Lajmet
Annalena Baerbock: Ëndrra e shkurtër për t’u zgjedhur kancelare
Kush është kryetarja e partisë ekologjiste, Të Gjelbrit?
Published
4 years agoon
By
Betim GashiJo më larg se në pranverë ajo kryesonte në sondazhe, pastaj pasoi një fushatë zgjedhore me shumë defekte. Kush është kryetarja e partisë ekologjiste, Të Gjelbrit, kandidatja për kancelare Annalena Baerbock?
Ishte atëherë ende në krye, më 19 prill 2021: Së bashku me bashkëkryetarin e partisë Të Gjelbrit, Robert Habeck, Annalena Baerbock, 40 vjeç, doli para shtypit në Berlin dhe deklaroi se do të jetë kandidatja e partisë për kancelare. E para me një shans real në atë kohë për t’u zgjedhur. Në atë kohë disa sondazhe i shihnin të Gjelbrit para Unionit CDU-CSU dhe Partisë Socialdemokrate (SPD). Në përputhje me to Baerbock u prezantua me vetëbesim me fjalët: “Kështu sot fillon një kapitull i ri për partinë tonë. Dhe nëse ne e bëjmë mirë, edhe për vendin tonë “.
Gabime dhe dështime në fushatën elektorale
Por Të Gjelbrit nuk e bënë mirë. Baerbock-ut iu desh të pranonte, se nuk i kishte raportuar siç duhet në Bundestag pagesat e partisë. CV-ja e saj zyrtare përmbante gabime, Baerbock kishte renditur organizata, në të cilat ishte gjoja anëtare, si për shembull “Fondi Marshall gjerman”. Por ajo nuk aty është anëtare. Dhe në qershor Baerbock publikoi një libër me titull: “Tani. Si të rinovojmë vendin tonë”. Në të ajo kopjoi pjesë të tëra nga autorë të tjerë, gjë që vetë e pranoi menjëherë si gabim, por popullariteti i saj ra ndjeshëm.
Tani pak para zgjedhjeve të Gjelbrit, edhe për shkak të gabimeve të kandidates së tyre, kanë vetëm rreth 15 përqind të votave. Një rezultat i mirë ky për të Gjelbrit, por larg ëndrrave të së kaluarës.
Tre vite shumë të shpejta në krye të partisë
E re, me vetëbesim, me dëshirë për pushtet: Ky ishte imazhi, që Baerbock dëshironte t’i jepte vetes, që kur u bë e njohur në mbarë vendin. Në fillim të 2018 ajo u zgjodh kryetare e partisë. E veshur me një xhaketë të zezë lëkure, deputetja e Bundestagut nga Brandenburgu eci drejt foltores në kongresin e partisë në Hanover, ku mbajti një fjalim pasionant dhe luftarak. Sidomos një fjali e saj u citua në ditët dhe javët në vijim: “Ne nuk po zgjedhim sot gruan në krah të Robertit, por po zgjedhim kryetaren e re!”, tha Baerbock mes duartrokitjeve të stuhishme të delegatëve.
Fillimisht më pak e njohur se Robert Habeck, partneri i saj në kryesinë e të Gjelbërve, ajo kishte zhvilluar prej kohësh profilin e vet: si eksperte e klimës në grupin parlamentar; si eksperte e politikës së jashtme; si aktiviste e guximshme kundër populizmit dhe ksenofobisë. Kur dyshja e suksesshme e Të Gjelbërve u konfirmua pothuajse dy vjet më vonë, në dimrin e vitit 2019, në një kongres të partisë në Bielefeld, Baerbock mori 97 përqind të votave. “Burri në krah të saj”, bashkë-kryetari Habeck, mori 90 përqind.
Sportiste dhe eksperte e së drejtës ndërkombëtare
Ajo ka qenë përherë ambicioze. Kur ishte adoleshente Baerbock, e lindur në 1980 në Hanover, ishte sportiste dhe merrte pjesë në gara. Në kampionatet gjermane në kërcimin e trampolinës ajo zuri vende të treta. Në moshën 16 vjeçare shkoi për një vit në SHBA. Më vonë ajo studioi në Hamburg dhe në “London School of Economics and Political Science”, atje mori një diplomë master. Baerbock është në gjendje të japë intervista në një anglishte të rrjedhshme. Kjo nuk është e vetëkuptueshme për politikanët gjermanë as në vitin 2021.
Pas zgjedhjes së saj dhe të Habeckut në krye të partisë, Të Gjelbrit përjetuan rezultate të mira në sondazhe, me rreth 20 përqind në të gjithë vendin, plus sukseset elektorale në zgjedhjet evropiane dhe në zgjedhjet në landet gjermane. Deri në momentin kur me avancimin e fushatës zgjedhore partia filloi të bjerë gjithnjë e më shumë në sondazhe.
Për dhënien fund të prodhimit të energjisë nga qymyri dhe kufizimin e shpejtësisë
Ashtu si dhe Habeck, Baerbock nuk i frikësohet kontaktit me politikanët konservatorë. Që kur ata të dy janë në krye të ekologjistëve, ka pasur vazhdimisht spekulime për një koalicion të mundshëm të CDU, CSU me të Gjelbrit pas zgjedhjeve. Por Baerbock, e cila konsiderohet me lidhje të forta brenda të Gjelbërve, i kushton rëndësi të madhe programit të vet ekologjik.
Ajo është për dhënien fund të prodhimit të energjisë nga qymyri në Gjermani para vitit 2038, siç planifikon qeveria aktuale. Ajo është për një limit shpejtësie prej 130 kilometrash në orë në autostrada, është kundër rritjes së shpenzimeve gjermane për mbrojtjen, edhe pse partnerë të rëndësishëm si SHBA dhe CDU dhe CSU e kërkojnë me ngulm këtë gjë.
Në programin e tyre zgjedhor Të Gjelbrit kërkojnë hapa shumë më energjikë për mbrojtjen e klimës, që vijnë pa dyshim edhe si rezultat i ndikimit të ekspertes së klimës Baerbock.
Green Deal i evropianëve me SHBA
Në një intervistë për DW në janar 2021 Baerbock ishte e lumtur për presidentin e ri të SHBA Joe Biden dhe kthimin e tij te marrëveshja e Parisit për mbrojtjen e klimës. Por në të njëjtën kohë udhëheqësja e Të Gjelbërve formuloi edhe pritjet e saj të qarta dhe konkrete: “Letrat presin me durim. Këtë e kemi përjetuar vitet e fundit. Prandaj kjo situatë duhet shfrytëzuar nga ne evropianët, qeveria gjermane, që propozimet që ka bërë administrata amerikane për një bashkëpunim neutral për klimën, të zbatohen vërtet. Ne duhet të bëjmë propozimet tona për një “Green Deal” transatlantik, evropian.”
Në programin e tyre zgjedhor, Të Gjelbrit nuk kanë deklaruar si shpesh herë në të kaluarën, se synojnë të bëjnë aleancë kryesisht me socialdemokratët. Sipas sondazheve aktuale, të Gjelbrit mund të qeverisin me SPD dhe Liberalët, ndoshta madje edhe me SPD dhe partinë e Majta. Por edhe një koalicion me CDU, CSU dhe FDP, për shembull, do të ishte i mundur.
Në kryeqytetin e Brandenburgut, Potsdam, ku jeton Annalena Baerbock, do të ketë pa dyshim një duel të fortë në zgjedhjet parlamentare: Baerbock është kandidatja e të Gjelbërve. SPD përfaqësohet nga zëvendëskancelari dhe ministri i Financave Olaf Scholz. Dhe ai është kandidati i socialdemokratëve për kancelar.DW
You may like
Vendi
Kurti takon Përfaqësuesin e UNDP-së, rikonfirmohet bashkëpunimi strategjik
Published
6 minutes agoon
February 23, 2026By
UBTNews
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim Përfaqësuesin e Përhershëm të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), Nuno Queirós.
Perfaqwsuesi Queirós e uroi Kryeministrin Kurti për mandatin e tij të ri dhe kabinetin qeveritar.
Ndërkaq, Kryeministri Kurti falënderoi Queirós për bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe UNDP-së, duke theksuar se UNDP mbetet një partner strategjik në forcimin e institucioneve dhe në zbatimin e reformave me rezultate konkrete për qytetarët.
Në takim u rikonfirmua gatishmëria për bashkëpunim në fusha me prioriet si lufta kundër korrupsionit dhe sundimi i ligjit, mbrojtja e trashëgimisë kulturore, dokumentimi dhe adresimi i krimeve të luftës, mbrojtja e mjedisit dhe tranzicioni i gjelbër, si dhe reforma në arsim dhe ngritja e kapaciteteve institucionale.
Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e reformës në prokurimin publik, me fokus në rritjen e transparencës, digjitalizimin e proceseve dhe forcimin e mekanizmave mbrojtës kundër keqpërdorimit të fondeve publike.
Ai bëri me dije se qeveria do të vazhdojë me miratimin e strategjisë anti-korrupsion dhe ligjit për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Të dy palët theksuan se bashkëpunimi i deritanishëm ka dhënë rezultate të prekshme dhe shprehën përkushtimin për ta thelluar më tej partneritetin në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm dhe forcimit të institucioneve të Republikës së Kosovës.
Lajmet
Dialogu Kosovë-Serbi nën udhëheqjen e Konjufcës
Published
18 minutes agoon
February 23, 2026By
UBTNews
Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, priti sot Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen, ku diskutuan mbi zhvillimet e fundit në dialog dhe mënyrën e avancimit të tij.
Gjatë takimit, Konjufca informoi Sørensen se nga tani procesi i dialogut do të udhëhiqet nga ai personalisht, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. U shkëmbyen pikëpamje mbi momentumin aktual të dialogut dhe parimet që mund të sigurojnë një proces më efektiv dhe të qëndrueshëm.
Konjufca theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar që dialogun ta shohë si mundësi për përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore me Serbinë, si dy shtete sovrane në rrugën e tyre drejt integrimit evropian.
Konjufca dhe Sørensen u pajtuan mbi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis Kosovës dhe Bashkimit Evropian për një dialog konstruktiv dhe të rezultateve konkrete.
Vendi
Haxhiu dhe ambasadori britanik diskutojnë zgjedhjen e Presidentit
Published
29 minutes agoon
February 23, 2026By
UBTNews
Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti sot Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ku biseduan mbi marrëdhëniet e mes dy vendeve, zhvillimet aktuale institucionale dhe proceset lidhur me Presidencën.
Gjatë takimit, Kryetarja Haxhiu shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës, veçanërisht në faza kyçe të zhvillimit të saj, duke theksuar progresin e arritur në konstituimin e institucioneve dhe në kalimin e fazave të rëndësishme.
Ambasadori Hargreaves e përgëzoi Kryetaren Haxhiu për zgjedhjen në detyrë dhe vlerësoi përparimin e shpejtë të Kuvendit në miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe buxhetit për vitin 2026. Ai gjithashtu diskutoi me Kryetaren për zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe shprehu pritshmëri për bashkëpunim të ngushtë mes parlamenteve të Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Në këtë takim u ritheksua nga të dy palët gatishmëria për thellimin e bashkëpunimit dhe forcimin e partneritetit ndërmjet dy vendeve, duke përfshirë edhe intensifikimin e shkëmbimeve parlamentare që lidhen me institucionet e larta të shtetit.
Lajmet
DW:Rrezik për zgjedhje të reja në Kosovë?
Published
2 hours agoon
February 23, 2026By
UBTNews
Partitë politike opozitare shprehen, se për zgjedhjen e Presidentes/it të Kosovës duhen marrëveshje politike me partinë në pushtet në mënyrë që të gjendet një emër konsensual.
Kanë mbetur vetëm edhe dhjetë ditë nga koha kur Parlamenti i Kosovës duhet të zgjedhë presidenten apo presidentin e ri të vendit në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme parlamentare. Presidentja aktuale e Kosovës, Vjosa Osmani, tashmë është deklaruar se dëshiron të kandidojë edhe për një mandat pesëvjeçar, por, në këtë fazë, akoma asnjë nga subjektet politike nuk janë deklaruar hapur, nëse do ta mbështesin kandidaturën e saj. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që është edhe lideri i partisë fituese të zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, ka filluar konsultimet me partitë politike opozitare për ta diskutuar çështjen e presidentit, por, as Kurti, në këtë fazë akoma nuk është deklaruar nëse do ta mbështesë presidenten aktuale, Vjosa Osmani, edhe për një mandat. Do të ketë konsensus me opozitën?
Kurti takimin e parë që zhvilloi për çështjen e presidentit ishte ai me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, me të cilin, sipas Kurtit, “Hamza shprehu gatishmërinë për koordinim parlamentar për çështje të interesit shtetëror e kombëtar”. “U diskutua për zhvillimet politike në vend e më gjerë dhe nevojën për të hapur një kapitull të ri të komunikimit dhe dialogut konstruktiv qeveri-opozitë në të mirë të Republikës sonë dhe pluralizmit partiak e demokratik. Natyrisht, temë e bisedës ishte edhe çështja e zgjedhjes së Presidentit, për çfarë kanë mbetur vetëm edhe 10 ditë kohë në bazë të afateve kushtetuese. U konstatua që bashkëpunimi është i nevojshëm, duke qenë se duhen së paku 2/3 e deputetëve të Kuvendit për votim të suksesshëm”, tha Kurti pas takimit me Bedri Hamzën.
Kreu i PSK, pas takimit me Kurtin, tha se zgjedhja e Presidentit nuk është çështje vetëm e një partie, por e të gjithë përfaqësuesve të zgjedhur. “Si subjekt politik opozitar, nuk kemi qenë dhe nuk jemi pengesë e proceseve shtetërore, por as nuk mbështesim kandidatura që nuk përfaqësojnë unitetin qytetar, sipas frymës kushtetuese. Uroj që të ketë reflektim nga ata që e kanë përgjegjësinë kushtetuese për të propozuar kandidatura me mbështetje të gjerë, duke shmangur kalkulimet afatshkurtra partiake. Stabiliteti institucional është jetik dhe duhet të trajtohet si i tillë”, tha Hamza, që është edhe kryetar i partisë më të madhe opozitare, PDK.
Albin Kurti, nga ana e tij, paralajmëroi takim edhe me kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, për të vazhduar më pas edhe me udhëheqësit e subjekteve tjera parlamentare në opozitë. Të gjitha partitë politike opozitare shqiptare në zgjedhjet e 28 dhjetorit morën gjithsej 41 mandate në Parlament, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje e vetme ka 57 mandate.
Partitë opozitare nuk duhet të dorëzohen pa kushte
Për analistët politikë, rezultati i zgjedhjeve të dhjetorit ishte kryesisht pasojë e gabimeve strategjike të partive opozitare. Analisti Artan Muhaxhiri i tha më herët DW-së se kjo patjetër që nuk do të thotë se partitë opozitare “duhet të dorëzohen pa kushte në procesin e zgjedhjes së presidentit, sepse ky është kontekst i ri në të cilin ato janë të patejkalueshme”. “Proporcionalisht me pushtetin parlamentar, roli parësor në gjetjen e zgjidhjes i takon gatishmërisë së Kurtit për të ofruar propozime të respektueshme dhe realiste, pa performanca komplikuese. Gjatë gjithë mandatit Presidentja Osmani ka qenë përkrahëse e devotshme e ideve të Kryeministrit Kurti, prandaj rikandidimi i saj eventual do të mund të mendohej vetëm nëse Kurti do të ishte i gatshëm për të lëshuar pe ndaj ndonjë kërkese të rëndësishme opozitare”, thotë Muhaxhiri. Kryeministri Kurti më herët është deklaruar se ai do ta takoi Osmanin dhe të flasë me të, sikundër që është i gatshëm të flasë edhe me subjektet e tjera politike, qoftë për ta rizgjedhur Osmanin, qoftë për kandidat tjetër konsensual. /DW Shqip/
Kurti takon Përfaqësuesin e UNDP-së, rikonfirmohet bashkëpunimi strategjik
Dialogu Kosovë-Serbi nën udhëheqjen e Konjufcës
Haxhiu dhe ambasadori britanik diskutojnë zgjedhjen e Presidentit
DW:Rrezik për zgjedhje të reja në Kosovë?
Shpërthen dhuna pasi forcat meksikane të sigurisë vrasin bosin e kartelit të drogës “El Mencho”
Vritet personi i armatosur që tentoi të hyjë në rezidencën e Donald Trump në Mar-a-Lago
Emrat më të popullarizuar të vajzave që po dominojnë listat
57 kg kanabis në makinë, arrestohen dy persona në Vlorë
A do të bëhen realitet aeroplanët e pasagjerëve me një pilot?
Të kërkuara
-
Aktualitet3 months agoMe shumicë votash, Vesa Shatri zgjidhet Kryetare e re e Këshillit Studentor të UBT-së
-
Lajmet nga UBT3 months agoNjohja me proceset profesionale televizive, vizita e studentëve të Media dhe Komunikim në Klan Kosova
-
Vendi2 months agoDizajneri grafik Berin Hasi ligjëron për studentët e Dizajnit të Integruar në UBT
-
Rajoni2 months agoProfesori i UBT-së, Hazir S. Çadraku dhe bashkëpunëtorët publikojnë artikullin “Historia e Mbrojtjes së Shpellës në Kosovë” në SpeleoMedit Magazine
