Kulturë

Kolë Idromeno, mjeshtri i pikturës shqiptare

Published

on

Sot mbushen 85 vite që mjeshtri i pikturës shqiptare, Nikolla (Kolë) Idromeno, u nda nga jeta. Edhe pas më shumë se një shekulli, emri i tij mbetet një ndër më të shquarit në historinë e artit shqiptar. Ai është një artist universal, i njohur për shkrimet e tij në shumë fusha, nga piktura deri tek arkitektura, skulptura, fotografia, muzika dhe inxhinieria.

Kolë Idromeno është përjetësuar si një nga figurat më të kompletuara dhe më të rëndësishme që ka pasur Shqipëria. Si piktor, ai ka realizuar vepra që janë themel i traditës të pikturës shqiptare të shekujve XIX-XX, ndërsa si skulptor e arkitekt ka lënë pas shumë vepra të rëndësishme, përfshirë ndërtime që ende sot mbajnë shenjën e tij të padiskutueshme në qytetin e Shkodrës. Për të, është thënë se ishte gjithçka që një artist mund të ishte, dhe më shumë se kaq një krijues që u bë njëkohësisht frymëzim dhe udhërrëfyes për brezat që pasuan.

Një nga pikturat më të njohura të Idromenos, “Motra Tone”, është quajtur nga kritikët e artit si “Xhokonda shqiptare”, duke e krahasuar figurën e saj me krijimin më të njohur të Leonardo da Vincit. Kjo vepër, si dhe shumë të tjera si “Autoportret”, “Portreti i së shoqes”, “Portret i Mati Kodhelit”, “Dy rrugët” dhe “Dasma shkodrane”, pasqyrojnë qartë thelbin e një piktori që depërton thellë në shpirtin e njeriut dhe kulturën shqiptare.

Idromeno lindi më 15 gusht 1860 në Shkodër, në një familje me origjinë nga Parga, në Çameri, dhe është njohur si “Piktor i Popullit”. Gjatë karrierës së tij, ai ka realizuar piktura, skulptura dhe ndihmoi në krijimin e një arkitekture të re për Shkodrën, ku lëvizi kufijtë e stilit dhe ngjyrës, duke sjellë në këtë qytet një frymë të re, më të hapur ndaj ndikimeve perëndimore.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm i trashëgimisë së Idromenos është angazhimi i tij në kinematografi. Ai ishte i pari që solli shfaqjet kinematografike në Shqipëri, duke sjellë një pasuri të re kulturore për shoqërinë shqiptare. Më 1919, ai realizoi shfaqjet e para të filmit, që paraqitën një hap të rëndësishëm në zhvillimin e arteve vizuale në vend.

Në fushën e pikturës, Idromeno ishte themelues i shkollës realiste të pikturës shqiptare të shekujve XIX-XX, një periudhë që përkonte me Rilindjen dhe Pavarësinë e Shqipërisë. Piktura e tij “Motra Tone” (1883), e konsideruar si një nga krijimet më të rëndësishme të realizmit shqiptar, është një simbol i shprehjes së thellë të ndjenjave dhe pasqyrë e jetës dhe dashurisë për popullin shqiptar.

Përveç kontributit të tij në art, Idromeno kishte gjithashtu një ndikim të thellë në zhvillimin e infrastrukturës dhe arkitekturës. Me projektet e tij, ai ka lënë një pasuri të paçmuar të ndërtimeve, shumë prej të cilave janë ende në përdorim në Shkodër. Në total, ai ka realizuar më shumë se 60 projekte ndërtesash private dhe publike, duke e transformuar qytetin e tij të lindjes në një qendër me arkitekturë unike dhe tërheqëse.

Kolë Idromeno ka vdekur më 12 dhjetor 1939, por kontributi i tij në artin shqiptar dhe kulturën botërore është i paharrueshëm. Mjeshtri i pikturës shqiptare mbetet një pikë referimi për artistët dhe pasuesit e tij, dhe do të kujtohet gjithmonë si një nga personalitetet më të rëndësishme që ka mbushur me ngjyrë dhe thellësi historinë e artit shqiptar./UBTNews/

Lajmet

Vazhdojnë punimet për restaurimin e shtëpisë së Beqir Haxhibeqirit në Gjakovë

Published

on

Po vazhdojnë punimet për konservimin dhe restaurimin e shtëpisë së Beqir Haxhibeqirit në Gjakovë, monument i trashëgimisë kulturore që daton nga shekulli XIX.

Shtëpia, e njohur për çardakun e mbyllur dhe elementet origjinale prej druri e hekuri, pritet t’i rikthejë vlerat e saj autentike përmes këtij procesi restaurues.

