E përditësuar:
10:22 – Në seancën gjyqësore ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të përfshirë në vrasjen e Liridona Ademajt, të hënën ka dëshmuar mjeku ligjor Naim Uka, i cili ka kryer autopsinë e trupit të saj.
Uka, duke iu përgjigjur pyetjeve të Prokurorisë, tha se një pjesë metalike e hedhur nga arma e zjarrit është gjetur në anën e majtë murale të kokës e cila ishte dorëzuar si provë.
“Gjatë procedurave të autopsisë mjeko-ligjore është konstatuar vrima hyrëse në regjionin e djathtë muror të kokës e shkaktuar nga veprimi dinamik i predhës së hedhur nga arma e zjarrit e cila ka pasur drejtim nga djathtas majtas nga përpara pjerrtas dhe pas dhe nga poshtë pjerrtas lart. Është e rëndësishme të cekët se pjesë metalike të kësaj predhe është gjetur në anën e majtë murale të kokës e cila është dorëzuar si provë sipas zinxhirit të provave tek policët hetues. Si rezultat i kësaj plage ka ardhur gjakderdhja e brendshme trunore e cila është edhe shkaku i vdekjes”, tha ai.
Ai shtoi se qitja e armës është bërë rreth 2 deri në 5 centimetra.
“Gjatë ekzaminimit të plagës hyrëse kemi konstatuar përreth vrimës hyrëse prezencën e faktorëve plotësues të qitjes të cilët kanë shkaktuar djegien lëkurore me prezencë të grimcave të barutit dhe në bazë të këtyre provave mjeko-ligjore është konstatuar se distanca e qitjes sillet rreth 2 deri 5 centimetra. Përjashtohet mundësia e vrasjes me puthitje apo gjysmë puthitje për shkak të mungesës së stampit të tytës së armës në indet e buta përreth vrimës hyrëse të plagës. Plaga është përshkruar se ka formë trekëndëshe e cila është e shoqëruar me thyerje të shumëfishta kockore dhe e shoqëruar me plozë përreth”, tha ai.
Ai tha ka eleminuar mundësinë se e njëjta ka kryer vetëvrasje.
“Në raste të ngjashme kur mungojnë të dhënat preliminare nga vendi i ngjarjes gjatë kryerjes së autopsisë kryhen edhe ekzaminimet e detajuara të shuplakave të duarve të të ndjerit apo të ndjerës. Edhe në këtë rast kemi kryer ekzaminimet e dy duarve të të ndjerës në mënyrë që bazuar në prezencën apo mungesën e faktorëve plotësues të qitjes dhe njollave është eliminuar mundësia që e njëjta të ketë përdorur ndonjë armë apo të ketë shkaktuar vetëvrasje. Edhe mungesa e shtangimit kataliptik të gishtit tregues është një provë tjetër mjeko-ligjore që e plotëson konstatimin e parë dhe nuk lë asnjë dyshim për ndonjë mundësi tjetër”, tha ai.
Ai duke ju përgjigjur pyetjeve të prokurorisë tha se në rastin konkret gjatë ekzaminimit të jashtëm të trupit është konstatuar gjakmbledhja lëkurore (hematoma) me përmasa rreth 6 x 1.5 cm
“Gjatë procedurave standardeve të strukturave mjeko-ligjore përveç plagëve vdekjeprurëse ekzaminohen të gjitha dëmtimet tjera eventuale trupore. Në rastin konkret gjatë ekzaminimit të jashtëm të trupit është konstatuar gjakmbledhja lëkurore (hematoma) me përmasa rreth 6 x 1.5 cm në regjionin e sipërm dhe të jashtëm në krahun e djathtë. Kjo gjakmbledhje është përshkruar me ngjyrim të kuqe dhe blu, vetë përngjyrimi i tillë, bazuar në kriteret shkencore mjeko-ligjore dhe praktike, dëshmon se kjo gjakmbledhje është shkaktuar para ose gjatë vrasjes së tani më të ndjerës. Ngjyra e kuqe tregon praninë e eritrociteve të freskëta dhe të oksigjenuara të dala nga enët e gjakut në momentin e traumatizimit – kjo është tipike për fazën akute, ndërsa ngjyra blu është kur fillon të deoksigjenohet dhe degradohet. Përjashtohet çdo mundësi tjetër që kjo gjakmbledhje të jetë shkaktuar pas vdekjes së tani më të ndjerës”, tha ai./D.B/EO
08:10
Do të vazhdojë edhe sot seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të akuzuar për përfshirje në vrasjen e Liridona Ademajt.
Në këtë seancë pritet të dëgjohet raporti i autopsisë nga mjeku ligjor Naim Uka.
Ndryshe seanca e fundit u fokusua në dëgjimin e ekspertit të psikiatrisë, i cili kishte kryer ekzaminimin psikiatrik ndaj të akuzuarit Naim Murseli.
Eksperti kishte deklaruar në sallën e gjyqit se nga ekzaminimi i bërë nuk janë konstatuar çrregullime të shëndetit mendor te Naim Murseli, as në formë të përhershme e as të përkohshme. Ai tha se analizat janë kryer përmes dokumenteve të lëndës, bisedave të drejtpërdrejta me të akuzuarin, si dhe përmes vëzhgimit të sjelljes së tij gjatë ekzaminimit.
Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor 2023, rreth orës 20:25, në rrugën “Dalip Alshiqi” në fshatin Bërnicë të Prishtinës./S.K/EO/