Lajmet

​Armët në duart e të rinjve, kërkohet veprim urgjent nga shteti pas vrasjes në Vushtrri

Published

on

Një rast tragjik ndodhi mbrëmjen e së dielës në Vushtrri, ku një 19-vjeçar u vra me armë zjarri nga një bashkëmoshatar. Ky i fundit ka pranuar fajësinë gjatë dhënies së deklaratës, ndërkohë që ende nuk dihen motivet e kësaj ngjarje të rëndë. Armët në duart e të rinjve po konsiderohen alarm për të gjitha institucionet e sigurisë dhe drejtësisë në vend.

Vrasja e të riut ndodhi në rrugën “Galip Badivuku” në Vushtrri, rreth orës 20:35, ku policia njoftoi se 19-vjeçari pësoi plagë vdekjeprurëse.

Pranimin e fajësisë nga i dyshuari e bëri të ditur të hënën zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni.

Ai theksoi se i dyshuari për veprën penale “Vrasje e rëndë” gjendet në ndalim 48 orësh.

“Është sekuestruar arma me të cilën dyshohet se është kryer kjo vrasje, Prokuroria dhe policia janë duke mbledhur provat relevante në lidhje me rastin. Gjatë marrjes së deklaratës i dyshuari e ka pranuar fajësinë për vrasjen. Në afatin e paraparë ligjor prokuroria do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit për këtë rast. Gjatë hetimit do të zbulohen edhe motivet që çuan në këtë ngjarje”, thuhet në përgjigjen.

Institucioni i Avokatit të Popullit tha se posedimi i armëve po rrezikon jetën e secilit person në vend.

“Armët në duart e qytetarëve vazhdojnë të rrezikojnë drejtpërdrejt jetën e secilit person në vend, si dhe të cenojnë sigurinë dhe qetësinë publike, dhe ky është një alarm për të gjitha institucionet e sigurisë dhe drejtësisë në vend. Të gjitha institucionet përgjegjëse dhe kompetente në Republikën e Kosovës, duhet të marrin veprime në ashpërsimin e masave kundër armëmbajtjes pa leje në tërë vendin, veprim të cilin duhet ta konsiderojnë si veprim urgjent dhe të domosdoshëm”, thuhet në përgjigjen e Institucionit të Avokatit të Popullit.

Policia tha në shtëpinë e të dyshuarit është realizuar bastisje ku është gjetur dhe konfiskuar edhe një armë e gjatë me pesë fishekë. Ndërkaq, në vendin e ngjarjes policia ka gjetur tri gëzhoja dhe ka konfiskuar një revole që dyshohet se është përdorur nga i dyshuari për kryerjen e veprës.

Personi i cili ka poseduar armën e cila u shfrytëzua mbrëmë për vrasje, sipas drejtorit të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), Mentor Vrajolli, duhet të jap përgjegjësi.

“Problemi i armëve pa leje është problem i cili është vështirë të eliminohet si i tillë. Megjithatë poseduesit e tyre duhet të japin përgjegjësi për këto armë. Jo vetëm për shkak se posedojnë armë pa leje por edhe mënyrën se si ata i posedojnë. Për shkak se në këtë rast ky i riu mbase edhe ka pasur akses në armë të cilën nuk e ka blerë vet. Personi përgjegjës i cili e ka pasur këtë armë duhet të jepet llogari. Është me rëndësi që derisa problemi i armëve pa leje është problem të zgjidhet si i tillë, për shkak se është vështirë që institucionet të mbledhin gjithë ato armë. Ajo që duhet të bëhet nga ana e institucioneve është që të punohet me më shumë të rinj për të adresuar problemin e dhunës”, thotë ai.

Sipas tij, duhet të krijohen mekanizma të duhur që trajtojnë parandalimin e këtyre rasteve.

“Duhet të ketë më shumë policë në komunitet. Policia një kohë e ka pasur si ide që ta zhvillojë inteligjencën që buron nga komuniteti. Mendoj që kjo është e domosdoshme që t’i parandalojë herët këto incidente. Policinë nuk duhet ta shohim si instancë e fundit e parandalimit, por duhet ta kemi një bashkëpunim mes komunitetit dhe një pale, në këtë rast Policisë, apo mekanizmave rajonal apo taskforca të ndryshme që mund të krijohen nëpër komuna që do të merreshin me identifikimin e këtyre problemeve”, shton ai.

Rastin tragjik që ndodhi mbrëmë në Vushtrri e konsideron alarm për vendin edhe sociologu Labinot Konushevci.

“Ky[rasti në Vushtrri]duhet të jetë alarm për gjithë shoqërinë. Sepse e gjithë shoqëria është përgjegjëse kur ndodhë një vrasje. Institucionet e arsimit duhet të jenë të alarmuara sepse këto janë raste mes të rinjve të cilët nuk e kanë arritur një formim të duhur kulturor prej sistemit arsimor edhe kjo tregon që sistemi i arsimit tek ne po dështon. Po dështon sistemi i arsimit publik për të krijuar një kulturë më emancipuese e cila do të parandalonte këto vrasje. Vrasja është një fenomen jashtëzakonisht shqetësues që ndodhë më shumë në ato shoqëri ku mungon kontrolli shoqëror dhe institucional. Pra, një shoqëri e frustruar, një shoqëri e cila nuk e ka komunikimin si mjet për zgjidhjen e problemit”,përfundon ai.

Kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi ka reaguar pas vrasjes tragjike, duke kërkuar që të zbardhet sa më parë ky rast.

“Sonte, qyteti ynë është tronditur nga një ngjarje e rëndë, ku një 19-vjeçar humbi jetën tragjikisht. Duke i shprehur ngushëllimet më të thella familjes, bashkëndiejmë dhimbjen për humbjen e djalit të tyre. Falënderoj organet e rendit për reagimin e shpejtë dhe arrestimin e të dyshuarit. Besojmë në drejtësi. Të zbardhet sa më parë rasti dhe të garantohet siguria e qytetarëve tanë”, shkroi Idrizi më 23 mars.

Autoritet po vazhdojnë hetimet për të zbuluar motivet që çuan në këtë ngjarje tragjike.

Lajmet

IKShPK: Vaksinat kundër gripit sezonal arrijnë më 21 tetor, vonesa shkaktohet nga ndryshimet globale

Published

on

By

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar qytetarët se kontingjenti i vaksinave kundër gripit sezonal për sezonin 2026/2027 pritet të mbërrijë në Kosovë më 21 tetor 2026.

Sipas IKShPK-së, procesi ndërkombëtar i prodhimit të vaksinave për hemisferën veriore ka pësuar vonesa globale për shkak të ndryshimeve në përbërjen e shtameve të rekomanduara. Këto ndryshime ushtruan ndikim të drejtpërdrejtë në afatet e furnizimit si në nivel global ashtu edhe në vendet e rajonit, duke bërë që mbërritja e tyre në Kosovë të shtyhet për 21 ditë nga afati i parashikuar.

Instituti bëri me dije se po përcjell nga afër këtë proces dhe se me të pranuar kontingjentin do të njoftojë publikun për nisjen zyrtare të procesit të imunizimit.

“IKShPK po përcjell nga afër procesin e furnizimit dhe, pas pranimit të vaksinave, do të njoftojë qytetarët dhe institucionet shëndetësore për fillimin e vaksinimit kundër gripit sezonal. Qytetarët do të informohen në kohë për vendet dhe oraret e vaksinimit, pas përfundimit të procedurave të pranimit dhe shpërndarjes së vaksinave në institucionet shëndetësore”.

Me këtë rast, IKShPK u ka shprehur falënderim qytetarëve për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e treguar gjatë kësaj periudhe.

 

Continue Reading

Lajmet

Rusia kërcënon NATO-n me armë bërthamore për rajonin e Kaliningradit

Published

on

By

Rusia i ka dërguar një paralajmërim të ashpër NATO-s, duke bërë të ditur se është e gatshme të përdorë të gjithë arsenalin e saj ushtarak, përfshirë armët bërthamore, nëse aleanca perëndimore ndërmerr hapa për të izoluar apo shkëputur enklavën ruse të Kaliningradit.

Në një dokument konfidencial (“non-paper”) të dërguar NATO-s, të siguruar nga agjencia e lajmeve Reuters, Moska akuzon aleancën për një “kurs të rrezikshëm dhe të pamatur” që rrit rrezikun e një konflikti të drejtpërdrejtë ushtarak.

Në dokumentin diplomatik joformal, Moska bën të qartë se përgjigja ushtarake mund të përfshijë goditje të drejtpërdrejta brenda territorit të vendeve anëtare të NATO-s që nga fillimi i çdo përshkallëzimi:

“Rusia do të jetë gati të përdorë të gjithë arsenalin e forcave dhe kapaciteteve në dispozicion të saj, duke përfshirë armët bërthamore, për të mbrojtur territorin e saj nëse vendet e NATO-s ndërmarrin ndonjë përpjekje që synon izolimin e Rajonit të Kaliningradit nga pjesa tjetër e vendit.”

Dokumenti nëvizon gjithashtu mundësinë e “sulmeve ruse kundër qendrave të vendimmarrjes në shtetet anëtare të aleancës që nga fillimi i konfliktit.”

Përveç paralajmërimit konfidencial, ambasadat ruse në të paktën tre shtete evropiane kanë lëshuar deklarata publike gjatë tre ditëve të fundit. Ato akuzojnë NATO-n për nxitje të tensioneve përmes stërvitjeve ushtarake dhe skenarëve operativë që përfshijnë Kaliningradin — territorin e militarizuar rus që ndodhet gjeografikisht midis Polonisë dhe Lituanisë.

Nga ana tjetër, diplomatët rusë hodhën poshtë pretendimet e vendeve perëndimore se Moska përbën kërcënim apo se po përgatit sulm ndaj ndonjë anëtari të NATO-s, si dhe mohuan akuzat për udhëheqjen e një “lufte hibride” përmes sabotimeve në Evropë. Sidoqoftë, pala ruse nënjëzogoi se çdo cenim ndaj Kaliningradit do të përballet me “përgjigjen më të fortë të mundshme”.

 

Continue Reading

Lajmet

15 profesorë të UBT-së renditen të parët në Kosovë në Scholarly Index 2026

Published

on

By

UBT ka shënuar rezultate të rëndësishme në Scholarly Index Top1000 Scholar 2026, ku 15 profesorë të universitetit janë renditur në vendin e parë në Kosovë në të paktën një temë kërkimore.

Në mesin e tyre janë:

Alban Kuriqi, Hyrije Koraqi, Ridvan Peshkopia, Visar Krelani, Gazmend Temaj, Pajtim Bytyçi, Burhan Reshat Rexhepi, Milaim Berisha, Kujtim Lepaja, Demokrat Nuha, Xhevahire Millaku, Liridon Kryeziu, Alfred Marleku, Nuredin Lutfiu dhe Kristina Perkola.

Këto renditje mbulojnë fusha të ndryshme të kërkimit, përfshirë inxhinierinë, ujërat dhe mjedisin, biznesin, shkencat sociale, shkencat ushqimore, arsimin, gjuhësinë dhe fusha të tjera.

Në nivel ndërkombëtar, profesorët e UBT-së kanë arritur gjithashtu pozita të larta. Prof. Dr. Alban Kuriqi ka shënuar pozitën më të lartë globale në mesin e profesorëve të UBT-së të paraqitur në këto renditje, duke u renditur i 8-ti në botë në temën “Hydrology and Sediment Transport Processes” për periudhën 2021–2025.

Po ashtu, Kristina Perkola është renditur #71 në botë, ndërsa Burhan Reshat Rexhepi #81, në temat e tyre përkatëse.

Këto rezultate tregojnë një prani të fortë të profesorëve të UBT-së si në nivel kombëtar, ashtu edhe ndërkombëtar, dhe përforcojnë dukshmërinë e universitetit në kërkimin shkencor.

 

Continue Reading

Lajmet

UBT zhvillon sesion informues për Kualifikimin Profesional Zhvillues i Aplikacioneve me Integrimin e AI-së

Published

on

By

Në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së është mbajtur dje një sesion informues për Kualifikimin Profesional Zhvillues i Aplikacioneve me Integrimin e Inteligjencës Artificiale, ku studentë dhe të interesuar të tjerë u njohën nga afër me programin, mundësitë profesionale dhe infrastrukturën moderne që ofron UBT.

Studentët u mirëpritën nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, si dhe Drejtori i Departamentit për Edukim dhe Zhvillim Profesional në UBT, Prof. Dr. Besnik Skenderi, dhe Drejtori i Infrastrukturës, Murat Retkoceri, ku prezantuan programin dhe mundësitë që ai ofron, ndërsa pjesëmarrësit vizituan ambientet e laboratorëve dhe u njohën nga afër me pajisjet dhe teknologjitë moderne që do të përdoren gjatë ligjëratave, ushtrimeve dhe punës praktike.

Programi i mbështetur nga Regional Challenge Fund, synon zhvillimin e aftësive profesionale në fushën e zhvillimit të aplikacioneve, duke e integruar Inteligjencën Artificiale në procesin e të nxënit dhe praktikës profesionale. Kualifikimi Profesional Zhvillues i Aplikacioneve është e orientuar drejt përgatitjes së profesionistëve për role në industrinë e teknologjisë së informacionit dhe zhvillohet në katër semestra.

Përmes këtij programi, studentët do të kenë mundësi të zhvillojnë aftësi praktike në teknologji, programim dhe Inteligjencë Artificiale, krahas studimeve të tyre, në një mjedis të pajisur me infrastrukturë moderne dhe teknologji bashkëkohore.

Continue Reading

Të kërkuara