Sot, më 22 prill, përkujtojmë 101-vjetorin e ndarjes nga jeta të një prej figurave më të shquara të historisë shqiptare – Avni Rustemit. Ai u plagos më 20 prill 1924, pranë Pazarit të Ri në Tiranë, dhe ndërroi jetë dy ditë më vonë, më 22 prill, pas një atentati politik që do të trondiste vendin dhe do të sillte pasoja të thella në zhvillimet e mëvonshme historike.

Avni Rustemi lindi në Libohovë, në një familje atdhetare, me babain e tij Qehaja në shërbim të familjes së njohur të Arsllan-Pashalinjve. Qysh i ri u dallua për guximin, mendimin e mprehtë dhe dashurinë për Atdheun. Arsimin fillestar e kreu në vendlindje, më pas ndoqi Normalen e Elbasanit dhe kolegjin e Shën Mitër Koronës në Itali, ndërsa studimet e larta i nisi për pedagogji në Universitetin e Romës.
Por, në vitin 1908, hoqi dorë nga jeta akademike për të marrë armët. U bashkua me çetën e Çerçiz Topullit dhe më vonë do të ishte pjesë e përpjekjeve për çlirimin e Shqipërisë së Jugut nga pushtuesit grekë. Në vitin 1920, në Paris, kreu atentatin ndaj Esat Pashë Toptanit, të cilin opinioni i kohës e shihte si tradhtar të interesave kombëtare.
Pas atentatit, Avni Rustemi u arrestua dhe torturua nga autoritetet franceze, siç dëshmon edhe një fotografi e rrallë e publikuar nga gazeta franceze “Le Miroir”. Megjithatë, pas vetëm gjashtë muajsh ai u lirua dhe u rikthye në Shqipëri, ku u bë një nga figurat kryesore të lëvizjes demokratike dhe intelektuale.
Ai themeloi dhe udhëhoqi disa nga shoqëritë më të rëndësishme demokratike të kohës, si federata “Atdheu” dhe “Bashkimi”. Avni Rustemi ishte jo vetëm një organizator, por edhe një ideolog me vizion për një Shqipëri të pavarur ekonomikisht dhe politikisht. Ai shprehej se “pa pavarësi ekonomike, nuk mund të ketë pavarësi politike” – një mendim që mbetet aktual edhe sot.
Si deputet i zgjedhur nga populli i ish-prefekturës së Kosovës në Asamblenë Kushtetuese të vitit 1924, ai kritikoi pa frikë korrupsionin, burokracinë, dhe padrejtësitë sociale, duke u bërë zëri i popullit në një kohë tensioni dhe ndryshimesh.
Vrasja e tij u bë shkëndija që ndezi Lëvizjen e Qershorit 1924, e cila për pak kohë solli një qeveri të re me orientim demokratik. Megjithëse jeta e Avni Rustemit u ndërpre në moshë të re, vepra dhe ideali i tij jetojnë ende në ndërgjegjen kombëtare shqiptare.