Aktualitet

ASK për grevën e SBASHK-ut: Të shikohet interesi i nxënësve, ky vit nuk duhet të dëmtohet më tepër

Rreth 12 mijë nxënës më pak kanë vijuar vitin shkollor 2021-2022, sipas Shahinit.

Published

on

Rreth 12 mijë nxënës më pak kanë vijuar vitin shkollor 2021-2022, ndërsa sfidë për sistemin parauniveristar mbetet zbatimi i kontratës kolektive në komuna. Kështu tha kryesuesi i Kolegjiumit për Arsim parauniversitar, Samir Shahini gjatë raportimit të tij para anëtarëve të Komisionit për Arsim.

Aty së bashku diskutuan për gjendjen e arsimit parauniversitar në nivel komunal. Ai përmendi edhe grevën e SBASHK-ut për të cilin tha se duhet të shikohet interesi i nxënësve pasi ky vit shkollor është dëmtuar mjaftueshëm.

Samir Shahini tha se Kosova numëron rreth 330 mijë nxënës në sistemin parauniveristar, në këtë shifër dominojnë për 10 mijë nxënës meshkuj sesa femra. Ai shtoi se në Kosovë vazhdon të jetë e ulët përfshirja e nxënësve në arsimit parashkollor.

Si sfidë kryesore, ai ka renditur zbatimin e kontratës kolektive për çka tha se as MASHT-i nuk u ka ofruar përkrahje.

“Sfidë kryesore vazhdon të mbetet zbatimi i kontratës kolektive në komunat e cila në fillim në hartim të saj ka pas probleme dhe pastaj vazhdon të reflektojë tash e sa vite në kontratën paraprake por edhe në kontratën e re të nënshkruar në vitin 2021 nga ish-ministri Ramë Likaj vazhdojmë të kemi mos alookim të buxhetit për kryerjen e obligimeve që iu dalin komunave nga kontrata kolektive. Pastaj, një nga problemet e tjera më të theksuara është sfida e rekrutimit dhe ndeshja e dy ligjeve të cilat thonë krejt diçka tjetër njëri prej tjetrit për rekrutim të stafit, kemi Ligjin për Arsim Parauniveristar dhe atë për Shërbyes Publik i cili ia delegon përgjegjësinë e rekrutimit zyrave të personelit nëpër komuna dhe sot në realitet kemi disa komuna që vazhdojnë të kryejnë rekrutimin përmes njësisë kërkuese DKA në këtë rast dhe disa komuna që bëjnë rekrutimit përmes zyrës së personelit”, tha ai.

Shahini, i cili është edhe drejtor për Arsim në Komunën e Fushë-Kosovës, theksoi se në këtë vit shkollor ka një rënie të numrit të nxënësve prej 12 mijë nxënës në nivel vendi. Si shqetësim tjetër ka ngritur edhe disbalancën e mësimdhënësve nëpër komuna.

“Nga viti i fundit shkollor 2020-2021 dhe 2021-2022 kemi një rënie prej 12 mijë nxënës në nivel të vendit e cila është shqetësuese për secilin prej nesh, por për këtë janë disa faktorë që i dimë dhe nuk ka nevojë t’i elaburojmë këtu. Ajo që neve na shqetëson është se kjo rënie nuk është përcjell me një reformim të sistemit parauniveristar në komuna nga asnjë qeveri deri më tani. Kemi pasur disa shenja të mira nga kjo qeverisje, është hera e parë që dikush e konsideron të bëjë një risistemim ose një rregullim më të mirë të numrit të shkollave, mënyrën se si funksionojnë dhe menaxhmentit qoftë në baza të regjioneve, komunave apo shkolla për të balancuar mungesën e mësimdhënësve në masë të madhe në disa komuna si ajo e Prishtinës, Fushë-Kosovës, dhe pastaj kjo mungesë vazhdon të përcillet thuajse në të gjitha komunat por në qytete në Gjilan kemi mungesë të madhe të mësimdhënësve në qytet por vazhdojmë të kemi numër të ulët të nxënësve në fshatra”, theksoi ai.

Shahini ka folur edhe për grevën e paralajmëruar nga SBASHK-u për çka tha se në këtë moment duhet të vihet interesi i nxënësve përpara, pasi ky vit shkollor sipas tij edhe ashtu është i dëmtuar.

“Disa nga shqetësimet e tjera janë edhe SBASHK-u, nuk mund të kalojmë pa përmendur grevën e cila është konfirmuar nga SBASHK-u me 12 muaj, ky është vetëm fillimi shpresoj se nuk do të eskalojë. Ata kanë lajmëruar se do të ketë grevë 1-orëshe në të gjithë nivelin parauniveristar në Kosovë ne kemi kontaktuar në nivel lokal me përfaqësuesit e SBASHK-ut dhe qëndrimi ynë si Asociacion i Komunave, si Kolegjium për Arsim, është që mësimdhënësit kanë të drejtë të kërkojnë atë që kërkojnë, mirëpo dua të konsiderojmë së bashku me mësimdhënësit dhe këtë trekëndëshin pushtetit lokal dhe qendror dhe SBASHK të konsiderojmë fillimisht interesin e nxënësve. Ky vit nuk duhet të dëmtohet më tepër, ky vit shkollor është dëmtuar që nga fillimi, rikujtojmë që viti shkollor ka nisur me shumë vonesë është punuar të shtunave ashtu siç është punuar dhe lirisht mund të konsiderojmë si të humbura”, theksoi ai.

