Lajmet

Analistët komentojnë rezultatin e zgjedhjeve lokale në Kosovë

Vetëvendosje pësoi një goditje në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash.

Published

on

Ajo fitoi në gjithsej katër nga 12 komunat ku ishte në balotazh dhe humbi në Prishtinë, ku fituese doli Lidhja Demokratike e Kosovës.

Këto zgjedhje ishin parë si një sprovë për lëvizjen Vetëvendosje e cila më 14 shkurt të këtij viti në zgjedhjet parlamentare, fitoi mbi 50 për qind të votave.

Kryetari i kësaj lëvizjeje, Albin Kurti, kryemnistri i Kosovës, përgëzoi fituesit dhe u zotua për bashkëpunim.

“Rezultati jo i kënaqshëm për neve vjen si pasojë e disa difekteve të brendshme që duhet t’i analizojmë më gjatë në vijim si dhe i bashkimit të të gjithë tjerëve kundër Vetëvendosjes”, tha të hënën kryeministri Kurti.

Por, analistët thonë se arsyet e rënies së Vetëvendosjes janë të tjera.

“Mendoj që në këto zgjedhje është reflektuar pak ndoshta edhe qasja e lëvizjes Vetëvendosje në politikën e jashtme dhe të sigurisë. Kjo qasja më konfrontuese dhe jo bashkëpunuese me aleatë mendoj se pjesërisht është reflektuar edhe në këto zgjedhje dhe këtu mendoj që ka hapësirë për një reflektim”, tha analisti politik, Agon Maliqi, në një bisedë me Zërin e Amerikës.

“Duket që Vetëvendosja është nisur nga parimi ose qasja e saj që nga niveli qendror të menaxhohen edhe çështjet komunale do të jap rezultate, por kjo del se ka qenë e gabuar, për shkak që në nivel lokal vlerësohet programi, vlerësohet kandidati dhe pak vlerësohet ajo se çfarë thotë një lider i një partie nga qendra këtu në Prishtinë”, tha për Zërin e Amerikës Bekim Salihu nga Instituti për Studime të Avancuara GAP.

Sipas rezultateve të të dyja raundeve të zgjedhjeve, Lista Serbe ka fituar dhjetë komuna, e pasuar nga Partia Demokratike me 9, Lidhja Demokratike shtatë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës pesë dhe lëvizja Vetëvendosje 4 komuna.

Ndryshe nga zgjedhjet e përgjithshme, partitë opozitare shënuan rritje përballë Vetëvendosjes.

“Pjesërisht arroganca e qeverisë rreth disa temave, pjesërisht cilësia e kandidatëve. Por njëkohësisht kjo vjen edhe si shpërblim edhe për partitë opozitare, pra nuk është vetëm votë ndëshkuese por edhe pozitive si shpërblim për ndryshimet që kanë ndodhur ndërkohë në PDK dhe LDK, të cilat e kanë rikthyer elektoratin e vet në këto zgjedhje”, thotë zoti Maliqi.

“Kishte votë ndëshkuese dhe kishte votë testuese, për shkak se në disa komuna nuk ka pasur keq qeverisje, skandale apo implikim në korrupsion siç ishte ta zëmë rasti i Hanit të Elezit, por qytetarët si duket duan ta testojnë një qeveri tjetër”, thotë zoti Salihu.

Ai thotë se zhvillimet e fundit duhet t’u shërbejnë partive politike për përgatitje më të mira për zgjedhjet komunale të vitit 2025. Ndërsa analisti Agon Maliqi thotë se rezultatet e këtyre zgjedhjeve e bëjnë më të brishtë legjitimitetin politik të qeverisë, prandaj partia në pushtet duhet të rrisë përpjekjet për të ruajtur besimin e votuesve.

Analistët, vëzhguesit por edhe përfaqësuesit politik i vlerësuan zgjedhjet si shumë mirë të organizuara dhe pa ndonjë parregullsi që do të ndikonte në besueshmërinë e procesit.

Continue Reading

Vendi

Jashari pret krerët e Forcave Speciale të Shqipërisë dhe Kroacisë

Published

on

By

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka prit në takim zyrtar Komandantin e Regjimentit të Operacioneve Speciale të Shqipërisë dhe Komandantin e Komandës së Forcave të Operacioneve Speciale të Kroacisë.

Gjatë takimit u diskutua për thellimin e bashkëpunimit dypalësh e shumëpalësh, koordinimin ushtarak dhe shkëmbimin e përvojave profesionale, me fokus të veçantë në fushën e operacioneve speciale, trajnimeve taktike dhe ngritjes së kapaciteteve operacionale.

Palët nënshtruan rëndësinë e ushtrimeve të përbashkëta për rritjen e ndërveprueshmërisë mes forcave aleate, ku si pikë kyçe e bisedimeve shërbeu ushtrimi ushtarak “Valor Shield 2026”.

Gjeneral Jashari shprehu vlerësimin e tij për partneritetin e vazhdueshëm me Shqipërinë dhe Kroacinë, duke nëvizuar se përkrahja e forcave partnere është me rëndësi vitalë për zhvillimin profesional dhe avancimin e FSK-së. /E.A/

Continue Reading

Vendi

OVL-UÇK paralajmëron protesta nëse nuk procedohet ndryshimi i Ligjit për Specialen

Published

on

By

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Gazmend Syla, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të procedojë sa më parë në Kuvend Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Në një konferencë për media të mbajtur këtë të martë, Syla mirëpriti miratimin e Deklaratës mbështetëse nga Kuvendi, mirëpo theksoi se ish-drejtuesit e UÇK-së në Hagë kanë nevojë për veprime konkrete ligjore e jo vetëm zotime politike.

“Deklarata është zotim, ligji është veprim. Ata që sot i kanë duart e lidhura në Hagë kanë nevojë për veprime konkrete. Nëse vendi shkon në zgjedhje pa i dhënë Kuvendit mundësinë për të votuar këtë ligj, përgjegjësia politike për mosprocedimin e tij duhet të jetë e qartë”, deklaroi Syla.

Ai paralajmëroi se kategoritë e dala nga lufta nuk do të rrinë duarkryq dhe se janë të gatshëm të dalin në rrugë e të ndërmarrin hapa të tjerë protestues nëse kërkesat e tyre injorohen.

Më tej, Syla bëri të ditur se tashmë janë kryer të gjitha përgatitjet për marshin protestues kundër vendimit të Gjykatës Speciale, i cili do të mbahet më 1 nëntor, duke filluar nga ora 16:00.

Continue Reading

Botë

Rubio: Një “aktor i huaj” i përfshirë në komplotin e dyshuar për bombë pranë bazës ushtarake në Britani

Published

on

By

Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara, Marco Rubio, ka deklaruar se një “aktor i huaj” ishte i përfshirë në një komplot të dyshuar për sulm me bombë pranë një baze ajrore në Britaninë e Madhe, e cila përdoret nga ushtria amerikane.

Policia arrestoi të dielën pesë persona — të gjithë shtetas britanikë nga Londra, të mosshës 20 deri në 25 vjeç — pasi u njoftua nga një fermer lokal për lëvizjen e tri furgonëve të bardhë në drejtim të bazës RAF Fairford. Kjo bazë britanike strehon bombarduesit amerikanë që kryejnë misione kundër Iranit.

Njësia kundër terrorizmit njoftoi se po heton nëse të dyshuarit po vepronin në emër të një shteti të huaj në këtë plan për të sulmuar bazën ajrore, ndërsa më vonë bëri të ditur se ata do të lirohen me dorëzani.

Duke komentuar rastin në emisionin “Hannity” në Fox News, Rubio u shpreh: “Ajo që ndodhi, ajo që për pak sa nuk ndodhi dhe ajo që mund të kishte ndodhur në Britani gjatë fundjavës është një situatë shumë serioze. Është një çështje që qartësisht përfshin dorën e një aktori të huaj, megjithëse nuk do të hyj ende në detaje të mëtejshme.”

Nga ana tjetër, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) kishte deklaruar në korrik se baza Fairford përbënte një “cakt të legjitim”. Megjithatë, Ambasada e Iranit në Londër i hodhi poshtë këto pretendime përmes një deklarate, duke i cilësuar si “spekulime të pabazuara dhe keqdashëse” që synojnë të nxisin propagandë kundër Iranit.

Lidhur me ngjarjen reagoi edhe presidenti amerikan Trump, i cili tha se autoritetet britanike dhe ato amerikane i kishin pasur të dyshuarit nën hetim prej kohësh, duke pretenduar se ata “po kërkonin të shkaktonin dëme të mëdha”. Pas lajmit për lirimin e tyre me dorëzani, Trump shtoi se rasti “mund të ketë lidhje” me Iranin, por pa dhënë detaje të tjera.

 

Continue Reading

Lajmet

692 milionë euro nga mërgata në gjashtë muajt e parë të vitit

Published

on

By

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka bërë të ditur se dërgesat e mërgatës në Kosovë kanë arritur në 692 milionë euro gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, duke shënuar një rritje prej 5.7 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Përmes një postimi, Gërvalla ka vlerësuar lart kontributin e bashkatdhetarëve, duke e cilësuar atë si një dëshmi të lidhjes së fuqishme dhe të pandashme me atdheun.

“Kjo shifër tregon shumë më tepër se një kontribut ekonomik. Tregon pikërisht lidhjen e pandashme që nuk e kanë këputur as mijëra kilometra largësi. Tregon se sa fort mërgata jonë vazhdon ta mbajë Kosovën afër vetes”, ka deklaruar ajo.

Më tej, ministrja theksoi se këto mjete financiare luajnë një rol jetik në mirëqenien e familjeve kosovare, konsumin vendor, kursimet dhe investimet, si dhe në ruajtjen e stabilitetit ekonomik e financiar të vendit. Ajo rikujtoi se gjatë dekadës së fundit, remitancat kanë përbërë mesatarisht 12% deri në 14% të Produktit Brendshëm Bruto (BPV) të Kosovës. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara