Neymar do t’i nënshtrohet një operacioni në gju pasi luajti me dhimbje për të ndihmuar Santosin të shmangë rënien nga kategoria me një fitore 3-0 ndaj Cruzeiros të dielën.
Kjo ka ngritur më shumë dyshime rreth shanseve të anësorit për të luajtur në Kupën e Botës të vitit të ardhshëm.
33-vjeçari u rikthye te klubi i fëmijërisë, Santos, në janar, pas një periudhe në Arabinë Saudite dhe pati një ndikim vendimtar në mbijetesën e ekipit të tij në ligën e parë braziliane, duke shënuar pesë gola në katër ndeshjet e fundit.
“Erdha për këtë, për të ndihmuar sa më mirë që mundem. Këto kanë qenë javë të vështira për mua”, u tha gazetarëve Neymar, i cili luajti vetëm në 20 nga 38 ndeshjet e tyre në ligë.
“I falënderoj ata që ishin me mua për të më ngritur në këmbë. Po të mos ishin ata, nuk do t’i kisha luajtur këto ndeshje për shkak të këtyre lëndimeve, këtij problemi me gjurin. Më duhet të pushoj dhe pastaj do të bëjmë këtë operacion në gju.”
Ai nuk dha detaje mbi operacionin ose një afat kohor për shërimin e tij të pritur dhe nuk është paraqitur për Brazilin prej dy vitesh për shkak të një sërë lëndimesh.
Në tetor, trajneri i ekipit kombëtar, Carlo Ancelotti, tha se sulmuesi duhet të rifitojë formën e plotë fizike nëse do të rikthehet në skuadër për Kupën e Botës që do të zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik në Kanada, Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara./S.K/KP/