Si një shembull i veçantë i arkitekturës tradicionale, monumenti synohet të ruhet dhe të mbrohet për brezat e ardhshëm, duke kontribuar në ruajtjen e trashëgimisë kulturore të Gjakovës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Filmi “Dua” i Blerta Bashollit fiton çmimin kryesor në Festivalin e Filmit në Selanik

Published

on

Filmi “Dua”, me regji të Blerta Bashollit, është nderuar me çmimin “Golden Alexander – Michel Demopoulos” për filmin më të mirë artistik në konkursin “Meet the Neighbors+”, në kuadër të edicionit të 67-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Selanik.

Ky vlerësim shënon një tjetër sukses ndërkombëtar për filmin, i cili sjell në ekran një rrëfim intim për rritjen dhe përjetimin e fëmijërisë në Kosovën e pragluftës.

Juria e festivalit e ka vlerësuar filmin për vërtetësinë emocionale dhe vizionin personal mbi një periudhë përcaktuese të historisë së Kosovës.

Në komunikatën e publikuar nga krijuesit e filmit bëhet e ditur se juria veçoi mënyrën se si Basholli e ndjek personazhin kryesor, Duan 13-vjeçare, në Prishtinën e fundit të viteve 1990, kur ajo përballet me ndryshimet e adoleshencës, ndërsa lufta po afrohet.

Juria vlerësoi vendimin e regjisores për ta mbajtur kamerën pranë personazhit, duke theksuar ndershmërinë, humanizmin dhe përmbajtjen me të cilën rrëfehet historia e saj./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Rita Ora bëhet pjesë e filmit të ri fantastiko-shkencor “The Signalers”

Published

on

By

Artistja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, do të jetë pjesë e kastit të filmit të ri fantastiko-shkencor dhe thrillerit aventuresk “The Signalers”. Sipas revistës Variety, ajo do të ndajë ekranin me aktorin Tom Hopper, i njohur për rolet në serialet “The Umbrella Academy” dhe “The Terminal List”, si dhe me aktoren e re Mila Harris, e cila po shënon ngritje në Hollywood përmes projekteve “No Exit” dhe “Mary”.

Në kastin e këtij projekti janë përfshirë gjithashtu Missi Pyle (“Galaxy Quest”) dhe Nolan North (“Uncharted”), ndërsa në role mbështetëse do të paraqiten edhe Paulina Alvarez, David Silverman dhe Wolfgang Fiegl. Filmi, i cili është projekt i kompanisë Gramercy Park Media, tashmë ka nisur xhirimet. Skenarin e ka shkruar Cate Carson, e cila ka një të kaluar si detektive dhe specialiste e inteligjencës ushtarake, ndërsa regjinë e mban Gille Klabin, i njohur për filmin “The Wave”.

Ngjarja e filmit përqendrohet te një kontrollor i trafikut ajror (Tom Hopper), i cili punon në një zonë të izoluar, dhe mbesa e tij (Mila Harris), me të cilën ka një marrëdhënie të shkëputur. Jeta e tyre merr një kthesë të pazakontë kur zbulojnë një sinjal të pashpjegueshëm në thellësi të një zone të egër në Kanada, i cili shkakton fenomene të çuditshme e të rrezikshme dhe i shtyn të nisin një udhëtim për të zbuluar origjinën e tij.

Gjatë kërkimeve, ata hasin në një grup shkencëtarësh hulumtues, rolet e të cilëve luhen nga Rita Ora dhe Missi Pyle, që po ashtu janë në gjurmët e këtij fenomeni. Megjithatë, përpjekjet e tyre i çojnë pa dashje drejt zbulimit të një force të jashtëtokësore të varrosur prej kohësh, e cila nis të zgjohet rreth tyre. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Rrëfimi për luftën e UÇK-së mbush sallat me filmin “Sakrifica”

Published

on

By

Filmi vendor “Sakrifica”, me regji të Halil dhe Merita Budakovës, po vazhdon të tërheqë vëmendje të madhe dhe fluks të lartë shikuesish në Cineplexx Prishtina, pas premierës së tij të mbajtur dy ditë më parë.

Duke trajtuar një temë të ndjeshme të historisë së Kosovës, realizimi kinematografik ka arritur të prekë publikun që nga nata e parë e shfaqjes, ku biletat u shitën me ritme të jashtëzakonshme.

“Sakrifica” sjell në ekranin e madh historinë e pesë vëllezërve, të cilët gjatë viteve 1997–1999 marrin vendimin t’i bashkohen Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke lënë pas familjen dhe gjithçka që kanë për të luftuar për lirinë e vendit.

Për shkak të kërkesave të vazhdueshme dhe interesimit të lartë për ta parë këtë histori të guximit dhe atdhedashurisë, adhuruesit e filmit ftohen t’i sigurojnë me kohë biletat përmes platformës zyrtare të Cineplexx-it ose në arkat e kinemasë në Albi Mall. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara