Lajmet
As Kosova e as Kroacia s’mund të garantojnë mbrojtjen në liri të krerëve të UÇK-së
Published
5 years agoon
By
Betim GashiQeveria e Kosovës dhe shteti i Kroacisë, kanë thënë se nuk mund të jenë garantues për lirim me kusht të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Gjykata Speciale në Hagë.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Kosova nuk mund të shërbejë si garantuese për lirimin me kusht të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ngase garancia nuk kërkohet as nga shteti amë.
“Bazuar në dispozitat ligjore, garancia nuk kërkohet as nga shteti amë (Kosova) e as nga kryeministri i shtetit amë (Qeveria e Republikës së Kosovës), nga i cili vjen i akuzuari dhe të cilit shtet i takon Gjykata Speciale me juridiksion. Pra, Kosova nuk mund të shërbejë si garantues, ashtu siç po raportohet”, tha Kryeziu përmes një përgjigje me shkrim.
Sipas përgjigjes së zëdhënësit të qeverisë, “gjyqtari Kai Ambos, në opinionin e tij të ndarë nga vendimi për refuzimin e kërkesës për lirim me kusht, eksploron mundësinë që në të ardhmen ‘shtete të treta’ të mund të shërbejnë si garantues të mundshëm për ndonjë të akuzuar. Por, Kosova nuk është ‘shtet i tretë’, sepse Gjykata është ligjërisht e Kosovës”.
Kryeziu tha se “krahasimet e Gjykatës Speciale me gjykata ndërkombëtare sikurse me Tribunalin e Hagës janë të paqëndrueshme, si në raport me vetë gjykatat – njëra vendore e tjetra ndërkombëtare – ashtu edhe në raport me personat/institucionet që kanë pasur mundësi të ofrojnë garanci”.
Millanoviq: Kjo është e pamundur
Presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq ka thënë se nuk mund të ofrojë garanci për ish-homologun e tij, ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
“Kjo është e pamundur, nuk mund të jap garanci të tillë sepse kjo nuk është kompetencë e imja”, ka thënë ai duke iu u përgjigjur pyetjeve të gazetarëve gjatë vizitës në qytetin kroat, Sisak.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi po akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Aktakuza ndaj Thaçit sipas presidentit kroat Zoran Millanoviq, është mënyrë për ta dështuar rajonin.
“Tani dikush në çarshinë e Beogradit ndoshta do të ma zë për të madhe, por unë nuk jam armik i serbëve, as kam qenë, as nuk do të jem kurrë. Thjesht mendoj se është e dëmshme. Thaçi është dashur të ishte akuzuar ose të ishte lënë i qetë, sepse disa njerëz nga Beogradi kalojnë lehtë (të paprekur)”, tha Millanoviq.
Ai është i bindur se Thaçi ka të ngjarë të arrijë pleqërinë para gjykatës, për shkak të akuzave “të paprovuara” në raportin e Këshillit të Evropës, lidhur me pretendimin për trafikim të organeve.
“Në këtë kuptim, konsideroj që kjo është dëmtuese, por nuk kam ofruar kurrfarë garancish – jo, dhe as që mundem ta bëj këtë. Kjo, thjesht është e pamundur. Edhe po të kisha thënë kështu, unë e kam të pamundur ta bëj këtë”, ka thënë Millanoviq.
Ai ka shtuar që Kroacia nuk do ta bënte atë që e ka bërë Hungaria, si anëtare e BE-së – që t’i japë azil ish-kryeministrit maqedonas, Nikola Gruevskit, i cili kishte ikur në Hungari, në mënyrë që t’i shmangej dënimit me burg prej dy vjetësh, për shkak të korrupsionit.
Edhe Presidenca thotë se Kosova nuk mund të jetë garantuese
Këshilltari për media i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, Bekim Kupina, ka thënë se Kosova nuk mund të jetë garantuese për mbrojtjen në liri të ish-udhëheqësve të UÇK-së.
“Çështja e garancisë është përmendur në mendimin e ndarë të njërit prej gjyqtarëve (Kai Ambos), por nuk është pranuar si opsion nga Paneli i Apelit të Dhomave të Specializuara. Për më tepër, në mendimin e ndarë, gjyqtari Kai Ambos qartë i referohet shtetit të tretë. Republika e Kosovës, me asnjë interpretim, nuk mund të konsiderohet shtet i tretë, sepse gjykata funksionon nën juridiksionin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Kupina.
Ish-kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Hysen Berisha, ditë më parë ka deklaruar se Kroacia ka ofruar garanci për lirimin me kusht nga Gjykata Speciale, të krerëve të UÇK-së.
Radio Evropa e Lirë ka tentuar të marrë një përgjigje nga Partia Demokratike e Kosovës, por të njëjtin nuk kanë komentuar lidhur me këtë.
Për çka akuzohen ish-krerët e UÇK-së?
Në tetor të vitit 2020, Gjykata Speciale për hetimin e krimeve të kryera gjatë luftës së Kosovës, kishte konfirmuar aktakuzën ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, nën dyshime për kryerjen e krimeve të luftës në Kosovë në 1998 dhe 1999.
Të gjithë ata janë në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit të kaluar.
Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.
Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë, përkatësisht në Kukës dhe Cahan.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty. (RFE)
You may like
Lajmet
MINTI -Kontrollon çmimet e karburanteve në Kosovë
Published
14 hours agoon
March 2, 2026By
UBTNews
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) po i ndjek me kujdes çmimet e karburanteve në të gjithë vendin në Kosovë.
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut po bën kontrolle të vazhdueshme në terren për të siguruar që çmimet të jenë të drejtë dhe në përputhje me ligjin.
“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit është e përkushtuar, me theks të veçantë në mbrojtjen e konsumatorit, rritjen e transparencës, mbrojtjen e konkurrencës së ndershme, si dhe mënjanimin e çrregullimeve në treg,” thuhet në komunikatë.
Kosova importon karburante, prandaj çmimet ndërkombëtare ndikojnë drejtpërdrejt tek çmimet lokale. Ministria paralajmëron se çdo ndryshim i papritur dhe i pabazuar mund të çojë në masa shtesë, duke përfshirë rregullimin e çmimeve dhe kontrolle të shtuar nga Dogana, Inspektorati dhe Administrata Tatimore.
Qytetarët mund të raportojnë çdo problem në numrin pa pagesë 0800 11000 ose përmes e-mailit [email protected].
Rritja e çmimeve të naftës vjen kryesisht si pasojë e tensioneve në Lindjen e Mesme, ku ndodhet shumica e prodhimit global të naftës. Sulmet ndaj rafinerive dhe infrastruktures energjetike, si dhe pasiguria për trafikun e naftës në Ngushticën e Hormuzit, kanë shkaktuar ndërprerje të furnizimit. Kjo ka çuar që vendet importuese, përfshirë Kosovën, të përballen me çmime më të larta të derivateve të naftës.
Lajmet
Rreth një mijë kosovarë në Lindjen e Mesme, MPJD: Të gjithë në gjendje të mirë
Published
14 hours agoon
March 2, 2026By
UBTNews
Në vendet e Lindjes së Mesme aktualisht ndodhen 963 shtetas të Kosovës dhe, sipas të dhënave zyrtare, të gjithë janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njoftoi se informacionet janë siguruar përmes misioneve diplomatike dhe se institucionet janë në komunikim të vazhdueshëm me qytetarët për të përcjellë situatën dhe për të ofruar mbështetje sipas nevojës.
Sipas shifrave të fundit, në Izraeli ndodhen 21 kosovarë, në Arabia Saudite 331, në Emiratet e Bashkuara Arabe rreth 400 rezidentë dhe 70 turistë, në Katari 75, në Kuvajti rreth 60, në Bahreini 4 dhe në Omani 2.
Ministria bëri të ditur se po punon me autoritetet përkatëse për të siguruar opsione të mundshme evakuimi nëse situata e kërkon. Aktualisht, kufiri tokësor mes Emirateve dhe Omanit mbetet i hapur, ndërsa ekzistojnë edhe disa linja fluturimi nga Rijadi dhe Xheda.
Megjithatë, autoritetet vendore në rajon rekomandojnë që të shmangen udhëtimet deri në stabilizimin e plotë të situatës së sigurisë. MPJD u ka bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë të qetë, të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale dhe të mbajnë kontakte të rregullta me përfaqësitë diplomatike të Kosovës.
Lajmet
Osmani: Lidhja Kosovë–Shqipëri është e natyrshme dhe e pathyeshme
Published
15 hours agoon
March 2, 2026By
UBTNews
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se në takim me Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, kanë biseduar për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Osmani ka theksuar se lidhja mes Kosova dhe Shqipëria është e natyrshme, strategjike dhe e pathyeshme, duke e cilësuar bashkëpunimin mes dy shteteve si themelor për të ardhmen e përbashkët.
Sipas saj, uniteti përbën forcë, ndërsa koordinimi i vazhdueshëm është garanci për përballimin e sfidave. Ajo ka nënvizuar se vizioni i përbashkët i dy vendeve mbetet paqja, stabiliteti dhe orientimi euroatlantik.
“Uniteti ynë është forcë, koordinimi ynë është garanci, ndërsa vizioni ynë është paqja, stabiliteti dhe e ardhmja e përbashkët euroatlantike”, shkruan Osmani.
Në mesazhin e saj, presidentja ka theksuar se në kohë sfidash globale, qëndrimi i përbashkët i Kosovës dhe Shqipërisë është element kyç për sigurinë dhe forcën e të dy shteteve.
Lajmet
Kurti dhe Peleshi bisedojnë për forcimin e bashkëpunimit Kosovë–Shqipëri
Published
15 hours agoon
March 2, 2026By
UBTNews
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, ku në fokus ishte thellimi i bashkëpunimit mes dy vendeve.
Takimi u mbajt në përvjetorin e Kuvendi i Lezhës, ngjarje historike që simbolizon bashkimin e princërve shqiptarë në vitin 1444.
Në këtë frymë, bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e unitetit politik dhe institucional ndërmjet Kosova dhe Shqipëria.
“U vlerësua se Kosova dhe Shqipëria, si dy shtete të një populli, ndajnë aspirata të përbashkëta për zhvillim të qëndrueshëm, forcim të institucioneve demokratike dhe integrim euroatlantik”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit të Zyrës se Kryeministrit, gjatë takimit është diskutuar për rritjen e koordinimit në arenën ndërkombëtare, si dhe për hapa konkretë në avancimin e proceseve integruese drejt Bashkimi Evropian.
Të dy palët kanë vlerësuar se bashkëpunimi ndërinstitucional duhet të intensifikohet në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm dhe forcimit të demokracisë.
Kurti ka theksuar se Kosova dhe Shqipëria e mbështesin njëra-tjetrën në proceset shtetformuese dhe integruese, duke i konsideruar sukseset si të përbashkëta. Ai ka nënvizuar se perspektiva evropiane e qytetarëve të të dy vendeve mbetet objektiv i përbashkët.
Në fund të takimit, është ritheksuar se partneriteti strategjik ndërmjet dy shteteve shqiptare përbën një element të rëndësishëm për stabilitetin dhe zhvillimin në rajon.
DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 2 mars, në vitet 1993-1999
MINTI -Kontrollon çmimet e karburanteve në Kosovë
Nuk ka prova për dëmtime në objektet bërthamore të Iranit, thotë IAEA, por Teherani pretendon të kundërtën
Rreth një mijë kosovarë në Lindjen e Mesme, MPJD: Të gjithë në gjendje të mirë
Osmani: Lidhja Kosovë–Shqipëri është e natyrshme dhe e pathyeshme
Kurti dhe Peleshi bisedojnë për forcimin e bashkëpunimit Kosovë–Shqipëri
Abdixhiku: LDK nuk përjashton askënd për president, por kërkon konsensus para garës
UBT përfaqësohet në Konferencë Ndërkombëtare Shkencore në Sevilla, Spanjë
Arabia Saudite me njoftim urgjent për shtetasit kosovarë dhe të huaj pas përshkallëzimit të tensioneve me Iranin
Të kërkuara
-
Aktualitet3 months agoMe shumicë votash, Vesa Shatri zgjidhet Kryetare e re e Këshillit Studentor të UBT-së
-
Lajmet nga UBT3 months agoNjohja me proceset profesionale televizive, vizita e studentëve të Media dhe Komunikim në Klan Kosova
-
Vendi2 months agoDizajneri grafik Berin Hasi ligjëron për studentët e Dizajnit të Integruar në UBT
-
Rajoni2 months agoProfesori i UBT-së, Hazir S. Çadraku dhe bashkëpunëtorët publikojnë artikullin “Historia e Mbrojtjes së Shpellës në Kosovë” në SpeleoMedit Magazine
