Lajmet

AKB kërkon transparencë për pagën minimale 500 euro

Published

on

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka shprehur mbështetje parimore për rritjen e pagës minimale në 500 euro, por ka kërkuar nga Qeveria transparencë lidhur me analizat ekonomike dhe sociale që kanë paraprirë këtë vendim.

AKB, përmes një reagimi, ka thënë se rritja e pagave dhe përmirësimi i mirëqenies së punëtorëve janë në interes të ekonomisë, por ka ngritur shqetësime për mënyrën se si është vendosur dhe zbatuar paga minimale prej 500 eurosh.

“AKB e mbështet parimisht rritjen e pagave dhe përmirësimin e mirëqenies së punëtorëve në Kosovë. Megjithatë, AKB shpreh shqetësim serioz për mënyrën se si është vendosur dhe zbatuar paga minimale prej 500 euro, pa një dialog të plotë institucional me partnerët socialë dhe pa transparencë të mjaftueshme lidhur me analizat ekonomike, sociale dhe ligjore”, thuhet në reagim.

Sipas AKB-së, Qeveria duhet të publikojë analizat mbi të cilat është përcaktuar niveli i pagës minimale, përfshirë ndikimin në punësim, bizneset e vogla, konkurrueshmërinë dhe informalitetin.

“Ku është analiza e kostos së jetesës mbi bazën e së cilës është përcaktuar niveli prej 500 euro? Ku është analiza e ndikimit në punësim dhe papunësi? Ku është analiza e ndikimit te mikro, bizneset e vogla dhe ndërmarrjet e mesme?”, pyet AKB-ja.

Organizata e bizneseve ka paralajmëruar se rritja e kostos së punës, nëse nuk shoqërohet me masa të tjera ekonomike, mund të ndikojë në punësimin formal dhe qëndrueshmërinë e bizneseve.

Sipas saj, ndër pasojat e mundshme janë “zvogëlimi i vendeve të punës, mosdeklarimi i plotë i pagave, rritja e punësimit informal, zgjerimi i ekonomisë gri, mbyllja e mikro-bizneseve, rritja e çmimeve” dhe dobësimi i konkurrueshmërisë.

Në këtë kuadër, AKB i ka propozuar Qeverisë krijimin e një “Pakete 500+ për Punësim Formal”, e cila do të përfshinte lehtësime tatimore, ulje të kostos së punës për bizneset e vogla, subvencione për punësimin e të rinjve dhe kategorive të rrezikuara, si dhe mbështetje për bizneset që formalizojnë punëtorët.

AKB ka kërkuar gjithashtu masa për luftimin e ekonomisë informale, mbështetje për digjitalizimin dhe rritjen e produktivitetit, si dhe krijimin e një mekanizmi të përhershëm të dialogut social ndërmjet Qeverisë, punëdhënësve dhe punëtorëve.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, ka thënë se Kosova ka nevojë për paga më të larta, por edhe për biznese më të qëndrueshme.

“Paga 500 euro është e mirë për punëtorin. Por paga 500 euro pa biznes të qëndrueshëm, pa produktivitet më të lartë, pa lehtësime fiskale dhe pa dialog social mund të shndërrohet në problem për vetë punëtorin”, ka deklaruar Shahini.

Ai ka theksuar se AKB-ja nuk e kundërshton rritjen e pagave, por mënyrën e vendimmarrjes.

“Ne nuk e kundërshtojmë rritjen e pagave. Ne kundërshtojmë mënyrën kur një vendim kaq i rëndësishëm për ekonominë merret pa transparencë të plotë mbi analizat, pa dialog të mjaftueshëm me partnerët socialë dhe pa një paketë ekonomike që e mbron punësimin”, ka thënë Shahini.

Sipas tij, Qeveria duhet të publikojë analizat dhe procedurat, si dhe të ulet në dialog me përfaqësuesit e bizneseve dhe punëtorëve për të gjetur masa që do ta bëjnë të qëndrueshme pagën minimale prej 500 eurosh./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Nga roje sigurie në model, 24-vjeçari bëhet viral gjatë Javës së Modës në Londër

Published

on

Një ditë e zakonshme pune gjatë Javës së Modës në Londër ndryshoi papritur jetën e 24-vjeçarit Soufian Boucetta, i cili po punonte si roje sigurie në një sfilatë të stilistes Simone Rocha.

Boucetta, me origjinë nga Girona e Spanjës dhe që jeton në Londër, tërhoqi vëmendjen e të pranishmëve për pamjen e tij. Një prej tyre publikoi një video të tij në rrjetet sociale, duke shkruar me shaka se koleksioni ishte i bukur, por vëmendjen e kishte marrë roja i sigurisë. Videoja u bë shpejt virale dhe mori më shumë se 900 mijë shikime.

Boucetta ka treguar se gjatë kohës që ishte në punë kishte vënë re se njerëzit po e shikonin, por nuk e kishte imagjinuar se dikush do ta publikonte në Instagram. Kur përfundoi ndërrimin dhe u kthye në shtëpi, zbuloi se videoja ishte shpërndarë gjerësisht.

Pas suksesit të videos, ai mori oferta dhe interesim nga agjenci modelingu në Milano, Paris dhe Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, vendosi të qëndrojë në Britani dhe nënshkroi kontratë me agjencinë londineze PRM.

Para se të punonte në sektorin e sigurimit, Boucetta ishte marrë me ndërtimtari. Gjatë punës si roje sigurie kishte pasur mundësi të punonte edhe me figura të njohura ndërkombëtare, përfshirë Rihanna-n, Dwayne “The Rock” Johnson, Jason Statham dhe Aaron Pierre.

Edhe pse vazhdon të punojë herë pas here në sektorin e sigurisë, 24-vjeçari tashmë ka nisur përgatitjet për karrierën e re. Ai po ushtron ecjen në pasarelë dhe ka realizuar setet e para profesionale fotografike, ndërsa synon që në të ardhmen t’i përkushtohet plotësisht modelingut.

Boucetta ka treguar se gjatë viteve shpesh kishte marrë komente nga njerëzit për gjatësinë dhe pamjen e tij, madje thotë se disa herë deri në 15 persona në ditë i kishin sugjeruar të merrej me modeling.

Ajo që nisi si një video e publikuar rastësisht gjatë një dite pune, tashmë i ka hapur një kapitull të ri në karrierë. Boucetta thotë se është i emocionuar për botën e modelingut dhe për mundësitë që mund t’i sjellë kjo kthesë e papritur./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Ermonela Jaho në Prishtinë, sonte mbahet edicioni i nëntë i “Ta Zbardhi Ftyrën”

Published

on

Sopranoja e njohur shqiptare Ermonela Jaho do të jetë figura qendrore e edicionit të nëntë të mbrëmjes artistike “Ta Zbardhi Ftyrën”, organizuar nga gazeta online për art dhe kulturë KultPlus.

Mbrëmja do të mbahet sonte, më 6 tetor, nga ora 20:00, në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë. Jaho do të shoqërohet nga pianistja e njohur Lule Elezi. <Link url=”https://kultplus.com/ardiane-pajaziti-edicioni-i-nente-i-ta-zbardhi-ftyren-me-sopranon-e-famshme-ermonela-jaho/” title=”Burimi: KultPlus”/>

Programi do të zhvillohet në dy pjesë. Fillimisht, Jaho do të bashkëbisedojë me publikun për rrugëtimin e saj artistik, sfidat dhe sukseset në skenën ndërkombëtare të operës, ndërsa pjesa e dytë do t’i kushtohet performancës së saj.

Në këtë mbrëmje do të prezantohet edhe talentja e re Anna Krasniqi, e cila do të performojë nën përcjelljen e pianistes Lule Elezi.

Drejtoresha e KultPlus, Ardianë Pajaziti, ka thënë se përgatitjet për aktivitetin janë drejt përfundimit dhe se pjesëmarrja e sopranos Jaho përbën një moment të veçantë për këtë edicion.

Gjatë nëntë viteve, në kuadër të “Ta Zbardhi Ftyrën” janë prezantuar artistë të njohur, përfshirë Sislej Xhafën, Imer Kutllovcin, Flaka Gorancin, Erza Muqollin, Gjon’s Tears, Gëzim Myshketën, Elbenita Kajtazin, Enon Pecin dhe Blenard Azizajn.

Mbrëmja organizohet nga KultPlus dhe mbështetet nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit, Ministria e Punëve të Jashtme, Universiteti i Prishtinës, PriBank dhe Radio Televizioni i Kosovës. Aktiviteti do të transmetohet drejtpërdrejt në RTK./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet në Skënderaj i kërkuari për krime lufte ndaj popullatës civile

Published

on

By

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të kërkuar për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”, lidhur me ngjarjet e ndodhura gjatë periudhës maj-qershor të vitit 1998 në rajonin e Skënderajt.

Arrestimi i të dyshuarit  erdhi pas një pune të jashtëzakonshme hetimore nga njësitë përkatëse policore.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë, me urdhër të prokurorit të rastit, i dyshuari është dërguar menjëherë në mbajtje për procedo të mëtejshme ligjore. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Gjendet pa shenja jete një grua në Podujevë

Published

on

By

Policia e Kosovës ka nisur hetimet për vdekjen e një gruaje, trupi i së cilës është gjetur pa shenja jete pasditën e së dielës në Podujevë.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë, ngjarja është raportuar rreth orës 18:30. Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë njësitë përkatëse policore për të kryer ekzaminimet e nevojshme.

Me vendim të prokurorit kujdestar, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion, me qëllim zbardhjen e shkaqeve të vdekjes. Rasti po trajtohet nga organet e rendit si “Hetim mbi vdekjen”. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara