Lajmet

Annalena Baerbock: Ëndrra e shkurtër për t’u zgjedhur kancelare

Kush është kryetarja e partisë ekologjiste, Të Gjelbrit?

Published

on

Jo më larg se në pranverë ajo kryesonte në sondazhe, pastaj pasoi një fushatë zgjedhore me shumë defekte. Kush është kryetarja e partisë ekologjiste, Të Gjelbrit, kandidatja për kancelare Annalena Baerbock?

Ishte atëherë ende në krye, më 19 prill 2021: Së bashku me bashkëkryetarin e partisë Të Gjelbrit, Robert Habeck, Annalena Baerbock, 40 vjeç, doli para shtypit në Berlin dhe deklaroi se do të jetë kandidatja e partisë për kancelare. E para me një shans real në atë kohë për t’u zgjedhur. Në atë kohë disa sondazhe i shihnin të Gjelbrit para Unionit CDU-CSU dhe Partisë Socialdemokrate (SPD). Në përputhje me to Baerbock u prezantua me vetëbesim me fjalët: “Kështu sot fillon një kapitull i ri për partinë tonë. Dhe nëse ne e bëjmë mirë, edhe për vendin tonë “.

Gabime dhe dështime në fushatën elektorale 

Por Të Gjelbrit nuk e bënë mirë. Baerbock-ut iu desh të pranonte, se nuk i kishte raportuar siç duhet në Bundestag pagesat e partisë. CV-ja e saj zyrtare përmbante gabime, Baerbock kishte renditur organizata, në të cilat ishte gjoja anëtare, si për shembull “Fondi Marshall gjerman”. Por ajo nuk aty është anëtare. Dhe në qershor Baerbock publikoi një libër me titull: “Tani. Si të rinovojmë vendin tonë”. Në të ajo kopjoi pjesë të tëra nga autorë të tjerë, gjë që vetë e pranoi menjëherë si gabim, por popullariteti i saj ra ndjeshëm.

Tani pak para zgjedhjeve të Gjelbrit, edhe për shkak të gabimeve të kandidates së tyre, kanë vetëm rreth 15 përqind të votave. Një rezultat i mirë ky për të Gjelbrit, por larg ëndrrave të së kaluarës. 

Tre vite shumë të shpejta në krye të partisë

E re, me vetëbesim, me dëshirë për pushtet: Ky ishte imazhi, që Baerbock dëshironte t’i jepte vetes, që kur u bë e njohur në mbarë vendin. Në fillim të 2018 ajo u zgjodh kryetare e partisë. E veshur me një xhaketë të zezë lëkure, deputetja e Bundestagut nga Brandenburgu eci drejt foltores në kongresin e partisë në Hanover, ku mbajti një fjalim pasionant dhe luftarak. Sidomos një fjali e saj u citua në ditët dhe javët në vijim: “Ne nuk po zgjedhim sot gruan në krah të Robertit, por po zgjedhim kryetaren e re!”, tha Baerbock mes duartrokitjeve të stuhishme të delegatëve.

Fillimisht më pak e njohur se Robert Habeck, partneri i saj në kryesinë e të Gjelbërve, ajo kishte zhvilluar prej kohësh profilin e vet: si eksperte e klimës në grupin parlamentar; si eksperte e politikës së jashtme; si aktiviste e guximshme kundër populizmit dhe ksenofobisë. Kur dyshja e suksesshme e Të Gjelbërve u konfirmua pothuajse dy vjet më vonë, në dimrin e vitit 2019, në një kongres të partisë në Bielefeld, Baerbock mori 97 përqind të votave. “Burri në krah të saj”, bashkë-kryetari Habeck, mori 90 përqind.

