Lajmet

Arrestohet një grua në aeroport, fshehu kokainën në thembra të këpucëve

Published

on

Një 21-vjeçare u arrestua në Aeroportin Ndërkombëtar Hartsfield-Jackson të Atlantës nën përpjekjen për të kontrabanduar tre paund kokainë të fshehur në thembra të shtatë palë këpucëve, thanë zyrtarët e doganave të martën.

“Këpucët janë bërë për të ecur dhe jo për të kontrabanduar lëndë narkotike”, tha Dogana dhe Mbrojtja e Kufirit të SHBA (CBP), në një njoftim për shtyp.

Gruaja nga Xhorxhia, emri i së cilës nuk u bë i ditur, po kthehej nga Xhamajka të dielën kur agjentët e tërhoqën atë për inspektim të mëtejshëm.

Pas ekzaminimit të çantave të saj, oficerët gjetën një substancë me pluhur të bardhë të fshehur në fund të shtatë palë këpucëve. Substanca e testuar në terren rezultoi pozitive për kokainë, thuhet në njoftim.

Në imazhet e shpërndara, këpucët, duke filluar nga atlete te sandalet dhe madje edhe një palë pykë, janë vendosur në një tryezë pasi oficerët i kanë ndarë ato. Në tabanin e secilës këpucë dhe të futur në thembra të pykës, mund të shihet një pako kokainë.

Kjo nuk është hera e parë që kontrabandistët përpiqen të fshehin drogën në thembra të këpucëve të tyre. Në dhjetor, CBP tha se një qen që nuhat drogë në pikën e kontrollit në Yuma ka nuhatur më shumë se një kile fentanil që ishte ngjitur me kasetë brenda këpucëve të një burri nga Arizona.

Në një ditë tipike, agjentët kufitarë kapin më shumë se 3 mijë e 600 paund të drogës, sipas CBP.

“Kontrabandistët bëjnë shumë përpjekje për të fshehur drogën nga oficerët tanë. Ndalimi i narkotikëve mbetet një mision prioritar i zbatimit të CBP, një që ne e marrim shumë seriozisht”, tha Paula Rivera, drejtoresha e CBP për Portin Zonal të Atlantës.

Zyrtarët vlerësojnë se tre paund kokainë që gjetën në këpucët e gruas kanë një vlerë prej 40 mijë dollarësh. Gruaja u dorëzua në Departamentin e Policisë së Qarkut Clayton për ndjekje penale.

“Akuzat penale janë thjesht akuza. Të pandehurit prezumohen të pafajshëm derisa të provohet fajësia në gjykatë”, thuhet në njoftim./UBTNews

(Arjeta Ibishi, studente në Media dhe Komunikim në UBT)

lajme

Me pjesëmarrjen e ambasadorit italian, UBT promovon kulturën gastronomike të Italisë

Published

on

By

Në kuadër të Javës së Kuzhinës Italiane në Botë, UBT, në bashkëpunim me Ambasadën e Italisë në Kosovë dhe me pjesëmarrjen e rektorit Prof. Dr. Edmond Hajrizi dhe ambasadorit Maurizio Antonini, organizoi një ligjëratë të veçantë me profesorin Fabio Amadei nga akademia prestigjioze italiane e artit kulinar, ALMA.

Në fjalën e tij, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, theksoi rëndësinë që kanë shkenca dhe teknologjia e ushqimit, gastronomia dhe turizmi në zhvillimin akademik e shoqëror. Ai nënvizoi se Italia përbën një partner strategjik për UBT-në dhe se bashkëpunimi me universitetet e qendrat kërkimore italiane po zgjerohet vazhdimisht përmes projekteve të përbashkëta, shkëmbimit të njohurive dhe qasjeve ndërdisiplinore.

Nga ana e tij, ambasadori i Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini, vlerësoi bashkëpunimin e vazhdueshëm me UBT-në, duke e cilësuar institucionin si një partner të besueshëm dhe të rëndësishëm në organizimin e aktiviteteve të përbashkëta në fushën e kulturës, ekonomisë dhe promovimit të traditës italiane. Ai vlerësoi gjithashtu angazhimin e UBT-së në zhvillimin e iniciativave që forcojnë lidhjet ndërmjet Kosovës dhe Italisë.

Ndërkohë, profesori Fabio Amadei, përgjegjës për programet e Kulturës Gastronomike dhe Qëndrueshmërisë në ALMA, ndau me studentët ekspertizën e tij mbi historinë e ushqimit, mbrojtjen e produkteve tradicionale agroushqimore dhe rëndësinë e zinxhirëve të qëndrueshëm të furnizimit. Përmes kësaj ligjërate, studentët patën mundësinë të njihen më nga afër me dimensionin shkencor e kulturor të gastronomisë italiane.

Continue Reading

Aktualitet

Napoli dhe Tottenham në garë për Joao Felixin, Al Nassr kërkon 45 milionë euro

Published

on

By

Sulmuesi portugez Joao Felix ka tërhequr vëmendjen e Napolit dhe Tottenham Hotspurit në prag të afatit të ardhshëm të transferimeve. Futbollisti 27-vjeçar synon rikthimin në futbollin evropian, por klubi i tij aktual, Al Nassr, kërkon rreth 45 milionë euro për ta lënë të lirë.

