Aktualitet

Afganistani mbërthen takimin e G7-tës

Published

on

Dy muaj më parë, udhëheqësit e shtatë demokracive më të industrializuara në botë u takuan në prag të verës në bregdetin juglindor të Anglisë. Ishte një ngjarje e gëzueshme: takimi i parë fizik i Grupit të Shtatë Kombeve në dy vjet për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe paraqitjes së mirëpritur të presidentit Joe Biden dhe mesazhit të tij “Amerika është kthyer” si dhe diskutimeve për çështje të mirëqenies deri te COVID-19 dhe ndryshimet klimatike.

Të martën, shtatë udhëheqësi do të takohen përsëri në formatin virtual përballë një ringjalljeje të pandemisë, lajmeve më të frikshme mbi ndryshimet e klimës dhe çështjes më të ngutshme e mbase më të rëndësishme: Afganistanit. Kriza në rritje e refugjatëve në vend, rënia e qeverisë dhe frika nga një ringjallje e terrorizmit me bazë në Afganistan, i kanë vënë aleatët e G-7 përballë të problemeve që kërcënojnë unitetin e bllokut.

Kryeministri britanik Boris Johnson, mikpritës i takimit të qershorit në qytetin turistik anglez Cornwall, tani po i mbledh përsëri udhëheqësit për bisedime mbi krizën në Afganistan mes pakënaqësisë me mënyrën se si presidenti Biden trajtoi tërheqjen nga Afganistani. Ankesa janë shprehur nga Britania, Franca, Gjermania dhe vendet tjera në G-7, që përfshin vetëm një vend jo anëtar të NATO-s, Japoninë.

Me gjithë njoftimin e presidenti Biden në muajin prill se Shtetet e Bashkuara do të tërhiqen plotësisht nga Afganistani deri në 20 vjetorin e sulmeve të 11 shtatorit 2001, kombi i Azisë Qendrore ishte pothuajse një çështje dytësore kur G-7 u takua në qershor.

COVID-19, Kina dhe ndryshimet klimatike dominuan agjendën, ndërsa pritjet për takimin e afërt të presidentit Biden me presidentin rus, Vladimir Putin, ishin në maje të gjuhës.

Udhëheqësit e vendosën Afganistanin si pikën e 57-të nga 70 sa ishin në komunikatën e tyre të fundit prej 25 faqesh, pas Ukrainës, Bjellorusisë dhe Etiopisë. Afganistani as nuk u përfshi në përmbledhjen prej një faqe e gjysmë të dokumentit. NATO-ja tashmë kishte nënshkruar tërheqjen dhe gjithçka që dukej se kishte mbetur, ishte përfundimi i një tërheqjeje të rregullt dhe shpresat për një marrëveshje paqeje midis qeverisë afgane dhe talebanëve.

“Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve në Afganistan që të zvogëlojnë dhunën dhe të merren vesh mbi hapat që mundësojnë zbatimin e suksesshëm të një armëpushimi të përhershëm dhe gjithëpërfshirës dhe të angazhohen plotësisht në procesin e paqes. Në Afganistan, një zgjidhje e qëndrueshme, gjithëpërfshirëse politike është mënyra e vetme për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në dobi të të gjithë afganëve”, thanë udhëheqësit, pa asnjë paralajmërim urgjence.

“Ne jemi të vendosur të vazhdojmë mbështetjen tonë për qeverinë afgane për të trajtuar nevojat urgjente të sigurisë dhe humanitare të vendit, dhe për të ndihmuar njerëzit e Afganistanit, përfshirë gratë, të rinjtë dhe grupet e pakicave, ndërsa ata kërkojnë të ruajnë të drejtat dhe liritë e fituara me vështirësi”, thanë ata.

Por ndërsa vera po i afrohet vjeshtës, ato shpresa janë shuar.

Kryeministri Johnson dhe të tjerët, përfshirë presidentin francez, Emmanuel Macron, po e nxisin presidentin Biden të zgjasë përtej 31 gushtit afatin për tërheqjen e plotë të forcave amerikane, në mënyrë që të sigurohet evakuimi i të gjithë shtetasve të huaj, si dhe afganëve që punuan ose mbështetën ndryshe operacionet e NATO-s të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, që mposhtën talebanët në vitin 2001.

Në prag të takimit, Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Biden dhe kryeministri Johnson, folen në telefon dhe “diskutuan përpjekjet e vazhdueshme të personelit tonë diplomatik dhe ushtarak për të evakuuar qytetarët, personelin lokal dhe afganët e tjerë të cenueshëm”, si dhe “rëndësinë e bashkërendimit të ngushtë me aleatët dhe partnerët në menaxhimin e situatës aktuale dhe krijimin e një qasjeje të përbashkët ndaj politikës afgane”.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, tha se priste që çështjet në lidhje me afatin e evakuimit nga Afganistani të ishin pjesë e takimit të G-7. Por, ajo nuk deshi të parashikojë asnjë njoftim nga takimi, por tha se përqendrimi do të jetë në evakuimin e amerikanëve dhe aleatëve afganë sa më shpejt të jetë e mundur.

Sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, i cili e ka quajtur “gabim” marrëveshjen e Shteteve të Bashkuara me me talebanët që e përcaktoi afatin e tërheqjes, tha të hënën me një ton pothuajse lutës që nëse presidenti Biden e zgjat operacionin “edhe për një ose dy ditë, kjo do të na japë një ose dy ditë më shumë për të evakuuar njerëzit”.

Oficerë të lartë ushtarakë britanikë kanë shprehur zemërim me tërheqjen amerikane, duke thënë se kjo shpërfaqë zbrazëtinë e “marrëdhënies së posaçme” transatlantike, një frazë e përdorur që nga Lufta e Dytë Botërore për të theksuar lidhjet historike, të miqësisë dhe interesave të përbashkëta diplomatike midis Londrës dhe Uashingtonit.

Edhe qeveria gjermane po shpreh padurim me ritmin e evakuimit. Ministri i Jashtëm Heiko Maas, tha se shumica e personelit lokal që punonte për vendin e tij në Afganistan nuk ishte tërhequr ende dhe e quajti takimin e G-7 të martën “shumë të rëndësishëm” për diskutimin e qasjes ndërkombëtare në aeroportin e Kabulit, përtej 31 gushtit.

Zyrtarët e administratës së presidentit Biden kanë refuzuar të thonë nëse një zgjatje është e mundshme duke pasur parasysh kërkesën e talebanëve që të gjitha forcat amerikane të largohen deri në afatin e 31 gushtit.

Continue Reading

Vendi

UBT nis bashkëpunim ndërkombëtar me Liberty University për “Virtual NATO Simulation”

Published

on

By

Është mbajtur takimi i parë online i punës që shënon nisjen e një bashkëpunimi të rëndësishëm akademik ndërkombëtar në kuadër të aktivitetit “Virtual NATO Simulation”, i cili për herë të parë po zhvillohet në Kosovë me përfshirjen e studentëve të University for Business and Technology.

Ky projekt inovativ synon të sjellë një përvojë të drejtpërdrejtë të proceseve vendimmarrëse dhe diplomatike në kuadër të NATO, përmes një simulimi virtual që përfshin role të nivelit të lartë politik, diplomatik dhe të sigurisë.

Në kuadër të këtij simulimi, me iniciativë të Dekanes së Fakultetit Shkenca Politike në UBT, dy grupe studentësh, do të përfaqësojnë shtete anëtare të NATO-s përmes formatit role play. Njëri grup do të simulojë rolin e Turqia, ndërsa grupi tjetër atë të Italia, duke u angazhuar në diskutime dhe vendimmarrje që pasqyrojnë realitetin e sfidave të sigurisë ndërkombëtare.

Përmes këtij angazhimi, studentët do të përjetojnë nga afër dinamikën e negociatave, koordinimit institucional dhe diplomacisë shumëpalëshe.

Ky bashkëpunim po realizohet në partneritet me Liberty UniversityShtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe me universitete të tjera të rajonit, duke krijuar një hapësirë të përbashkët akademike për shkëmbim përvojash, njohurish dhe praktikash ndërkombëtare.

Virtual NATO Simulation u ofron studentëve një qasje praktike dhe ndërvepruese ndaj çështjeve të sigurisë globale, duke zhvilluar aftësi konkrete në analizë strategjike, komunikim institucional dhe bashkëpunim ndërkombëtar.

Takimi i parë online përbën hapin fillestar të një rrugëtimi të ri për UBT-në dhe studentët e saj, duke e pozicionuar Kosovën në një platformë aktive të bashkëpunimit akademik ndërkombëtar dhe duke dëshmuar rolin në rritje të institucioneve vendore në nisma që ndërlidhin arsimin e lartë me realitetet globale.

Continue Reading

Vendi

Profesoresha e Fakultetit të Medias dhe Komunikimit në UBT, Xhevahire Millaku pjesë e konferencës shkencore në Universitetin e Bolonjës

Published

on

By

Profesoresha e Fakultetit të Medias dhe Komunikimit në UBT, Xhevahire Millaku mori pjesë në një konferencë shkencore ndërkombëtare të organizuar nga Universiteti i Bolonjës, në bashkëpunim me disa universitete shqiptare.

I themeluar në vitin 1088, Universiteti i Bolonjës konsiderohet universiteti më i vjetër në botë dhe një ndër institucionet më të rëndësishme të arsimit të lartë në Evropë, me një traditë të gjatë akademike dhe kërkimore.

Konferenca, e mbajtur më 19 dhe 20 shkurt 2026, kishte për temë kryesore: “Arbëreshët e Italisë, një qytetërim midis dy brigjeve të Adriatikut” (The Arbëreshë of Italy, a civilization between the two shores of the Adriatic Sea).

Gjatë dy ditëve të zhvillimit të saj, studiues nga fusha të ndryshme trajtuan aspekte historike, kulturore, gjuhësore dhe identitare të komunitetit arbëresh, duke theksuar rolin e tyre në ndërlidhjen mes Shqipërisë dhe Italisë.

Në kuadër të kësaj konference, Prof. ass. dr. Xhevahire Millaku prezantoi kumtesën me temë: “Gjuha dhe arti diplomatik e letrar i Ismail Kadaresë në studimet italiane”.

Në paraqitjen e saj, ajo trajtoi dimensionin gjuhësor dhe estetik të veprës së shkrimtarit të njohur shqiptar Ismail Kadare, duke u ndalur në mënyrën se si krijimtaria e tij është studiuar dhe interpretuar në qarqet akademike italiane, si dhe në rolin që ajo ka luajtur në ndërtimin e urave kulturore ndërmjet dy vendeve.

Continue Reading

Vendi

Pjesëmarrje rekord në Testin Provues të Arritshmërisë të organizuar nga UBT International Smart Schools: Mbi 1,500 nxënës nga e gjithë Kosova

Published

on

By

UBT International Smart Schools organizoi me sukses edicionin e dytë të Testit Provues të Arritshmërisë, me mbi 1,500 nxënës të klasave të 9-ta nga e gjithë Kosova që morën pjesë. Ky test, i vetmi i këtij lloji në vend, ka për qëllim vlerësimin gjithëpërfshirës të njohurive të nxënësve dhe do t’u ofrojë atyre që kanë sukses mundësinë për të fituar bursa shkollimi nga 25% deri në 100% në UBT International Smart Schools.

Testi u zhvillua online dhe pa pagesë, duke mundësuar pjesëmarrje të lehtë nga çdo vend. Ai u nda në katër pjesë kryesore:

  • Gjuhët dhe Komunikimi – Gjuhë Shqipe dhe Gjuhë Angleze
  • Shkencat e Natyrës – Biologji, Kimi dhe Fizikë
  • Shkencat Shoqërore – Histori dhe Gjeografi
  • Matematika dhe Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (TIK)

Ky test provues ishte një mundësi unike për nxënësit që të testojnë njohuritë e tyre dhe të hapin rrugën drejt një arsimi cilësor, inovativ dhe ndërkombëtar. Pjesëmarrja rekord e mbi 1,500 nxënësve tregon interesin e madh të të rinjve për të zhvilluar potencialin e tyre akademik dhe për të përfituar nga mundësitë e bursave të ofruara.

UBT International Smart Schools falënderon të gjithë nxënësit dhe prindërit për besimin dhe pjesëmarrjen, duke theksuar se përkushtimi ndaj arsimit dhe inovacionit mbetet prioritet kryesor i institucionit.

Për më shumë informacione mbi programet dhe mundësitë e tjera të UBT International Smart Schools, mund të kontaktoni në 046 332 233.

Continue Reading

Lajmet

Fatlume Bunjaku nderohet me çmimin “European Shooting Star” në Berlinale

Published

on

By

Aktorja shqiptare nga Kosova, Fatlume Bunjaku, është shpallur fituese e çmimit prestigjioz European Shooting Stars në kuadër të Berlinale, duke shënuar një arritje të jashtëzakonshme për kinematografinë shqiptare dhe atë ballkanike në skenën ndërkombëtare. Ky program, i organizuar çdo vit nga European Film Promotion në bashkëpunim me Berlinalen, konsiderohet një nga platformat më prestigjioze për promovimin e aktorëve evropianë me potencial për një karrierë ndërkombëtare të suksesshme.

Juria e këtij edicioni përbëhej nga emra të njohur të botës së filmit, përfshirë regjisorin fitues të Oscar-it, Danis Tanović, aktoren Danica Ćurčić, kritiken e filmit Leila Latif, regjisoren Jo Monteiro dhe producentin Jacques-Henri Bronckart. Sipas vlerësimit të tyre, Bunjaku lë një gjurmë të pashlyeshme te shikuesi, duke shfaqur një prezencë të fuqishme në ekran dhe një thellësi emocionale mbresëlënëse. Juria theksoi se talenti dhe angazhimi i saj e bëjnë atë një aktore me potencial të jashtëzakonshëm.

Përveç suksesit në film, Fatlume Bunjaku njihet edhe si profesoreshë në Fakultetin e Arteve Dramatike në UBT, ku ndan eksperiencën dhe pasionin e saj me studentët, duke i frymëzuar ata drejt karrierave në art dhe aktrim. Prania e saj si “Shooting Star” në Berlinale u cilësua si një moment historik jo vetëm për Kosovën dhe Shqipërinë, por për të gjithë rajonin e Ballkanit.

Gjatë ceremonisë, Bunjaku tërhoqi vëmendjen e agjentëve dhe regjisorëve ndërkombëtarë, jo vetëm për interpretimin e saj bindës, por edhe për qasjen modeste dhe të ngrohtë. Në fjalimin e saj, ajo bëri thirrje që industria globale e filmit të vlerësojë kineastët e Ballkanit, duke theksuar potencialin e madh të rajonit dhe nevojën për më shumë mundësi dhe bashkëpunime ndërkombëtare.

Aktorja u nominua në këtë program për filmin Hana, me regji nga Ujkan Hysaj, ku interpreton rolin suportues të Mrikës. Ky vlerësim i hap rrugë prezantimit të saj në një nga skenat më të rëndësishme të kinematografisë botërore dhe shënon një kapitull të ri krenarie për artin shqiptar në nivel evropian dhe global.

Continue Reading

Të kërkuara