Sportiste dhe eksperte e së drejtës ndërkombëtare

Ajo ka qenë përherë ambicioze. Kur ishte adoleshente Baerbock, e lindur në 1980 në Hanover, ishte sportiste dhe merrte pjesë në gara. Në kampionatet gjermane në kërcimin e trampolinës ajo zuri vende të treta. Në moshën 16 vjeçare shkoi për një vit në SHBA. Më vonë ajo studioi në Hamburg dhe në “London School of Economics and Political Science”, atje mori një diplomë master. Baerbock është në gjendje të japë intervista në një anglishte të rrjedhshme. Kjo nuk është e vetëkuptueshme për politikanët gjermanë as në vitin 2021.

Pas zgjedhjes së saj dhe të Habeckut në krye të partisë, Të Gjelbrit përjetuan rezultate të mira në sondazhe, me rreth 20 përqind në të gjithë vendin, plus sukseset elektorale në zgjedhjet evropiane dhe në zgjedhjet në landet gjermane. Deri në momentin kur me avancimin e fushatës zgjedhore partia filloi të bjerë gjithnjë e më shumë në sondazhe.

Për dhënien fund të prodhimit të energjisë nga qymyri dhe kufizimin e shpejtësisë

Ashtu si dhe Habeck, Baerbock nuk i frikësohet kontaktit me politikanët konservatorë. Që kur ata të dy janë në krye të ekologjistëve, ka pasur vazhdimisht spekulime për një koalicion të mundshëm të CDU, CSU me të Gjelbrit pas zgjedhjeve. Por Baerbock, e cila konsiderohet me lidhje të forta brenda të Gjelbërve, i kushton rëndësi të madhe programit të vet ekologjik.

Ajo është për dhënien fund të prodhimit të energjisë nga qymyri në Gjermani para vitit 2038, siç planifikon qeveria aktuale. Ajo është për një limit shpejtësie prej 130 kilometrash në orë në autostrada, është kundër rritjes së shpenzimeve gjermane për mbrojtjen, edhe pse partnerë të rëndësishëm si SHBA dhe CDU dhe CSU e kërkojnë me ngulm këtë gjë.

Në programin e tyre zgjedhor Të Gjelbrit kërkojnë hapa shumë më energjikë për mbrojtjen e klimës, që vijnë pa dyshim edhe si rezultat i ndikimit të ekspertes së klimës Baerbock. 

Green Deal i evropianëve me SHBA

Në një intervistë për DW në janar 2021 Baerbock ishte e lumtur për presidentin e ri të SHBA Joe Biden dhe kthimin e tij te marrëveshja e Parisit për mbrojtjen e klimës. Por në të njëjtën kohë udhëheqësja e Të Gjelbërve formuloi edhe pritjet e saj të qarta dhe konkrete: “Letrat presin me durim. Këtë e kemi përjetuar vitet e fundit. Prandaj kjo situatë duhet shfrytëzuar nga ne evropianët, qeveria gjermane, që propozimet që ka bërë administrata amerikane për një bashkëpunim neutral për klimën, të zbatohen vërtet. Ne duhet të bëjmë propozimet tona për një “Green Deal” transatlantik, evropian.”

Në programin e tyre zgjedhor, Të Gjelbrit nuk kanë deklaruar si shpesh herë në të kaluarën, se synojnë të bëjnë aleancë kryesisht me socialdemokratët. Sipas sondazheve aktuale, të Gjelbrit mund të qeverisin me SPD dhe Liberalët, ndoshta madje edhe me SPD dhe partinë e Majta. Por edhe një koalicion me CDU, CSU dhe FDP, për shembull, do të ishte i mundur.

Në kryeqytetin e Brandenburgut, Potsdam, ku jeton Annalena Baerbock, do të ketë pa dyshim një duel të fortë në zgjedhjet parlamentare: Baerbock është kandidatja e të Gjelbërve. SPD përfaqësohet nga zëvendëskancelari dhe ministri i Financave Olaf Scholz. Dhe ai është kandidati i socialdemokratëve për kancelar.DW

Continue Reading

Lajmet

21-vjeçari nga Kosova ekstradohet në SHBA, dyshohet për vjedhjen e 2.7 milionë të dhënave të kartave

Published

on

Një 21-vjeçar nga Kosova, Hektor Avdyli, është ekstraduar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të përballet me akuza federale për mashtrim kibernetik, shitjen e të dhënave të vjedhura të kartave të kreditit dhe vjedhje të identitetit.

Lajmi është bërë i ditur nga Ndihmës Prokurori i Parë i SHBA-së për Distriktin Lindor të Wisconsin-it, Brad D. Schimel, i cili ka njoftuar se Avdyli është sjellë në SHBA për t’u përballur me akuzat që lidhen me aktivitetin e tij të dyshuar në forume kriminale në rrjetin e errët (Dark Web).

Sipas autoriteteve amerikane, Avdyli dyshohet se përdorte forume të ndryshme në internet për të reklamuar dhe shitur informacione të vjedhura të kartave të kreditit, të cilat mund të përdoreshin për mashtrime financiare.

Aktakuza ndaj tij ishte ngritur nga një juri e madhe federale në Milwaukee në tetor të vitit 2025. Ai ngarkohet me disa vepra penale, përfshirë mashtrimin përmes komunikimeve elektronike, mashtrimin me pajisje të aksesit dhe vjedhjen e rënduar të identitetit.

FBI bleu më shumë se 27 mijë numra të kartave të vjedhura

Sipas dokumenteve të gjykatës, Avdyli dyshohet se përdorte pseudonime të ndryshme në forumet kriminale dhe pretendonte se vidhte informacione financiare nga faqet e internetit të blerjeve përmes programeve dashakeqe.

Si pjesë e hetimit, agjentët e FBI-së blenë në mënyrë të fshehtë më shumë se 27 mijë numra të kartave të kreditit të vjedhura, së bashku me të dhënat personale të mbajtësve të tyre.

Të dhënat përfshinin numrat e kartave, kodet e verifikimit CVV, emrat, adresat, numrat e telefonit dhe adresat elektronike. Në mesin e tyre ishin edhe informacione të rreth 300 personave me adresa në shtetin e Wisconsin-it.

Hetimet çuan në identifikimin e shitësit si Hektor Avdyli, shtetas i Kosovës.

Në një hard disk u gjetën rreth 2.7 milionë numra të kartave

Autoritetet amerikane bëjnë të ditur se gjatë hetimeve, në njërin prej hard disqeve të sekuestruara të të dyshuarit, janë zbuluar rreth 2.7 milionë numra të kartave të pagesës, përfshirë karta krediti, debiti dhe karta dhuratash, si dhe informacione personale të lidhura me to.

Në korrik të vitit 2026, autoritetet e Kosovës e arrestuan Avdylin në bazë të kërkesës së FBI-së dhe Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së.

Pas përfundimit të procedurave përkatëse, ai u ekstradua në Shtetet e Bashkuara. Më 20 nëntor 2026, 21-vjeçari u paraqit para gjykatësit federal të magjistraturës, William E. Duffin, në Milwaukee të Wisconsin-it, i cili urdhëroi mbajtjen e tij në paraburgim deri në vazhdimin e procedurave gjyqësore.

Prokurori amerikan: I dyshuari është në paraburgim në tokën amerikane

Duke njoftuar për ekstradimin, Brad D. Schimel tha se vjedhja e identitetit dhe e të dhënave financiare në internet vazhdon t’u shkaktojë dëme të mëdha konsumatorëve amerikanë.

Ai e cilësoi rastin si zhvillim të rëndësishëm në luftën kundër krimit kibernetik, duke theksuar se i dyshuari tashmë ndodhet në paraburgim në SHBA për t’u përballur me ndjekjen penale.

Edhe agjenti special i FBI-së në Milwaukee, Alan Karr, vlerësoi bashkëpunimin ndërkombëtar në këtë rast, duke thënë se hetimi u zhvillua përtej kufijve shtetërorë për të identifikuar dhe ndjekur penalisht personin që dyshohet se qëndron pas skemës së mashtrimit kibernetik.

