Lajmet

Ahmeti kundër mbylljes së Prishtinës pa ndihmë për ekonominë

Published

on

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, deklaroi se është kundër mbylljes së Prishtinës, pa ndihmë për ekonominë. Ahmeti konsideron se mbyllja e Prishtinës, e kufijtë hapur s’ka asnjë efekt.

“Jo mbylljes së Prishtinës me statistika të paqëndrueshme! Jo mbylljes së ekonomisë, pa ndihmë për ekonominë! Po masave për ngadalësim të covid, por vetëm atyre që janë të arsyeshme dhe vërtetë ndikojnë në numra. Prishtina në zonë të kuqe, e kufijtë hapur është pa kurfarë efekti!”, shkroi ai në Twitter./UBTNews

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 5 qershor 1993-1998?

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

 

Foto: Qyteti që vuajti më së shumti tmerret e luftës në verë 1999 (Deçani sot)

 

5 qershor 1993

Shqiptarët nuk e pranojnë emrin Sllavomaqedoni

Në një udhëtim gjysmë sekret në Ohër, ku u takua me kryetarin e ish-Maqedonisë Gligorov, kryetari serb Milosheviq, u paraqit si ndërmjetës për të zgjidhur kontestin ndërmjet grekëve dhe maqedonasve rreth emrit që duhet ta ketë në të ardhmen kjo republikë. Ai propozoi si zgjidhje emrin Sllavomaqedoni, një zgjidhje, e cila tërthorazi u theksua si e pranueshme edhe nga grekët. Tandemi ballkanas, Micotakis-Milosheviq, provoi një kartë të re në lojën e tyre që po e zhvillojnë rreth Ballkanit. Megjithëse as grekët e as serbët nuk kanë ndonjë pjesë të theksuar të popullsisë se vet në Maqedoni, ata po tentojnë të jenë partnerë në çështjet e brendshme të kësaj Republike, pushteti i së cilës, shihet qart, po vazhdon të qëndrojë në pozitat e nacional-komunizmit.

Emri Sllavomaqedoni nuk mund të pranohet së paku nga 40 për qind e popullsisë së ish-republikës së Maqedonisë. Shqiptarët, që përbëjnë rreth 35 për qind të popullsisë, pastaj turqit, vllehët, grekët etj., nuk janë sllavë. Një parashenjë e një rrënje etnike nuk mund të jetë simbol i emrit të një shteti, i cili më së paku mund të jetë interes vetëm i sllavëve. Emri i ardhshëm i kësaj republike domosdo duhet të marrë parasysh multietnikumin e Maqedonisë. Shtetet multinacionale që kishin shenja entike, si Jugosllavia dhe Çekosllovakia u shkatërruan. Këto shtete i shkatërroi parashenja etnike, e cila ishte edhe parashenjë e hegjemonizmit të popullit më të madh mbi popullin më të vogël.

Emri Sllavomaqedoni do të kënaqte serbët dhe apetitet e jashtme pansllave, por do të ashpërsonte deri në konflikt raportet ndërmjet popullsisë me prejardhje sllave dhe atyre josllave. Një parashenjë me synime të qarta pansllave, e cila vjen me rekomandimin e nacional-komunistit Milosheviq, shkaktarit numër një i luftës në hapësirën e ish-Jugosllavisë, nuk është e pranueshmne as për pjesën tjetër të shqiptarëve dhe as për Shqipërinë. Zatën, në lojën serbo-greke, përkatësisht në propozimin e tyre më të ri, do parë tendencën për shkaktimin e konflikteve maqedono-shqiptare, duke pasur si pikënisje emrin. Konflikti do të thoshte shkatërrim i këtij shteti dhe përzierje e grekëve dhe serbëve në atë konflikt.

Milosheviqi arriti, si duket për një çast, të krijojë një dilemë shqetësimi te Gligorovi, i cili me status quon që ka krijuar, posaçërisht duke mos realizuar asgjë nga të drejtat e premtuara shqiptarëve, mund të çojë në shkatërrimin e një republike, e cila ende duket se po noton në një vakum, por është çështje sesa do të mund të zgjasë kjo.

Pushteti i tashëm maqedon duhet të ketë parasysh se Maqedonia nuk mund të mbahet si shtet, duke i mbrojtur interesat e Milosheviqit e të Serbisë, të Micotakisit dhe të Greqisë. Si shtet, ku jeton një numër kaq i madh i shqiptarëve, udhëheqësit maqedonë duhet të kenë parasysh se shqiptarët nuk do të pranojnë të trajtohen gjithmonë si qytetarë të rendit të dytë, pavvarësisht se disa pushtetarëve shqiptarë tani u bëhet se, tek janë ulur në kolltuqet e qeverisë apo të Kuvendit maqedon, mund t’i specifikojnë iluzionet e veta si iluzione të kombit të tyre në Maqedoni.

 

5 qershor 1995

Policia bllokoi tregjet dhe plaçkiti tregtarët shqiptarë në Gjilan e Podujevë

Forca të mëdha policore bllokuan të shtunën rreth mesditës tregun e Gjilanit dhe nga tregtarët shqiptarë plaçkitën sasi të madhe të mallit, njofton Komisioni për informim i Degës së LDK-së në Gjilan.

Ndryshe nga aksionet e mëhershme të plaçkitjes së tregtarëve shqiptarë, kur nga ata plaçkiteshin materiale të tekstilit dhe gjësende të tjera, kësaj here policët plaçkitën ç’u erdhi për dore, duke mos kursyer as shitësit e pemëve e perimeve, shitja e të cilave është e lejuar në treg.

Bëhet me dije se në këtë aksion, në dyqanin “Burimi”, pronë e Bejtë Zymberit, policët plaçkitën një kamion me mall, kryesisht patate, domate, lakra, speca, qershi, tranguj, etj., në vlerë prej rreth 2 mijë DM.

Në ndërmarrjen “Uka”, u plaçkit gjithashtu mall me vlerë rreth 2 mijë DM, në dyqanin “Ananas”, pronë e Luan Korçës, u plaçkit mall me vlerë prej 500 DM, ndërsa në lagjen “R. Sadiku”, nga një tregtar shqiptar, u plaçkit mall me vlerë rreth 2.500 DM.

Veç tregtarëve shqiptarë, në kët aksion, policët kontrolluan dhe plaçkitën edhe kalimtarët e rastit.

Komsioni për informim i Degës së LDK-së në Podujevë, njofton se edhe në Podujevë, ditën e shtunë, policia bllokoi tregun e qytetit dhe nga shitësit shqiptarë plaçkiti një sasi të madhe të mallit. Po këtë ditë, policia kontrolloi disa kafene në qytetin e Podujevës dhe legjitimoi një numër të madh qytetarësh.

Vlen të theksohet se të shtunave, që është ditë tregu, në Podujevë, vijnë një numër i madh tregtarësh serbë, të cilët mallin e tyre e ekspozojnë përgjatë rrugës kryesore dhe në vetë tregun e qytetit, por ata as policët e as inspektorët serbë nuk i pengojnë e as nuk ua marrin mallin.

 

5 qershor 1997

Dështoi një atentat ndaj Sali Berishës

Dje, pasdite rreth orës 18,20 gjatë një mitingu zgjedhor në fshatin Shkallnur në komunën e Rushbullit pati një tentativë atentat ndaj persidentit të Republikës së Shqipërisë, Sali Berishës, i cili dështoi në saje të kurajës, guximit dhe gatishmërisë të grupit të shoqërimit dhe të të pranishmëve. Mirëpo, një nga anëtarët e grupit të shoqërimit të presidentit u hodh për të kapur bombën qytetarët e tjerë e rrethuan presidentin dhe iu vunë në mbrojtje dhe u bënë mur në mbrojtje të jetës së tij.

Bomba e cila ishte në nivel me një rreze të madhe veprimi rrezikonte të merrte jetën e dhjetra të pranishmëve të cilët me një shpejtësi të admirueshme qëndruan deri në fund të mitingut për të treguar edhe njëhere vendosmërinë e tyre për demokraci.

Burimet e besueshme e të banorëve të zonës për rreth thanë se personi që kreu këtë vepër i përkiste qarqeve ekstremiste. Gjatë tërë kohës pastaj të këtij mitingu dëgjoheshin brohoritjet Sali Berisha, Sali Berisha.

 

 

5 qershor 1998

PREJ DATËS NË 29 MAJ NË DEÇAN:

52 shqiptarë të vrarë, 200 të zhdukur, 150 pengje, rreth 30. 000 të larguar nga shtëpitë

 

Prej datës 29 maj në komunën e Deçanit janë vrarë 52 shqiptarë, njoftoi sot kryetari i Komisionit për Informim në Degën e LDK-së në Deçan, Osman Cacaj.

  1. Cacaj, që mundi të paraqitej me informacionet më të reja vetëm pas një jave, i tha QIK-ut se nuk rreth 200 persona konsiderohen të zhdukur, ndërsa forcat serbe mbajnë peng rreth 150 vetë.

Sipas z. Cacaj dihen shumica e emrave të të vrarëve, të zhdukurve dhe të atyre që mbahen peng.

Janë djegë gati në tërësi fshatrat Lybeniq, Lloçan, Pograxhë e Hulaj, kurse pjesërisht janë djegë fshatrat Carrabreg i Epërm, Carrabreg i Ulët, Isniq, Drenoc, Sllup, Voksh dhe Drenoc.

Popullsia është larguar në tërësi nga qyteti i Deçanit dhe nga fshatrat Lybeniq, Strellc i Epërm, Carrabreg i Epërm, Carrabreg i Ulët, Lëbushë, Lloçan, Hulaj, Pograxhë, Voksh, Sllup, Drenoc, Junik, Jasiq, Gjocaj, Prejlep dhe Llukë e Epërme.

  1. Cacaj tha se gjendja në Deçan dhe rrethinë është shumë dramatike. Drejt Shqipërisë janë nisur 15. 000 deri 20. 000 njerëz, ndërsa drejt Malit të Zi rreth 15. 000 shqiptarë.

Në fshatrat prej nga është larguar popullsia, kanë mbetur të pavarrosur në vapën e madhe trupat e 45 të vrarëve. Për shkak të rrezikut nga snajperistët serbë, askush nuk guxon të tentojë t’i marrë kufomat.

Në disa fshatra nuk ka rrymë elektrike. Në fshatra ka edhe shumë kafshë të vrara dhe ekziston rreziku i përhapjes të epidemive.

  1. Cacaj tha se mbrëmë forcat serbe kanë shkaktuar dy incidente gjatë ekspeditave të tyre plaçkitëse. Në fshatin Strellc, një plak që ruante shtëpinë e vet, në përpjekje që të mbronte pasurinë e vet, vrau me bombë tre policë që ia kishin mësyrë shtëpisë së tij për ta plaçkitur. Njoftohet se tre policë të tjerë janë vrarë në fshatin Prejlep. Në këto dy aksione të mbrëmshme u plagosën dy shqiptarë.
  2. Cacaj u bëri thirrje institucioneve ndërkombëtare që të ndërhyjnë urgjentisht për ta shpëtuar pjesën e popullsisë që ka mbetur ende në fshatrat e komunës së Deçanit. Ai u bëri thirrje shoqatave humanitare, posaçërisht Kryqit të Kuq Ndërkombëtar dhe shoqatave të mjekëve që të ndihmojnë urgjentisht marrjen e kufomave të shqiptarëve të vrarë.

Ai tha se është shumë e madhe nevoja për për barna dhe ushqime në komunën e Deçanit.

 

Në Pobërgjë të Deçanit janë djegur të gjitha shtëpitë

Gjatë sulmit serb në fshatrat e Deçanit, një nga vemndbanimet që ka pësuar më së shumti është Pobërgja, ku janë djegur pothuaj të gjitha shtëpitë, ndërsa nuk ka njofitme të plotë për viktimat.

Në informatorin, për shkak të lidhjhes së dobët telefonike, emri i Pobërgjës u zëvendësua gabimisht me emrin e Pograxhës, fshat i komunës së Klinës.

 

Klinë: Tri fshatra të rrënuara e të djegura

Në Klinë dhe në fshatrat e kësaj komune të cilat vazhdojnë të mbahen nën rrethimin e forcave policore, ushtarake e paraushtarake serbe, vazhdon të jetë tejet e rëndë.

Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Klinë njofton se edhe pas dy javësh në fshatrat Dollovë, Grabanicë, Bokshiq, Çeskovë, Këpuz e Zajm, të cilat u granatuan dhe u dogjën nga forcat serbe, nuk lejohet kthimi i banorëve në shtëpitë e tyre. Shumë prej tyre, sidomos në fshatrat Dellovë, Grabanicë e Bokshiq, as që kanë ku të kthehen për shkak se shtëpitë e tyre tashmë janë rrënuar dhe djegur.

Banorët e komunës së Klinës tani ballafaqohen edhe me mungesën e artikujve elementarë jetësorë dhe të ilaçeve. Në Klinë tashmë nuk punon asnjë furrë e bukës për shkak të mungesës së miellit, ndërsa ato rezerva të vogla të miellit që i kishte popullsia e kësaj komune, janë duke u hargjuar. Megjithatë banorët e Klinës e të fshatrave të rrethinës vazhdojnë të mbijetojnë këtë gjendje të vështirë vetëm në saje të solidaritetit të lartë vëllazëror të qytetarëve, të cilët po ndajnë me njëri-tjetrin edhe kafshatën e fundit.

Banorët e kësaj komune, përveç problemeve elementare jetësore, tash tetë ditë e ndjejnë edhe mungesën e informacioneve, për shkak se në këtë komunë nuk arrin shtypi dhe për shkak se nuk funksionon as linja telefonike.

 

Një i vrarë dhe dy të plagosur gjatë sulmit serb në fshatrat e Rahovecit

Mbrëmë, nga ora 22 deri në orën 23, forcat serbe të stacionuara në fshatrat e komunës së Gjakovës granatuan fshatrat Gexhë, Malësi e Vogël, Ratkoc e Gradish të Rahovecit.

KI i Degës së LDK-së në Rahovec njofton se gjatë këtij sulmi u vra Naser Veli Krasniqi (24) nga Ratkoci dhe u plagosën Xhema Morina dhe Ajet Hoti nga i njëjti fshat. Jeta e të plagosurve nuk është në rrezik.

Këto fshatra herë pas herë u granatuan edhe sot, por, përveç dëmeve materiale, nuk ka viktima e të plagosur.

 

 

 

Continue Reading

Lajmet

Mbyllet përkohësisht rruga “Fehmi Agani” në Prishtinë për punime në ndriçim publik

Published

on

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se nesër, nga ora 08:00 deri në 16:00, do të ketë mbyllje të përkohshme të qarkullimit në rrugën “Fehmi Agani”.

Sipas njoftimit të publikuar në Facebook, mbyllja bëhet për shkak të punimeve në kuadër të projektit për instalimin e rrjetit të ri të ndriçimit publik.

Komuna u ka bërë thirrje qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik që gjatë kësaj periudhe të përdorin rrugë alternative dhe të respektojnë sinjalizimin e vendosur në terren.

“Lusim qytetarët dhe pjesëmarrësit në trafik që gjatë kësaj periudhe të shfrytëzojnë rrugë alternative dhe të respektojnë sinjalizimin e vendosur në terren. Faleminderit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj”, thuhet në njoftim.

Continue Reading

Lajmet

Izraeli: Vramë komandantin e inxhinierisë së Hezbollahut gjatë sulmeve në jug të Libanit

Published

on

Ushtria e Izraelit ka pretenduar se ka eliminuar një komandant të njësisë së inxhinierisë së Hezbollahut.

Në një postim në platformën “X”, Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) kanë bërë të ditur se javën e kaluar kanë goditur dhe kanë vrarë Abed Harb, të cilin e cilësojnë si pjesëtar të lartë të grupit.

Sipas IDF-së, Harb ka udhëhequr njësinë e inxhinierisë përgjegjëse për montimin dhe vendosjen e eksplozivëve, të cilët, sipas pretendimeve të ushtrisë izraelite, janë përdorur për të synuar ushtarët izraelitë në jug të Libanit.

“Harb ka qenë përgjegjës për disa sulme që nga viti 2006”, thuhet në deklaratën e IDF-së.

Po ashtu, ushtria izraelite ka njoftuar se Forcat Ajrore të saj kanë shkatërruar edhe një lëshues raketash që, sipas tyre, është përdorur nga Hezbollahu për sulme ndaj forcave izraelite që veprojnë në jug të Libanit.

Ngjarja vjen në një kohë kur raportimet ndërkombëtare bëjnë të ditur për tensione të vazhdueshme në rajon, ndërsa Hezbollahu së fundi ka refuzuar një propozim për armëpushim të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës mes Libanit dhe Izraelit.

Continue Reading

Lajmet

Studentët e UBT-së sjellin shfaqjen muzikale “DREAM” në kuadër të Javës së Dizajnit

Published

on

Studentët e Fakultetit të Muzikës Moderne në UBT kanë prezantuar me sukses shfaqjen muzikale “DREAM”, e cila u realizua në kuadër të aktiviteteve të Javës së Dizajnit në këtë institucion.

Performanca artistike u zhvillua si pjesë e lëndës “Performance në Skenë” dhe u interpretua nga studentët e grupit të Vokalit të vitit të parë dhe të dytë, nën mentorimin dhe udhëheqjen e profesoreshës Fatlume Bunjaku.

Shfaqja solli para publikut një program të pasur muzikor dhe artistik, ku studentët patën mundësinë të shfaqin talentin e tyre, kreativitetin dhe aftësitë skenike të fituara gjatë procesit të studimeve. Përmes interpretimit live, ata demonstruan jo vetëm përgatitjen akademike, por edhe zhvillimin e tyre artistik në skenë.

Në këtë aktivitet morën pjesë studentë, profesorë dhe dashamirës të artit, të cilët patën mundësi të ndjekin një performancë që ndërthurte muzikën, interpretimin vokal dhe shprehjen artistike, duke krijuar një atmosferë të veçantë kulturore në kuadër të Javës së Dizajnit.

Shfaqja “DREAM” shërbeu gjithashtu si një projekt përmbyllës për studentët e përfshirë, duke shënuar finalizimin e një etape të rëndësishme të vitit akademik dhe duke u ofruar atyre eksperiencën e drejtpërdrejtë të performancës para publikut.

Përmes këtij aktiviteti, studentët patën mundësinë të përjetojnë nga afër dinamikën e skenës profesionale, duke forcuar aftësitë e tyre artistike dhe vetëbesimin në interpretim.

UBT, përmes aktiviteteve të tilla, vazhdon të promovojë zhvillimin kreativ dhe profesional të studentëve, duke krijuar hapësira ku ata mund të shfaqin potencialin e tyre në fusha të ndryshme artistike dhe kulturore.

Continue Reading

Të kërkuara