Për të 26-n herë me radhë, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar ta konstituojnë përbërjen e re parlamentare të dalë nga zgjedhjet e shkurtit.
Që nga 1 maji, për të tetëmbëdhjetën herë, deputetët kanë refuzuar të formojnë një komision që do të mbikëqyrte një votim të fshehtë për kreun e ri të Kuvendit.
Votimi i fshehtë është propozuar nga kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, pasi e propozuara e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, disa herë nuk ka arritur të sigurojë 61 vota për t’u zgjedhur në krye të organit ligjvënës.
Çështja e votimit të fshehtë është dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese nga partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë. Ato vlerësojnë se mënyra se si LVV-ja po tenton që kryetari i ri i Kuvendit të zgjidhet përmes votës së fshehtë është jokushtetuese, duke kërkuar nga Gjykata që të marrë “një masë të përkohshme për ndalimin e mbajtjes së seancave, derisa me prioritet ta trajtojë këtë lëndë dhe të marrë një vendim”.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe sërish refuzuan, në vazhdimin e seancës konstituive më 4 qershor, që të propozonin një përfaqësues që do të siguronte mbarëvajtjen e votimit të fshehtë.
Saranda Bogujevci nga LVV-ja tha se partia e saj është në pritje të vendimit të Kushtetueses, ndërkaq shtoi se kanë informacione se disa deputetë janë të gatshëm të votojnë për kryeparlamentarin pas vendimit të gjykatës.
Faton Peci, pjesë e koalicionit me LVV-në, tha se në ditët e fundit ka pasur takim mes LVV-së dhe Nismës Socialdemokrate të Fatmir Limajt, duke thënë se Limaj shihet si partner i mundshëm për qeverisje.
Limaj, partia e të cilit ka tri ulëse në Kuvend, deklaroi se vendi duhet të ketë një shumicë parlamentare, duke shprehur bindjen se Kosova së shpejti do t’i ketë institucionet e reja.
Seanca konstituive pritet të vazhdojë të enjten, më 5 qershor. Kjo është hera e parë që nga nisja e seancës konstituive më 15 prill, që vazhdimi i seancës bëhet pas 24 orësh, pasi deri më tani vazhdimet janë bërë çdo 48 orë. Ky vendim u mor nga kryesuesi Avni Dehari, në konsultim me përfaqësuesit e partive, me qëllim që seanca të mos vazhdonte të premten, kur është festa e Bajramit.
PDK-ja dhe AAK-ja e konsiderojnë Haxhiun si një figurë jounifikuese, duke kërkuar nga LVV-ja ta ndryshojë kandidatin për kryeparlamentar. LDK-ja, ndërkaq, ka thënë se nuk do të votojë asnjë kandidat të LVV-së për këtë post.
LVV-ja, si partia fituese e zgjedhjeve të shkurtit, ka të drejtën ekskluzive të propozimit të kandidatit për kryeparlamentar. Kjo parti ka thënë se nuk do ta ndryshojë kandidatin, duke theksuar se Haxhiu e meriton të zgjidhet në këtë pozitë.
Për ta konstituuar Kuvendin, deputetët duhet të zgjedhin kryetarin e ri dhe pesë nënkryetarët, për të cilët nevojiten 61 vota.
Vetëm pas zgjedhjes së tyre, organi ligjvënës konsiderohet i konstituuar, dhe pas kësaj hapet rruga për formimin e Qeverisë së re të Kosovës./REL/