Kulturë

Aktori Naim Frashëri, gjiganti i skenës dhe ekranit shqiptar

Published

on

Më 18 shkurt të vitit 1975, Shqipëria humbi një nga figurat më të shquara të artit dhe kulturës së saj. Naim Frashëri, një emër i madh në teatër dhe kinematografi, la pas një trashëgimi të paharruar që do të mbetet në zemrat e shqiptarëve përgjithmonë.

Nuk ishte thjesht një rastësi që pasardhësi i një familjeje bejlerësh të Përmetit mori emrin e poeti të madh rilindas, Naim Frashëri. Ky emër, që ka rëndësi të veçantë në historinë e letërsisë dhe kulturës sonë, e shoqëroi aktorin gjatë gjithë jetës, duke i dhënë atij një mision të veçantë: të mbante gjallë nderimin dhe vlerat e një figure të shenjtë, të njohur dhe të dashur për të gjithë shqiptarët.

Naim Frashëri erdhi në jetë më 15 gusht 1923 në Leskovik, një qytet i vogël që do të bëhej djepi i një prej talenteve më të mëdha të teatrit dhe kinematografisë shqiptare. Karriera e tij artistike mori formë herët. Në vitin 1945, ai ngjiti për herë të parë shkallët e Teatrit Kombëtar dhe brenda një periudhe të shkurtër, ai u shndërrua në një figurë të rëndësishme të skenës shqiptare. Por talenti i tij nuk kufizohej vetëm në teatër, ai ishte gjithashtu një luftëtar i devotshëm i atdheut dhe një aktor që e përçonte në mënyrë të shkëlqyer çdo rol që luante.

Në teatër, Naim Frashëri do të realizonte një galeri roletsh të paharrueshme. Nga Valeri te “Tartufi”, Gjoni te “Trimi i mirë me shokë shumë”, Nikolla te “Armiqtë”, e deri te Hamleti në shfaqjen e famshme “Hamleti”, ai u bë një mjeshtër i portretizimit të karaktereve të thella dhe komplekse, të cilat i jepnin jetë çdo shfaqjeje. Me të njëjtën grishje dhe pasion që ka një artist, ai spikati në çdo rol, duke lënë një ndikim të pashlyeshëm në historinë e teatrit shqiptar.

Por karriera e tij nuk u ndal me skenën teatrale. Në filmat e tij, Naim Frashëri do të interpretonte me po të njëjtin pasion dhe profesionalizëm. Roli i tij në filmin monumental “Skënderbeu” në vitin 1953 dhe interpretimi i tij i paharruar në “Tana” në vitin 1958 do të shënonin dy prej momenteve më të ndritura të kinematografisë shqiptare, ku ai i dha thellësi dhe emocion çdo karakteri.

Gjatë gjithë karrierës, ai nuk i shmangej asgjëje – as mundësisë për të shprehur realitetin e vështirë të kohës që jetoi, as sfidave që i parashtronte arti dhe jeta. Edhe në vitin 1980, Naim Frashëri u ngjit për herë të fundit në skenë me rolin e Jonuz Bruga te “Familja e Peshkatarit”, duke i dhënë fund një karriere të pasur dhe të mbushur me sukses.

I nderuar me titullin “Artist i Popullit”, Naim Frashëri la pas një trashëgimi që nuk mund të harrohet. Ai është një nga ata artistë që e bëri artin të jetojë, që e solli atë më pranë zemrave të shqiptarëve dhe që do të mbetet një emër i shndritshëm në historinë e teatrit dhe kinematografisë shqiptare./UBTNews/

 

Lajmet

Esmeralda Kazia shpallet “Cybersecurity Woman of the World 2026”, shqiptarja e parë që merr këtë çmim

Published

on

Shqipëria ka shënuar një arritje të rëndësishme në fushën e sigurisë kibernetike, pasi Esmeralda Kazia është shpallur “Cybersecurity Woman of the World 2026”.

Kazia është shqiptarja e parë që fiton këtë titull prestigjioz, i cili vlerëson lidershipin, vizionin dhe kontributin në zhvillimin e sigurisë kibernetike në nivel ndërkombëtar.

Çmimi iu dorëzua gjatë ceremonisë së organizuar nga United Cybersecurity Alliance në Austri dhe Lihtenshtajn, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore, organizatave ndërkombëtare, universiteteve, kompanive dhe ekspertë të sigurisë kibernetike nga më shumë se 30 vende.

Pas marrjes së çmimit, Kazia në një intervistë për transmetuesin publik austriak ORF theksoi rëndësinë e sigurisë kibernetike për mbrojtjen e institucioneve dhe besimit publik.

“Siguria kibernetike nuk ka të bëjë vetëm me mbrojtjen e teknologjisë, por me mbrojtjen e besimit”, u shpreh ajo.

Gjatë këtij edicioni janë zhvilluar edhe diskutime për mundësinë që ceremonia “Cybersecurity Woman of the World 2027” të organizohet në Shqipëri. Nëse realizohet, vendi pritet të mirëpresë ekspertë, institucione dhe përfaqësues ndërkombëtarë të fushës së sigurisë kibernetike.

Duke komentuar vlerësimin, Kazia tha se ky titull përfaqëson një përgjegjësi për të vazhduar punën në forcimin e sigurisë kibernetike dhe mbrojtjen e infrastrukturave kritike.

Esmeralda Kazia aktualisht është Drejtoreshë Ekzekutive e Teknologjisë për Teknologjinë Operacionale, Sistemet e Kontrollit Industrial dhe Automatizimin në Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH). Më herët ajo ka udhëhequr operacionet kombëtare të monitorimit dhe reagimit ndaj incidenteve kibernetike në Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike.

Me mbi 13 vite përvojë në sigurinë kibernetike, transformimin digjital dhe mbrojtjen e infrastrukturave kritike, Kazia ka përfaqësuar Shqipërinë në forume ndërkombëtare si NATO, OSBE dhe iniciativa globale kundër sulmeve kibernetike. Ajo është gjithashtu pedagoge universitare dhe kërkuese shkencore, me fokus në inteligjencën artificiale dhe ekosistemet digjitale./Albinfo.ch//A.K/

Continue Reading

Lajmet

Hapet “Panairi i Gruas”, Kusari premton divizion të veçantë për gratë ndërmarrëse

Published

on

Ka nisur këtë të enjte edicioni i dytë i “Panairit të Gruas”.Hapjen e tij në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë, e bëri ministrja në detyrë e Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila si mysafire, dhe Lulzim Rafuna, si kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, si nikoqir.

Në këtë panair u jepet mundësia grave ndërmarrëse që t’i promovojnë dhe ekspozojnë bizneset e tyre.

Në fjalën e tij, Rafuna tha se kanë kuptuar se pa mbështetjen ndaj grave nuk do të ketë zhvillim të plotë.

“Ne si Odë Ekonomike e Kosovës e vlerësojmë rolin e gruas në zhvillimin ekonomik të vendit. E kemi kuptuar që pa i dhënë hapësirë dhe pa i ndihmuar, pa i ndihmuar gratë në biznese, në prodhim, në shërbime, në tregti, nuk do të mund të kemi zhvillim të plotë. Zhvillim të plotë dhe rritje do të kemi vetëm kur t’i ndihmojmë gratë që të avancohen në zhvillimin ekonomik të vendit duke i rritur bizneset e tyre”, tha Rafuna.

E ministrja Kusari Lila u shpreh se gratë ndërmarrëse kanë një rol të veqantë në politikëbërjen e saj dhe qeverisë ku bënë pjesë.

“Si ministre tash në detyrë e Qeverisë së Republikës së Kosovës, gjatë gjithë kohës së angazhimit tim në këtë post e gjithashtu edhe më herët në Qeverinë e Republikës, gratë ndërmarrëse kanë pasur një rol të veçantë në politikëbërjen tonë. Prej se kemi lansuar skemat e granteve, gjithmonë është përparësi e dhënë edhe në vlerësim për gratë ndërmarrëse. Tashmë në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, në kuadër të agjencisë së re për ndërmarrësi dhe inovacion do të jetë edhe divizioni i veçantë për gratë ndërmarrëse. Divizion që synon ndërlidhjen e politikëbërjes me ekzekutimin dhe asistencën teknike të drejtpërdrejtë për gratë ndërmarrëse në Republikën e Kosovës, si dhe për promovimin e shpirtit të ndërmarrësisë edhe tek vajzat e reja që duan të jenë pjesë e ndërmarrësisë”, tha ajo.

Sanije Hyseni, grua ndërmarrëse që merret me artizanate tha se është e lumtur me këtë mundësi por u ankua se nuk po ka shitje.

“Ka rënë, ka rënë interesimi se s’po kanë, njerëzit po blejnë vetëm gjëra ushqimore e këto që po janë elementare”, tha Hyseni.

Edhe Fatmire Hyseni e vlerësoi lartë këtë mundësi për ekspozimin e punës së dorës që e bën.

“Punë dore me rruza, punë dore me qartën, me të gjitha llojet çka të ka…Edhe i bëjmë pak punët e shoqatës, edhe i shesim, edhe punë dore të mia po i blejnë, do të thotë gjithçka është e mirë”, shtoi ajo.

Organizime të tilla mirëpriten gjithmonë nga gratë ndërmarrëse./KosovaPress/A.K/

 

Continue Reading

Lajmet

Zbulim i ri arkeologjik në Spanjë: Një dhomë romake mendohet të ketë qenë bibliotekë e lashtë

Published

on

Një zbulim i ri arkeologjik në kompleksin romak Fuente Álamo, në Kordobë të Spanjës, mund të ndryshojë mënyrën se si kuptohet historia e këtij vendbanimi antik.

Sipas një studimi të publikuar në Journal of Mediterranean Archaeology, një dhomë që më parë besohej se ishte një faltore kushtuar perëndisë Mithra, mund të ketë shërbyer si bibliotekë romake.

Studiuesit nga universitetet e Kordobës dhe Granadës kanë arritur në përfundimin se Dhoma 10 është rimodeluar në shekullin e IV pas Krishtit dhe mund të jetë protobiblioteka më e vjetër e zbuluar deri më sot në Gadishullin Iberik, si dhe biblioteka më perëndimore e njohur në Perandorinë Romake.

Analizat arkitekturore kanë zbuluar elemente tipike të bibliotekave romake, përfshirë një absidë, kamare për ruajtjen e dorëshkrimeve, podium dhe hapësira që mund të kenë shërbyer për punë ose magazinim.

Nëse konfirmohet përfundimisht, kjo bibliotekë do të përbënte një nga zbulimet më të rëndësishme për studimin e jetës kulturore dhe intelektuale në Perandorinë Romake./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Nis Seminari XIX Mbarëkombëtar për mësuesit e gjuhës shqipe në diasporë

Published

on

Ka nisur punimet Seminari XIX Mbarëkombëtar me mësuesit e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë dhe mërgatë, i organizuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë.

Seminari i këtij viti zhvillohet me temën “Motivimi i nxënësve në diasporë për mësimin e gjuhës shqipe dhe ruajtjen e identitetit kombëtar” dhe do të zgjasë deri më 31 korrik. Në të marrin pjesë mbi 200 mësimdhënës të gjuhës shqipe nga diaspora, të cilët do të shkëmbejnë përvoja dhe praktika në fushën e mësimdhënies.

Në ceremoninë e hapjes morën pjesë ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës i Kosovës, Hajrulla Çeku, zëvendësministrja e Arsimit e Shqipërisë, Orjana Osmani, mësimdhënës nga diaspora dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore.

Çeku theksoi se diaspora mbetet një pjesë e pandashme e Kosovës dhe një urë e rëndësishme lidhëse me botën. Ai nënvizoi se Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë hapa konkretë për forcimin e mësimit të gjuhës shqipe në diasporë, përmes hartimit të teksteve të përbashkëta me Shqipërinë, trajnimit të mësimdhënësve, zgjerimit të ekskursioneve për fëmijët e mërgatës dhe zhvillimit të platformave digjitale. Sipas tij, rreth 800 mësues dhe 23 mijë nxënës ndjekin mësimin e gjuhës shqipe jashtë vendit.

Nga ana tjetër, Orjana Osmani vlerësoi rolin e pazëvendësueshëm të mësuesve të diasporës në ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe. Ajo theksoi se gjuha mbahet gjallë nga ata që ua përcjellin brezave të rinj dhe përmendi forcimin e politikave për mësimin e shqipes, si dhe krijimin e Agjencisë Kombëtare për Gjuhën Shqipe, e cila synon të kontribuojë në zhvillimin dhe promovimin afatgjatë të saj.

Në emër të mësimdhënësve përshëndeti edhe Dila Rrapi, mësuese nga Italia, e cila prej dhjetë vitesh kontribuon si vullnetare në mësimin plotësues të gjuhës shqipe për fëmijët e diasporës.

Gjatë ditëve në vijim, seminari do të vazhdojë me punëtori dhe diskutime tematike mbi metodat bashkëkohore të mësimdhënies, motivimin e nxënësve për të mësuar gjuhën shqipe, si dhe sfidat dhe mundësitë për ruajtjen e identitetit kombëtar në diasporë./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara