Lajmet

Afër 8 milionë euro: Merret vendimi përfundimtar për projektin e kompleksit “Adem Jashari”

Published

on

Nga tre milionë euro që ishte paraparë të vlente, master-plani për kompleksin “Adem Jashari” shtetit do t’i kushtojë 7,890,000.00 euro.

Ministria e Kulturës e ka shpërblyer me kontratë studion gjermane të arkitekturës Gerber Architekten International GmbH për zhvillimin e master-planit për kompleksin “Adem Jashari” në Skenderaj.

Monumentet brenda kompleksit ka vite që ndodhen në rrezik të shkatërrimit.

Për të shmangur këtë degradim, Qeveria e Kosovës në vitin 2021 ka iniciuar një proces për zhvillimin e master-planit të Kompleksit Memorial Adem Jashari në Prekaz.

Hapi i parë ka qenë themelimi i një Komiteti ndër-ministror për kompleksin, i cili do ta mbikëqyrte dhe ndërmerrte hapa për zhvillimin e master-planit. Kësisoj, Ministria e Kulturës hapi një konkurs përmes prokurimit publik për zhvillimin e një master-plani.

Sipas konkursit të mbyllur me 7 korrik, master-plani do të përfshijë një zonë prej 450 hektarësh. Në konkurs jepen detaje të gjendjes aktuale bashkë me synimet e shtetit.

Procedurat e prokurimit për përzgjedhjen e kompanisë fituese për zhvillimin e master-planit për Kompleksin Memorial Adem Jashari të cilat filluan në qershor, kanë përfunduar të mërkurën e 3 korrikut dhe kanë zgjatur më tepër se një vit.

Me kontratë është shpërblyer studioja e arkitekturës Gerber Architekten International GmbH, me bazë në Dortmund të Gjermanisë. Vlera e kontratës është dyfish më e madhe sesa ajo që ishte paraparë në hapje të tenderit.

Nga 3 milionë euro që ishte paraparë të kushtonte, master-plani për Kompleksin Memorial Adem Jashari do t’i kushtojë shtetit 7,890,000.00 euro, bazuar në njoftimin për dhënie të kontratës të publikuar nga Zyra e Prokurimit të Ministrisë së Kulturës të mërkurën.

Dy ofertat e konsorciumeve tjera konkurruese, ato të “Polis University” dhe Institutit të Shkencës dhe Teknologjisë, janë eliminuar nga Ministria e Kulturës, edhe pse ishin më të lira në çmime.

Në shkurt të këtij viti, Ministria e Kulturës është paditur nga Instituti i shkencës dhe teknologjisë “Insi”, e cila kryesonte njërin nga konsorciumet e eliminuara nga gara për tenderin e zhvillimit të master-planit.

I njëjti operator ekonomik e ka dorëzuar lëndën edhe në Gjykatën Komerciale. “Insi” pretendon se ka pasur shkelje të shumta në procesin e prokurimit për këtë tender.

Shteti prej vitit 2004 me Ligj të veçantë kishte shpallur kompleksin përkujtimor “Adem Jashari” si hapësirë me interes të veçantë.

Më pas në nëntor të vitit 2018 me Ligjin për kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz ishte ripërcaktuar statusi i Kompleksit dhe obligimet e institucioneve të Kosovës për planifikimin, ndërtimin, mbrojtjen, konservimin, restaurimin, administrimin, kujdesin dhe prezantimin e tij.

Në Ligj që ka zëvendësuar atë të 2004-s përcaktohet se Kompleksi posedon 450 hektarë dhe, sipas analizës së ndikimit buxhetor, asokohe parashihej të investoheshin 21 milionë euro.

Lajmet

Robertson e Foster u shkruajnë partive të Kosovës: Vendoseni të ardhmen e popullit në radhë të parë

Published

on

Ish-sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Lord George Robertson dhe ish-inxhinieri i ushtrisë britanike që shërbeu në Kosovë, tash deputet, Paul Foster, u kanë bërë thirrje partive politike në Kosovë që të veprojnë me urgjencë dhe përgjegjësi për zgjidhjen e çështjes së presidentit dhe formimin e një qeverie funksionale.

Në një deklaratë drejtuar Kuvendit të Kosovës, të siguruar nga KOHA, Robertson dhe Foster, të cilët e kanë cilësuar veten miq të hershëm të Kosovës, kanë kërkuar nga të gjithë deputetët dhe liderët politikë që të angazhohen për tejkalimin e ngërçit institucional.

“Si miq të hershëm të Kosovës, ne u bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve të Kuvendit dhe udhëheqësve në të gjithë spektrin politik që të veprojnë me urgjencë dhe përgjegjësi për të zgjidhur çështjen e Presidencës dhe për të formuar një qeveri plotësisht funksionale pa vonesë të mëtejshme”, thuhet në deklaratë.

Ata kanë paralajmëruar se bllokimi i vazhdueshëm institucional mund të dëmtojë besimin e qytetarëve dhe të largojë vëmendjen nga çështjet kryesore për vendin, si siguria, zhvillimi ekonomik, sundimi i ligjit dhe perspektiva evropiane.

“Kosova ka demonstruar vazhdimisht guximin, qëndrueshmërinë dhe shpirtin demokratik të popullit të saj. Këto arritje tani duhet të shoqërohen me një lidership politik të barabartë me momentin. Bllokimi i vazhdueshëm institucional rrezikon dobësimin e besimit të publikut dhe largimin e vëmendjes nga prioritetet që kanë më shumë rëndësi për qytetarët: siguria, mundësitë ekonomike, sundimi i ligjit dhe e ardhmja evropiane e Kosovës”, kanë thënë ata.

Robertson dhe Foster kanë theksuar gjithashtu se situata aktuale zhvillohet në një kohë të pasigurisë së shtuar globale dhe rajonale, duke vënë në pah sfidat e sigurisë me të cilat përballet Evropa dhe shqetësimet për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Dy zyrtarët britanikë kanë bërë të qartë se nuk synojnë t’u tregojnë përfaqësuesve të Kosovës se kush duhet ta udhëheqë vendin, duke theksuar se kjo çështje u takon institucioneve kushtetuese dhe përfaqësuesve të zgjedhur në mënyrë demokratike.

Megjithatë, ata u kanë bërë thirrje të gjitha palëve që të angazhohen në mënyrë konstruktive, të bëjnë kompromiset e nevojshme dhe të zgjedhin presidentin në përputhje me Kushtetutën, si dhe të formojnë sa më shpejt një qeveri të qëndrueshme.

Duke cituar thënien e ish-presidentit amerikan John F. Kennedy (“Le të mos kërkojmë përgjigjen republikane ose përgjigjen demokratike, por përgjigjen e duhur”), Robertson dhe Foster kanë përcjellë mesazhin se në rrethanat aktuale politike në Kosovë duhet të mbizotërojë ajo që është në interes të vendit.

“Në rrethanat aktuale të Kosovës, përgjigjja e duhur është ajo që e vendos vendin, popullin e tij dhe të ardhmen e tij në radhë të parë”, thuhet në deklaratë.

Në fund, ata kanë thënë se qytetarët e Kosovës meritojnë institucione funksionale, të afta për të qeverisur, mbrojtur interesin kombëtar dhe avancuar Kosovën drejt Evropës dhe komunitetit më të gjerë demokratik.

“Ne shpresojmë sinqerisht që një zgjidhje të mund të arrihet shpejt dhe në frymën e bashkëpunimit”, kanë përfunduar Robertson dhe Foster.

Kosova ende nuk i ka formuar institucionet pas zgjedhjeve që u mbajtën më 7 qershor. Nesër do të mbahet vazhdimi i seancës konstituive, ku në rend dite është zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarët. Sipas radhës, më pas formohet Qeveria e zgjidhet presidenti. Megjithëse votat për qeveri, partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje, i ka, ngërçi vazhdon të mbetet te emri i presidentit./EO/

Continue Reading

Lajmet

Përfundon rregullimi i rrugës “Gjergj Balsha” në Prishtinë

Published

on

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se ka përfunduar projekti për rregullimin e rrugës “Gjergj Balsha” në kryeqytet.

Sipas Ramës, përfundimi i punimeve në këtë rrugë synon përmirësimin e infrastrukturës dhe lehtësimin e qarkullimit për banorët dhe qytetarët që e përdorin këtë aks rrugor.

“Mirëmëngjes nga rruga Gjergj Balsha”, ka shkruar Rama.

Investimet në infrastrukturën rrugore në Prishtinë po vazhdojnë me synimin për krijimin e kushteve më të mira për qytetarët./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Sot vazhdon seanca konstituive e Kuvendit

Published

on

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të vazhdojë sot, më 9 shtator, ndërkaq në rend dite janë zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve.

Seanca do t’i vazhdojë punimet nga ora 11:00.

Seanca konstituive e Legjislaturës XI nisi më 6 gusht 2026, por nuk u përmbyll.

Deputetët ka dhënë betimin, ndërsa procesi mbeti pa përfunduar pasi Lëvizja Vetëvendosje, si partia që ka fituar zgjedhjet nuk prezantoi kandidatin për kryeparlamentar./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Moti sot: Temperaturat deri në 32°C, ditë kryesisht me diell

Published

on

Sot në Kosovë pritet mot kryesisht me diell dhe i ngrohtë. Në Prishtinë, temperaturat do të lëvizin nga 15°C në mëngjes deri në rreth 32°C gjatë ditës, ndërsa mundësia për reshje mbetet e ulët.

Ditët në vijim pritet të mbeten të ngrohta, ndërsa gjatë fundjavës parashikohet ndryshim i motit, me vranësira dhe mundësi për reshje e bubullima./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara