Lajmet

Arrestohet edhe një person i dyshuar për sulmin në Zubin Potok

Published

on

Policia e Kosovës bëri të ditur se ka arrestuar edhe një person i cili dyshohet të jetë i lidhur me sulmin ndaj kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok më 26 nëntor.

Personi i dyshuar, i identifikuar me iniciale J.V., u arrestua në orët e mbrëmjes të 1 dhjetorit, “nën dyshimin që mund të ketë pasur rol të rëndësishëm në kuadër të grupit përgjegjës për rastin e sulmit terrorist ndaj infrastrukturës kritike”, u tha në njoftim.

Autoritetet gjyqësore ndaj të dyshuarit kanë caktuar masën e ndalimit prej 48 orësh.

Policia tha se gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit janë sekuestruar edhe armë, përfshirë dhe pajisje ushtarake, përfshirë katër granata dore, një pushkë gjuetie, 500 copë municione të kalibrave të ndryshëm, karikatorë të ndryshëm, radiolidhje, dylbi, një kamerë kamoflueuse, uniforma ushtarake dhe dokumente të ndryshme.

Situata e sigurisë në veri të vendit aktualisht vlerësohet e qetë, por siç e kemi bërë të ditur në vazhdimësi është një situatë e brishtë, e përcjellë me raste të natyrave të ndryshme kriminale, si rasti i fundit i sulmit kriminal terrorist i ndodhur ndaj infrastrukturës kritike në kanalin e ujit, dhe për këtë vazhdojnë masat shtesë të PK-së”, u tha në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Paraprakisht, autoritetet kishin njoftuar për arrestimin e tetë të dyshuarve lidhur me sulmin në fshatin Varrangë të Zubin Potokut.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur të dielën se të pandehurit D.V ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 1 muaji nën dyshimet se ka kryer veprën penale, rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike.

Autoritetet e Kosovës e kanë cilësuar sulmin ndaj infrastrukturës kritike si terrorist dhe e kanë fajësuar Serbinë. Beogradi, ndërkaq, ka mohuar se është përfshirë në këtë sulm dhe ka thënë se po kryen hetimet e veta për këtë rast.

Sulmi ka ndodhur në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut – komunë me shumicë serbe në veri të vendit.

Policia e Kosovës ka thënë se sulmi është kryer me lëndë shpërthyese deri në 20 kilogramë.

Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit gjithë veriun e Kosovës, rajonet e Mitrovicës, Prishtinën me rrethinë, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.

Sulmi në Zubin Potok është dënuar ashpër nga faktori ndërkombëtar.

Po ashtu, para se të ndodhte sulmi në Zubin Potok, kishte pasur edhe dy incidente me mjete plasëse në veri, një në afërsi të Komunës së Zveçanit dhe një sulm me granata dore në stacionin policor në këtë komunë./REL/

Vendi

Kuvendi mban sot seancë solemne për Eliot Engel dhe seancë të rregullt plenare

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës mban sot dy seanca plenare, duke nisur në orën 10:00 me një seancë solemne në nderim të ish-kongresmenit amerikan Eliot Engel, i cili vdiq më 10 prill.

Pas saj, në orën 11:00, do të vijojë seanca e rregullt me këtë rend dite:

  1. Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme.
  2. Deklarimet jashtë rendit të ditës.
  3. Pyetjet parlamentare.
  4. Shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Amendamentit Nr. 2 të Marrëveshjes Financiare Kosovë-BE për Programin IPA 2020.
  5. Shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Amendamentit Nr. 1 të Marrëveshjes Financiare Kosovë-BE për programin IPA 2019 (pjesa e dytë, objektivi 1).
  6. Zgjedhja e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
  7. Zgjedhja e anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.
  8. Zgjedhja e anëtarëve në Komisionin e Pavarur të Mediave.
  9. Shqyrtimi i Propozim-rezolutës për avancimin e përkujdesjes institucionale ndaj komunitetit shqiptar në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.
  10. Propozimi i Grupit parlamentar “Multietnik” për zëvendësimin e deputetëve në komisione parlamentare.

Continue Reading

Kronikë e zezë

Punëtori humb jetën në vendin e punës në Gjakovë

Published

on

By

Një punëtor ka humbur jetën gjatë orarit të punës sot në Gjakovë.

Sipas njoftimit të Policisë, viktima dyshohet se ka rënë nga një objekt i lartë teksa ishte duke punuar në rrugën “Pjetër Bogdani” në këtë komunë.

Në vendin e ngjarjes kanë intervenuar menjëherë njësitë përkatëse policore si dhe ekipi emergjent mjekësor, të cilët kanë konstatuar vdekjen e punëtorit.

Zëdhënësja e Policisë për rajonin, Vlera Krasniqi, ka bërë të ditur se lidhur me rastin një person është duke u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.

Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori i shtetit.

Raporton Koha.net.

Continue Reading

Vendi

Nesër ditë zie në Kosovë për nder të akademik Rexhep Qosjes

Published

on

By

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë vendim që dita e nesërme, e premte, 24 prill 2026, të shpallet ditë zie shtetërore në tërë territorin e vendit. Ky vendim vjen si shenjë respekti dhe nderimi për jetën dhe veprën e jashtëzakonshme të akademikut Rexhep Qosja, i cili u nda nga jeta në moshën 89-vjeçare.

Përmes këtij akti zyrtar, institucionet e shtetit shprehin mirënjohjen e thellë për kontributin e pazëvendësueshëm të akademikut Qosja në ndërtimin e autoritetit shkencor dhe kulturor të Kosovës.

“Në nderim të jetës dhe veprës së akademik Rexhep Qosja, dita e nesërme, e premte, 24 prill 2026, shpallet Ditë zie shtetërore në Republikën e Kosovës. Me këtë vendim, shteti ynë shpreh nderimin dhe mirënjohjen për një personalitet që i dha kulturës shqiptare dije, vepër dhe autoritet”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Sipas vendimit të nënshkruar nga u.d. Presidentja Haxhiu, Protokolli i Shtetit është ngarkuar që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e kësaj zije shtetërore. Ky vendim pason lajmin për vdekjen e akademikut dhe përmbylljen e ceremonisë së varrimit, e cila, sipas dëshirës së të ndjerit, u zhvillua në mënyrë private.

Continue Reading

Lajmet

BIOGRAFIA E REXHEP QOSJA

Published

on

Sot është ndarë nga jeta akademiku, shkrimtari dhe studiuesi i njohur shqiptar, Rexhep Qosja.

Rexhep Qosja lindi më 1936 në Vuthaj të Malit të Zi. Shkollimin fillor dhe të mesëm e kreu në Vuthaj dhe në Guci, ndërsa në Prishtinë përfundoi Shkollën Normale dhe më pas studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe në Fakultetin Filozofik.

Karrierën akademike e nisi në vitin 1967 si asistent në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Studimet pasuniversitare i kreu në Universitetin e Beogradit, ndërsa më 1971 mbrojti doktoratën për jetën dhe krijimtarinë e Asdrenit. Gjatë viteve në vijim, ai u ngrit në një nga figurat më të rëndësishme të studimeve albanologjike, duke qenë profesor ordinar në Universitetin e Prishtinës dhe drejtor i Institutit Albanologjik në periudhën 1972-1981.

Qosja është autor i mbi tridhjetë librave nga fusha e kritikës letrare, studimeve shkencore, si dhe prozës artistike, përfshirë romane, tregime dhe drama. Ai ka botuar gjithashtu qindra artikuj, ese dhe studime, duke dhënë një kontribut të veçantë në zhvillimin e mendimit kritik dhe letërsisë shqipe.

Për krijimtarinë shkencore e letrare është çmuar me Shpërblimin e qytetit të Prishtinës më 1968; me Shpërblimin Krahinor të Dhjetorit më 1969; me dy shpërblime të SHSH të Kosovës, më 1972 dhe 1974 dhe me Shpërblimin e RS të Serbisë “7 Korriku”, më 1975, me Çmimin “Pjetër Bogdani”, 2010 për romanin “Bijt e askujt”, etj.

Në mars të vitit 2025 Qosja u nderua me çmimin “Letërsia shqipe” nga Ministria e Kulturës, si njëri prej ndikuesve më të mëdhenj të letërsisë shqipe. Është marrë edhe me veprimtari politike. Në periudhën 1998-2000 drejtoi një parti politike në Kosovë. Në vitin 2000, kryetari i Republikës së Shqipërisë i dha çmimin “Nderi i Kombit”.

Ndarja e tij nga jeta përbën një humbje të madhe për kulturën, shkencën dhe mbarë kombin shqiptar.

Continue Reading

Të kërkuara