Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë se s’ka shpjegim racional për krizën politike në Kosovë. Ai duke kritikuar partitë që deri tani ishin në opozitë, tha se çdo opozitë demokratike në botë përpiqet t’ia shkurtojë mandatin qeverisë, përveç asaj në Kosovë.
Sipas Kurtit, dikush mund të mendojë se ka një marrëveshje politike që ata të qëndrojnë sa më gjatë në pushtet, por që nuk është e vërtet.
Kurti gjithashtu nënvizoi nevojën që partitë të tjera parlamentare të marrin pjesë në votim për konstituim të Kuvendit, derisa nënvizoi se kur të vjen koha për formim të qeverisë, LVV-ja si partia e parë në zgjedhje, do ta dëshmojë se i ka numrat.
“Unë kam hyrë në çerekun e dytë të vitit të pestë të mandatit të plotë. Çdo opozitë demokratike përpiqet që t’ia shkurtoj mandatin qeverisë, përveç opozitës kosovare që siç jeni dëshmitarë të gjithë po ia zgjatë mandatin qeverisë aktuale. Dikush edhe mund të mendoj se kemi marrëveshje. Ne si qeveri në detyrë kemi marrëveshje me opozitën aktuale që të qëndrojmë sa më gjatë në pushtet por kjo nuk është e vërtet. Unë nuk kam shpjegim racional për këtë sjellje nëpër të cilën po kalojnë institucionet e Kosovës në veçanti kuvendi ende po i themeluar pasi qeveria është në detyrë. Ne kemi më pak kompetenca por njësojë punë. Sa më herët që konstituojmë Kuvendin me votim të fshehtë aq më shpejt do të jemi te qeveria e re. Ndërkohë që s’ka qeveri të re Kurti III ka qeveri në detyrë, Kurti dy pikë pesë”, tha ai.
Kurti duke folur si liderë i LVV-së, tha se pasi të konstituohet Kuvendi, partitë tjera e kanë rastin të testojë atë nëse i ka votat për formim të qeverisë së re pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
“Kur të vjen puna e qeverisë që është përgjegjësi e subjektit fitues në mënyrë ekskluzive atëherë ne duhet ta dëshmojmë vetën. Kuvendin duhet ta bëjmë të gjithë bashkë. Kuvendin nuk e themelon subjekti fitues, pavarësisht sa vota i ke duhet të bëhemi bashkë që të themelojmë Kuvendin e kanë pasur të qartë qëllimin…Të kalojmë te 15 ditët kur duhet të themelohet qeveria me mua si mandatar, ku unë duhet të dëshmoj vetën dhe opozita të më testojë”, shtoi Kurti.
Sa i përket nevojës për arritjen e një marrëveshje politike, Kurti tha se ka bërë një gjë të tillë, mirëpo është refuzuar ashpër nga LDK-ja.
Ai tregoi edhe arsyen se pse nuk po flet para objektit të Kuvendit të Kosovës.
“Ofrova bisedime për koalicion qeveritar LDK-së. U refuzua shumë ashpër. Kur nuk duan marrëveshje për procedurë për themelim të Kuvendit dhe as marrëveshje politike për formim të qeverisë që është hapi i radhës, jo i pari atëherë çfarë të bëjë unë. Unë po e kryej obligimin tim duke mos munguar në asnjë vazhdim të seancës. Prej se kemi filluar me datën 15 prill mua më keni pasur aty çdo 48-orë. Unë po flas këtu dhe jo te Kuvendi pasi atje jam njëri nga 48 deputetët të subjektit fitues kaq, ndërkaq këtu si kryeministër në detyrë”, theksoi Kurti.
Këto komente Kurti i bëri pas vendosjes së gurë themelit për ndërtimin e një depo të Ministrisë së Shëndetësisë për ruajtjen e barnave.