Tre persona janë arrestuar mesditen e djeshme nga policia në fshatin Kërligatë të Zubin Potokut.
V.H, F.S dhe V.S, dyshohen për veprat penale “Armëmbajtje pa leje” dhe “Gjueti e kundërligjshme”.
Siç, njoftojnë organet e rendit, zyrtarë nga Pylltaria e Kosovës, gjatë kryerjes së detyrës në kanë hasur në një automjet në të cilin gjendeshin tre personat e dyshuar.
“Pas një mosmarrëveshjeje verbale ndërmjet palëve, zyrtarët e pylltarisë (viktimat) janë paraqitur në stacionin policor për të dhënë deklaratën e tyre, ndërsa të dyshuarit janë shoqëruar në SP Zubin Potok”, thuhet në njoftimin e policisë.
Tutje, thuhet se ata i kanë dorëzuar vullnetarisht armët si tre pushkë gjuetie, një pistoletë, 25 fishekë të armëve dhe një radio dore.
Nga hetimet fillestare është konstatuar se në atë zonë nuk lejohet të bëhet gjueti, pasi e njëjta është zonë e mbrojtur.
“Me urdhër të prokurorit kompetent, pas intervistimit të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa ndaj tyre janë inicuar rastet për veprat penale: Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, dhe Gjueti e kundërligjshme”.
Policia e Kosovës apelon tek të gjithë qytetarët që të respektojnë ligjet dhe rregullat që ndalojnë gjuetinë në zonat e mbrojtura, si dhe të mos mbajnë armë pa leje, pasi çdo veprim i tillë paraqet shkelje të ligjit dhe rrezik për sigurinë publike./EO