Shëndeti

Aktiviteti fizik, çelësi i suksesit

Studimi i kryer nga shkencëtarë në Britaninë e Madhe dhe Australi ka bërë disa zbulime interesante.

Published

on

Sa më shumë të reja zbulon shkenca për të jetuarit shëndetshëm, aq më shumë forcohet ideja se që të jesh në formë, mendërisht e fizikisht, duhet të lëvizësh sa më shumë. Sipas një studimi të kohëve të fundit, edhe nëse qëndron në karrige për një kohë të gjatë, pak orë ecje në javë do të mjaftonin për formë të mirë fizike.

Studimi i kryer nga shkencëtarë në Britaninë e Madhe dhe Australi ka bërë disa zbulime interesante. Pikë së pari, jo të gjitha mënyrat e të qëndruarit ulur sjellin të njëjtat pasoja.

“Ajo çka jemi duke bërë teksa jemi ulur, është e rëndësishme për studimin, sepse njerëzit thuajse kurrë nuk rrinë thjesht ulur, por janë duke bërë diçka tjetër në të njëjtën kohë. Ulen për të punuar, për të parë televizor, për t’i dhënë makinës dhe deri në njëfarë pike, ndikimi që ka të qëndruarit ulur te shëndeti varet edhe nga ajo çka jemi duke bërë paralelisht”, thonë studiuesit.

Këto studime tregojnë se të qenit i shëndetshëm ka më tepër lidhje me atë që bën pas një dite të gjatë ulur në karrige.

“Stili i të jetuarit ka shumë elemente, nuk është vetëm “të qëndruarit ulur”. Për ata që merren me aktivitet fizik madje, ky është ndoshta një detaj i dorës së dytë. Por nuk duhet të harrojmë se realiteti dëshmon se jo shumë njerëz janë fizikisht aktivë. Pjesa dërrmuese ushtrohet pak dhe është pak aktive.”

Studimi doli në përfundimin se qoftë edhe pak minuta ushtrime në javë veprojnë si kundërpeshë ndaj të qëndruarit ulur gjithë ditën.

“Duhet të theksojmë se ata që morën pjesë në këtë studim ishin punonjës zyre shumë aktivë fizikisht, që bënin afërsisht 45 minuta ecje në ditë. Kjo është shumë dhe ndoshta është pikërisht ky nivel i lartë aktiviteti fizik që i ka mbrojtur ata nga diabeti. Në këto raste, të qëndruarit ulur për shumë kohë nuk përbën më një poblem shqetësues”, citon VOA.

Grupi i shkencëtarëve doli në përfundimin se të ndejturit ulur nuk është problemi i vërtetë, por është mungesa e aktivitetit fizik ajo që vret përafërsisht pesë milionë njerëz në vit. Ndaj nëse do që të mbrosh shëndetin, sigurohu të lëvizësh në ato momente kur nuk je i detyruar të rrish ulur.

Shëndeti

Punoni shumë me kompjuter? Atëherë, ju duhet kjo vitaminë!

Published

on

Duke u fokusuar në ekranin e kompjuterit, sytë reagojnë ndaj pikave të ndritshme dhe të errëta. Ndaj ata që punojnë në kompjuter kanë nevojë për vitaminë A. Sytë harxhojnë rodopsinë, pigment fotosensitiv, që është i nevojshëm për të parë sa më mirë.

Vitamina A luan rol të rëndësishëm në prodhimin e rodopsinës.

Njerëzit të cilët duhet ta zvogëlojnë marrjen e yndyrave dhe kolesterolit, mund të hanë ushqim në të cilin ka më shumë beta-karotene.

Ato janë të pranishme në shumicën e perimeve, pastaj në pemët siç janë kumbullat e thata, pjepri, pjeshka dhe mango.

Këshilla për ata që punojnë në kompjuter:

– Ruani pjerrësinë e tastierës, kur lexoni dhe shkruani;

– Për të pasur një qëndrim të mirë, krijoni pjerrësinë në lexim ose shkrim, të ngjashme me bankat e shkollës. Pjerrësia duhet të jetë 20 gradë;

– Sfondi përtej ekranit të mos jetë asnjëherë krejt i errët. Të mos ketë reflekse në ekran kontrasti dhe drita e ekranit të rregullohen në vlera mesatare;

– Ekrani duhet të jetë rreth 50–60 cm larg syve;

– Mundësisht të përdoret filtër për ekranin kundër reflekseve;

– Të rrotullohen sytë në ambientin përreth ose të paktën çdo një orë të bëhet një pushim prej 15 minutash;

– Punoni me dritë natyrale sa më shumë. /UBT News/

 

Continue Reading

Shëndeti

Të përzierat dhe vjellja e mëngjesit: shkaqet dhe kur duhet të shqetësoheni

Published

on

Nga ndryshimet hormonale te problemet me tretjen, ja faktorët më të zakonshëm që mund të fshihen pas nauzesë së mëngjesit.

Nëse sapo keni hapur sytë e ndjeni përzierje ose keni nevojë të villni, pa e ditur shkakun, kjo lidhet me disa faktorë shëndetësorë. Mjekët theksojnë se simptomat e mëngjesit janë tregues të një gjendjeje themelore që meriton vëmendje, sidomos nëse përsëriten.

Sipas mjekes dr. Sonal Shah, ndjesia e përzierjes në mëngjes mund të lidhet me mungesën e gjumit, ankthin, ushqyerjen e parregullt apo gjendje tjera.

1. Dehidratimi

Trupi përbëhet nga ujë e çdo mungesë e tij reflektohet në shëndet. Dhimbjet e kokës, lodhja dhe të përzierat gjatë zgjimit janë shpesh sinjale të humbjes së tepërt të lëngjeve. Dietologia Eisling Moran thekson: “Të përzierat dhe të vjellat mund të krijojnë një cikël të mbyllur me dehidratimin, një gjendje që jo vetëm shkaktohet nga humbja e lëngjeve, por edhe e përkeqëson atë”. Një gotë ujë menjëherë pas zgjimit mund të ndihmojë në thyerjen e këtij cikli.

2. Lodhja dhe mungesa e gjumit

Mungesa kronike e gjumit çrregullon ritmet cirkadiane e shkakton rraskapitje, e cila manifestohet me të përziera. Gjumi i pamjaftueshëm ndikon në sistemin nervor, duke rritur irritueshmërinë, ulur përqendrimin dhe ngadalësuar tretjen, një kombinim që e bën më të lehtë shfaqjen e simptomave në mëngjes.

3. Ankthi dhe stresi

Një shkak i zakonshëm i nauzesë së mëngjesit, sidomos kur shoqërohet me ndryshime hormonale. Anxiety UK raporton se rreth 98% e grave përjetojnë ankth gjatë menopauzës, për shkak të luhatjeve të estrogjenit dhe kortizolit. Stresi aktivizon sistemin nervor simpatik, që ngadalëson tretjen e shkaktojë të përziera.

4. Hipoglikemia (sheqeri i ulët në gjak)

Kur niveli i glukozës bie nën normë, trupi nuk ka mjaftueshëm energji për proceset bazë, duke përfshirë funksionin e trurit. Kjo gjendje prek personat me diabet që marrin insulinë, por mund të ndodhë edhe tek të tjerët pas periudhave të agjërimit, konsumit të tepërt të alkoolit ose ushqyerjes së pamjaftueshme në darkë. Simptomat përfshijnë djersitje, dridhje, konfuzion dhe përzierje.

5. Çekuilibri hormonal

Kortizoli, i njohur si “hormoni i stresit”, natyrshëm është më i lartë në mëngjes, por nivelet jonormale shkaktojnë të përziera. Dietologia Claire Barnes shpjegon se çekuilibri i hormoneve ndikon në tretje, oreks dhe gjendjen emocionale. Përveç kortizolit, edhe hormonet e tiroides dhe estrogjeni luajnë rol.

6. Kapsllëku dhe çrregullimet e tretjes

Kapsllëku i zgjatur shkakton grumbullim toksinash, duke ushtruar presion në stomak e rritur gjasat për nauze. Konsumi i tepërt i alkoolit përkeqëson situatën duke irrituar mukozën e stomakut dhe zorrëve. Profesori David Nut thekson se simptomat mund të variojnë nga fryrja e barkut deri tek të vjellat e mëngjesit.

7. Refluksi gastroezofageal (GERD)

Kur acidi i stomakut ngjitet drejt ezofagut, krijon ndjesi djegieje, shije të thartë dhe të përziera. Teoritë më të reja sugjerojnë se shpesh nuk është teprica, por mungesa e acidit në stomak që shkakton këto simptoma. Nivelet e ulëta të acidit mund të dobësojnë tretjen dhe përthithjen e vitaminave e mineraleve si B12, folatet, hekuri, magnezi dhe zinku, duke ndikuar indirekt në ekuilibrin hormonal dhe mirëqenien e përgjithshme.

8. Shtatzënia

Të përzierat e mëngjesit është ndër shenjat më të hershme të shtatzënisë. Rreth 80% e grave përjetojnë të vjella në tremujorin e parë, më shpesh ndër javën e katërt e të nëntë. Edhe pse nuk është e rrezikshme në shumicën e rasteve, nauza e rëndë e shtatzënisë (hyperemesis gravidarum) kërkon vlerësim mjekësor.

Kur duhet të shqetësoheni?

Nëse të përzierat e mëngjesit shoqërohen me humbje peshe të pajustifikuar, dhimbje të forta barku, të vjella me gjak ose marramendje të theksuar, është e rëndësishme të kërkoni ndihmë mjekësore. Shkaqet mund të variojnë nga çrregullime të lehta të tretjes deri tek gjendje serioze që kërkojnë trajtim të shpejtë.

Continue Reading

Shëndeti

Studimet: Alzheimeri mund të fillojë jashtë trurit!

Published

on

Për të gjetur një kurë për sëmundjen e Alzheimerit, shkencëtarët duhet të kuptojnë si dhe ku fillon kjo sëmundje. Një studim i ri i bërë në SHBA dhe Gjermani sugjeron se shkencëtarët deri më tash mund të kenë kërkuar në vendin e gabuar, ka raportuar Science Alert.

Studimi, që është publikuar në revistën shkencore “Neuron”, ka treguar se rreziku gjenetik për Alzheimerin dhe sëmundje tjera të trurit është i lidhur me barrierën gjak-tru, një sistem mbrojtës që përfshin enët e gjakut dhe qelizat imunitare që rrethojnë dhe mbrojnë trurin.

Alzheimeri është shoqëruar me grumbullime të proteinave jonormale që dëmtojnë neuronet në tru, ky studim sugjeron se shkaktari fillestar i sëmundjes mund të vijë nga jashtë, duke kaluar përmes barrierës së dëmtuar të trurit.

“Kur studiojmë sëmundjet e trurit, shumica e kërkimeve janë përqendruar te neuronet. Shpresoj që zbulimet të nxisin  interes për qelizat që formojnë kufijtë e trurit, mund të jenë thelbësore në sëmundje si Alzheimeri” tha Andrew Yang, neuroshkencëtar nga Gladstone Institute of Neurological Disease në Kaliforni.

Shkencëtarët përdorën një teknologji të re të quajtur MultiVINE-seq, që analizon qelizat vaskulare dhe imunitare në tru, duke matur aktivitetin e tyre gjenetik dhe qasjen në kromatinën e ADN-së (pra, sa “e hapur” është ADN-ja për t’u përdorur nga qeliza).

Ata kanë studiuar 30 mostra të trurit post-mortem, nga njerëz me e pa sëmundje neurologjike. Shumica e varianteve gjenetike ndodhen jo në vetë gjenet, por në zonat përreth tyre, që kontrollojnë si veprojnë gjenet.

Këto variante ndodhen në qelizat në kufirin e trurit, si: qelizat endoteliale, që kontrollojnë hyrjen në tru dhe qelizat imunitare T, që ndihmojnë në mbrojtje.

Disa variante sugjerojnë se qelizat imunitare inflamatore mund të nxisin ose përshpejtojnë Alzheimerin.

“Deri tani e dinim që këto variante gjenetike rrisnin rrezikun për sëmundjen, por nuk dinim ku dhe si vepronin. Studimi ynë tregon që shumë prej tyre veprojnë pikërisht në enët e gjakut dhe në qelizat imunitare të trurit”, ka thënë Madigan Reid, një tjetër neuroshkencëtare nga Gladstone Institute.

Ky zbulim, ka theksuar rëndësinë e sistemit imunitar dhe enëve të gjakut, jo vetëm të trurit, në zhvillimin e sëmundjeve neurodegjenerative si Alzheimeri.

Studimet e mëparshme kanë sugjeruar që Alzheimeri lidhet me inflamacion në trup, komunikim të dobët mes trupit dhe trurit si dhe çrregullime të sistemit imunitar. Doktorët kanë konstatuar se kanë prova më të forta që mbrojtja e trurit nga “jashtë” mund të jetë po aq e rëndësishme sa ajo që ndodh brenda tij.

Studimi jo vetëm që hap rrugë për ilaçe të reja që synojnë barrierën gjak-tru, por sugjeron që ka ndërhyrje në stilin e jetesës që ndihmojnë në ruajtjen e integritetit të trurit.

“Kjo punë i vendos qelizat vaskulare dhe imunitare të trurit në qendër të vëmendjes. Duke pasur parasysh rolin e tyre unik në lidhjen e trurit me trupin dhe botën e jashtme, puna jonë mund të çojë në mënyra të reja për të mbrojtur trurin, nga jashtë brenda”, ka thënë Andrew Yang.

Continue Reading

Shëndeti

Pulsimi i veshëve; Pse ndodh dhe si ta largoni?

Published

on

Veshët njëjtë si sytë janë ndër pjesët më të rëndësishme të trupit. Mjafton që njëri prej tyre të dhembë e ndjesia është e padurueshme e stresuese për të gjithë organizmin.

Gjatë jetës njerëzit mund t’i përjetojnë këto dhimbje e sidomos në mosha të vogla, është vënë re edhe një tjetër lloj gjendje që krijohet tek veshët.

Quhet pulsimi, zhurma apo tringëllima e veshit, shpesh njerëzit ankohen se veshët zhurmojnë vazhdimisht, duke mos e kuptuar shkakun e kësaj gjendje.

Përse ndodh dhe si mund ta largoni lehtë?

Nëse ju pulson njëri apo të dy veshët shkaqet me shumë gjasë janë të njëjtat e fshihen thellë në organizmin tuaj, kjo gjendje vazhdon me ditë e muaj të tërë e madje kthehet në një stres të vazhdueshëm. Intensiteti më i madh i zhurmës ndihet kur shtriheni për të fjetur.

Arsyet kryesore se përse kjo gjendje zhvillohet fillojnë që nga presioni i lartë i gjakut, problemet me venat, anemia apo arterioskleroza.

Problemet me enët apo venat e gjakut mund të prekin shumë njerëz duke bërë që qarkullimi i gjakut të mos jetë i mirë.

Kështu venat që kalojnë pranë veshit dhe çojnë gjakun në tru, krijojnë zhurmë për shkak se mund të jenë të dëmtuara ose me probleme.

Presioni i lartë i gjakut ose tensioni i lartë është një tjetër arsye.

Kur gjaku lëviz me shpejtësi, zhurma do të jetë e pranishme. Kjo mund të vijë nga sëmundje të ndryshme që shkaktojnë hipertension ose gjatë periudhave të stresit, abuzimit me alkoolin apo kafeinën. Anemia ose tiroidja hiperaktive bëjnë që gjaku të lëvizë shpejt në trup, duke shkaktuar zhurma tek venat që kalojnë pranë veshëve tuaj.

Arterioskleroza njihet si sëmundja që i bllokon arteriet dhe enët e gjakut duke i bërë ato më pak fleksibël, gjaku që kalon tek veshi i mesit, lëviz me vështirësi dhe me forcë duke bërë që të ndjeni zhurmë tek të dy veshët. Një tjetër arsye mund të jenë edhe tumoret e kokës apo të qafës.

Efektet anësore

Pulsimi apo tringëllimi i veshëve mund të kthehet në një problem të vërtetë për këdo që e përjeton, pasi mund të shkaktojë një sërë efektesh tjera anësore.

Duke filluar nga dhimbja e kokës, marramendja, të përzierat, stres, probleme me shikimin apo humbje të dëgjimit.

Si ta ndaloni?

Nëse kjo zhurmë e fortë dhe vazhdon për javë e muaj me radhë duhet të konsultoheni me një specialist, sepse nën këtë rrahje të veshit mund të fshihen një sërë sëmundjesh të tjera. Mundohuni të gjeni shkakun në mënyrë që zhurma të pushojë gradualisht.

Gjithashtu kur shtriheni për të fjetur mundohuni që të fokusoheni tek një zhurmë tjetër e jashtme.

Mjekët sugjerojnë disa makineri të posaçme, të cilat përdoren për të gjeneruar një zhurmë të lehtë në dhomën tuaj, në mënyrë që të harroni zhurmën e veshit

Continue Reading

Të kërkuara