Të rinjtë dhe talentet e reja të fushës së filmit, aktrimit, produksionit dhe industrive kreative patën mundësinë të njihen nga afër me perspektivat e zhvillimit profesional në industrinë ndërkombëtare të filmit, gjatë sesionit informues Hollywood Meets Kosovo, të mbajtur në UBT.

Në kuadër të këtij sesioni u prezantua programi “Hollywood 101”, i cili po ofrohet në Kosovë përmes bashkëpunimit të UBT-së me Catalyst Story Institute, institucion amerikan i fokusuar në zhvillimin e talenteve dhe përgatitjen profesionale për industrinë e filmit dhe televizionit.
Gjatë takimit, pjesëmarrësit u njohën me mënyrën e funksionimit të industrisë së Hollywood-it, mundësitë e karrierës dhe kompetencat që kërkohen për t’u bërë pjesë e produksioneve filmike dhe televizive në nivel ndërkombëtar.
Programi “Hollywood 101” zgjat 13 javë dhe përfshin një gamë të gjerë temash praktike, duke nisur nga struktura e industrisë së filmit dhe televizionit, zhvillimi i projekteve dhe proceset kreative, deri te audicionet, intervistat, dokumentacioni profesional, kontratat dhe aspektet e biznesit të industrisë.
Pjesëmarrësit do të njihen gjithashtu me rregullat e sigurisë në set, strukturën e buxheteve, pagesat dhe terminologjinë profesionale të përdorur në produksionet filmike dhe televizive.
Një rëndësi e veçantë iu kushtua mundësive të specializimit profesional. Pas përfundimit të programit, pjesëmarrësit mund të orientohen në fusha të ndryshme të industrisë kreative, përfshirë aktrimin, skenarin, regjisë, kinematografinë, montazhin, animacionin, produksionin, menaxhimin e biznesit dhe profesionet teknike të produksionit.
Në kuadër të bashkëpunimit parashihen edhe mundësi për mentorim dhe rrjetëzim profesional, ndërsa talentet më të dalluara mund të kenë mundësi të përfitojnë edhe nga iniciativa dhe grante zhvillimore të lidhura me partnerët e projektit.
Përmes kësaj nisme, UBT synon të krijojë ura të reja ndërmjet talenteve të reja në Kosovë dhe industrisë ndërkombëtare të filmit, duke u ofruar atyre njohuri praktike, orientim profesional dhe mundësi për të zhvilluar karrierën në një prej industrive më dinamike dhe konkurruese në botë.
Aplikimet për programin “Hollywood 101” janë të hapura, duke u ofruar të rinjve të interesuar mundësinë për të nisur një rrugëtim të ri profesional në industrinë kreative.