Botë
Aleatët e Harris fajësojnë Presidentin Biden për humbjen e saj
Published
1 year agoon
By
UBTnewsEmri i Joe Biden nuk ishte në fletëvotime në zgjedhjet e 5 nëntorit, por historia ka të ngjarë ta kujtojë humbjen e madhe të Kamala Harrisit edhe si humbjen e tij.
Pas fitores bindëse të Presidentit të zgjedhur Donald Trump, disa nga mbështetësit e nënpresidentes po shprehin pakënaqësinë e tyre duke thënë se fakti që zoti Biden priti deri në verë për t’u tërhequr nga gara– pavarësisht shqetësimeve të hershme të votuesve për moshën e tij dhe shqetësimeve për inflacionin pas pandemisë, si edhe për gjendjen në kufirin SHBA-Meksikë – vulosi humbjen e Shtëpisë së Bardhë nga partia e tij.
“Përgjegjësia më e madhe për këtë humbje është e Presidentit Biden,” thotë Andrew Yang, i cili kandidoi kundër zotit Biden në vitin 2020 për emërimin e partisë demokrate dhe e mbështeti kandidaturën e pasuksesshme të zonjës Harris.
“Nëse ai do të kishte dhënë dorëheqjen në janar dhe jo në korrik, ne mund të ishim në një situatë shumë të ndryshme.”
Zoti Biden largohet nga posti pasi i nxorri Shtetet e Bashkuara nga pandemia më e keqe prej një shekulli, nxiti mbështetjen ndërkombëtare për Ukrainën pas agresionit të Rusisë dhe miratoi një paketë prej 1 trilionë dollarësh për infrastrukturën në vend që do të ketë ndikim për vite me radhë.
Por pasi kandidoi katër vjet më parë kundër zotit Trump për të “rikthyer shpirtin e vendit”, zoti Biden do t’ia përcjellë postin paraardhësit të tij pas vetëm një mandati. Zoti Trump është zotuar ta reformojë rrënjësisht qeverinë federale dhe të tërhiqet nga shumë nga prioritetet e zotit Biden.
“Ndoshta pas 20 ose 30 vjetësh, historia do ta kujtojë Bidenin për disa nga këto arritje,” thotë Thom Reilly, bashkëdrejtor i Qendrës për një Demokraci të Pavarur dhe të Qëndrueshme në Universitetin Shtetëror të Arizonës.
“Por në një të ardhme afatshkurtër, do të jetë e vështirë që ai t’i shmanget trashëgimisë së të qenit presidenti që mundi Donald Trumpin vetëm për t’i hapur rrugën një administrate tjetër të Donald Trumpit katër vjet më pas.”
Të enjten zoti Biden nuk e përmendi drejtpërdrejt pakënaqësinë e elektoratit ndaj presidencës së tij, por tha se amerikanët do të ndjejnë efektet e nismave legjislative të administratës së tij për vitet në vijim.
“Mos harroni gjithçka që arritëm”, tha zoti Biden në një fjalim të shkurtër në Kopshtin e Trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë ku morën pjesë anëtarë të kabinetit dhe ndihmës të lartë, por jo zonja Harris. “Ishte një presidencë historike – jo sepse jam unë president, por falë asaj që kemi bërë. Asaj që keni bërë ju.”
Ai lëshoi një deklaratë menjëherë pasi zonja Harris mbajti fjalimin e saj ku pranoi humbjen të mërkurën, duke e vlerësuar atë për një “fushatë historike” në “rrethana të jashtëzakonshme”.
Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre nuk iu përgjigj drejtpërdrejt pyetjeve në lidhje me kritikat se zoti Biden priti shumë gjatë për t’u tërhequr.
“Ai besoi se mori vendimin e duhur,” tha zonja Jean-Pierre në konferencën e përditshme për shtyp.
Vetëm rreth 4 ndër 10 votues në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 e miratuan punën e zotit Biden si president, sipas AP VoteCast, një sondazh me më shumë se 120,000 votues në mbarë vendin. Afërsisht 6 ndër 10 nuk e miratuan atë dhe Donald Trump bëri për vete një shumicë të ndjeshme të atyre votuesve që ishin të pakënaqur me zotin Biden.
Disa demokratë me peshë, përfshirë tre këshilltarë të fushatës së zonjës Harris, shprehën zhgënjimin e thellë që zoti Biden nuk pranoi që më herët në ciklin zgjedhor se nuk e përballonte dot sfidën e rikandidimit. Këshilltarët folën në kushte anonimiteti sepse nuk ishin të autorizuar të komentonin publikisht.
81 vjeçari Biden i dha fund fushatës së tij për rizgjedhje në korrik, disa javë pas një paraqitjeje tepër të dobët në një debat përballë zotit Trump, që ngriti pikëpyetje lidhur me mprehtësinë mendore të tij për të qenë një kandidat i besueshëm.
Por sondazhet kishin treguar prej kohësh se shumë amerikanë ishin të shqetësuar për moshën e tij. Rreth 77% e amerikanëve thanë në gusht të vitit 2023 se zoti Biden ishte shumë i moshuar për të qenë efektiv edhe për katër vjet të tjera, sipas një sondazhi nga agjencia e lajmeve Associated Press dhe Qendra për Çështjet Publike NORC (AP-NORC).
Presidenti u tërhoq më 21 korrik pasi u nxit në mënyrë jo edhe aq delikate nga figurat e njohura të Partisë Demokrate, përfshirë ish-presidentin Barack Obama dhe ish-kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi që të hiqte dorë nga gara për rizgjedhje.
Zoti Biden mbështeti zonjën Harris për kandidaturën. Ligjvënësi nga shteti i Masaçusetsit Seth Moulton, një nga disa ligjvënësit demokratë që i kërkuan publikisht zotit Biden të largohej këtë verë, tha të enjten në CNN se Partia Demokrate “do të kishte qenë në një pozicion shumë më të mirë” nëse zoti Biden do ta kishte lënë garën më herët.
Zoti Yang argumentoi se edhe udhëheqësit e Partisë Demokrate duhet të mbahen përgjegjës që pritën aq gjatë për të larguar zotin Biden. Me pak përjashtime, si ligjvënësi nga Minesota, Dean Phillips, demokratët nuk dolën të flisnin hapur për moshën e zotit Biden.
“Pse nuk u bë një gjë e tillë nga ndonjë udhëheqës demokrat?” tha zoti Yang. “Arsyeja është një mungese guximi dhe pavarësie dhe një karrierizëm i tepruar”.
Fushata vuajti gjithashtu pasojat e zemërimit të votuesve arabo-amerikanë dhe të rinjve për qasjen ndaj luftës së Izraelit në Gaza dhe Liban.
Senatori Bernie Sanders, një aleat i Presidentit Biden dhe Nënpresidentes Harris, tha në një deklaratë se demokratët nuk po u kushtonin rëndësi shqetësimeve të amerikanëve të klasës së mesme.
“A do të nxjerrin ndonjë mësim real nga kjo fushatë katastrofike ata që mbështesin interesat e të pasurve dhe konsulentët e paguar mirë që kontrollojnë Partinë Demokrate?” tha ligjvënësi i pavarur nga Vermonti.
Zonja Harris arriti të ngjallte entuziazëm shumë më të madh sesa zoti Biden në bazën e partisë. Por ajo nuk arriti të shprehte qartë se si do të ndryshonte administrata e saj nga ajo e zotit Biden.
Në një emision televiziv në shtator, Nënpresidentja Harris nuk mund të përmendte ndonjë shembull se si do të merrte një vendim të ndryshëm nga zoti Biden.
“Nuk më vjen ndonjë gjë ndër mend,” tha zonja Harris, duke i dhënë fushatës së zotit Trump material për reklama që u transmetuan deri ditën e zgjedhjeve.
Këshilltarët e zonjës Harris thanë se fushata e shkurtër e bëri edhe më të vështirë për nënpresidenten që të distanconte veten nga presidenti. Nëse zoti Biden do të ishte tërhequr në fillim të vitit, thanë ata, kjo do t’u kishte dhënë demokratëve kohë të mjaftueshme për të mbajtur zgjedhje brenda partisë. Një garë brenda partisë do ta kishte detyruar zonjën Harris ose një kandidat tjetër të mundshëm që t’i theksonin më shumë dallimet me zotin Biden.
Këshilltarët demokratë e pranojnë se pakënaqësia e thellë në lidhje me kostot në rritje si pasojë e pandemisë dhe shqetësimet e gjera në lidhje me sistemin e imigracionit të SHBA-së, ishin të rëndësishme për votuesit në shtetet kyçe.
Megjithatë, ata thanë se zoti Biden i kishte vënë demokratët në një pozitë të vështirë.
David Plouffe, një këshilltar i lartë i zonjës Harris, tha se ekipi i fushatës “u përpoqën me mish me shpirt për vendin e tyre”.
“Ne u ngritëm nga një pikë shumë e ulët, por mesa duket jo mjaftueshëm,” tha ai. “Një humbje e dhimbshme”.
Ky postim u fshi më vonë.
Disa përkrahës të zonjës Harris thonë se do të kishin dashur që ajo të kishte pasur më shumë kohë për të bërë për vete votuesit amerikanë.
Përveç Shtëpisë së Bardhë, republikanët do të kontrollojnë edhe Senatin. Kontrolli për Dhomën e Përfaqësuesve nuk është përcaktuar.
Matt Bennett, nënkryetar ekzekutiv i grupit “Rruga e Tretë”, një aleat i demokratëve, tha se është momenti më i vështirë i partisë që ai ka parë.
“Harris u vu në një pozitë shumë të vështirë, pjesërisht për shkak të zotit Biden dhe pjesërisht për arsye të tjera”, thotë zoti Bennett, i cili ishte këshilltar i Nënpresidentit Al Gore gjatë administratës së (Presidentit) Klinton.
“A do të ishin në një pozitë më të mirë demokratët nëse Biden do të ishte tërhequr më herët? Nuk e di nëse mund ta themi me siguri, por kjo është një pyetje e vlefshme.”
Aktualitet
Irani nis ekzekutimin e dënimeve ndaj protestuesve të janarit
Published
10 hours agoon
March 23, 2026By
UBTNews
Zëvendëskryetari i parë i Gjyqësorit iranian, Hamzeh Khalili, njoftoi këtë të hënë se rastet e personave të arrestuar gjatë protestave mbarëkombëtare në fillim të këtij viti janë procesuar dhe tashmë ka nisur zbatimi i dënimeve përfundimtare, raporton Reuters.
Protestat masive anti-qeveritare që tronditën vendin në janar u shtypën përmes ndërhyrjes më të ashpër në historinë e Republikës Islamike. Sipas agjencisë së lajmeve të gjyqësorit “Mizan”, Khalili deklaroi se për elementët që ai i cilësoi si “terroristë dhe rebelë” nuk do të ketë asnjë lloj tolerance dhe se disa prej dënimeve janë ekzekutuar tashmë ditët e fundit.
Ky njoftim vjen vetëm një javë pasi Irani ekzekutoi tre burra të akuzuar për vrasjen e dy zyrtarëve policorë gjatë trazirave, veprim ky që ka rritur shqetësimin te organizatat për të drejtat e njeriut, si “Hengaw”.
Sipas këtyre grupeve, Teherani po intensifikon ekzekutimet ndaj të burgosurve politikë dhe protestuesve në mes të rritjes së presioneve ushtarake dhe ndërkombëtare. Khalili shtoi se gjyqësori do të jetë i pakompromis ndaj atyre që i quajti “infiltrues, mercenarë dhe tradhtarë që bashkëpunojnë me armikun”, teksa qindra persona janë arrestuar vetëm gjatë muajit mars, që prej fillimit të konfliktit me Izraelin dhe SHBA-në. /Reuters/
Aktualitet
Trump e Starmer diskutuan në telefon për Ngushticën e Hormuzit
Published
14 hours agoon
March 23, 2026By
UBTNews
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, dhe presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kanë folur në telefon mbrëmjen e kaluar, ka raportuar të hënën BBC.
Një zëdhënës i Downing Street ka deklaruar: “Udhëheqësit diskutuan situatën aktuale në Lindjen e Mesme, dhe në veçanti, nevojën për të rihapur Ngushticën e Hormuzit për të rifilluar transportin global”.
“Ata ranë dakord që rihapja e Ngushticës së Hormuzit është thelbësore për të siguruar stabilitetin në tregun global të energjisë”, ka shtuar ai. “Ata ranë dakord të flasin përsëri së shpejti”.
Kryeministri më vonë do të drejtojë një takim “Cobra” me shefen e financave, Rachel Reeves, guvernatorin e Bankës së Anglisë, Andrew Bailey, dhe të tjerë, mbi ndikimin ekonomik të luftës.
Trump i ka dhënë të shtunën Iranit afat prej 48 orësh për të rihapur Ngushticën e Hormuzit – ose, tha ai, SHBA-ja do të “shkatërrojë” termocentralet iraniane, “duke filluar së pari me më të madhin”.
Ndërkohë, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) thonë se presin të përballen me “disa javë të tjera luftimesh” kundër Iranit dhe “Hezbollahut”. /BBC/
Aktualitet
Irani kërcënon të godasë centralet elektrike të Gjirit pas ultimatumit të Trump-it
Published
17 hours agoon
March 23, 2026By
UBTNews
Irani do të sulmojë centralet elektrike të Izraelit dhe impiantet që furnizojnë bazat e SHBA-së në Gji nëse Presidenti Donald Trump realizon kërcënimin e tij për të “asgjësuar” rrjetin energjetik të Iranit, deklaruan Gardat Revolucionare të vendit në një deklaratë të hënën.
Deklarata duket se tërhoqi kërcënimet e mëparshme ndaj impianteve të shkripëzimit në rajon, të cilat janë vendimtare për sigurimin e ujit të pijshëm në vendet e Gjirit.
“Presidenti gënjeshtar i SHBA-së ka pretenduar se Gardat Revolucionare synojnë të sulmojnë impiantet e shkripëzimit të ujit dhe t’u shkaktojnë vështirësi njerëzve të vendeve të rajonit,” tha deklarata e shpërndarë në mediat shtetërore. “Ne jemi të vendosur t’i përgjigjemi çdo kërcënimi në të njëjtin nivel që ai krijon në termat e parandalimit… Nëse godisni energjinë elektrike, ne godasim energjinë elektrike.”
Të shtunën, Trump paralajmëroi se centralet elektrike iraniane do të shkatërroheshin nëse Teherani dështonte të “hapte plotësisht” Ngushticën e Hormuzit për të gjithë lundrimin brenda 48 orëve.
Trump caktoi një afat të hënën rreth orës 19:45 pasdite EDT (2345 GMT). Sulmet iraniane kanë mbyllur efektivisht Ngushticën e Hormuzit, e cila transporton një të pestën e naftës globale dhe gazit natyror të lëngshëm, duke shkaktuar krizën më të keqe të naftës që nga vitet 1970.
Më shumë se 2,000 njerëz janë vrarë gjatë luftës që SHBA dhe Izraeli nisën më 28 shkurt, e cila ka përmbysur tregjet, ka rritur kostot e karburantit, ka nxitur frikën e inflacionit global dhe ka tronditur aleancën perëndimore të pasluftës. Kërcënimi i sulmeve në rrjetet elektrike të Gjirit të dielën ngriti frikën e ndërprerjes masive të shkripëzimit për ujin e pijshëm dhe shqetësoi më tej tregjet e naftës, me çmimet që u hapën me luhatje në tregtinë e Azisë.
Pas më shumë se tre javësh bombardimesh të rënda amerikane dhe izraelite, që zyrtarët thonë se kanë reduktuar ndjeshëm aftësitë raketore të Iranit, Teherani ka vazhduar të demonstrojë aftësinë e tij për të goditur mbrapsht. Sirenat e sulmit ajror ranë në pjesë të Izraelit verior dhe qendror, duke përfshirë Tel Avivin dhe Bregun e Perëndimor të pushtuar gjatë natës të së dielës, duke paralajmëruar për raketa që vinin nga Irani.
Ushtria izraelite tha herët të hënën se kishte filluar një valë sulmesh në shkallë të gjerë duke synuar infrastrukturën iraniane në Teheran. Washington Post raportoi të hënën në mediat sociale se Lideri Suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, ishte “i plagosur, i izoluar dhe nuk po u përgjigjej mesazheve të drejtuara atij.” Në fillim të këtij muaji, një zyrtar iranian i tha Reuters se Lideri i ri Suprem i vendit ishte plagosur lehtë. /Reuters/
Aktualitet
Evropa dhe Japonia në lëvizje për të ndalur shtrenjtimin e rrymës dhe naftës
Published
4 days agoon
March 19, 2026By
UBTNews
Situata energjetike globale ka marrë një kthesë kritike këtë të enjte, duke detyruar fuqitë e mëdha të Evropës dhe Japoninë që të ndërhyjnë urgjentisht për të stabilizuar tregjet dhe për të siguruar rrugët kryesore të furnizimit me naftë.
Ky alarm vjen pas një vargu sulmesh reciproke mbi impiantet energjetike që kanë përshkallëzuar ndjeshëm luftën e SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, duke krijuar një pasiguri që pritet të ndihet direkt edhe në xhepat e qytetarëve në Kosovë përmes rritjes së çmimeve të karburanteve dhe energjisë.
Ekonomitë kryesore botërore po përpiqen me çdo kusht të zbutin goditjen pasi gjiganti “QatarEnergy” raportoi dëme të mëdha nga raketat iraniane në qytetin industrial Ras Laffan, i cili proceson rreth një të pestën e gazit natyror të lëngshëm në botë.
Sulmet kanë prekur edhe portet e Arabisë Saudite në Detin e Kuq, duke dëshmuar aftësinë e Iranit për të bllokuar rrugët strategjike si Ngushtica e Hormuzit dhe për të goditur asetet më të vlefshme energjetike pavarësisht mbrojtjes ajrore.
Ndërkohë që Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, pohon se objektivat e luftës mbeten sipas planit, liderët e Britanisë, Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Holandës kanë bërë thirrje të përbashkët për ndalimin e sulmeve mbi infrastrukturën civile dhe janë zotuar të punojnë me vendet prodhuese për të rritur prodhimin e naftës.
Kjo krizë ka pezulluar edhe planet për uljen e normave të interesit nga Banka Qendrore Evropiane, pasi inflacioni i parashikuar për vitin 2026 ka pësuar rritje, gjë që nënkupton kosto më të larta të jetesës dhe vështirësi në tregun e kredive.
Derisa bursa evropiane dhe ato aziatike po shënojnë rënie të theksuara, Irani ka deklaruar se sulmet mbi infrastrukturën e tyre kanë hapur një “faze të re të luftës”, duke vënë në shënjestër drejtpërdrejt interesat energjetike të lidhura me Shtetet e Bashkuara. /Reuters/
REL: Emri i shefit të ri të Zyrës ruse në Kosovë figuron në një databazë që e lidh me inteligjencën ruse
Në UBT nis workshop-i ndërkombëtar në fushën e arkitekturës
Kosova nënshkruan marrëveshje 96 milionëshe me Bankën Botërore
Profesori i UBT-së, Visar Sutaj, përfaqëson Kosovën në programin prestigjioz të Cern-it në Zvicër
Irani nis ekzekutimin e dënimeve ndaj protestuesve të janarit
Aksion i Prokurorisë: Katër të arrestuar për patentë shoferë
Talentet e Evropës në shenjestrën e Kosovës: Foda dhe Shala konfirmojnë kontaktet me tre yjet e rinj
DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 23 mars, në vitet nëntëdhjetë
Trump e Starmer diskutuan në telefon për Ngushticën e Hormuzit
Të kërkuara
-
Lajmet3 months agoProfesorët e UBT-së publikojnë studim shkencor në revistën prestigjioze ndërkombëtare të indeksuar në Scopus (Q1)
-
Lajmet1 month agoUBT nderon Familjen Jashari me Dekoratën Jetësore të Nderit
-
Lajmet2 months agoProfesori i UBT-së, Kujtim Thaçi publikon artikull shkencor në revistën prestigjioze Frontiers in Immunology
-
Lajmet2 months agoStudentët e UBT-së në vizitë studimore në Presidencën e Republikës së Kosovës
