Kulturë

Asdreni – poeti, publicisti dhe aktivisti i çështjes kombëtare

Published

on

Muzeu Historik Kombëtar, në Tiranë, zhvilloi sot një ngjarje përkujtimore në nder të Aleksandër Stavre Drenovës, i njohur në botën letrare si Asdreni, për të shënuar 77-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta. Asdreni, një nga figurat më të shquara të letërsisë dhe aktivizmit kombëtar, u nda nga jeta më 11 dhjetor të vitit 1947 në Bukuresht, duke lënë një trashëgimi të pasur letrare dhe atdhetarizmi.

Poezia e tij ka pasur një ndikim të thellë në formimin e identitetit kombëtar shqiptar, duke u botuar në gazetat më të rëndësishme të kohës, si “Kalendari Kombëtar”, “Albania” dhe “Drita”. Asdreni përdorte emrin e tij artistik për të firmosur veprat që depërtonin thellë në shpirtin e atdhetarizmit shqiptar. Lindi më 11 prill të vitit 1872 në Drenovë të Korçës dhe u rrit në një atmosferë që frymëzonte dashurinë për atdhenë. Edhe pse i mbetur jetim që në moshë të vogël, ai udhëhoqi një jetë të pasionuar për arsim, kulturë dhe çështjen kombëtare.

Në vitin 1885, Asdreni u detyrua të largohej në Rumani për shkak të kushteve të vështira, por pas një periudhe të shkurtër u rikthye në Shqipëri në vitin 1889, për të vijuar më pas udhëtimin e tij atdhetar në periudha të ndryshme deri në vitin 1937. Shkollimin e mesëm e nisi në gjimnazin e Korçës, ndërsa studimet e larta i nisi në Akademinë Tregtare të Bukureshtit, për të vijuar më pas në Fakultetin e Shkencave Politike, por që nuk mundi t’i përfundonte.

Asdreni nuk ishte thjesht poet, por një figurë kyçe e kolonisë shqiptare në Rumani, ku shërbeu si sekretar i saj për një periudhë të gjatë mes viteve 1913-1925. Ai gjithashtu shërbeu si sekretar i Konsullatës Shqiptare të Bukureshtit nga viti 1922 deri në 1934, duke kontribuar në konsolidimin e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe shtetit rumun. Një nga ngjarjet më të rëndësishme në të cilat Asdreni mori pjesë ishte mbledhja e Bukureshtit të 5 nëntorit 1912, një moment kyç në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.

Poetika e tij, me vjershat dhe himnet që shkroi, si “Betimi mbi flamur” dhe shumë të tjera, pati një ndikim të thellë në forcimin e ndërgjegjes kombëtare shqiptare, veçanërisht në periudhën kritike të Shpalljes së Pavarësisë dhe më pas në konsolidimin e shtetit shqiptar. Vepra e Asdrenit mbetet një simbol i dashurisë dhe përkushtimit të tij ndaj atdheut, dhe një pasuri e paçmueshme për kulturën dhe historinë shqiptare./UBTNews/

Lajmet

Mbrëmje përkujtimore në Bernë për 95-vjetorin e Dritëro Agollit

Published

on

Ambasada e Shqipërisë në Bernë organizoi në bibliotekën Kornhausbibliothek një mbrëmje të veçantë kushtuar 95-vjetorit të lindjes së poetit dhe shkrimtarit shqiptar Dritëro Agolli.

Në aktivitet morën pjesë nxënës shqiptarë, mësues dhe dashamirës të kulturës shqiptare në Zvicër, të cilët u njohën me jetën dhe veprën e një prej figurave më të rëndësishme të letërsisë shqipe.

Ambasadori Ermal Dredha e vlerësoi Agollin si një krijues që e shndërroi përvojën e njeriut të zakonshëm në art, duke theksuar se veprat e tij mbeten aktuale për shkak të trajtimit të vlerave universale si dinjiteti njerëzor, dashuria dhe raporti i njeriut me kohën.

Mbrëmja u pasurua me recitime nga nxënësit e shkollave shqipe në Zvicër, interpretime muzikore nga Mimoza Nazarko dhe nxënësit, si dhe me materiale filmike dhe incizime nga zëri i vetë Agollit.

Ambasada falënderoi Brikela Andera, bibliotekën Kornhausbibliothek dhe Muzeu Kadare–Agolli për kontributin në realizimin e aktivitetit, i cili mundësoi ekspozimin e dorëshkrimeve dhe materialeve krijuese të autorit.

Pas Bernës, aktivitetet e Vitit të Agollit dhe Kadaresë do të vazhdojnë në Gjenevë, ku gjatë vjeshtës pritet të organizohet një veprimtari kushtuar shkrimtarit Ismail Kadare.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Përfundojnë xhirimet e filmit të shkurtër “Ni latte pa qumësht”

Published

on

Kanë përfunduar xhirimet e filmit të shkurtër “Ni latte pa qumësht”, me skenar dhe regji nga Mjellma Istrefi, ndërsa producent është Shkumbin Istrefi.

Në këtë film luajnë aktorët Tristan Halilaj, Ilire Vinca, Gentrit Shala, Selman Jusufi, Blerta Ismaili, Orgeta Brahimi dhe Liza Curri.

Drejtor i fotografisë është Naum Doksevski.

Filmi është prodhim i Mayfly Productions.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Haxhiu merr pjesë në hapjen e ekspozitës “Sy më Sy”

Published

on

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë në hapjen e ekspozitës “Sy më Sy”, e cila trajton rrëfimet dhe përvojat e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Në fjalën e saj, Haxhiu tha se irisi, i vendosur në qendër të ekspozitës, paraqet një shenjë unike të identitetit njerëzor dhe simbolizon praninë, dinjitetin dhe historinë personale të secilit individ.

Ajo vlerësoi punën e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës dhe organizatës “Pro Peace”, duke theksuar rëndësinë e rrëfimeve të të mbijetuarve dhe nevojën për t’u përballur me stigmën që ka përcjellë shumë prej tyre pas luftës.

Sipas Haxhiut, personat e dhunuar seksualisht gjatë luftës janë pjesë e historisë së Kosovës dhe meritojnë njohje, kujdes, drejtësi dhe jetë me dinjitet.

Ekspozita “Sy më Sy” synon të nxisë reflektimin dhe ndërgjegjësimin mbi përvojat e të mbijetuarve, duke sjellë para publikut histori që për vite të tëra kanë mbetur në heshtje.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Biblioteka Kombëtare organizon aktivitet për 90-vjetorin e Rexhep Qosjes

Published

on

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” do të organizojë më 25 qershor një takim nderues me rastin e 90-vjetorit të lindjes së akademikut dhe shkrimtarit Rexhep Qosja.

Në kuadër të këtij aktiviteti do të mbahet ligjërata me titull “Fjalim për njeriun e fjalës”, e cila do të prezantohet nga Ag Apolloni.

Takimi do të zhvillohet më 25 qershor, duke filluar nga ora 11:00, në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës në Prishtinë.

Aktiviteti synon të nderojë jetën, veprën dhe kontributin e Rexhep Qosjes në letërsinë, kulturën dhe mendimin shqiptar, me rastin e jubileut të 90-vjetorit të lindjes së tij.

/A.K/

Continue Reading

Të kërkuara