Aktualitet

Armatime nga Turqia dhe Teatri i ri Kombëtar, Rama shton 92 milionë euro borxhe për shqiptarët

Një ndryshim në ligjin për Buxhetin e Shtetit propozuar nga kryeministri Edi Rama parashikon rritjen e deficitit buxhetor të këtij viti me 11 miliardë lekë, para këto që do të përdoren, mes të tjerash, për të blerë armatime nga Turqia dhe për teatrin e ri kombëtar.

Published

on

Nga Gjergj Erebara-BIRN

Qeveria shqiptare ka vendosur të rrisë deficitin buxhetor të këtij viti duke i ngarkuar qytetarëve edhe 92 milionë euro borxhe për një total prej 1 miliardë eurosh, bëhet e ditur nga një projektligj për akt normativ i dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë.

Qeveria thotë në relacion se ka nevojë të rrisë deficitin buxhetor dhe borxhin publik nga niveli sakaq i lartë për shkak të disa shpenzimeve të ngutshme, përfshirë blerjen e dronëve të prodhimit turk nga Ministria e Mbrojtjes si dhe investime të ndryshme, përfshirë investime për projektin e quajtur ‘Unaza e Madhe e Tiranës’, përfshirë projektet aktuale të shumëdebatueshme për shkak të kostove të stërmëdha si dhe investime shtesë për ujësjellësa.

Të gjitha këto shpenzime do të financohen me borxh publik pasi qeveria nuk parashikon ndonjë rritje në të ardhura.

‘Ndryshimet e propozuara përmes këtij akti normativ nuk prekin treguesit e të ardhurave, buxhetore të cilët nuk kanë pësuar ndryshime,’ thuhet në relacion.

‘…rritja e shpenzimeve të përgjithshme buxhetore në masën 11.8 miliardë lekë, rrit në të njëjtën masë edhe deficitin buxhetor të planifikuar për vitin 2021,’ shkruhet më tej në relacion.

Qeveria ka në plan të paguajë 1 miliardë lekë armatime në Turqi në një projekt të deklaruar si ‘prioritar’.

Sipas relacionit, synohet të financohet ‘projekti prioritar i Ministrisë së Mbrojtjes për pajisjen me dronë në vlerë 1 miliardë lekë, në kuadër të marrëveshjes me Turqinë dhe masave për rritjen e kontrollit të territorit dhe sigurisë kombëtare në tërësi.’

Nuk ka të dhëna mbi cilësitë dhe kapacitetet e dronëve në fjalë dhe as për markën, por ministri i brendshëm Bledi Çuçi ka vizituar fabrikën e kompanisë turke Bayraktar, e cila prodhon dronë të llojeve të ndryshme.

Në listën e shpenzimeve me borxh janë edhe 900 milionë lekë për t’iu transferuar Bashkisë Tiranë për projektin e Teatrit Kombëtar. Vetë Bashkia Tiranë dhe qeveria këmbëngulën për vite me radhë se duhej të jepnin një koncesion për një kompani private pasi nuk kishin para për të financuar ndërtimin e një teatri të ri, gjë për të cilën dukshëm kanë ndryshuar plan.

Relacioni i Këshillit të Ministrave nuk është shumë i detajuar sa i përket pjesës tjetër të parave. Rreth 3 miliardë lekë (25 milionë euro) deklarohet se do të shpenzohen ‘për projektet në vazhdim, të programeve të zhvillimit,’ pa shpjeguar se çfarë janë këto programe zhvillimi ndërsa 4.8 miliardë lekë do të shpenzohen për Unazën Veriore të Tiranës si dhe për ‘projektet aktuale Unazës së Tiranës, të cilat kanë avancuar me punimet mbi planin buxhetor të miratuar për vitin buxhetor 2021.’

Aktualisht janë tre projekte mbikalimesh në zbatim në Unazën e Madhe të Tiranës, ku përfshihet sistemi i mbikalimit në vendin e quajtur ‘Shqiponja’.

Rreth 1 miliardë lekë do t’i jepen shtesë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit për diçka që relacioni e përshkruan si ‘financimi i nevojave për mirëmbajtjen e sistemeve IT.’