Në hetimin dhe ekstradimin e Avdylit ndihmuan Zyra e Çështjeve Ndërkombëtare e Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së dhe autoritetet e Kosovës, ndërsa Shërbimi i Marshallëve të SHBA-së asistoi në transportimin e tij drejt Amerikës.

Ndjekja penale e rastit po zhvillohet nga Ndihmës Prokurori i SHBA-së, Benjamin Proctor, në Distriktin Lindor të Wisconsin-it.

Autoritetet amerikane kanë theksuar se akuzat e paraqitura në aktakuzë ende duhet të provohen në gjykatë dhe se Hektor Avdyli konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të dëshmohet përtej çdo dyshimi të arsyeshëm./A.K/

Continue Reading

lajme

Jashari pret në takim komandantin e Akademisë së Forcave të Armatosura të Shqipërisë

Published

on

By

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim komandantin e Akademisë së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, gjeneralmajor Ferdinant Dimo.

Sipas njoftimit të FSK-së, gjatë takimit është diskutuar për bashkëpunimin ndërmjet dy forcave, me fokus të veçantë në arsimimin dhe edukimin ushtarak, shkëmbimin e përvojave profesionale dhe mundësitë për zgjerimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërinstitucional.

Jashari ka vlerësuar bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet FSK-së dhe Forcave të Armatosura të Shqipërisë, duke theksuar rëndësinë e bashkërendimit të aktiviteteve në fushën e edukimit dhe trajnimit ushtarak, si dhe të shkëmbimit të përvojave për zhvillimin e aftësive profesionale të personelit ushtarak.

Në përfundim të takimit, të dy gjeneralët kanë riafirmuar përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit dhe forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy institucioneve ushtarake. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Liga e Kampionëve rikthehet sonte me nëntë ndeshje, vëmendja te Arsenal – Dortmund dhe rikthimi i De Bruyne në “Etihad”

Published

on

By

Liga e Kampionëve rikthehet këtë të martë me nëntë ndeshje në kuadër të fazës së ligës, ku spikasin disa përballje mes skuadrave të njohura evropiane.

Vëmendja kryesore pritet të jetë te dueli mes Arsenalit dhe Borussia Dortmundit, dy skuadra që kanë treguar formë të mirë në këtë edicion. Po ashtu, me interes të veçantë pritet edhe përballja Manchester City – Napoli, ku Kevin De Bruyne rikthehet në “Etihad Stadium” si kundërshtar i ish-klubit të tij, pas dhjetë sezonesh të kaluara në Angli.

Në Madrid, Real Madridi synon të vazhdojë serinë e fitoreve ndaj PSV Eindhovenit për të ruajtur bilancin perfekt pas katër ndeshjeve të para. Ndërkohë, Como, pas fitores 9-1 ndaj Lensit, luan ndaj AEK Athinës në kërkim të vazhdimësisë së rezultateve pozitive.

Në Stamboll, Galatasaray pret Aston Villan, ndërsa Feyenoord dhe Porto përballen në një duel të rëndësishëm për pikë në tabelë. Në dy takimet e tjera të mbrëmjes, Leipzig e pret Lensin, kurse Slovan Bratislava luan ndaj Real Betisit në kërkim të pikëve të para në këtë fazë të garës.

Programi i mbrëmjes hapet në orën 18:45 me ndeshjen Bodo/Glimt – LASK, ndërsa shtatë përballjet e tjera fillojnë nga ora 21:00. /E.A/

Continue Reading

Vendi

Ndërron jetë një fëmijë dyvjeçar në Ferizaj, trupi dërgohet për obduksion

Published

on

By

Një fëmijë i moshës dyvjeçare ka ndërruar jetë të hënën në Ferizaj.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, fëmija është dërguar nga familjarët në Qendrën Emergjente në gjendje të rëndë shëndetësore, por më pas ka vdekur.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore, ndërsa me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion dhe rasti po hetohet si “hetim mbi vdekjen”. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara