Bitcoin ka qenë i diskutueshëm që nga fillimi i tij në 2009, ashtu si edhe kriptovalutat e mëvonshme që pasuan pas tij, përcjell UBT News.
Ndërsa kritikohet për paqëndrueshmërinë e tij dhe përdorimin e tepruar të energjisë elektrike, Bitcoin po shihet nga disa si një “port” i sigurt gjatë problemeve ekonomike. Megjithatë, statusi ligjor i Bitcoin dhe kriptomonedhave tjera ndryshon nga vendi në vend.
Disa vende kanë vendosur kufizime në mënyrën se si mund të përdoret Bitcoin, të tjerat e kanë ndaluar përdorimin e tij dhe kriptomonedhave me gjoba të rënda.
Këto janë vendet që kanë një marrëdhënie veçanërisht të tensionuar me Bitcoin dhe dhe kriptovaluta të tjera:
Algjeria aktualisht ndalon përdorimin e kriptomonedhës pas miratimit të një ligji financiar në vitin 2018 që e bëri të paligjshme blerjen, shitjen, përdorimin ose mbajtjen e valutave virtuale.
Bolivia e ka ndaluar plotësisht përdorimin e Bitcoin që nga viti 2014. Banka Qendrore e vendit nxori një rezolutë që e ndalon atë dhe çdo monedhë tjetër që nuk rregullohet nga një vend apo zonë ekonomike.
Kina ka goditur kriptovalutat me intensitet të lartë gjatë vitit 2021. Zyrtarët kinezë kanë lëshuar vazhdimisht paralajmërime për njerëzit e saj që të qëndrojnë larg tregut të aseteve dixhitale.
Përpjekjet për të minuar Bitcoin -që është një monedhë jashtë kontrollit të qeverive dhe institucioneve- shihen si një përpjekje nga autoritetet kineze për të nxjerrë në qarkullim monedhën e tyre elektronike.
Kolumbia nuk lejon institucionet financiare të lehtësojnë transaksionet me Bitcoin. Superintendencia Financiera paralajmëroi institucionet financiare në vitin 2014 se ata nuk mund të “mbrojnë, investojnë, ndërmjetësojnë ose menaxhojnë operacionet e parave virtuale”.
Egjipti nxori një dekret fetar në vitin 2018, duke i klasifikuar transaksionet e Bitcoin si “haram”, diçka e ndaluar sipas ligjit islamik. Ligjet bankare të Egjiptit u shtrënguan në shtator të vitit të kaluar për të parandaluar tregtimin ose promovimin e kriptove pa licencë të Bankës Qendrore.
Indonezia nxori rregullore të reja që ndalojnë përdorimin e kriptomonedhave, duke përfshirë Bitcoin, si një mjet pagese nga 1 janari 2018.
Irani është kthyer në praktikën fitimprurëse të nxjerrjes së Bitcoin për të financuar importet.
Ndërsa Banka Qendrore ndalon tregtimin e kriptomonedhave të nxjerra jashtë shtetit, ajo ka inkurajuar minierat e Bitcoin në vend me stimuj. Rreth 4.5 për qind e minierave të Bitcoin në botë ndodhin në Iran, i cili, që sipas Elliptic, mund të përbëjë të ardhura mbi 1 miliardë dollarë ose 843 milionë euro.
Në mënyrë që industria e kriptove të lulëzojë, Irani u ka ofruar minatorëve të licencuar energji të lirë, por kërkon që të gjitha kriptot e nxjerra t’i shiten Bankës Qendrore. Megjithatë, minierat e palicencuara nxjerrin më shumë se 2 GW nga rrjeti kombëtar çdo ditë, duke shkaktuar mungesë të energjisë, transmeton UBT News.
India po bëhet gjithnjë e më armiqësore ndaj kriptomonedhave. Më 23 nëntor, qeveria njoftoi synimin e saj për të prezantuar një projekt-ligj të ri në parlamentin indian i cili do të krijonte një monedhë të re dixhitale të mbështetur nga banka qendrore, si dhe do të ndalonte pothuajse të gjitha kriptovalutat, duke përfshirë Bitcoin dhe Ethereum.
Iraku pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për të bllokuar përdorimin e tyre, kriptovalutat po bëhen gjithnjë e më të njohura në vend. Banka Qendrore e vendit ka qenë veçanërisht armiqësore, më 2017 duke ndaluar përdorimin e tyre, e cila është ende në fuqi. Gjithashtu në fillim të vitit 2021, Ministria e Brendshme e qeverisë rajonale të Kurdistanit lëshoi udhëzime për të ndaluar ndërmjetësimet e parave dhe shkëmbimet me kriptovaluta.
Nepali e shpalli Bitcoin të paligjshëm që nga gushti i vitit 2017.
Maqedonia e Veriut është i vetmi vend evropian deri më tani që ka një ndalim zyrtar të kriptomonedhave, si Bitcoin, Ethereum dhe të tjera.
Rusia miratoi ligjet e saj të para për rregullimin e kriptove në korrik të vitit 2020, ku e caktoi kriptomonedhën si pronë që i nënshtrohet taksave.
Ligji, i cili hyri në fuqi në janar të këtij viti, ndalon gjithashtu nëpunësit civilë rusë të zotërojnë çdo aset kripto.
Presidenti rus Vladimir Putin e ka lidhur vazhdimisht kriptomonedhën me aktivitetin kriminal.
Turqia më 16 prill të këtij viti nxori një rregullore që ndalonte përdorimin e kriptomonedhave duke përfshirë Bitcoin për të paguar mallra dhe shërbime.
Vietnami ka deklaruar se emetimi, furnizimi dhe përdorimi i Bitcoin dhe kriptove të tjera janë të paligjshme si një mjet pagese dhe janë subjekt i dënimit me gjoba që variojnë nga 150 milion VND (5,600 €) deri në 200 milion VND (7,445 €).
Megjithatë, qeveria nuk e ndalon tregtimin e Bitcoin ose mbajtjen e tyre si asete./UBTNews/
Një natë krenarie për të gjithë të lidhurit me Renault Group, pasi kompania franceze e automjeteve u shpall “Prodhuesi i Vitit” në TopGear.com Awards 2025 në Londër.
Viti 2025 ka qenë i mbushur me aktivitete për Renault, dhe kompania ndihet e nderuar që përkushtimi i ekipeve u vlerësua nga një nga emrat më të respektuar në industrinë automobilistike.
Jack Rix, redaktor i TopGear.com, komentoi:
“Ka qenë vit i jashtëzakonshëm, me R5 dhe R4 që fituan zemrat e njerëzve, Clio që shpëtoi segmentin supermini, Twingo që riktheu triumfueshëm e R5 Turbo 3E që dëshmoi se ka ende vend për pak çmenduri. Alpine filloi odiseadën elektrike me modelet A290 dhe A390, Dacia zgjeroi horizontet me Bigster dhe më pas i ngushtoi përsëri me Hipster. Tani presim me padurim vitin 2026.”
Ky çmim i fundit kurorëzon një vit të rëndësishëm për Renault, dhe kompania falënderon sinqerisht TopGear.com për njohjen e dhënë.
Suksesi i Renault nuk përfundon këtu: modeli R4 u shpall “Crossover i Vitit”, pas titullit “Vetura Elektrike e Vitit” në TopGear.com Electric Car Awards më herët gjatë vitit.
Ky rezultat reflekton vizionin e Renault: të inovojë dhe të sfidojë kufijtë për të krijuar automjete më të qasshme dhe më argëtuese për një audiencë gjithnjë e më të gjerë. /A.Z/UBT News/
Zyra kundër monopolit e Polonisë (UOKiK) po heton nëse Apple po kufizon konkurrencën në tregun e reklamave mobile përmes politikës së saj të privatësisë, App Tracking Transparency (ATT).
Ky sistem, i prezantuar në iOS 14.5 e më pas, mund të pengojë aplikacionet e palëve të treta të mbledhin të dhëna për reklama të personalizuara, duke favorizuar shërbimin e reklamave të Apple.
Presidenti i UOKiK, Tomasz Chrostny, deklaroi se politika e ATT-së mund të ketë mashtruar përdoruesit për nivelin e mbrojtjes së privatësisë dhe mund të përbëjë abuzim me pozicionin dominues.
Nëse akuzat konfirmohen, Apple mund të gjobitet deri në 10% të të ardhurave vjetore në Poloni. Hetime të ngjashme po kryhen edhe në Gjermani, Itali, Rumani, ndërsa në Francë kompania u gjobit me 150 milionë euro. /A.Z/UBT News/
Nokia do të investojë 4 miliardë dollarë në SHBA për kërkim, zhvillim dhe prodhim, me fokus në përparimet e rrjetit të drejtuar nga inteligjenca artificiale.
Nga kjo shumë, 3.5 miliardë dollarë do të përdoren për kërkim-zhvillim dhe 500 milionë për prodhim dhe shpenzime kapitale në Teksas, New Jersey dhe Pensilvani.
Përveç investimeve tokësore, Nokia do të vendosë rrjetin e parë 4G në Hënë, pjesë e misionit Intuitive Machines-2, duke ndihmuar në bazat për eksplorimin hënor dhe misionet me ekuipazh.
Anija Athena e misionit u ngrit së fundmi me raketën SpaceX Falcon 9, duke transportuar rrjetin hënor të Nokias.
Nokia prezantoi kamerën e saj profesionale Nokia 360 Camera, e para 5G në botë që transmeton video 8K me zë hapësinor dhe lidhje me vonesë të ulët për përdorim industrial. /A.Z/UBT News/
Shumica e bisedave me ChatGPT lidhen me detyra të zakonshme të përditshme, gjë që tregon se ky mjet po shndërrohet në një asistent universal të inteligjencës artificiale që e bën jetën më të lehtë.
Shumë njerëz e shohin ChatGPT-në si shok digjital që ndihmon në planifikim, të mësuar, zgjedhje veshjesh, udhëtime e aktivitete krijuese.
Një studim i madh në bashkëpunim me universitetet Harvard dhe Duke ka zbuluar se vetëm një e treta e pyetjeve që i drejtohen lidhen me punën; pjesa më e madhe ka të bëjë me vendime personale dhe zakone të përditshme.
Kjo tregon se përdoruesit e shohin jo si chatbot të thjeshtë, por si mbështetje që “futet në lojë” sa herë që nevojitet, nga zgjedhja e veshjes, te organizimi i ditës apo kapërcimi i një bllokimi kreativ. Me kohën, bëhet pjesë e rutinës ditore: kur duhet ulur stresi, marrë një vendim i shpejtë, planifikuar një fundjavë apo verifikuar një ide, ChatGPT është ndihma më e menjëhershme.
Mësimi i gjuhëve
Shumë përdorues e përdorin si mësues personal, shpjegon rregulla të vështira, krijon lista fjalësh, histori të shkurtra e simulon biseda që ndihmojnë në përmirësimin e vetëbesimit para udhëtimeve ose provimeve.
Ditari interaktiv
Disa e shfrytëzojnë si ditar emocional. ChatGPT analizon ndjenjat dhe kujton gjëra që ndikojnë në produktivitet apo humor.
Partner krijues
Kur shfaqet mungesa e frymëzimit, për një libër, vlog, fotografi a projekt tjetër ai ofron ide, këshilla e shtysën e nevojshme për të ecur para.
Këshilltar stili
Nëse përshkruani ngjarjen, garderobën dhe atmosferën, ChatGPT sugjeron kombinime veshjesh, ngjyrash e aksesorësh si një stilist virtual.
Udhëzues udhëtimi
Gjatë planifikimit të udhëtimeve, ai mund të krijojë itinerare, të sugjerojë vende për t’u vizituar, të organizojë axhendën dhe madje të ofrojë fraza të përdorshme në gjuhën lokale. /A.Z/UBT News/