Britania e Madhe do të jetë sot nikoqire e mbajtjes së Samitit të Procesit të Berlinit për vendet e Ballkanit Perëndimor, me qëllim promovimin e bashkëpunimit rajonal dhe ofrimin e sigurisë e zgjerimit.
Procesi i Berlinit është një platformë ndërkombëtare që bashkon qeveritë e të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, së bashku me partnerë të tjerë evropianë.
Qëllimi i tij është të rrisë bashkëpunimin rajonal, të mbështesë zhvillimin ekonomik dhe të përshpejtojë përpjekjet për një përafrim më të ngushtë evropian të Ballkanit Perëndimor.
Qeveria e Britanisë së Madhe do të punojë me Gjermaninë, si iniciatore e Procesit të Berlinit, mbi prioritetet e përbashkëta në Ballkanin Perëndimor.
Sipas raportimeve, liderët ballkanikë do të priten fillimisht nga kryeministri britanik, Keir Starmer. Më pas, ata do të priten nga Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar.
Nga ora 15:00 do të nisë seanca plenare me dy panele: njëri me temën “Ambicia dhe Vizioni Strategjik”, ndërsa paneli tjetër do të trajtojë temat “Zgjerimi, Migracioni dhe Siguria”.
Kosova përfaqësohet nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ndërsa Shqipëria nga kryeministri i saj, Edi Rama.
Kryeministri Starmer do të presë udhëheqës dhe përfaqësues të lartë nga vendet e Ballkanit Perëndimor si Kosova, Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, si dhe nga shtete partnere të BE-së, përfshirë Austrinë, Francën, Gjermaninë, Italinë e Greqinë.
Këtë vit, Samiti zhvillohet në një moment simbolik, pasi përkon me 30-vjetorin e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit, 30-vjetorin e gjenocidit të Srebrenicës, 50-vjetorin e Aktit Final të Helsinkit dhe 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe themelimit të Kombeve të Bashkuara.
Përndryshe, Mbretëria e Bashkuar kishte qenë nikoqire e këtij procesi edhe në vitin 2018. /S.K/EO/