Filmi i suksesshëm malazez “Nderi”, i realizuar në gjuhën shqipe dhe me regji nga Nikola Vukčević, do të shfaqet për herë të parë për publikun në Tiranë dhe Prishtinë. Ky produksion është përzgjedhur si kandidati zyrtar i Malit të Zi për çmimet prestigjioze Oscar (edicioni i 98-të) dhe ka arritur një sukses të gjerë ndërkombëtar, duke fituar 20 çmime në 31 festivale të ndryshme.Në mesin e festivaleve ku është vlerësuar filmi përfshihen edhe evente të rëndësishme të kategorisë A si Cairo International Film Festival dhe IFFI Goa. Përveç suksesit ndërkombëtar, “Nderi” ka shënuar rezultate të larta edhe në vendin e tij, me mbi 20 mijë bileta të shitura.Premiera në Tiranë u mbajt më 8 prill në Cineplexx, ndërsa publiku në Prishtinë do të ketë mundësinë ta ndjekë më 9 prill.
Filmi bazohet në ngjarje reale të Luftës së Dytë Botërore dhe rrëfen historinë e një fëmije ortodoks malazez, i cili duke ikur nga një njësi fashiste, gjen strehë në shtëpinë e një familjeje myslimane shqiptare. Kryefamiljari, Nuredin Doka, përballet me një zgjedhje të vështirë: të rrezikojë jetën e familjes së tij për të shpëtuar një fëmijë të panjohur apo të shkelë besën.Në rolet kryesore interpretojnë Edon Rizvanolli, Alban Ukaj, Xhejlane Tërbunja, Selman Jusufi, Nikola Ristanovski dhe Elez Adžović.
Në konferencën për media në Tiranë ishte i pranishëm regjisori Nikola Vukčević, si dhe përfaqësuesja e Ambasadës së Malit të Zi, Esmira Beqoviq, e cila theksoi rëndësinë e kësaj premiere në kuadër të 20-vjetorit të pavarësisë së Malit të Zi.Regjisori u shpreh se filmi ka vendosur rekord në shitjen e biletave në Mal të Zi dhe se historia e tij përcjell mesazhe të forta për pranimin e tjetrit dhe bashkëjetesën, duke shtuar se pret që edhe publiku shqiptar ta mirëpresë ngrohtësisht.
Pas shfaqjeve në Tiranë dhe Prishtinë, filmi do të vijojë rrugëtimin e tij në Beograd dhe Podgoricë.