Në një ceremoni solemne të mbajtur në Kampusin Inovativ të UBT-së në Lipjan, u nderua xhudistja dhe studentja e UBT-së, Laura Fazliu, për suksesin historik në Lojërat Universitare Botërore “FISU 2025”, të mbajtura në Rhine-Ruhr të Gjermanisë, ku ajo fitoi medaljen e argjendtë të parën në histori për Kosovën në këtë kompeticion prestigjioz ndërkombëtar.
Në shenjë vlerësimi për suksesin e saj të jashtëzakonshëm, UBT i ndau Laurës një bursë të veçantë meritore, si dëshmi e përkushtimit të institucionit për të mbështetur talentet që dallohen në fusha të ndryshme sportive, akademike dhe shkencore.
Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi theksoi rëndësinë e këtij suksesi dhe rolin që luan institucioni në mbështetjen e studentëve.
“Ky është një moment krenarie për të gjithë ne. Suksesi i Laurës është dëshmi e potencialit të jashtëzakonshëm që kanë studentët tanë. Përkrahja e talenteve si Laura është mision i përhershëm i UBT-së”, tha rektori Hajrizi.
Gjatë fjalimit të saj, Laura shprehu emocionet dhe krenarinë për këtë arritje të madhe, duke theksuar rëndësinë që ka kjo medalje për vendin dhe për të gjithë të rinjtë që synojnë suksesin:
“Kjo medalje nuk është vetëm për mua është për Kosovën, për të rinjtë që ëndërrojnë dhe për çdo vajzë që beson se mund të arrijë majat. Jam krenare që përfaqësoj vendin tim dhe UBT-në në arenën botërore”, theksoi Laura.
Dekani i Fakultetit të Shkencave të Sportit dhe të Lëvizjes. Agron Thaçi, gjatë fjalës së tij, potencoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë mes fushës akademike dhe asaj sportive. Ai vuri në pah se suksesi i Laurës tregon se kur shkenca dhe sporti bashkëpunojnë, arrihen rezultate të jashtëzakonshme. Dekani gjithashtu nënvizoi nevojën për të krijuar lidhje më të forta mes institucioneve arsimore dhe sportit elitar për të mundësuar zhvillimin e sportistëve të talentuar në nivel të lartë.
Në ceremoni, trajneri i njohur i xhudos, Driton Kuka, theksoi se suksesi i Laurës është rezultat i punës së palodhshme, disiplinës së saj dhe mbështetjes së duhur, duke vlerësuar gjithashtu bashkëpunimin efikas me UBT-në si një faktor kyç në arritjen e këtij rezultati.
Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, e përshkroi medaljen e argjendtë si një pikë kthese për sportin universitar në Kosovë, duke theksuar rolin e Laurës si një ambasadore e vlerave të sportit dhe arsimit që frymëzojnë brezat e rinj.
Udhëheqësi i Federatës së Sporteve Universitare të Kosovës, Musa Selimi, theksoi se suksesi i Laurës është dëshmi që institucionet arsimore si UBT mund të jenë një faktor thelbësor në zhvillimin e sportit kombëtar dhe një shembull i mirë që duhet ndjekur dhe përsëritur.
Përmes kësaj ngjarjeje, UBT rikonfirmon misionin e saj për të fuqizuar të rinjtë, për të krijuar një ambient të përshtatshëm për zhvillimin e talenteve dhe për të ndërtuar ura mes akademisë dhe sportit në nivel vendor dhe ndërkombëtar./UBTNews

