Lajmet

Agimi i Artë, shoqëria e magjistarëve që synonte të sundonte Evropën

Mesazhi i urdhrit hermetik të Agimit të Artë ka mbijetuar deri në ditët e sotme.

Published

on

Nga Pietro Emanueli

Politika është fe. Dhe si çdo fe, ajo ka nevojë për klerikë, doktrina, dogma dhe besimtarë. Ajo e shekullit XXI-të është një politikë laike, e shekullarizuar që kërkon vota më shumë në rrugë sesa në Kisha, dhe që të paktën në Perëndim, e ka përjashtuar të shenjtën nga platforma e saj programore.

Por nuk ka qenë gjithmonë kështu. Përkundrazi, Evropa e fillim-shekullit XX është shembulli kryesor i ndërlidhjes së ngushtë midis së shenjtës dhe profanes, midis besimit dhe pushtetit politik, që e ka karakterizuar historikisht kontinentin e vjetër.

Sepse ai ka parë mobilizimin e kishave gjatë Luftës së Parë Botërore, të feve gjatë luftërave ballkanike, promovimin e orientalizmit, shfrytëzimin e Islamit nga fuqitë evropiane, dhe së fundmi, por jo më pak e rëndësishme, përhapjen e gjerë të shoqërive sekrete dhe sekteve ezoterike.

Ato përfaqësonin fytyrën e errët të Belle Époque (Epokës së Bukur), duke kushtëzuar një brez të tërë intelektualësh, studiuesish dhe politikanësh, si dhe duke ushtruar një ndikim kulturor domethënës dhe të qëndrueshëm.

Pasi këto realitete, që kishin të përbashkët refuzimin e Krishterimit tradicional dhe dëshirën për të rishkruar identitetin e Evropës, përgatitën padashur terrenin për ngritjen e ardhshme të ideologjisë naziste. Dhe në këtë listë të gjatë spikasin Shoqëria Teozofike e Madam Blavataskit, Ordo Templi Orientis e Karl Kellner, dhe mbi të gjitha urdhri hermetik i Agimit të Artë.

Origjina e këtij të fundit është ende e mbuluar me mister, ashtu si çdo gjë tjetër që lidhet me këtë shoqëri të vogël por të fuqishme sekrete, që nxiti shumë imagjinatën kolektive të britanikëve dhe evropianëve në fundin e shekullit XIX dhe fillimin e shekullit XX.

Gjithçka duket se ka nisi të zbulohej në vitin 1886 nga disa dorëshkrimeve të lashta e të koduara nga orientalisti dhe gjuetari i thesareve Kenet Mekenzi. Pasi i ekzaminoi dhe dështoi t’i dekriptonte, Mekenzi ia dorëzoi ato njërit prej masonëve më me ndikim të kohës, Adolfus Udford, që nga ana e tij ia kaloi vëllait të tij mason Uilliam Uestkot.

I ndihmuar nga një mason tjetër, Samuel Maters, Ueskot ia doli ta deshifronte dorëshkrimin e lashtë, duke gjetur fragmente nga Kabala hebraike, pjesë astrologjike, mësime alkimike dhe një hyrje në artet magjike dhe praktikat e profecive.

Dhe ai informacion i çmuar, do të përdorej nga këta 3 burra për të formuar në vitin 1887 shoqërinë sekrete Agimi i Artë. Në vitin 1888, me mbështetjen e konteshës Ana Shprengel, një eksponente e përfolur e Rosikrucianëve – që sipas disa historianëve nuk ka ekzistuar kurrë – Uestkot dhe Maters ngritën degën e parë të urdhrit në Londër, Tempullin e Uranisë dhe Isidës.

Udford nuk do të merrte pjesë në inaugurim, pasi vdiq një ditë më pas nga septicemia. Në një kohë të shkurtër dhe brenda pak vitesh, kjo shoqëri do të zgjerohej në të gjithë Britaninë e Madhe, nga Londra në Edinburg. Ajo hapi degë edhe në Evropën kontinentale, duke filluar nga Parisi në vitin 1893.

Popullariteti ishte i madh për shkak të aurës misterioze që rrethonte këtë urdhër, dëshirës së katolikëve dhe agnostikëve të zhgënjyer, në kërkim të fuqive të supozuara dhe besimit superior, duke zbatuar dorëshkrimet themeluese sipas udhëzimeve të Uestkot. Fuqi të tilla ishin aftësia për të komunikuar me entitetet hyjnore, të njohura si shefat sekretë, ndriçimi shpirtëror edhe psikokineza.

Ai u bë shumë popullor në mesin e artistëve dhe intelektualëve, të cilët filluan të kërkonin anëtarësimin e tyre në këtë shoqëri. Ndër ta përmendim aktorët dhe aktoret si Sara Ollgud, Florens Farr dhe Moud Gon; bankierë dhe sipërmarrës si Eni Horniman dhe Gustav Mejrink; këngëtare si Ana dë Bremo; poetë si Uilliam Sharp, XhonTodhanter dhe Uilliam Batler Jits, dhe shkrimtarë si Arnold Benet, Algernon Blekud, Sër Artur Konan Dojl (krijues i Sherlok Holmsit), Artur Maken, Saks Romer dhe Bram Stoker, autori i librit të famshëm “Drakula”.

Por nga ky urdhër ishin magjepsur jo vetëm aktorët dhe shkrimtarët, por edhe magjistarët, që ngjitën një nga një shkallët e dijes dhe mësuan gradualisht sekretet që lejoheshin vetëm për anëtarët e rinj.

Ndër mistikët, okultistët dhe magjistarët më të rëndësishëm që u bënë pjesë e këtij urdhri ishin padyshim Dario Karpaneda, Alister Krouli, Dion Fortun, Evelin Anderhill dhe Artur Uajt. Fortun do ta braktiste më vonë këtë shoqëri për të krijuar organizatën e tij – Shoqërinë e Dritës së Brendshme – ndërsa karizmatiku Krouli, magjistari më i famshëm i shekullit XX do të ishte shkatërruesi i shoqërisë.

Pasi u bë i besuari i Maters, Krouli i përdori aftësitë e tij bindëse për të vjedhur sekretet e dorëshkrimeve, për t’i prekur ato, duke ia dalë aty ku asnjë nga anëtarët e rinj nuk kishte pasur sukses. Zilia dhe mosmarrëveshjet shkaktuan në vitin 1900 një arratisje masive të ndjekësve.

Në pamundësi për ta përballuar krizën, Maters -që prej kohësh i kishte shkëputur të gjitha lidhjet me Ueskot -vëzhgonte i pafuqishëm shkatërrimin e organizatës dhe trashëgimtarët e vetëshpallur që shtoheshin dita-ditës.

Në vitet 1920-1930, shumë tempuj të Agimit të Artë u regjistruan në të gjithë Perëndimin, nga Shtetet e Bashkuara në Zelandën e Re. Por vetëm një pjesë e vogël e tyre kishin të bënin me origjinalin, i cili de fakto kishte përfunduar së ekzistuari për shkak të lojës keqdashëse të Kroulit.

Megjithatë, nëse kjo shoqëri ishte apo jo gjallë në periudhën e pasluftës, nuk ka rëndësi. Ajo që ka vërtet rëndësi është fati i mesazhit të saj, që mbijetoi duke përjetësuar idenë se Evropa kishte nevojë për një rinovim shumëdimensional, shpirtëror dhe antropologjik, dhe për të gjurmuar burimet e dijes së lashtë, të ruajtura në luginën e Indusit dhe të prodhuara nga raca e humbur Ariane.

Mesazhi i urdhrit hermetik të Agimit të Artë ka mbijetuar deri në ditët e sotme, pasi u mor dhe u ringjall nga lëvizjet e reja fetare që u shfaqën në të gjithë Perëndimin midis viteve 1960 -1970. Dhe (ri)leximi i teksteve të shenjta të përdorura nga urdhri, si dhe librave të shkruar nga Maters dhe ndjekësit e tij, ka kontribuar ndjeshëm në formimin e mendimit të Epokës së Re dhe mitologjisë së Wicca-s. / “Il Giornale” – Bota.al

Continue Reading

Lajmet

Ekspertja e Hollywood-it ligjëron para studentëve të studimeve të sigurisë në UBT

Published

on

By

Fakulteti i Studimeve të Sigurisë në UBT ka organizuar një ligjëratë tematike me një eksperte të industrisë së filmit në Hollywood, producente dhe skenariste, e njohur për kontributin e saj në realizimin e serialit të suksesshëm kriminal Mindhunter.

Ligjërata u zhvillua në kuadër të lëndës Kriminologji, nën udhëheqjen e profesorit Arian Kadriu, ku studentët patën mundësinë të ndërthurin njohuritë akademike me perspektivën praktike të analizës së krimit dhe profilizimit kriminal.

Gjatë këtij aktiviteti, studentët prezantuan projektet e tyre grupore me temën “To Create a Monster”, përmes të cilave krijuan profile të vrasësve serialë, duke analizuar karakteristikat e tyre psikologjike dhe sjellore, motivet, arsyet dhe rrethanat që ndikojnë në formimin e personaliteteve kriminale.

Projektet u prezantuan para ekspertes, e cila ndau vlerësime dhe komente profesionale, duke u ofruar studentëve një perspektivë nga përvoja e saj në trajtimin e personazheve dhe ngjarjeve kriminale përmes skenaristikës dhe produksionit filmik.

Ky aktivitet përfaqëson një mundësi të veçantë për studentët e Fakultetit të Studimeve të Sigurisë në UBT që të zgjerojnë njohuritë e tyre përtej teorisë, të zhvillojnë aftësitë analitike dhe të kuptojnë më thellë mënyrën se si krimi, motivet dhe sjelljet kriminale trajtohen edhe në industrinë ndërkombëtare të filmit dhe televizionit.

 

 

Continue Reading

Lajmet

Ngrihet aktakuzë ndaj dy personave në Prizren, synonin marrjen e pasurisë prej 1 milion eurosh

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit E.K. për veprat penale “Fajdeja” dhe “Detyrimi”, si dhe ndaj të pandehurit A.K., i cili akuzohet për fajde në bashkëkryerje.

Sipas aktakuzës, nga viti 2021 e tutje, i pandehuri E.K. ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të viktimës B.Ç., duke i dhënë para me kamata dukshëm jo proporcionale. Përmes kësaj skeme, vetëm në emër të kamatave, i pandehuri ka përfituar mbi 400,000 euro nga viktima.

Për më tepër, E.K. e ka detyruar viktimën të paguajë kamatat dhe të mos e denoncojë rastin në polici përmes kanosjeve serioze me vrasje ndaj tij dhe familjes së tij, duke i shkaktuar frikë dhe pasiguri të vazhdueshme.

Në pamundësi për të shlyer borxhin, në këtë marrëdhënie është përfshirë edhe viktima e dytë B.B., nga i cili të pandehurit E.K. dhe A.K. kanë kërkuar shumën prej 550,000 eurosh shkak të grumbullimit të kamatave.

Përpjekja për marrjen e pronave: I pandehuri i ka kërkuar viktimës t’i kalojë në pronësi lokale afariste dhe një shtëpi me vlerë prej rreth 1 milion eurosh për mbulimin e kamatave.

Arrestimi nga Policia: Më 11 mars 2026, gjatë kohës kur të pandehurit po shoqëronin viktimën te përmbaruesi privat dhe noteri për kalimin e pronave, Policia e Kosovës ka ndërhyrë përmes masave të veçanta hetimore dhe i ka arrestuar ata në vendngjarje.

Lidhur me rastin, Prokuroria ka zgjeruar hetimet edhe për “Pastrim të parave”, ka ngrirë disa patundshmëri, si dhe ka propozuar konfiskimin e parave të gatshme, dy automjeteve dhe dokumenteve noteriale. Prokurori i çështjes i ka kërkuar gjykatës shpalljen fajtore të të pandehurve dhe dënimin e tyre sipas ligjit. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

BE me udhëzime të reja për krizat: Familjet të sigurojnë rezerva ushqimore dhe ujë për të paktën 72 orë

Published

on

By

Komisioni Evropian ka publikuar një sërë udhëzimesh të reja për qytetarët e Bashkimit Evropian, duke u bërë thirrje që të përgatiten më mirë për situata emergjente dhe fatkeqësi të ndryshme, si ndërprerjet e energjisë elektrike, sulmet kibernetike apo krizat e tjera të mundshme.

Udhëzimet u prezantuan në Forumin Evropian për Mbrojtjen Civile në Bruksel nga komisionerja evropiane për gatishmëri dhe menaxhimin e krizave, Hadja Lahbib, e cila theksoi se orët e para të një emergjence janë vendimtare për mbrojtjen e familjeve dhe komunitetit.

Sipas rekomandimeve kryesore, çdo familje duhet të sigurojë rezerva ushqimore, ujë dhe artikuj bazë për të paktën 72 orët e para të një krize, si dhe të ketë të përgatitur një çantë emergjente për evakuim të shpejtë.

  • Edukimi dhe mbrojtja: Rekomandohet përfshirja e edukimit për krizat në kopshte e shkolla me aktivitete të përshtatura për fëmijët, si dhe masa të veçanta për mbrojtjen e personave me aftësi të kufizuara.
  • Dita Evropiane e Gatishmërisë: Është propozuar që 23 tetori – data e themelimit të Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile në vitin 2001 – të shpallet Dita Evropiane e Gatishmërisë duke filluar nga viti 2027.
  • Testimet e mbrojtjes civile: Shteteve anëtare u kërkohet të zhvillojnë teste të rregullta gatishmërie dhe të garantojnë që qendrat kombëtare të mbrojtjes civile të funksionojnë 24 orë në ditë, edhe gjatë rënies së rrjeteve apo sulmeve kibernetike.

Strategjia mbështetet në raportin e ish-presidentit finlandez Sauli Niinistö, i cili bën thirrje për ndërtimin e një me këtë kulturë gatishmërie për shkak të fatkeqësive klimatike dhe kërcënimeve gjeopolitike në Evropë. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Jobe Bellingham ftohet për herë të parë te Kombëtarja e Anglisë

Published

on

By

Mesfushori i ri i Borussia Dortmundit, Jobe Bellingham, ka marrë ftesën e tij të parë zyrtare nga kombëtarja e Anglisë për ndeshjet e ardhshme ndërkombëtare.

Kjo ftesë shënon një moment të veçantë për familjen Bellingham, pasi 21-vjeçari do të ketë mundësinë të luajë krah për krah në një ekip me vëllain e tij të madh, yllin e Real Madridit, Jude Bellingham.

Ngritja e tij në nivelin më të lartë ndërkombëtar vjen si rezultat i paraqitjeve të tij të shkëlqyera në Bundesliga me klubin gjerman Borussia Dortmund. Pas hapave të parë te Birmingham City dhe shkëlqimit me Sunderlandin në Angli, Jobe ndoqi pikërisht rrugën e vëllait të tij duke u transferuar te Dortmundi, ku tashmë është konsoliduar si një nga mesfushorët më premtues. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara