Kulturë

Arsye pse java e punës duhet të ketë 4 ditë

Published

on

Shkurtimi i javës së punës, duke mos ulur pagën, u jep punonjësve një pushim shumë të nevojshëm – veçanërisht gjatë pandemisë COVID-19.

Verën e kaluar, Mike Melillo, CEO i The Wanderlust Group, një kompani teknologjike me seli në New England, vuri re se puna në distancë gjatë pandemisë së koronavirusit po i shkaktonte dëm atij dhe 44 punonjësve. “Isha i vetëdijshëm se sa ngarkesë mendore do të na krijohej të gjithëve duke qenë në kontakt gjatë gjithë kohës”, tha Melillo.

Në maj, ai mori vendimin për ta bërë të hënën ditë pushimi për të gjithë punonjësit dhe mbi të gjitha pa ua ulur atyre pagat. Ai vendosi për të hënën, duke qenë se kjo është dita më e mirë për të përfituar në New England pasi ka më pak turistë. “Vendosa që ta provoj për tre muaj dhe të shohim se si do të shkojë. Në përfundim rezultoi se ne kishim muajt më të mirë [në të ardhura p.sh.]. Lumturia e ekipit dhe familjeve u rritën në mënyrë të konsiderueshme” – tha ai.

Si rezultat, për Grupin Wanderlust, java e punës ka vetëm 4 ditë. Sipas faqes së internetit ZipRecruiter, pjesa e njoftimeve për punë me një javë 4-ditore është katërfishuar gjatë pesë viteve të fundit, nga 14 për 10,000 vende pune në 62 për 10,000 në vitin 2020. Sektorët më të zakonshëm që ofrojnë javë pune me katër ditë në ZipRecruiter janë shitjet, tregtia me pakicë dhe kujdesi shëndetësor.

Megjithëse javët e punës më katër ditë janë ende të rralla në Shtetet e Bashkuara, ideja është më pak e rrallë diku tjetër. Majin e kaluar, Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, rekomandoi që punëdhënësit të punojnë vetëm 4 ditë/javë, për të rritur turizmin e brendshëm dhe për të kompensuar humbjet nga pandemia. Në fillim të këtij viti, qeveria spanjolle miratoi një program pilot trevjeçar për të ndihmuar kompanitë të bëjnë kalimin, duke përmendur besimin se të punosh më shumë orë nuk do të thotë domosdoshmërisht të kesh rezultate më të mira. Politikanët në Rusi dhe Britani po mendojnë të hartojnë ligje për të bërë të njëjtën gjë.

Megjithëse skepticizmi dhe inercia mund të pengojnë bizneset, ekziston një numër i madh studimesh që thotë se nga heqja e ditës së pestë të punës mund të përfitojnë si punonjësit ashtu edhe bizneset. Ja se si një ditë pune më pak mund t’i ndihmojë të gjithë:

1. Punonjësit bëhen më produktivë

Marrja pjesë në shumë takime është humbja më e madhe e kohës sipas citimeve të punonjësve në anketa. Kur keni më pak orë në javë për të kryer punën, kjo mund t’i shtyjë organizatat të përmirësojnë proceset dhe t’u japë leje punonjësve që mbledhjen e mëngjesit ta bëjnë me email. Kjo është ajo që ndodhi në Grupin Wanderlust, tha Melillo. “Shumë njerëz po përdornin takimin e së hënës në mëngjes për të planifikuar javën e tyre dhe për t’u koordinuar ….”.

Bizneset e tjera që shkurtuan javën e punës kanë raportuar gjithashtu rritje të efikasitetit. Në gusht 2019, Microsoft në Japoni testoi një javë pune katërditore duke mos e ulur pagën dhe kjo rezultoi në një rritje prej 40% të shitjeve për punonjës krahasuar me verën e kaluar. Shumica dërrmuese e punonjësve thanë se ishin të kënaqur me ndryshimin.

2. Njoftimet e vendeve të lira të punës (ku java e punës është me katër ditë), marrin më shumë aplikime

Fleksibiliteti i një jave më të shkurtër pune është një përfitim i rëndësishëm që punëkërkuesit dëshirojnë në mënyrë aktive. Julia Pollak, ekonomiste në ZipRecruiter, zbuloi se mesatarisht, njoftimet për punë që ofrojnë një javë pune me katër ditë marrin 15% më shumë aplikime sesa njoftimet e tjera në të njëjtat industri, sipas të dhënave të kompanisë që nga viti 2018 deri tani.

Sipas studimit të Universitetit të Reading, 63% e punëdhënësve në Mbretërinë e Bashkuar ku java e punës është me katër ditë, u shprehën se përfitimi ka qenë shumë i madh, sepse i ka ndihmuar ata që të tërheqin profesionistët më të mirë dhe njëkohësisht t’i mbajnë ata si pjesë e kompanisë për shumë gjatë.

3. Nëse punoni më pak, i vini në ndihmë dhe mjedisit

Përveç ndihmës për bizneset, të punuarit më pak mund të ndihmojë edhe Tokën. Një analizë e vitit 2012 nga Universiteti i Masaçusets, Amherst, argumentoi që të punosh më pak orë është e mirë për mjedisin. “Vendet me orë pune më të shkurtra kanë tendencë të kenë më pak ndotje ekologjike, gjurmë karboni dhe emetime të dioksidit të karbonit”, shkruajnë studiuesit, duke përmendur më pak udhëtime për të shkuar në punë dhe një nevojë më të ulët për konsum të energjisë. Ata vlerësojnë se puna një ditë më pak në javë mund të zvogëlojë gjurmën e karbonit me më shumë se 30%. Kursimi i energjisë ishte gjithashtu i dukshëm. Testi i Microsoft në Japoni zbuloi se duke punuar një ditë më pak në javë, përdorimi i energjisë elektrike në zyrë ra me 23% dhe printimi u ul me 59%.

4. Fleksibiliteti i ndihmon njerëzit të gjejnë ekuilibrin punë-jetë.

Përveç përfitimeve të larta që i jep një dite pune më pak në javë një kompanie të caktuar, avantazhet e saj janë shumë të mëdha edhe në drejtim të përfitimeve psikologjike për punonjësit. Olivia Hennedy, një punonjëse e markës Dockwa të Grupit Wanderlust, tha se para kalimit në një javë pune me katër ditë, puna nga shtëpia e lodhte atë. Dita shtesë e pushimit ka qenë në të vërtetë një burim energjie. “Një ditë shtesë, qoftë për të bërë disa punë ose për të dalë jashtë apo për të pushuar, e ka përmirësuar vërtet shëndetin tim mendor dhe sigurisht është pasqyruar në punën time,” tha ajo.
Duke mos ditur se si do të jetë ecuria e pandemisë COVID-19 që shkakton rraskapitje të punonjësve, koha e pushimit dhe e rikuperimit është më e çmuar se kurrë. Z. Melillo mendon se javët e punës me katër ditë do të shndërrohen në diçka më se të zakonshme./Monitor

Lajmet

“WALL NOT I”, projekt artistik në Muzeun e Burgut të Prishtinës

Published

on

Një ligjëratë performative dhe videoinstalacion i frymëzuar nga vepra e shkrimtarit Samuel Beckett do të prezantohet më 16 tetor në Muzeun e Burgut të Prishtinës – Burgu i Idealit.

Projekti “WALL NOT I”, i realizuar nga autori dhe përkthyesi Idlir Azizaj dhe artisti Mentor Berisha, nis në orën 19:00 dhe ndërthur ligjëratën, imazhin dhe videoinstalacionin për të eksploruar raportin mes trupit, hapësirës, kujtesës dhe rrëfimit.

Përmes dialogut mes veprës së Beckettit dhe historisë së Burgut të Idealit, projekti trajton temat e mbylljes, mungesës së lirisë dhe rezistencës njerëzore.

Aktiviteti do të mbahet më 16 tetor 2026, duke filluar nga ora 19:00, në Muzeun e Burgut të Prishtinës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Ekspozita “Venetiku: Gjurmëve të një fondi fotografik” hapet në Muzeun “Marubi”

Published

on

Historia e studios fotografike Venetiku në Korçë dhe gjurmët e saj në trashëgiminë fotografike shqiptare do të prezantohen përmes ekspozitës “Venetiku: Gjurmëve të një fondi fotografik”, e cila hapet të premten, më 16 tetor, në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër.

E kuruar nga Mikaela Minga, ekspozita sjell historinë e studios, njerëzve që e krijuan dhe e trashëguan atë, si dhe lidhjen e tyre me qytetin dhe zhvillimet historike e shoqërore të kohës.

Përmes kërkimeve arkivore dhe dokumenteve historike, ekspozita synon të rindërtojë historinë e fondit fotografik dhe të familjes Venetiku, duke u përqendruar veçanërisht te Krisanthi Venetiku, përfaqësuesja e fundit e studios.

Përveç vlerave fotografike dhe dokumentare, ekspozita trajton lidhjen mes fotografisë, kujtesës dhe historisë, duke përfshirë dokumente që dëshmojnë përndjekjen politike të pjesëtarëve të familjes Venetiku gjatë regjimit komunist.

Materialet arkivore tregojnë se si rrethanat historike ndikuan në jetën e fotografëve dhe në fatin e trashëgimisë që lanë pas.

Ekspozita organizohet në bashkëpunim me Institutin e Antropologjisë pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, me mbështetjen financiare të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit.

Hapja do të bëhet më 16 tetor, në orën 18:00, në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër./A.K/

Continue Reading

Lajmet

“Dua” dhe “Shame and Money” në listën e ngushtë për Çmimet Evropiane të Filmit 2027

Published

on

Dy filma kosovarë, “Dua”, me regji të Blerta Bashollit, dhe “Shame and Money”, me regji të Visar Morinës, janë përzgjedhur në listën e ngushtë për Çmimet Evropiane të Filmit 2027, duke shënuar një tjetër moment të rëndësishëm për kinematografinë e Kosovës.

Ndër vite, disa produksione vendore kanë qenë pjesë e përzgjedhjeve të kësaj gare, në kategori dhe faza të ndryshme.

Në kategorinë e filmave të gjatë artistikë, “Babai”, me regji të Visar Morinës, dhe “Tri dritare dhe një varje”, me regji të Isa Qosjes, u përzgjodhën në vitin 2015. Në vitin 2021, në këtë rrugëtim u përfshi edhe filmi “Zgjoi”, i regjisores Blerta Basholli.

Edhe filmat e shkurtër kosovarë kanë shënuar pjesëmarrje të rëndësishme. “Në mes” dhe “Rrugës”, të Samir Karahodës, u përzgjodhën për garën evropiane përkatësisht në vitet 2020 dhe 2024, ndërsa “I Believe the Portrait Saved Me”, me regji të Alban Mujës, ishte pjesë e përzgjedhjes për vitin 2026.

Një tjetër sukses ishte filmi “Home”, me regji të Daniel Mulloy, i cili në vitin 2016 u përfshi mes 15 filmave të nominuar për çmimin e filmit të shkurtër evropian. Në vitin 2021, “Pa vend”, me regji të Samir Karahodës, arriti në fazën finale si njëri prej pesë filmave të nominuar.

Ndërkaq, filmi “Kthimi”, me regji të Blerta Zeqirit, u përzgjodh nga Festivali i Sarajevës për garën evropiane të filmit të shkurtër në vitin 2012, por më pas u tërhoq nga gara.

Përzgjedhja e “Dua” dhe “Shame and Money” për edicionin e vitit 2027 i jep kinematografisë kosovare një tjetër mundësi për të prezantuar historitë e saj para publikut evropian dhe për të vazhduar rrugëtimin në skenën ndërkombëtare./A.K/

Continue Reading

Lajmet

“I Believe the Portrait Saved Me”, vlerësim për filmin e Alban Mujës në DOKUBAKU 2026

Published

on

Filmi dokumentar “I Believe the Portrait Saved Me” (Mua besoj se portreti më shpëtoi), me regji të artistit kosovar Alban Muja, është nderuar me përmendje të veçantë nga çmimi iHuman Award në edicionin e dhjetë jubilar të festivalit DOKUBAKU 2026, në kategorinë DOKUSHORT për dokumentarin më të mirë të shkurtër ndërkombëtar.

Juria vlerësoi mënyrën se si rrëfimi i filmit kalon nga hutimi fillestar drejt një përjetimi të thellë emocional, duke zbuluar gradualisht kuptimet e një klase të pazakontë. Filmi trajton fuqinë e artit dhe mënyrën se si portretizimi e krijimi artistik shndërrohen në instinkt mbijetese përballë barbarisë së luftës.

Sipas vlerësimit të jurisë, fotografia e filmit shmang romantizimin e luftës dhe, përmes kompozimit të kujdesshëm të kuadrove dhe trajtimit të ngjyrave, përcjell peshën e saj dramatike. Juria veçoi edhe aftësinë e regjisorit për të përmbledhur një përmbajtje kaq të thellë dhe një ndikim të fuqishëm vizual në vetëm dhjetë minuta, duke e vlerësuar filmin me përmendje të veçantë.

Ky vlerësim përbën një tjetër prezantim të krijimtarisë së Alban Mujës në skenën ndërkombëtare të filmit dokumentar./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara