Një analizë e BBC-së vë në pah se si Enzo Maresca po e menaxhon me sukses një nga detyrat më të vështira në futbollin modern: zëvendësimin e Pep Guardiolas te Manchester City. Pavarësisht presionit të madh, tekniku italian po e bën këtë tranzicion të duket i lehtë, duke udhëhequr Cityn drejt katër fitoreve në po aq ndeshje në Premier League, ku ndan kryesimin me Arsenalin.
Testi më i madh i Marescas erdhi në fundjavë me fitoren 1:0 ndaj Manchester Unitedit në “Old Trafford”, ku City luajti shumicën e kohës me një lojtar më pak pas përjashtimit të Phil Foden. Qetësia e skuadrës pasqyroi vetëpërmbajtjen e trajnerit në vijën anësore. Ndryshe nga sezoni i kaluar te Chelsea, ku një karton i kuq në të njëjtin stadium e bëri të reagonte me panik, këtë herë Maresca ruajti gjakftohtësinë, vlerësoi situatën dhe bëri lëvizje vendimtare taktike, si kalimi i Rayan Cherkit në të djathtë dhe inkuadrimi i Iliman Ndiayes.
BBC vëren një kontrast të madh mes Marescas dhe Guardiolas. Italiani shfaqet gjithmonë i buzëqeshur në konferenca për media dhe ka sjellë një frymë të re në stërvitje, përfshirë vendosjen e muzikës “house” për të rritur disponimin e lojtarëve. Kapiteni i ri, Ruben Dias, konfirmoi se parimet bazë të lojës mbeten të ngjashme me ato të Guardiolas, por me detaje të reja taktike që mbajnë vulën e trajnerit të ri.
Përderisa zëvendësimi i menaxherëve legjendarë si Ferguson apo Wenger solli kriza te klubet e tyre, Maresca po e përqafon këtë sfidë si një privilegj dhe nuk ndjen presion nga hija e paraardhësit të tij. Pavarësisht humbjes fillestare 3:0 ndaj Arsenalit në Superkupë, City është rikthyer fuqishëm me pesë fitore radhazi në të gjitha garat. Me ndeshjet e radhës ndaj Norwichit dhe Sunderlandit, Maresca është rrugës për të kompletuar një fillim pothuajse të përsosur në krye të gjigantit anglez.
D.L