Lajmet

ASK: Rreth 900 mijë të regjistruar, serbët në komunat veriore me refuzime masive

Published

on

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka njoftuar se deri më tani ecuria e punës gjatë javës së katërt në terren për Regjistrimin e Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë është duke ecur sipas planit.

Avni Kastrati kryeshef i ASK-së, tha se deri më tani numri i popullsisë që është regjistruar është rreth 900 mijë, andaj shprehet optimist se do të jenë në kohë. Kastrati poashtu tregoi se nuk ka pasur refuzime deri më tani për regjistrim, derisa bëri me dije se për ata që refuzojnë do t’i ndjekin rrugët ligjore.

“Jemi në ditën e 24 të punës në terren, shpresojmë që do të jemi në kohë sipas planit që e kemi bo deri më 17 maj. Procesi i regjistrimit të popullsisë është duke shkuar ashtu siç është planifikuar dhe janë duke funksionuar gjitha pajisjet, instrumentet, sistemi dhe regjistruesit janë aktiv sidomos këto ditë, këtë javë ka një regjistrim më shumë sesa që është planifikuar. Ne e kemi një kornizë brenda javës përafërsisht sa do të jetë numri i regjistruesve edhe kjo është për tu përshëndetur sepse duket se tani regjistruesit janë adaptuar me zonat e tyre dhe me formularin por edhe qytetarët po e pranojnë pjesëmarrjen në regjistrimin e popullsisë në mënyrë masive. Nuk kemi refuzime deri tani, janë individuale nganjëherë ndonjë ekonomi familjare por në sistem neve nuk na vjen si refuzim për arsye se pretendohet që shkon edhe një herë, edhe dy herë tjera por sigurisht ne e kemi theku edhe më herët se regjistrimi i popullsisë përveç që është një e mirë që duhet ta kemi, është e rregulluar edhe me ligj dhe ASK-ja po e bëjmë publike, gjithë ata që refuzojnë të marrin pjesë në regjistrim do t’i përcjellim në institucionet e tjera që janë të thirrura për legjislacion” – tha Kastrati.

Kryeshefi i ASK-së tha se po vlerësohet se Kosova i ka respektuar standardet ndërkombëtare për regjistrime dhe është në kuadër të linjave të rekomandimeve ndërkombëtare.

Të regjistruarve deri më sot ju kemi ofruar rreth 900 mijë edhe besojmë që siç e cekëm më parë do të jemi në kohë. Deri më tani janë regjistruar mbi 891 mijë banor të Kosovës” – shtoi ai.

Më tej, ai u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve qe të deklarojnë saktë rezidencën e tyre dhe poashtu kërkohet që edhe qytetarët të jenë aktiv në procesin e regjistrimit.

Nëse regjistruesi ose regjistruesja nuk vjen në ekonominë familjare tuajën ata duhet të jenë vetë aktiv që nënkupton se nëse nuk vjen regjistruesi 5 – 6 ditët e fundit ata të kontaktojnë komunën e tyre është një numër telefoni për zyrtarët komunal dhe ata e angazhojnë një ekip tjetër apo rezervë. Nëse edhe komuna nuk përgjigjet për ndonjë arsye ata mund të kontaktojnë dy numra të telefonit në ASK. Ne kemi një ekip mobil që brenda ditës kudo në Kosovë mund ta dërgojmë për regjistrim. Edhe një herë pra qytetarët vetë të jenë aktiv të kontaktojnë me regjistruesit e zonës”- u shpreh Kastrati.

Sa i përket qytetarëve serb në katër komunat në veri të Kosovës tha se ka hezitim masiv për tu regjistruar, derisa shtoi se komunitetet tjera në atë zonë po regjistrohen.

Komuniteti serb ende heziton në mënyrë masive ka një regjistrim të disa ekonomive familjare, individëve por është numri i vogël në bazë të atyre që ne pretendojmë. Ne kemi pas diskutim me disa institucione ndërkombëtare dhe sigurisht ata do t’i transmetojnë atë që ne u kemi transmetu komunitetit serb në veri. Është një e mirë edhe për ata për të ditur numrin e tyre që jetojnë në ato komuna. Mospjesëmarrja në regjistrim nuk ekziston. I bëjë thirrje komunitetit serb se procesi nuk është aspak politik. Duhet ta dinë për shërbime kush jeton, çfarë strukture e popullsisë, çfarë statusi i punësimit, çfarë niveli i edukimit gjithë këta indikator vijnë nga regjistrimi. Është në të mirë të vetë komunitetit” – tha ai.

Kastrati shtoi se në komunat në jug komuniteti serb është duke u regjistruar.

Ndryshe, regjistrimi i popullsisë do të zgjas deri më 17 maj 2024 derisa sipas ASK-së të dhënat preliminare do të mund të publikohet më herët se që janë paraparë, në qershor të këtij viti.

Rajoni

Vrasja e trefishtë në Podgoricë: I dyshuari ndalohet për 72 orë

Published

on

By

Prokuroria në Mal të Zi ka caktuar masën e ndalimit prej 72 orësh për Vehid Muriqin, i cili dyshohet për vrasjen e tre personave në Podgoricë. Muriq akuzohet për vrasjen e dy vëllezërve nga Rozhaja, D.H. (28) dhe N.H. (35), si dhe të një 56-vjeçari nga Novi Pazari me inicialet K.M.

Ngjarja ka ndodhur gjatë natës mes të hënës dhe të martës në lagjen “Stari Aerodrom”. Sipas hetimeve të para, dyshohet se krimi është kryer me armë të ftohtë në një banesë me qira. Pas aktit, i dyshuari ishte larguar drejt Rozhajës, ku pas rrëfimit para nënës së tij dhe denoncimit të kësaj të fundit, policia arriti të lokalizonte trupat dhe të kryente arrestimin e tij mbrëmjen e dëshme.

Prokurorja e rastit, Danka Gjeriq, ka bërë të ditur se motivet e këtij krimi mbeten ende të paqarta. Megjithatë, policia dyshon se ngjarjes i kanë paraprirë mosmarrëveshje personale mes të dyshuarit dhe viktimave. Hetimet po vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj vrasjeje të trefishtë që ka tronditur opinionin publik.

Continue Reading

Vendi

REL: Zgjedhjet e mundshme e vënë KQZ-në përballë problemeve të pazgjidhura

Published

on

By

Telashet e proceseve zgjedhore të vitit të shkuar në Kosovë nuk do të mund të gjejnë zgjidhje sivjet, nëse vendi shkon në zgjedhje parlamentare brenda pak javësh, për herë të tretë në pak më shumë se një vit.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë kohë deri më 28 prill që ta zgjedhin presidentin e ri të shtetit – në rast të kundërt zgjedhjet e reja të parakohshme duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Numërimi i votave të kandidatëve për deputetë, votimi jashtë Kosovës dhe angazhimi e trajnimi i stafit që merret me mbarëvajtjen e zgjedhjeve janë vetëm disa nga telashet e identifikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), që shoqëruan dy palë zgjedhje të përgjithshme (të mbajtura më 9 shkurt dhe 28 dhjetor 2025), si dhe dy runde të zgjedhjeve lokale (më 12 tetor dhe 9 nëntor 2025).

Për t’i adresuar ato, KQZ-ja ka rekomanduar që të ndryshohen Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Rregullat Zgjedhore, por një gjë të tillë do ta pamundësonte mbajtja eventuale e zgjedhjeve të parakohshme këtë vit, ndërmjet 31 majit dhe 7 qershorit.

Alban Krasniqi, anëtar i KQZ-së nga radhët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), thotë se ndryshimet ligjore kërkojnë kohë për t’u testuar e për t’u zbatuar, pa rrezikuar integritetin e procesit zgjedhor. Kësisoj, sipas tij, pamundësia për adresimin e mangësive nga proceset e kaluara rrezikon përsëritjen e tyre.

“Në rrethana të tilla, fokusi i KQZ-së pashmangshmërisht zhvendoset nga reforma afatgjatë, te menaxhimi emergjent i aktiviteteve të domosdoshme. Kjo do të thotë se shumë nga problematikat e zgjedhjeve të kaluara mund të përsëriten, pasi koha e pamjaftueshme kufizon mundësinë për ndryshime thelbësore dhe zbatimin e tyre”, shprehet Krasniqi për Radion Evropa e Lirë (REL).

Edhe përfaqësuesi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në KQZ, Ilir Gashi, ndan të njëjtin qëndrim.

“Zgjedhjet e shpejta nuk lejojnë ndërhyrje apo përmirësim të dukshëm të defekteve që kanë përcjellë zgjedhjet e kaluara”, thotë ai për REL-in.

Sipas hulumtuesit të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli, është joreale të pritet adresimi i problemeve në thelb, kur vendi mund të shkojë në zgjedhje prapë brenda një kohe të shkurtër.

Cakolli thotë se ndryshimet në legjislacionin zgjedhor “kërkojnë kohë dhe stabilitet politik”, dhe se praktikat ndërkombëtare sugjerojnë që ato të bëhen të paktën 6-12 muaj para një procesi zgjedhor.

“Çfarë mund të bëhet në një afat kaq të shkurtër lidhet më shumë me menaxhimin e procesit – për shembull, përzgjedhja më e kujdesshme e stafit zgjedhor, rritja e standardeve të trajnimit dhe shmangia e përsëritjes së problemeve të evidentuara nga stafi i njëjtë”, pohon ai për REL-in.

Cakolli thotë se duhet angazhim serioz për reformë. “Përndryshe, rrezikojmë që i njëjti model të prodhojë të njëjtat probleme në vazhdimësi, ndërsa besimi në proces gradualisht të dobësohet”, vlerëson ai.

Çfarë ndryshimesh duhet bërë?

Ndryshimi i Ligjit për Zgjedhjet, i bërë më 2023, ndër të tjera, u ka mundësuar votuesve që për deputetë të mund të votojnë deri në dhjetë kandidatë. Në mesin e rekomandimeve të KQZ-së është edhe kthimi në praktikën e mëparshme: atë të votimit për deri në pesë kandidatë për deputetë.

Sipas Krasniqit të LVV-së, përvoja në terren ka treguar se numri i lartë i kandidatëve ngadalëson procesin, dhe rrit rrezikun për manipulime e gabime teknike gjatë numërimit.

“Për më tepër, përzgjedhja e 10 kandidatëve krijon një ngarkesë të panevojshme për votuesit, duke e ndërlikuar vendimmarrjen e tyre, dhe duke zbehur qëllimin e vërtetë të demokratizimit të votës. Thjeshtimi i këtij procesi do të garantonte më shumë saktësi, shpejtësi dhe transparencë në administrimin e zgjedhjeve”, vlerëson anëtari i KQZ-së.

E, sipas Cakollit, ndryshimet e para tre vjetëve krijuan më shumë hapësirë për gabime në zgjedhjet e vitit të kaluar.

Në këtë video shpjegojmë se si u manipuluan votat e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 28 dhjetorit:

“Kryesorja ishte mënyra e numërimit të votave preferenciale – mbi 240 mijë ndryshime gjatë rinumërimit tregojnë se kemi një problem në vetë modelin, jo thjesht në zbatim”, thotë ai për REL-in.

Me ndryshimin e ligjit më 2023, për herë të parë u mundësua votimi fizik në ambasada e konsullata për qytetarët me të drejtë vote që jetojnë jashtë Kosovës.

Në këtë aspekt, sipas Krasniqit, i nevojshëm është lehtësimi i procedurave për regjistrim dhe votim jashtë vendit.

“Konkretisht, nevoja për rritjen e numrit të qendrave të votimit jashtë vendit, që do të ndikonte në lehtësimin e pjesëmarrjes së mërgatës në zgjedhje, dhe njëkohësisht do të ulte kostot financiare të këtij operacioni”, thotë ai.

Ndërkaq, Gashi i PDK-së vlerëson se ligji ka nevojë për ndryshime që përcaktojnë përdorimin e teknologjisë, “veçanërisht skanimin dhe leximin optik të fletëvotimeve”.

Çka shkoi keq në zgjedhjet e kaluara?

Krasniqi thotë se manipulimi i votave të kandidatëve për deputetë ka qenë ndër problemet kryesore që është evidentuar nga zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Ai shprehet se ka qenë shqetësues mosraportimi i parregullsive nga vëzhguesit dhe ekipet e numërimit, teksa devijimet në rezultat, “që shkaktuan kosto shtesë financiare dhe vonesa në certifikimin e rezultateve”, u konfirmuan vetëm pas rinumërimit të votave.

“Për KQZ-në, ky është një mësim i qartë se organizimi i mirë administrativ nuk mjafton nëse nuk ka saktësi në numërim. Prandaj, prioriteti ynë tani është ndërmarrja e masave të rrepta parandaluese që garantojnë mbrojtjen e vullnetit të qytetarëve dhe eliminojnë çdo mundësi për manipulim në të ardhmen”, thotë Krasniqi.

Kurse në zgjedhjet lokale, Krasniqi e ka parë problematik numrin e madh të votimit me asistencë, që nuk ka plotësuar kriteret që parasheh ligji.

“Pastaj, në disa raste, mosmbërritja me kohë e pakove me fletëvotime tek votuesit e regjistruar për votim jashtë Kosovës në raundin e dytë për kryetar të komunave ishte problematikë shumë serioze”, thotë ai.

Gashi konsideron se “sfidë serioze” gjatë vitit të shkuar kanë qenë “përpjekjet e pushtetit për të ndërhyrë në vendimmarrje, si dhe tentimet për të votuar jashtë kornizës ligjore”.

Sipas tij, vështirësi ka paraqitur edhe shpallja e zgjedhjeve të parakohshme në fundvit.

“Sfida të tjera kanë qenë votimi deri në 10 kandidatë – që ka vështirësuar administrimin e votës, mungesa e skanimit dhe leximit optik të fletëvotimeve, votimi me asistencë, rekrutimi i stafit… Mungesa e një drejtori të zgjedhur nga neglizhenca e pajustifikuar nën drejtimin e kryetarit, si dhe ndikimi i pushtetit kanë sjellë vështirësi. Po ashtu, edhe menaxhimi joadekuat i operacioneve zgjedhore”, thotë Gashi.

Por, sipas Cakollit të KDI-së, problemet me të cilat janë karakterizuar zgjedhjet e fundit në Kosovë nuk janë të reja. “Kësaj here dolën shumë më qartë në sipërfaqe”, thotë ai.

KQZ-ja përballë zgjedhjeve të parakohshme

Organizimin e zgjedhjeve, kurdo që mund të shpallen ato, anëtarët e KQZ-së e shohin si obligim kushtetues, por edhe sfidues.

Krasniqi i LVV-së thotë se përmbushja e qindra aktiviteteve operacionale, planifikimi dhe prokurimi i materialeve e shërbimeve brenda afateve të shkurtra kohore bartin rreziqe, dhe e vështirësojnë menaxhimin efektiv të procesit zgjedhor.

Ai përmend materialet e paasgjësuara të proceseve të kaluara, digjitalizimin e shërbimeve, aspektet logjistike, rekrutimin dhe trajnimin e zyrtarëve të sekretariatit, të Komisioneve Komunale Zgjedhore, si dhe të anëtarëve të këshillave të vendvotimeve dhe ekipeve të numërimit.

“Në një rrethanë të tillë, organizimi i zgjedhjeve mbetet sfidë serioze edhe për KQZ-në, si nga aspekti teknik-administrativ, ashtu edhe ai i kapaciteteve njerëzore, që do të duhej të merret seriozisht në konsideratë para çfarëdo vendimmarrje politike apo institucionale, përfshirë edhe vetë aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese”, shprehet Krasniqi.

Për Gashin e PDK-së, sfidë është edhe përbërja e plotë e KQZ-së, “përkatësisht mungesa e edhe një anëtari nga opozita”.

“Gjithashtu, përpjekjet për ndërhyrje nga pushteti dhe mbajtja e anës nga kryesuesi, në mënyrë të verbër në favor të kërkesave të pushtetit, përbëjnë shqetësim. Për fat të keq, edhe disa anëtarë të tjerë, në pamundësi për të ushtruar rolin për të cilin janë deleguar, veprojnë në shërbim të pushtetit, me ose pa vetëdije”, thotë ai.

Nëntë anëtarë të KQZ-së u betuan para tani ish-presidentes, Vjosa Osmani, më 27 mars. Për emërimin e anëtarit të dhjetë, ajo iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, pasi LVV-ja pretendoi se i takonin tre anëtarë, në bazë të rezultatit zgjedhor. Edhe pas vendimit të Kushtetueses, që e shpalli të papranueshme kërkesën e Osmanit, boshllëku në KQZ nuk u mbyll.

Pas përfundimit të mandatit presidencial të Osmanit, çështja ka mbetur në duart e ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu./REL/

 

Continue Reading

Vendi

Reformat në drejtësi dhe zgjedhja e Kryeprokurorit: Haxhiu pret në takim kryesuesin e Këshillit Prokurorial

Published

on

By

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës dhe njëherësh Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim Kryesuesin e Këshillit Prokurorial, Arian Gashi.

Pjesë e këtij diskutimi ishin sfidat dhe arritjet me të cilat po përballet sistemi prokurorial në Kosovë. Në takim u diskutua edhe për reformat e nevojshme në drejtësi dhe për procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit.

“Folëm për reformat në drejtësi dhe domosdoshmërinë e përmbylljes sa më të shpejtë të procesit për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit”, shkruan Haxhiu.

Ndërsa, një temë tjetër që u ngrit në këtë takim ishin edhe nevojat buxhetore e infrastrukturore, si dhe nevojat për më shumë prokurorë dhe staf mbështetës, çështje që ndikojnë në efikasitetin institucional, sipas Haxhiut.

Tutje, u.d. presidentja Haxhiu, drejtuesit të Këshillit Prokurorial ia ka riafirmuar përkushtimin për pavarësinë institucionale dhe forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.

Continue Reading

Lajmet

Përurohet renovimi i Klinikës së Kardiologjisë në QKUK

Published

on

By

Sot është përuruar transformimi i Klinikës së Kardiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pas përfundimit të punimeve për modernizimin e hapësirave të saj.

Në këtë ceremoni morën pjesë përfaqësues të institucioneve të vendit dhe Ambasadori i Luksemburgut, shtet ky që mbështeti financiarisht projektin.

Projekti ka përfshirë renovimin e një hapësire prej rreth 400 metrash katrorë, e cila është përshtatur për nevojat e shërbimeve kardiologjike.

Pjesë e këtij investimi është edhe funksionalizimi i Cath-Lab-it (Laboratorit të Kateterizimit) dhe vendosja e një angiografi të ri, pajisje këto që shërbejnë për diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve të zemrës.

Sipas njoftimit, ky transformim ka përfshirë edhe njësinë gjysmë-intenzive, punimet e së cilës kishin nisur në prill të këtij viti.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, bëri të ditur se ky renovim synon rritjen e kapaciteteve për trajtimin e pacientëve dhe përmirësimin e kushteve të punës për stafin mjekësor.

Lidhur me rëndësinë e këtyre punimeve, Kryeministri Albin Kurti u shpreh se ky ndryshim është komfort standardeve moderne.

“Një hapësirë prej rreth 400 metrash katrorë është transformuar sipas standardeve moderne spitalore, duke krijuar kushte më të mira për mjekët, specialistët, infermierët dhe mbi të gjitha, kushte më dinjitoze për shërim të plotë e më të shpejtë për pacientët tanë”, deklaroi Kryeminstri Kurti.

 

Continue Reading

Të kërkuara