Kurse, drejtoresha e Arsimit në komunën e Prishtinës, Besiana Musmurati kërkoi nga anëtarët e Komisionit për Arsim që ta shfrytëzojnë autoritetin e tyre për të shtyrë përpara procesin e Bordit të OSHP-së.

Duke folur për problemet me të cilat po përballet sistemi parauniveristar, udhëheqësi i Kolegjiumit për Arsim Parauniveristar, Samir Shahini tha se ka mungesë të hapësirave si laborator dhe kabinete të ndryshme por edhe palestra sportive. Derisa edhe për inspektorët që inspektojnë shkollat konsideroi se numri i tyre është i vogël por edhe jo produktiv për shkak edhe të moshës dhe mbingarkesës së tyre.

Botë

Macron dënon dhunën dhe plaçkitjet në Francë: Mbi 2.400 të arrestuar pas protestave masive

Published

on

By

Protestat mbarëkombëtare në Francë kundër rritjes së kostos së jetesës dhe kushteve në arsim janë përshkallëzuar në përplasje të dhunshme, duke çuar në arrestimin e më shumë se 2.400 personave në të gjithë vendin.

Në një fjalim televiziv drejtuar kombit, Presidenti Emmanuel Macron shprehu zemërimin dhe turpin për trazirat, ndërsa fajësoi grupet e së majtës ekstreme dhe elementët kriminelë për nxitjen e kaosit. Macron u zotua se përgjegjësit për plaçkitjet dhe sulmet ndaj institucioneve do të përballen me pasojat ligjore, duke udhëzuar prefektët të marrin masa strikte për mbrojtjen e ndërtesave publike dhe bizneseve, përfshirë edhe ndalimin e protestave kur kjo të jetë e nevojshme.

Dëmet materiale nga përplasjet llogariten të jenë të konsiderueshme. Në qytetin Limoges, goditja e stilit historik e bashkisë u shkatërrua pothuajse tërësisht pasi protestuesit i vunë zjarrin. Incidentet nuk munguan as në Marsejë e Lion, ku u sulmuan stacione policie dhe zyra publike, ndërsa në Paris u arrestuan më shumë se 850 persona pasi zona përreth Sheshit të Republikës u kthye në fushëbetejë me xhama të thyer e rrugë të dëmtuara. Gjithashtu, policia e Parisit njoftoi se një person ndërroi jetë nga një sulm në zemër gjatë trazirave.

Sipas autoriteteve, në marshime morën pjesë rreth 550.000 persona, ndërsa organizatorët e vlerësojnë pjesëmarrjen në 800.000. Ngjarjet kanë nxitur edhe reagime të ashpra politike në prag të zgjedhjeve presidenciale, ku opozita ka kritikuar reagimin e qeverisë, ndërsa liderët e qyteteve kryesore kanë kërkuar takime urgjente me kryeministrin për menaxhimin e situatës. /BBC/

Continue Reading

Vendi

Vazhdojnë përplasjet e dhunshme mes studentëve dhe policisë në Tiranë

Published

on

By

Protesta e mbajtur të dielën në Tiranë ka zgjatur rreth 10 orë dhe është shoqëruar me akte të rënda dhune, ku autoritetet e rendit kanë shoqëruar dhe arrestuar qindra studentë protestues. Përgjatë përplasjeve të ashpra, protestuesit i dhanë flakën Komisariatit Nr. 3, ngjarje ku mbetën të lënduar 10 efektivë policie.

Për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës, gjatë orëve të mbrëmjes një eskavator ka ndërhyrë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të hequr gurët dhe pllakat e trotuarit, të cilat u përdorën masivisht nga protestuesit për të qëlluar në drejtim të forcave të rendit.

Gjithashtu, policia reagoi lidhur me incidentin e regjistruar pranë selisë së Partisë Demokratike. Sipas versionit zyrtar të uniformave blu, një grup personash të maskuar u futën në ambientet e jashtme të godinës për t’iu shmangur ndjekjes policore, nga ku vazhduan sulmet ndaj efektivëve. /Euronews/

Continue Reading

Rajoni

UBT shënon 25-vjetorin, Hajrizi: Kemi dhënë kontribut në transformimin e arsimit dhe inovacionit në Kosovë

Published

on

By

Në një intervistë në emisionin “Five” në RTV Dukagjini, Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, ka thënë se 25-vjetori i këtij institucioni përfaqëson jo vetëm një përvjetor jubilar, por edhe një moment reflektimi për të arriturat dhe synimet e ardhshme në arsim, shkencë, inovacion dhe teknologji.

Hajrizi ka deklaruar se gjatë këtij çerek shekulli, UBT-ja është angazhuar në ndërtimin e një sistemi arsimor me qasje inovative, duke synuar të ndikojë në zhvillimin e vendit në fusha të ndryshme.

“Është një vit që jo vetëm duhet të reflektojmë, por është një angazhim prej çerek shekulli, ku vitet më të mira të jetës kanë qenë angazhim për të ndërtuar një sistem të arsimit dhe një qasje inovative në arsim. Ka qenë një rezultat i mirë, por edhe një moment reflektimi se çfarë kemi arritur dhe çfarë duam të arrijmë”, është shprehur Hajrizi.

Ai ka theksuar se gjatë këtyre 25 vjetëve ka pasur zhvillim në fusha të ndryshme, përfshirë arsimin, shkencën, inovacionin, teknologjinë dhe zhvillimin e biznesit, duke vlerësuar se UBT-ja ka pasur ndikim në këtë proces transformues.

Në kuadër të shënimit të 25-vjetorit, UBT-ja ka planifikuar disa aktivitete që do të zhvillohen gjatë javës së ardhshme, me fokus të veçantë në fushën akademike dhe shkencore.

Sipas Hajrizit, gjatë kësaj jave në Kosovë do të organizohen tri ngjarje ndërkombëtare, njëra pas tjetrës, të cilat synojnë të sjellin në vend komunitetin akademik dhe profesionistë nga fusha të ndryshme.

Ngjarja e parë do të mbahet të mërkurën dhe do t’i kushtohet Konferencës Ndërkombëtare për Mjekësinë Sportive. Hajrizi ka bërë të ditur se kjo konferencë organizohet për herë të dytë dhe do të mbledhë përfaqësues të komunitetit vendor dhe ndërkombëtar në UBT.

“Kemi mbërritur në fund të vitit ku do të shënojmë edhe përmbylljen e 25-vjetori dhe mbi këtë kemi menduar t’i organizojmë disa evente të cilat ndërlidhen edhe në shenjë të 25-vjetorit. Këtë vit i kemi mbledh disa ngjarje, javen e ardhshme kemi disa aktivitete që lidhen me pjesën akademike shkencore dhe i kemi tri ngjarje të nivelit botëror që i organizmojnë në Kosovë në të njëjtën kohë njëra pas tjetrës që e plotësojnë gjithë javën. Konferenca e parë që e organizojmë të mërkurën ka të bëjë me Konferencën Ndërkombëtare Botërore për Mjekësinë Sportive, është hera e dytë që organizohet por është një konferencë që sjell gjithë komunitetin edhe ndërkombëtar edhe vendor në UBT në Kosovë”, u shpreh Hajrizi.

Përmes këtyre aktiviteteve, UBT-ja synon të shënojë përmbylljen e 25-vjetorit, duke vënë në pah të arriturat e deritanishme dhe duke hapur diskutime për zhvillimet e ardhshme në arsim, shkencë dhe inovacion.

Continue Reading

Lajmet

UBT hap AI Business Hub, duke kompletuar ekosistemin për zhvillimin e kompetencave dhe mbështetjen e bizneseve

Published

on

By

UBT ka hapur zyrtarisht AI Business Hub, një hapësirë të re që synon të forcojë kompetencat në fushën e inteligjencës artificiale dhe të ofrojë mbështetje për bizneset në Kosovë dhe më gjerë.

AI Business Hub është rezultat i projektit TBEAI (Transforming Business Education with AI in Western Balkans), një projekt i financuar nga Komisioni Evropian përmes programit Erasmus+, i cili synon transformimin e edukimit të biznesit përmes integrimit të inteligjencës artificiale në Ballkanin Perëndimor.

Me hapjen e këtij Hub-i, UBT plotëson edhe më tej ekosistemin e tij të inovacionit, duke krijuar mundësi konkrete për zhvillimin e kompetencave digjitale, avancimin e njohurive në inteligjencën artificiale dhe mbështetjen e sektorit të biznesit në përballjen me sfidat e transformimit digjital.

AI Business Hub synon të shërbejë si urë lidhëse ndërmjet akademisë, teknologjisë dhe biznesit, duke krijuar hapësirë për bashkëpunim, zhvillim të aftësive profesionale dhe zbatimin e zgjidhjeve të inteligjencës artificiale në praktikat e përditshme të bizneseve. Përmes kësaj nisme, studentët, profesionistët dhe ndërmarrjet do të kenë mundësi të përfitojnë nga një qasje më e orientuar drejt nevojave të tregut, duke nxitur inovacionin, rritjen e produktivitetit dhe përgatitjen për ekonominë digjitale.

Hapja e AI Business Hub dëshmon përkushtimin e UBT-së për të ndërtuar një ekosistem që jo vetëm zhvillon kompetencat e së ardhmes, por edhe përkrah bizneset në Kosovë dhe më gjerë, duke i ndihmuar ato të shfrytëzojnë potencialin e inteligjencës artificiale për zhvillim dhe konkurrueshmëri.

UBT vazhdon të investojë në inovacion, dije dhe teknologji, duke e shndërruar inteligjencën artificiale në një mundësi konkrete për zhvillimin e arsimit, sipërmarrjes dhe ekonomisë.

Continue Reading

Të kërkuara