Ish-trajneri legjendar i Arsenalit, Arsene Wenger, po shqyrton seriozisht mundësinë për të kandiduar për president të FIFA-s, përballë presidentit aktual Gianni Infantino, raporton “BBC”.
Për javë të tëra, figura të rëndësishme të futbollit evropian kanë shpresuar që francezi të hyjë në garën për këtë post, ndërsa tashmë Wenger po e konsideron seriozisht një hap të tillë.
Shefi i zhvillimit global të futbollit në FIFA thuhet se mund të ketë mbështetjen e UEFA-s, e cila ka qenë ndër kundërshtarët kryesorë të Infantinos. Për më tepër, Wenger gëzon respekt dhe besueshmëri në qarqet ndërkombëtare të futbollit.
Ndërkohë, pozita e Infantinos është vënë në pikëpyetje pas kritikave të shumta lidhur me planin e dështuar për shitjen e aksioneve të Kupës së Botës te investitorët privatë. Megjithatë, ai vazhdon të ketë mbështetje të konsiderueshme në Amerikën e Jugut, Afrikë dhe Azi.
Një nga çështjet që mund të ndikojë në kandidaturën e Wengerit është mosha e tij, pasi 77-vjeçari përballet me pikëpyetje rreth mundësisë për të ofruar udhëheqje afatgjatë. Sipas BBC-së, disa nga mbështetësit e tij do të ishin të kënaqur edhe nëse ai do të fitonte zgjedhjet dhe më pas do të tërhiqej para përfundimit të mandatit katërvjeçar.
Megjithatë, burime pranë francezit bëjnë të ditur se ai ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar, ndërsa Infantino vazhdon të konsiderohet favorit për të fituar një mandat të katërt në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.
Afati i fundit për paraqitjen e kandidaturave është 18 nëntori.
Wenger, ndërkohë, ishte distancuar nga plani për shitjen e aksioneve të Kupës së Botës, duke deklaruar se nuk kishte qenë i përfshirë në të dhe se për këtë projekt kishte mësuar përmes raportimeve në media.
Gjatë kohës së tij në FIFA, francezi ka nxitur disa debate me propozimet për organizimin e Kupës së Botës çdo dy vjet dhe ndryshimin e rregullit të pozitës jashtë loje.
D.L