John Travolta refuzoi rolin e Forrest Gump dhe Jack Nicholson e konsideroi të pamundur të luajë rolin e një burri sicilian pa qenë me prejardhje siciliane, kjo është arsyeja pse Al Pacino e mori rolin e Michael Corleone. Prandaj këta aktorë arritën të shkëlqejnë në disa role që ua sollën atyre suksesin dhe famën. Megjithatë, nganjëherë gjërat rezultojnë ndryshe dhe prishja e një roli shkatërron të gjitha shpresat për një karrierë të ndritshme.
Emily Browning — Bella Swan, Twilight
Sot është e vështirë të imagjinoni dikë tjetër në rolin kryesor në “Twilight” para Kristen Stewart. Sidoqoftë, fillimisht si kandidate për këtë rol ishte Emily Browning. Nëse do të ndodhte kjo, roli i Bella Swan do të ishte ndryshe.
Por Browning e refuzoi këtë rol. Aktorja tha më vonë se nuk u bë pishman që e mori këtë vendim sepse aktorët që luanin në këtë film u bënë jashtëzakonisht të suksseshëm dhe të famshëm, por kjo nuk ishte gati për të.
Josh Hartnett — Superman and Batman
Josh Hartnett e refuzoi rolin e “Batman-it dhe Superman-it”. Aktori tha se ky vendim ishte korrekt dhe madje më i duhuri që ka marrë ndonjëherë. Josh nuk donte të bëhej peng i roleve stereotipe dhe kjo është arsyeja pse nuk e konsideroi këtë bashkëpunim.
Matthew Broderick — Walter White, Breaking Bad
Prodhuesit e filmit “The Breaking Bad” shpresuan se Matthew Broderick do të pranojë të luajë rolin kryesor në projektin e tyre. Por ai refuzoi këtë ofertë dhe prodhuesit e filmit gjetën dikë tjetër për atë rol. Bryan Cranston mori këtë rol dhe e bëri më të mirën.
Pas kësaj, Broderick shkëlqeu në disa filma, por nuk i sollën shumë sukses.
Për fansat e tij, Laurence Fishburne mbeti Morpheusi nga filmi “The Matrix” për disa vjet. Kur Quentin Tarantino ishte duke punuar në “Pulp Fiction”, ai e ftoi aktorin Laurence të luante në rolin e Jules Winnfield, por ai e refuzoi ofertën.
Këtë rol e pranoi Samuel L.Jackson dhe e mori çmimin BAFTA për aktorin më të mirë në rol dytësor.
Jennifer Love Hewitt — Prue Halliwell, Charmed
Kur aktorja Shannen Doherty u largua nga projekti “Charmed” në fund të sezonit të 3-të, prodhuesit e filmit u hutuan rreth fatit të personazhit të saj, Prue Halliwell. Jennifer Love Hewitt ishte e ftuar të provonte veten në këtë rol. Sidoqoftë, aktorja refuzoi të luante në serial. Tiffani Thiessen, e cila mori të njëjtin propozim, gjithashtu refuzoi rolin. Përfundimisht, u vendos që Prue Halliwell të hiqet nga lista e personazheve të serialit.
Ja Rule — Tej Parker, The Fast and the Furious
Reperi Ja Rule bëri një paraqitje në pjesën e parë të “The Fast and the Furious”. Gjatë xhirimeve të “2 Fast 2 Furious”, regjisori John Singleton e deshi atë në kastën e aktorëve, por ai e refuzoi rolin. Përfundimisht, Ja refuzoi pagën prej gjysmë milion dollarësh, por ai nuk hoqi dorë nga ambiciet e tij të aktrimit./UBTNews
Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka përfunduar verifikimin e pronësisë së oborrit të saj dhe ka paralajmëruar se së shpejti do të nisë lirimin e hapësirave të uzurpuara prej shumë vitesh, duke rrënuar objektet e ndërtuara pa leje.
Ky hap vjen pas punës së një komisioni të posaçëm të formuar në mars të këtij viti, i cili në bashkëpunim me Drejtorinë e Kadastrit të Komunës së Prishtinës, përmes ortofotove dhe planeve kadastrale, ka vërtetuar gjendjen pronësore. “Sipas të dhënave kadastrale, brenda oborrit të QKUK-së nuk figuron asnjë pronë private”, thuhet në njoftimin zyrtar të këtij institucioni.
Para marrjes së vendimit për ndërhyrje, institucioni u ka dërguar dy njoftime zyrtare shfrytëzuesve të lokaleve afariste dhe kioskave që veprojnë brenda këtij perimetri, duke kërkuar dëshmi mbi bazën ligjore të shfrytëzimit të hapësirave.
Megjithatë, nga QKUK-ja bëhet e ditur se asnjëri prej shfrytëzuesve nuk ka paraqitur certifikatë pronësie apo dëshmi se objekti është në proces legalizimi, ndërsa dokumentet e dorëzuara kanë rezultuar të jenë kontrata të skaduara dhe aktvendime të paregjistruara në kadastër.
Procesi i lirimit të këtyre hapësirave ka marrë mbështetje edhe në terren nga Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), i cili gjatë inspektimeve të ditëve të fundit i ka vërtetuar të njëjtat gjetje.
“Me konfirmimet kadastrale dhe rekomandimet zyrtare si nga Inspektorati Komunal, ashtu edhe nga ai i MMPHI-së, menaxhmenti i QKUK-së tashmë ka në dorë të gjitha instrumentet ligjore dhe do t’i përdorë për t’ua kthyer pacientëve e qytetarëve pronën publike”, ka theksuar ky institucion. /E.A/
Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike (KEDS) ka njoftuar se, përkundër erërave të fuqishme që shkaktuan dëmtime në rrjetin shpërndarës, furnizimi me energji elektrike është normalizuar për rreth 80 për qind të konsumatorëve të prekur brenda tri orëve të para pas qetësimit të motit.
Ndër zonat më të prekura nga moti i ligë kanë qenë Prishtina, Gjakova, Dragashi, Prizreni, Suhareka, Kamenica, Gjilani, Kaçaniku, Lipjani, Shtimja, Drenasi, Obiliqi, Fushë Kosova, Podujeva dhe Ferizaj.
Sipas KEDS-it, paralelisht me rikthimin e energjisë për shumicën e konsumatorëve, janë lokalizuar defektet në shtylla dhe përçues në pothuajse të gjitha pikat e rrjetit ku janë evidentuar dëmtime.
Ekipet në terren po vazhdojnë punën intensive për sanimin e plotë të problemeve dhe rikthimin e rregullt të furnizimit për të gjithë konsumatorët./E.A/
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur të premten aktgjykimin dënues ndaj Ilir dhe Rrahim Abdullahut, duke i dënuar me nga 18 vjet burgim secilin për vrasjen e zyrtarit policor, Triumf Riza. Kryetari i trupit gjykues, Avni Syla, bëri të ditur se gjykata i shpalli të akuzuarit fajtorë për kryerjen në bashkëkryerje të veprës penale “Vrasje e rëndë”, bazuar në aktakuzën e Prokurorisë Speciale.
Sipas vendimit të gjykatës, Ilir Abdullahut i është vazhduar masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, ndërsa e njëjta masë e paraburgimit i është caktuar edhe Rrahim Abdullahut. Gjatë seancës së shpalljes së vendimit, në sallë ishte i pranishëm vetëm i akuzuari Ilir Abdullahu i shoqëruar nga avokati i tij, Ramë Dreshaj, ndërsa Rrahim Abdullahu mungoi dhe u përfaqësua nga avokatja Agnesa Salihu. Në seancë mungoi po ashtu edhe prokurorja e rastit, Arbëresha Shala.
Zyrtari policor Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007 në lagjen “Dardania” në Prishtinë. /Ekonomia Online/
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka shprehur shqetësimin për mënyrën se si po shfrytëzohet kapitali i diasporës në vend, duke vlerësuar se dërgesat e mërgimtarëve po mbeten kryesisht të orientuara drejt shpenzimeve të përditshme dhe sektorit të ndërtimit, në vend se të kanalizohen në zhvillimin e industrisë dhe prodhimit vendor.
Sipas një vlerësimi të kësaj organizate, gjatë periudhës nga viti 2021 deri në qershor të vitit 2026, Kosova ka pranuar gjithsej rreth 7.16 miliardë euro remitanca, prej të cilave rreth 80 për qind ose afro 5.73 miliardë euro janë shpenzuar në konsum, patundshmëri dhe ndërtim. Ndërkohë, vetëm 2 për qind e këtij kapitali, që përkthehet në rreth 143 milionë euro, është investuar në biznes, industri dhe prodhim, kurse 18 për qind e mbetur ka shkuar në destinime të tjera.
Të dhënat e prezantuara nga AKB-ja tregojnë një trend të vazhdueshëm të rritjes së dërgesave të diasporës ndër vite, duke filluar nga 1.15 miliardë euro në vitin 2021, 1.22 miliardë euro në vitin 2022, 1.33 miliardë euro në vitin 2023 dhe 1.35 miliardë euro në vitin 2024.
Kjo rritje ka vazhduar edhe në vitin 2025, kur remitancat arritën në 1.4 miliardë euro, ndërsa vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026 në vend kanë hyrë rreth 690.7 milionë euro. Pavarësisht këtij potenciali të lartë financiar, AKB-ja vlerëson se këto mjete nuk po arrijnë të shndërrohen në motor të zhvillimit ekonomik përmes hapjes së fabrikave të reja apo rritjes së eksporteve.
Për ta ndryshuar këtë gjendje, AKB-ja i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të hartojë një strategji të posaçme për orientimin e kapitalit të mërgatës drejt sektorëve prodhues, teknologjisë dhe eksportit.
Kryetari i kësaj organizate, Agim Shahini, ka kërkuar nga institucionet që të krijojnë një klimë më të favorshme investuese përmes garantimit të sigurisë juridike, ofrimit të lehtësirave fiskale dhe zbatimit të politikave konkrete mbështetëse, duke theksuar se vendi ka nevojë për investime që gjenerojnë fabrika dhe vende të reja pune, e jo vetëm mjete për konsum. /E.A/