Në total, deficiti buxhetor i këtij viti pritet të arrijë në afro 1 miliardë euro, të cilat janë borxhe që qytetarët shqiptarë do të duhet t’i paguajnë gjatë dekadave të ardhshme.

Continue Reading

Lajmet

Nisi edicioni i ri i Ligës Premier: Rregullat e reja që do të ndryshojnë lojën

Published

on

By

Sezoni i ri i Ligës Premier 2026/27 starton mbrëmjen e sotme  në orën 21:00 me sfidën mes kampionëve në fuqi, Arsenalit, dhe Coventry City. Ky edicion sjell ndryshime të rëndësishme në rregulloren e lojës, me synim kryesor përshpejtimin e ritmit dhe ndëshkimin e vonesave taktike.

Përshpejtimi i rivënieve: Lojtarët kanë vetëm 5 sekonda kohë për të kryer një rivënie anësore apo rivënie të topit në lojë. Nëse gjyqtari vëren vonesë, fillon numërimin mbrapsht; nëse koha shkelet, zotërimi i topit i kalon kundërshtarit (ose akordohet goditje këndi te rivënia e topit).

Trajtimi i lëndimeve: Një lojtar i lënduar duhet të qëndrojë jashtë fushës për 1 minutë (nga 30 sekonda sa ishte më parë). Përjashtim bëhet vetëm nëse lëndimi është shkaktuar nga një faull ku kundërshtari është ndëshkuar me karton të verdhë.

Sanksione për “lëndimet e rreme” të portierit: Nëse një portier rrëzohet duke shkaktuar ndërprerje taktike, trajneri detyrohet të nxjerrë një lojtar tjetër nga fusha për 1 minutë.

Zëvendësimet me kohëmatës: Çdo zëvendësim duhet të zgjasë maksimumi 10 sekonda. Nëse lojtari largohet më ngadalë, lojtari i ri nuk do të lejohet të hyjë në fushë për 1 minutë.

Ndërhyrja e VAR-it për kartonin e dytë të verdhë: Sistemi VAR tashmë ka të drejtë të ndërhyjë për të korrigjuar një gabim të qartë te kartoni i dytë i verdhë (p.sh. nëse nuk ka pasur fare faull). Megjithatë, VAR nuk mund të kërkojë dhënien e një kartoni nëse gjyqtari nuk e ka akorduar atë në fushë.

Për dallim nga Kupa e Botës e kësaj vere, Liga Premier ka vendosur të mos aplikojë ndalimin e mbulimit të gojës gjatë komunikimit dhe as pushimet e detyrueshme për hidratim. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Kosova shënon fitoren e parë në volejboll në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”

Published

on

By

Përfaqësuesja e Kosovës në volejboll për femra ka arritur fitoren e parë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, duke mposhtur bindshëm Algjerinë me rezultatin 3:0 në sete.

Volejbollistet kosovare treguan dominim gjatë gjithë përballjes së të premtes. Seti i parë u mbyll me shifrat 25:19, ndërsa në dy setet vijuese Kosova kontrolloi tërësisht lojën, duke i lënë kundërshtaret në vetëm 10 pikë në setin e dytë dhe 14 në të tretin.

Kjo fitore vjen pas disfatës 3:0 që Kosova pësoi përballë Greqisë të enjten mbrëma. Pjesë e të njëjtit grup janë edhe Maqedonia e Veriut e Turqia, ndërsa në grupin tjetër garojnë Italia, Bosnjë-Hercegovina, Egjipti dhe Serbia.

Ky është suksesi i parë për delegacionin e Kosovës në “Taranto 2026”, ku vendi po përfaqësohet me gjithsej 163 sportistë. /E.A/

 

Continue Reading

Aktualitet

Pas 20 vjetësh, izraelitët rikthehen në vendbanimin e braktisur në tokën me palestineze

Published

on

By

Një gjeneratë e re e kolonëve izraelitë është kthyer në vendbanimin Kadim, në Bregun e Perëndimor të okupuar, dy dekada pasi ai u mbyll nga një qeveri e mëparshme izraelite.

Tridhjetë “familje pioniere” kishin mbërritur në vendbanim të enjten nga Tel Avivi, sipas këshillit rajonal të kolonëve, duke kalëruar mbi një valë të nacionalizmit hebraik të nxitur nga qeveria aktuale e Izraelit.

Ata erdhën në grupe të vogla, disa nën shoqërimin ushtarak, me flamuj izraelitë të kaltër e të bardhë që valviteshin nga makinat e tyre ndërsa kalonin pranë fshatrave dhe tokave bujqësore palestineze. Disa të tjerë tërhiqnin rimorkio të ngarkuara me shtretër, mobilie e materiale ndërtimi.

Qeveria e Izraelit ka shfuqizuar ndalimin 20-vjeçar për vendbanimet hebraike rreth Jeninit. Banorët palestinezë po e vëzhgojnë me frikë këtë hov të ri të zgjerimit të vendbanimeve atje.

Të gjitha vendbanimet dhe pikat e avancuara të kolonëve izraelitë janë ilegale sipas së drejtës ndërkombëtare. Pikat e avancuara janë gjithashtu ilegale edhe sipas ligjit izraelit, megjithëse shpesh mbështeten me shërbime dhe financime shtetërore.

“21 vjet pas krimit të dëbimit nga Samaria veriore, ne e kemi përfunduar korrigjimin […] dhe jemi kthyer në vendbanimin Kadim,” tha ministri i ekstremit të djathtë i Financave i Izraelit, Bezalel Smotrich, gjatë ceremonisë së hapjes, duke përdorur fjalën biblike për Bregun e Perëndimor verior.

Krah tij ishin Ministri i Drejtësisë i Izraelit, Kryetari i Parlamentit (Knesset) dhe Yossi Dagan, kreu i këshillit rajonal të kolonëve, i cili u zotua se kolonët një ditë do të kthehen edhe në Gazë.

Kadim, i cili ndodhet në një kodër të vogël jashtë qytetit palestinez të Jeninit, u evakuua në vitin 2005 nga një qeveri e mëparshme izraelite si pjesë e një Plani më të gjerë të Tërheqjes Unilaterale. Ky plan solli gjithashtu tërheqjen e të gjithë kolonëve dhe ushtarëve hebraikë nga Gaza, si dhe çmontimin e tre vendbanimeve të tjera në veri të Bregut Perëndimor.

Atëbotë, katër vendbanimet konsideroheshin tepër të izoluara, mjaft të kushtueshme për t’u mbrojtur dhe me pak vlerë strategjike. / BBC/

Continue Reading

Lajmet

MAShT-i me thirrje prindërve: Mos blini tekstet shkollore pa u publikuar katalogu zyrtar

Published

on

By

Kur kanë mbetur edhe nëntë ditë para nisjes zyrtare të procesit mësimor në të gjitha shkollat në Kosovë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës përmes një komunikate u bën thirrje prindërve dhe kujdestarëve ligjorë që të mos nxitojnë me blerjen e teksteve mësimore dhe materialeve shkollore.

Ministria njofton se procesi i negocimit të çmimeve me shtëpitë botuese ende nuk ka përfunduar, për çfarë arsye katalogu përfundimtar me çmimet përkatëse nuk është publikuar ende në faqen zyrtare. Pas përfundimit të këtyre negociatave, MASH-i do të bëjë publik katalogun si dhe do të përcaktojë shumën e subvensioneve për çdo nxënës.

“U bëjmë thirrje prindërve dhe kujdestarëve ligjorë që të presin publikimin zyrtar të katalogut dhe të mos bëjnë blerje paraprake të teksteve mësimore,” thuhet ndër të tjera në komunikatën e ministrisë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Përmes këtij njoftimi, u bëhet apel edhe librarive e shitësve që të mos fillojnë shitjen e librave para përfundimit të procedurave zyrtare. Ministria udhëzon prindërit që për çdo informacion të mëtejshëm t’u referohen vetëm kanaleve zyrtare të saj. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara