Lajmet

Apeli e kthen në rigjykim rastin e vrasjes së Donjeta Pajazitajt

Në maj të vitit 2021, Naser Pajazitajn ishte dënuar me burgim të përjetshëm.

Published

on

Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin, ku Naser Pajazitaj ishte dënuar me burgim të përjetshëm, pasi ishte shpallur fajtor për vrasjen e Donjeta Pajazitaj, në vitin 2015 në Deçan.

Gjykata Themelore në Ferizaj, më 27 maj 2021, e kishte dënuar Naser Pajazitajn me burgim të përjetshëm për vrasje të rëndë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Apeli ka aprovuar ankesën e përbashkët të mbrojtësve të akuzuarit Naser Pajazitaj, duke anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj, dhe duke kthyer çështjen të njëjtës gjykatë në rigjykim dhe vendim.

Në vendimin e Apelit thuhet se, pasiçë janë shqyrtuar të gjitha shkresat e kësaj çështje penale-juridike, Gjykata e Apelit në pajtim me dispozitën e nenit 394 të KPPK-së, dhe pasi vlerësoi
pretendimet e cekura në ankesë, gjeti se ankesa është e bazuar.

“Duke vepruar edhe sipas detyrës zyrtare aktgjykimi i ankimuar duhet anuluar, ngase, i njëjti përveç, që është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 paragrafi 1 nën paragrafi 12 të KPPK-së, po ashtu, ka mbështetje edhe në prova të papranueshme”, thuhet në vendimin e Apelit.

Kundër këtij aktgjykimi në afat ligjor ankesë të përbashkët kanë paraqitur mbrojtësit e të akuzuarit Naser Pajazitaj, avokatët Gëzim Kollçaku, Ymer Beka dhe Ahmet Tahiri, për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe vendimit për dënimin.

Fillimisht, Gjykata Themelore në Pejë, në mars të vitit 2018, të akuzuarin Naser Pajazitaj, në mungesë të provave e kishte liruar nga akuzat për vrasjen e Donjeta Pajazitaj, por pas ankesës së prokurorisë, Gjykata e Apelit e kishte kthyer këtë lëndë në rigjykim.

Pas kthimit në rigjykim, Gjykata Themelore në Pejë, në mars të vitit 2019, e kishte shpallur fajtor të akuzuarin dhe e kishte dënuar me burgim të përjetshëm. Ky dënim ishte vërtetuar pastaj edhe nga Gjykata e Apelit në korrik të vitit 2019.

Por, në nëntor të vitit 2019, Gjykata Supreme i kishte prishur të dy aktgjykimet e Gjykatës Themelore në Pejë dhe të Gjykatës së Apelit dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.

Pas kthimit të rastit në rigjykim, Gjykata Themelore në Pejë ishte përjashtuar nga ky rast dhe lënda ishte deleguar në Gjykatën Themelore në Ferizaj, me arsyetimin për të mënjanuar dyshimet ndaj sistemit të drejtësisë.

Vendimi për delegimin e lëndës në Ferizaj ishte marrë nga Gjykata e Apelit.

Sipas aktakuzës së ngritur më 8 qershor 2017 nga prokurorja Valbona Disha Haxhosaj, Naser Pajazitaj po akuzohet se më 9 nëntor 2015, në bjeshkët e Strellcit, Komuna Deçan e pikërisht në vendin e quajtur te “Kroni i Lajthisë“, i pandehuri edhe pse më parë ka qenë i dënuar për vrasje, me dashje dhe me armë dhe atë revole të tipit të panjohur në mënyrë mizore e ka privuar nga jeta viktimën Donjeta Pajazitaj nga po i njëjti fshat.

Një gjë të tillë, sipas aktakuzës, Pajazitaj e ka bërë në atë mënyrë që derisa viktima ditën kritike ka qenë duke shkuar në punë në këmbë së bashku me axhën e saj dhe kur kanë arritur tek bunari i fshatit janë ndarë, ashtu që viktima ka vazhduar rrugën në drejtim të Strellcit të Epërm dhe kur afrohet përafërsisht 150 metra afër shtëpisë së Nedi Jusaj, aty pari kalon i pandehuri Naser Pajazitaj me veturën e tij të tipit xhip sheroke me ngjyrë të kaltër i cili ndalet e merr viktimën me veturë, e më pas vazhdon në drejtim të bjeshkëve të Strellcit dhe kur arrin tek “Kroni i Lajthisë” fillimisht e privon me armë duke shtënë dy herë në kokë, e më pas për të humbur gjurmë të njëjtën e mbulon me disa drunjë dhe largohet nga vendi i ngjarjes, kurse viktima më 27 dhjetor 2015 është gjetur pa shenja jete në vendin e ngjarjes nga disa kalimtarë të rastit.

Sipas aktakuzës, Pajazitaj akuzohet se më parë e gjerë më 9 nëntor 2015, në fshatin Strellc Komuna e Deçanit, pa autorizim ka poseduar armën dhe atë një revole të tipit të panjohur dhe një pushkë gjuetie me numër serik 0193117 si dhe 12 fishekë të kësaj pushke, në atë mënyrë që më revole ditën kritike ka kryer veprën penale të cekur si më lartë.

Gjithashtu, sipas aktakuzës më parë dhe gjerë më 23.05.2017, në fshatin Strellc i Ulët Komuna e Deçanit, i akuzuari pa autorizim ka poseduar armën dhe atë një armë AK-47 me numër serik 120331141 dhe 2 karikator të zbrazet, ashtu që policia gjatë bastisjes dhe kontrollit në shtëpinë e të pandehurit në dhomën e fjetjes ka gjetur dhe sekuestruar armën e cekur si më lartë.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin se ka kryer veprën penale të “Vrasjes së rëndë” nga neni 179 i KPRK–së dhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 i KPRK–së. /BetimipërDrejtësi

Lajmet

Tahiri paralajmëron debat parlamentar për krizën energjetike në Kosovë

Published

on

By

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Besnik Tahiri, ka ngritur shqetësimin për gjendjen në sektorin e energjisë, duke bërë të ditur se javën e ardhshme do të mbahet një debat parlamentar lidhur me dështimet në këtë sektor.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Tahiri theksoi se situata aktuale është mjaft shqetësuese, pasi Kosova po blen energji me çmimin më të lartë në Ballkanin Perëndimor, ndërkohë që blloku B1 ndodhet jashtë funksionit. Ai nënvizoi se trajtimi i kësaj teme me prioritet është forcim i pozicionit strategjik dhe energjetik të vendit.

Ndërkohë, Kryesia e Kuvendit ka caktuar që seanca e radhës e Kuvendit të mbahet këtë të enjte, në orën 12:00.

Continue Reading

Lajmet

Haxhiu kërkon hetim nga Prokuroria Speciale për vrasjen e Arlinda Zekajt

Published

on

By

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, pas mbledhjes së Kryesisë ka deklaruar se pret që të gjithë dëshmitarët e ftuar të përgjigjen para Komisionit Hetimor të formuar pas vrasjes tragjike të Arlinda Zekajt.

Haxhiu i bëri thirrje Prokurorisë Speciale që pa vonesa të nisë hetimet penale për veprimet apo mosveprimet e secilit zyrtar të përfshirë në këtë rast. Ajo sqaroi se Komisioni Hetimor shërben si mekanizëm shtesë që do të përpilojë një dokument përfundimtar për t’ia deleguar organit të ndjekjes.

Ndërsa vlerësoi pezullimin e kryeprokurores, prokurores së rastit dhe 11 zyrtarëve policorë, Haxhiu shprehu shqetësimin për mungesën e masave nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Komuna e Pejës ndaj zyrtarëve përgjegjës, duke theksuar se ky rast duhet të shërbejë që ngjarje të tilla të mos përsëriten më. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Dogana e Kosovës mbledh 186.6 milionë euro të hyra në tetor, rritje prej 5.9 për qind

Published

on

Dogana e Kosovës ka mbledhur 186.6 milionë euro të hyra gjatë muajit tetor 2026, duke shënuar rritje prej 5.9 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas buletinit mujor të publikuar nga Dogana, në tetor të vitit 2025 të hyrat kishin arritur në 176.2 milionë euro, ndërsa këtë vit janë rritur në 186.6 milionë euro.

Përveç rritjes së të hyrave, gjatë tetorit janë shënuar edhe zhvillime të tjera në aktivitetin doganor.

Një ndër to ishte realizimi i eksportit të parë në pikën kufitare Dheu i Bardhë, pas hyrjes në zbatim të plotë të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë Kosovë–EFTA, e cila synon të krijojë mundësi të reja për bizneset kosovare.

Po ashtu, Sektori i Antikontrabandës ka realizuar një operacion gjatë të cilit janë ndaluar 121 telefona celularë pa dokumentacionin përkatës.

Një tjetër zhvillim ishte organizimi i punëtorisë së parë ndërkombëtare për vlerësimin doganor në Kosovë, në kuadër të programit Customs Programme, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të DG TAXUD.

Në buletinin mujor, Dogana e Kosovës ka theksuar përkushtimin për forcimin e kontrolleve doganore, luftimin e aktiviteteve të kundërligjshme dhe lehtësimin e tregtisë së ligjshme.

Institucioni ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin për mbrojtjen e interesave financiare të Republikës së Kosovës.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Siguria e barnave është përgjegjësi e përbashkët e profesionistëve shëndetësorë dhe pacientëve

Published

on

By

Shkruan: Prof. Dr. Fitim Alidema

Nga këndvështrimi farmakologjik, siguria e një bari nuk përcaktohet vetëm nga efikasiteti i tij në trajtimin e një sëmundjeje. Ajo lidhet ngushtë me dozën e administruar, kohëzgjatjen e trajtimit, gjendjen shëndetësore të pacientit, funksionin e mëlçisë dhe të veshkave, praninë e sëmundjeve të tjera, si dhe ndërveprimet e mundshme me barna të tjera. Për këtë arsye, i njëjti bar mund të ketë efektin e dëshiruar terapeutik te një pacient, ndërsa te një tjetër mund të shkaktojë reaksione të padëshiruara që kërkojnë vlerësim dhe ndërhyrje mjekësore

Barnat përbëjnë një nga arritjet më të rëndësishme të mjekësisë bashkëkohore. Falë zhvillimit të farmakologjisë dhe përparimeve në trajtimin medikamentoz, sot është e mundur të parandalohen, kontrollohen dhe trajtohen sëmundje që dikur përbënin kërcënim serioz për jetën. Megjithatë, krahas përfitimeve të padiskutueshme terapeutike, përdorimi i barnave shoqërohet edhe me rreziqe të caktuara, të cilat kërkojnë vëmendje të vazhdueshme nga profesionistët shëndetësorë dhe vetë pacientët.

Në kuadër të Javës Botërore të Sigurisë së Barnave, e cila shënohet nga 2 deri më 8 nëntor 2026, vëmendja përqendrohet në një aspekt thelbësor të kujdesit shëndetësor: identifikimin, vlerësimin dhe raportimin e reaksioneve të padëshiruara që mund të shfaqen gjatë përdorimit të barnave.

Nga këndvështrimi farmakologjik, siguria e një bari nuk përcaktohet vetëm nga efikasiteti i tij në trajtimin e një sëmundjeje. Ajo lidhet ngushtë me dozën e administruar, kohëzgjatjen e trajtimit, gjendjen shëndetësore të pacientit, funksionin e mëlçisë dhe të veshkave, praninë e sëmundjeve të tjera, si dhe ndërveprimet e mundshme me barna të tjera. Për këtë arsye, i njëjti bar mund të ketë efektin e dëshiruar terapeutik te një pacient, ndërsa te një tjetër mund të shkaktojë reaksione të padëshiruara që kërkojnë vlerësim dhe ndërhyrje mjekësore.

Një rëndësi të veçantë ka dallimi ndërmjet efekteve anësore të njohura dhe reaksioneve të padëshiruara serioze. Disa reaksione janë të lehta dhe kalimtare, si shqetësimet gastrointestinale, marramendja apo përgjumja. Në raste të tjera, mund të shfaqen reaksione alergjike të rënda, çrregullime të funksionit të organeve, gjakderdhje ose komplikime të tjera që mund të rrezikojnë shëndetin dhe jetën e pacientit. Prandaj, çdo simptomë e re që shfaqet pas fillimit ose ndryshimit të një terapie duhet të vlerësohet me kujdes, pa supozuar automatikisht se është shkaktuar nga bari.

Në praktikën klinike, një ndër sfidat më të mëdha mbetet përdorimi i barnave pa këshillim profesional. Vetëmjekimi, përdorimi i antibiotikëve pa indikacion të qartë, ndryshimi i dozave sipas vlerësimit personal dhe ndërprerja e parakohshme e terapisë janë dukuri që mund të ndikojnë drejtpërdrejt në rezultatet e trajtimit. Veçanërisht shqetësues është përdorimi i njëkohshëm i disa barnave pa një vlerësim të plotë të ndërveprimeve të mundshme ndërmjet tyre.

Pacientët e moshuar, fëmijët, gratë shtatzëna dhe personat me sëmundje kronike kërkojnë kujdes të shtuar gjatë përshkrimit dhe administrimit të barnave. Te këto kategori, ndryshimet fiziologjike dhe patologjike mund të ndikojnë në përthithjen, shpërndarjen, metabolizmin dhe eliminimin e substancave aktive. Kjo nënkupton se trajtimi medikamentoz duhet të individualizohet dhe të mbështetet në vlerësimin e përfitimeve dhe rreziqeve për secilin pacient.

Një tjetër aspekt që meriton vëmendje është përdorimi i barnave pa recetë, preparateve bimore dhe suplementeve ushqimore. Ekziston një perceptim i gabuar se produktet që merren pa recetë ose kanë origjinë natyrore janë domosdoshmërisht të sigurta. Në të vërtetë, edhe këto produkte mund të shkaktojnë reaksione të padëshiruara ose të ndërveprojnë me terapinë e përshkruar nga mjeku.

Në këtë kontekst, farmakovigjilenca përbën një mekanizëm të domosdoshëm për mbrojtjen e shëndetit publik. Ajo përfshin aktivitetet që lidhen me zbulimin, vlerësimin, kuptimin dhe parandalimin e reaksioneve të padëshiruara dhe problemeve të tjera që lidhen me përdorimin e barnave. Rëndësia e saj shtrihet përtej identifikimit të një reaksioni individual, pasi të dhënat e mbledhura nga raportimet mund të ndihmojnë në zbulimin e rreziqeve që nuk janë evidentuar plotësisht gjatë studimeve klinike.

Është e rëndësishme të kuptohet se raportimi i një reaksioni të dyshuar nuk nënkupton domosdoshmërisht se bari është shkaktari i tij. Raportimi shërben si pikënisje për vlerësimin shkencor të lidhjes së mundshme ndërmjet përdorimit të barit dhe ngjarjes së vërejtur. Pikërisht për këtë arsye, nuk duhet të pritet konfirmimi përfundimtar i shkakësisë përpara raportimit të një reaksioni të dyshuar.

Në këtë proces, mjekët, farmacistët, infermierët dhe profesionistët e tjerë shëndetësorë kanë përgjegjësi të veçantë. Përshkrimi racional i barnave, informimi i pacientit, monitorimi i trajtimit dhe dokumentimi i reaksioneve të dyshuara janë pjesë përbërëse e praktikës profesionale. Njëkohësisht, edhe pacienti duhet të jetë pjesëmarrës aktiv në trajtimin e tij, duke informuar profesionistët shëndetësorë për barnat që përdor dhe për çdo ndryshim të pazakontë të gjendjes shëndetësore.

Si profesor i farmakologjisë, konsideroj se edukimi mbi sigurinë e barnave duhet të jetë pjesë e pandashme e formimit të profesionistëve të ardhshëm shëndetësorë. Njohja e mekanizmave të veprimit të barnave është themelore, por po aq e rëndësishme është aftësia për të identifikuar faktorët që rrisin rrezikun e reaksioneve të padëshiruara, për të vlerësuar ndërveprimet medikamentoze dhe për të marrë vendime të argumentuara në praktikën klinike.

Siguria e barnave nuk duhet të trajtohet si një çështje që merr vëmendje vetëm gjatë fushatave ndërkombëtare. Ajo duhet të jetë pjesë e përditshme e kulturës së kujdesit shëndetësor, duke filluar nga momenti i përshkrimit të terapisë, vazhduar me përdorimin dhe monitorimin e saj, deri te vlerësimi i rezultateve klinike.

Këshilla të rëndësishme për përdorimin e sigurt të barnave

  1. Mos përdorni barna pa këshillim profesional. Edhe barnat që merren pa recetë mund të kenë kundërindikacione, efekte të padëshiruara dhe ndërveprime me terapi të tjera.
  2. Respektoni dozën dhe kohëzgjatjen e trajtimit. Mos e rrisni, zvogëloni ose ndërprisni dozën e përshkruar pa u konsultuar me mjekun ose farmacistin. Mos merrni dozë të dyfishtë për të kompensuar një dozë të harruar pa udhëzim profesional.
  3. Informoni mjekun dhe farmacistin për të gjitha produktet që përdorni. Përfshini barnat me recetë, barnat pa recetë, suplementet ushqimore dhe preparatet bimore.
  4. Mos përdorni antibiotikë pa indikacion mjekësor. Antibiotikët nuk trajtojnë infeksionet virale, ndërsa përdorimi i panevojshëm i tyre kontribuon në zhvillimin e rezistencës antimikrobike.
  5. Kushtojini vëmendje simptomave të reja gjatë trajtimit. Nëse shfaqen skuqje të lëkurës, marramendje, shqetësime të pazakonta ose ndryshime të tjera pas marrjes së një bari, kërkoni këshillim profesional. Vështirësia në frymëmarrje, ënjtja e fytyrës ose e gjuhës dhe humbja e vetëdijes kërkojnë ndihmë urgjente mjekësore.
  6. Mos përdorni barna të përshkruara për persona të tjerë. Një trajtim që ka qenë i përshtatshëm për një pacient mund të jetë i papërshtatshëm ose i rrezikshëm për një tjetër.
  7. Kontrolloni afatin e përdorimit dhe kushtet e ruajtjes. Barnat duhet të ruhen sipas udhëzimeve të prodhuesit, larg lagështisë, temperaturave të papërshtatshme dhe vendeve të arritshme për fëmijët.
  8. Kërkoni rishikim periodik të terapisë nëse përdorni disa barna. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për pacientët e moshuar dhe personat me sëmundje kronike, për të identifikuar ndërveprimet, dyfishimet terapeutike dhe barnat që mund të mos jenë më të nevojshme.
  9. Mos i neglizhoni reaksionet e dyshuara të padëshiruara. Njoftoni mjekun ose farmacistin dhe kërkoni informacion për raportimin përmes mekanizmave përkatës të farmakovigjilencës. Edhe një dyshim i arsyeshëm meriton të dokumentohet.
  10. Informohuni për barnat që merrni. Para fillimit të një trajtimi, kërkoni të dini për çfarë shërben bari, si duhet përdorur, cilat janë reaksionet e mundshme të padëshiruara dhe në cilat raste duhet të kërkoni ndihmë mjekësore.

Mesazhi përmbyllës

Java Botërore e Sigurisë së Barnave është një mundësi për të rikujtuar se trajtimi i suksesshëm nuk varet vetëm nga zgjedhja e barit të duhur, por edhe nga mënyra se si ai përdoret, monitorohet dhe vlerësohet gjatë gjithë procesit terapeutik.

Çdo raportim i një reaksioni të dyshuar të padëshiruar mund të kontribuojë në njohjen më të mirë të profilit të sigurisë së një bari dhe në parandalimin e dëmeve të mundshme te pacientët e tjerë.

Përdorimi racional i barnave është përgjegjësi profesionale, ndërsa siguria e tyre është interes i përbashkët i gjithë shoqërisë.

(Autori është dekan i Fakultetit të Shkencave Mjekësore në UBT. Shkrimi i dedikohet Javës Botërore të Sigurisë së Barnave, e cila shënohet nga 2 deri më 8 nëntor)

Continue Reading

Të kërkuara