetit të Menaxhimit të Patundshmërive dhe Infrastrukturës, kjo ligjëratë përfaqësoi një mundësi të vlefshme për të kuptuar nga afër sfidat reale të sektorit dhe mënyrën se si njohuritë akademike zbatohen në praktikë. Diskutimet e zhvilluara gjatë aktivitetit i ndihmuan studentët të krijojnë një pasqyrë më të qartë mbi rolin e profesionistëve të ardhshëm në projektimin dhe menaxhimin e ndërtesave të qëndrueshme.

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Studentët e Juridikut në UBT zhvillojnë vizitë studimore në Gjykatën Komerciale, duke përfituar përvojë praktike nga proceset gjyqësore

Published

on

By

Në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm të Fakultetit Juridik në UBT për të kombinuar mësimin teorik me përvojën praktike, studentët e lëndës “Procedura Civile e Avancuar”, të udhëhequr nga Prof. Egzona Osmanaj, realizuan një vizitë studimore në Gjykatën Komerciale të Kosovës.

Gjatë vizitës, studentët u pritën nga Kryetari i Gjykatës Komerciale, Mahir Tutuli, i cili i njoftoi me organizimin, kompetencat dhe funksionimin e kësaj gjykate, si dhe me rëndësinë e saj në trajtimin e çështjeve që lidhen me biznesin, investimet dhe marrëdhëniet tregtare.

Një nga momentet më të rëndësishme të vizitës ishte mundësia që studentët të ndjekin nga afër një seancë gjyqësore, duke vëzhguar në praktikë zbatimin e procedurave civile dhe mënyrën e zhvillimit të proceseve gjyqësore. Kjo përvojë u mundësoi atyre të lidhin njohuritë teorike të fituara në auditor me realitetin e sistemit gjyqësor dhe praktikën profesionale.

Vizitat studimore të këtij lloji përbëjnë një pjesë të rëndësishme të metodologjisë së mësimdhënies në Fakultetin Juridik të UBT-së, duke u ofruar studentëve mundësi të drejtpërdrejta për të njohur institucionet e drejtësisë, proceset ligjore dhe sfidat e profesionit juridik.

Continue Reading

Vendi

Arrestohet zyrtari i Kllokotit për keqpërdorim detyre, dëm rreth 39 mijë euro

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Gjilan ka ndaluar një person të dyshuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, pas dyshimeve se ka dëmtuar buxhetin e shtetit.

Sipas hetimeve, S.S., i punësuar në Komunën e Kllokotit si zyrtar për kulturë, rini dhe sport, si dhe menaxher i bibliotekës, dyshohet se nga viti 2019 deri në mars të vitit 2026 ka përfituar paga mujore pa u paraqitur fare në vendin e punës dhe pa ushtruar detyrat e tij zyrtare.

Prokuroria thotë se i dyshuari, “me dashje ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare duke mos i përmbushur obligimet e punës”, duke shkaktuar dëm në buxhetin e Republikës së Kosovës në vlerë prej rreth 39 mijë euro. Rasti është zbuluar pas hetimeve dhe aplikimit të masave të veçanta hetimore nga prokuroria në bashkëpunim me njësitet përkatëse.

Nga Prokuroria është bërë e ditur se ndaj të dyshuarit janë duke u zhvilluar hetime të mëtejshme, ndërsa pritet që në afatet ligjore të kërkohet edhe masa e sigurisë në Gjykatën Themelore në Gjilan. “Do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit,” thuhet në njoftim.

Continue Reading

Të kërkuara