Sipas raportimeve të Corriere dello Sport, Napoli e sheh reprezentuesin portugez si një përforcim ideal për repartin ofensiv, falë aftësisë së tij për të luajtur si në krahun e majtë ashtu edhe pas sulmuesit. Megjithatë, çmimi i lartë i vendosur nga klubi saudit përbën pengesën kryesore për drejtuesit italianë. Felix e njeh mirë kampionatin italian, pasi ka veshur fanellën e Milanit në gjysmën e dytë të sezonit 2024/2025 gjatë një huazimi nga Chelsea.

Në anën tjetër, TEAMtalk raporton se edhe Tottenham Hotspur po shqyrton mundësinë e transferimit të tij, duke vlerësuar përvojën e tij të mëparshme në Premier League me Chelsean. Ndonëse vetë lojtari ka shprehur publikisht dëshirën për t’u rikthyer te Barcelona — ku në sezonin 2023/2024 regjistroi 10 gola dhe 6 asistime në 44 ndeshje — klubi katalunas ende nuk ka ndërmarrë ndonjë hap konkret.

Forma e mirë e Joao Felixit në Arabinë Saudite ka rikthyer interesimin e klubeve evropiane. Këtë sezon ai ka realizuar tre gola dhe shtatë asistime në 11 ndeshje kampionale, ndërsa së fundmi vendosi fitoren 2-1 të Al Nassr kundër Al Sadd në Ligën e Kampionëve të Azisë me një gol akrobatik. /E.A/

 

Continue Reading

Vendi

KOK-u ftohet në Athinë për të diskutuar vonesat e Lojërave Mesdhetare 2030

Published

on

By

Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG) ka ftuar Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK) në një takim zyrtar në Athinë, më 3 dhe 4 dhjetor, ku do të shqyrtohen vonesat dhe ngecjet e deritanishme në procesin e organizimit të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.

Sipas njoftimit të zyrës për informim të KOK-ut, pas përfundimit të takimeve në Greqi, drejtuesit e komitetit do të raportojnë para Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030” lidhur me diskutimet e zhvilluara dhe hapat e mëtejmë që duhet të ndërmerren.

Pavarësisht sfidave dhe vonesave aktuale, KOK-u ka rikonfirmuar vendosmërinë që kjo ngjarje madhore sportive të mbahet në Kosovë, duke bërë thirrje për mobilizim të përbashkët institucional.

“Komiteti Olimpik i Kosovës mbetet plotësisht i përkushtuar që Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 të mbahen në Kosovë. Suksesi i LM Prishtina 2030 do të varet nga përkushtimi i të gjitha institucioneve të përfshira”, thuhet në reagimin e KOK-ut.

Takimi i fillimit të dhjetorit në Athinë vlerësohet vendimtar për të analizuar gjendjen reale të përgatitjeve dhe për të përcaktuar dinamikën e ardhshme të punëve për projektin më të madh sportiv të planifikuar ndonjëherë në vend. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Protestohet në Prishtinë kundër vrasjes së grave, kërkohet njohja e femicidit si vepër e veçantë penale

Published

on

By

Me kërkesën për njohjen e femicidit si vepër të veçantë penale dhe për llogaridhënie institucionale, sot në Prishtinë është mbajtur një protestë kundër vrasjes së grave, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave.

Protesta, e organizuar nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), nisi nga sheshi “Zahir Pajaziti” me marshim drejt ndërtesës së Qeverisë së Kosovës. Nën moton “Femicidi është urgjencë kombëtare”, pjesëmarrësit kërkuan drejtësi për viktimat, reagim më efikas të Policisë dhe masa konkrete parandaluese.

Aktivistja Zana Hoxha kërkoi që vrasja e një gruaje për shkak të gjinisë së saj të trajtohet dhe emërtohet me ligj si vepër e veçantë penale në Kodin Penal të Kosovës, si dhe hetimet të shtrihen në të gjitha rrethanat paraprake.

“Kur një grua vritet për shkak të gjinisë së saj, ligji duhet ta emërtojë atë vrasje si femicid, ndërsa hetimi duhet të kthehet te gjithçka që i ka paraprirë asaj vrasjeje”, deklaroi Hoxha.

Ndërkaq, Besarta Breznica nga Rrjeti i Grave të Kosovës theksoi se rasti i vrasjes së Arlinda Zekajt obligon institucionet të japin llogari për mundësitë e humbura në parandalimin e tragjedisë, duke kërkuar reagim të menjëhershëm që në denoncimin e parë të dhunës.

“Nuk duhet të presim deri në vrasjen e një gruaje për të analizuar se ku ka dështuar sistemi. Institucionet duhet të veprojnë që në raportimin e parë të dhunës, t’i marrin seriozisht kërcënimet, ta vlerësojnë rrezikun dhe të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e saj”, u shpreh Breznica. /E.A/

 

 

Continue Reading

Të kërkuara