Lajmet

AFP: Kosovarët janë lodhur duke trokitur në dyert e mbyllura të Evropës

Ambasada e Berlinit në Prishtinë tha se kishte marrë më shumë se 100,000 kërkesa vetëm në dhjetor dhe janar.

Published

on

“Është një kontradiktë të quhesh evropian kur nuk të lejohet të shohësh, prekësh apo udhëtosh nëpër Evropë”, tha për AFP gazetarja 27-vjeçare, Aulona Kadriu.

“Unë nuk e kuptoj pse një popullatë e tërë duhet të mbyllet dhe izolohet”.

Nga 199 vendet e renditura sipas numrit të destinacioneve që mbajtësit e pasaportave të tyre mund të vizitojnë sipas indeksit Henley, vetëm 10 ofrojnë më pak mundësi se Kosova.

Kadriu hoqi dorë nga përpjekjet për të udhëtuar brenda Evropës për punë ose për t’u çlodhur, për shkak se ajo i gjeti shumë zhgënjyese sfidat që duhet të kalonin kosovarët.

1.8 milionë qytetarë të vendit pa dalje në det janë të vetmit njerëz në Ballkan që kanë nevojë për vizë për ta bërë këtë dhe kjo “leje magjike” është e vështirë për t’u marrë.

“Është përtej poshtërimit”, murmuriti ajo.

Ndonëse Republika e Kosovës shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, vendi nuk është i njohur botërisht.

Pesë vende të Bashkimit Evropian janë ndër kundërshtarët, së bashku me vetë Serbinë — me të cilën marrëdhëniet mbeten të paqëndrueshme — dhe aleatët e saj rusë dhe kinezë.

Kështu që vendi i vogël duartrokiti kur Komisioni Evropian – organi ekzekutiv i BE-së – vendosi në vitin 2018 që kosovarët duhet të kenë të drejtë të udhëtojnë lirisht në të 26 vendet në Zonën Shengen pa kufij të Evropës.

Por qeveritë e BE-së, të cilat kanë fjalën e fundit, ende nuk e kanë ndjekur shembullin dhe pas katër vitesh, kosovarët ende kanë nevojë për viza dhe rendi për t’i marrë ato është i gjatë si kurrë më parë.

Pensionistja Igballe Kryeziu shpreson të vizitojë fëmijët e saj në Gjermani, ku aktualisht jetojnë rreth gjysma e 800,000 kosovarëve që jetojnë jashtë vendit.

I janë dashur pesë muaj dhe 200 euro dokumente vetëm për të zënë një vend në radhë jashtë konsullatës.

Lejet e punës dhe të studimit janë po aq të vështira për t’u marrë.

Ambasada e Berlinit në Prishtinë tha se kishte marrë më shumë se 100,000 kërkesa vetëm në dhjetor dhe janar. Ajo ka vetëm kapacitet për të nxjerrë 5,500 në një vit të plotë.

Organizatat bamirëse lokale besojnë se pengesa është për shkak të rezervave shteteve kryesore të BE-së – si Franca – në lidhje me aftësinë e Kosovës për të trajtuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Më shumë se 80 OJQ lokale i shkruajtën së fundmi presidentit francez Emmanuel Macron, vendi i të cilit mban presidencën e rradhës të BE-së, duke i kërkuar atij t’i japë fund “izolimit të qytetarëve të Kosovës”.

Bisedimet midis Prishtinës dhe Brukselit rreth udhëtimit pa viza ishin zvarritur për 10 vjet, vunë në dukje ata.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi i tha AFP-së Kosova kishte “bërë më shumë sesa i ishte kërkuar” për të përmbushur kushtet e vendosura ndaj saj dhe vonesa në thelb ishte “për shkak të dinamikës midis anëtarëve të ndryshëm të BE-së”.

Analistja politike Donika Emini u pajtua.

“Ne e kemi parë shkopin por jo karotën”, tha ajo.

Studentja e arkitekturës, Teuta Rexhaj, 22 vjeçe, iu desh të hiqte dorë nga planet e saj për të studiuar në Universitetin e Vjenës.

“Ishte një goditje e vërtetë”, tha ajo për AFP. “Unë i përkas një brezi që nuk ka mundur të përmbushë ëndrrën e tij evropiane.

“Kur shoh të rinj të tjerë nga Ballkani që udhëtojnë drejt Evropës pa ndonjë vështirësi, nuk mund të mos mendoj se Kosova po diskriminohet”.

*Teksti origjinal është publikuar nga France24, ndërsa është përkthyer dhe përshtatur në gjuhën shqipe nga UBT News.

Lajmet

Të paktën 10 të vdekur nga aksidenti masiv me rreth 50 automjete në Bullgari

Published

on

Të paktën 10 persona kanë humbur jetën dhe 27 të tjerë janë lënduar në një aksident të rëndë trafiku, ku janë përfshirë rreth 50 automjete në juglindje të Bullgarisë.

Aksidenti ndodhi të martën, në një segment të autostradës në rajonin e Jambollit, ku mjegulla e dendur dyshohet se ka vështirësuar dukshmërinë. Përplasjet ndodhën në të dyja anët e autostradës.

Lajmi është raportuar nga agjencia bullgare e lajmeve BTA, duke iu referuar guvernatorit të rajonit, Georgi Chalakov.

Në vendin e ngjarjes kanë intervenuar ekipet e policisë, zjarrfikësve dhe emergjencës mjekësore. Pamjet e publikuara nga mediat lokale tregojnë vetura dhe kamionë të grumbulluar në të dyja anët e rrugës, disa prej tyre të përmbysur, të shkatërruar rëndë ose të dalë jashtë autostradës.

Kryeinspektori Todor Mishinev nga Drejtoria Rajonale e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Jamboll ka deklaruar për televizionin Nova se disa persona kanë mbetur të bllokuar brenda automjeteve të tyre.

“Për momentin, përparësi kanë operacionet e shpëtimit. Pasi ato të përfundojnë, do të zhvillohen veprimet procedurale dhe hetimore”, ka deklaruar ai.

Sipas BTA-së, 27 persona të lënduar janë dërguar në spitalet e rajonit për trajtim mjekësor.

Operacionet e shpëtimit dhe ndërhyrjes po vazhdojnë, ndërsa autoritetet pritet të japin më shumë detaje për rrethanat dhe shkaqet e aksidentit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

KRU “Prishtina” paralajmëron shkyçjen e konsumatorëve me dy ose më shumë fatura të papaguara

Published

on

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka paralajmëruar se do të nisë shkyçjen e menjëhershme nga rrjeti të konsumatorëve që kanë dy ose më shumë fatura të papaguara radhazi.

Përmes një njoftimi publik, kompania ka bërë të ditur se ekipet e saj në terren kanë filluar zbatimin e këtyre masave ndaj konsumatorëve që nuk i kanë përmbushur obligimet financiare për shërbimet e ujësjellësit dhe kanalizimit.

Përveç shkyçjes, lëndët e konsumatorëve me borxhe do të procedohen te përmbaruesit privatë, çka mund të sjellë edhe shpenzime shtesë ligjore dhe tarifa për rikyçje.

KRU “Prishtina” u ka bërë thirrje konsumatorëve që t’i shlyejnë borxhet sa më parë për të shmangur këto masa.

Pagesat mund të kryhen përmes platformës zyrtare dhe aplikacionit mobil të kompanisë, platformës eKosova, si dhe në pikat e Postës së Kosovës, bankat komerciale dhe institucionet mikrofinanciare.

Për konsumatorët që nuk kanë mundësi ta paguajnë të gjithë borxhin menjëherë, kompania ofron mundësinë e lidhjes së marrëveshjeve për riprogramimin e tij me këste mujore. Për këtë, ata duhet të paraqiten në sportelet zyrtare të kompanisë para se të zbatohet masa e shkyçjes./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Shtyhet seanca ndaj Adnon Jasharit për vrasjen e Diana Kastratit

Published

on

By

Seanca gjyqësore në mungesë ndaj të akuzuarit Adnon Jashari, i cili ngarkohet me vrasjen e ish-bashkëshortes së tij Diana Kastrati, është shtyrë për më 23 dhjetor pas kërkesës së avokatit mbrojtës, Haxhi Millaku.

Mbrojtësi i të akuzuarit ka kërkuar kohë të mjaftueshme për t’u pajisur me shkresat e lëndës dhe për të pasur qasje të plotë në dosje, duke pretenduar se kjo e drejtë i është mohuar nga organet e ndjekjes që nga viti 2011, përkundër deponimit të autorizimit.

Gjatë seancës, avokati Millaku reagoi ashpër ndaj mënyrës se si është zhvilluar procedura deri më tani:

“Autorizimin si mbrojtës i të pandehurit Adnan Jashari e kam dorëzuar në procedurën paraprake dhe këtë në kohën kur i njëjti kërkohej që të kontaktojë me policinë hetimore. Autorizimi im është i deponuar që nga fillimi, në 48-orëshin e parë, që i bie nga viti 2011 organet e ndjekjes kanë pasur adresën e mbrojtësit të tij për të përfaqësuar tani të akuzuarin në mungesë për plotësimin e parakushteve ligjore për një hetim të rregullt, të drejtë e të ligjshëm. Është cenuar edhe e drejta si kategori kushtetuese, si mbrojtës nuk jam trajtuar siç kërkon ligji. Në asnjë veprim procedural që kanë bërë organet e ndjekjes para aktakuzës së ngritur dhe asnjëherë nuk më është dhënë qasje në dokumente dhe dosjen e kësaj çështjeje, edhe pse unë sot pranova aktakuzën nga gjykata. Nuk më janë plotësuar as kërkesat që të pajisem me shkresat e lëndës. Me marrë unë vesh prej mediave kur ka gjykim, gjithçka mund të quhet, por jo drejtësi. Kërkoj që seanca e sotme nga ky moment të ndërpritet, të pajisem me shkresat e lëndës, procesi i sotëm të shtyhet për një kohë të arsyeshme”.

Pas pranimit të kërkesës nga trupi gjykues për kompletimin e dokumentacionit mbrojtës, shqyrtimi kryesor ndaj Jasharit pritet të vazhdojë në muajin dhjetor. /Ekonomia online/

 

Continue Reading

Lajmet

Ndalohet hyrja në treg e 150 mijë lodrave të pasigurta nga Kina

Published

on

By

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, ka ndaluar vendosjen në treg të rreth 150.000 lodrave për fëmijë me origjinë nga Kina.

Gjatë inspektimeve të kryera në pikat doganore është konstatuar se këto produkte nuk i plotësonin kërkesat themelore të përcaktuara me rregulloren në fuqi për sigurinë e lodrave.

Nga IQMT është bërë me dije se lodrat që nuk përmbushin standardet ligjore paraqesin rrezik serioz për shëndetin dhe sigurinë e fëmijëve.

Ky aksion u realizua në kuadër të një aktiviteti të përbashkët të mbikëqyrjes së tregut në të gjitha vendet anëtare të CEFTA-s, me synim forcimin e kontrolleve dhe parandalimin e hyrjes së produkteve të pasigurta në treg. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara