Është bërë prezantimi i skemës së granteve për energji të pastër ku mori pjesë edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti i cili përmendi dhe dy prioritetet e qeverisë me të cilën edhe udhëheqi për katër vite.
“Shumë prej jush që jeni të pranishëm e qindra prodhues të tjerë tashmë i keni hapur dyert për linja automatike për robot e për pajisje të reja falë 100 milion euro kredive investuese të subvencionuara për 379 ndërmarrjet dhe 12 milionë euro të tjera për 440 biznese të cilat e zgjeruan kapacitet pa e rrezikuar bilancin. Për këtë jemi siguruar që të shfrytëzojmë edhe përkrahjen e mërgatës sonë përmes emitimit të boneve të thesarit në vlerë prej 10.4 milionë euro të cilët kanë mundësuar investimet për prodhuesit vendor. Si vazhdimësi e investimeve që kemi bërë deri më tani skema të cilën po e prezantojmë sot është reflektim i dy prioriteteve të qeverisë sonë. E para përkrahjes së sektorit privat e veçanti të prodhuesit dhe rritjes së konkurrueshmërisë së produkteve vendore dhe e dyta, rritjes së efiçiencës së energjisë e cila po ashtu ndërlidhet ngushtë me uljen e kostos së prodhimit dhe rritjes së konkurueshmërisë në tregun vendor e ndërkombëtar”, tha mes tjerash Kurti.
Ndërsa ministrja në detyrë e ekonomisë, Artane Rizvanolli tregoi më shumë detaje për këtë skemë.
“Jemi të gatshëm që të zbatojmë këto skema të reja me një bashkëpunim të ngushtë që siguron një bashkëpunim të ngushtë nga ministritë relevante, nga njëra anë ajo e Ministrisë së Tregtisë dhe në anën tjetër ajo e Ekonomisë dhe kjo skemë vjen në një moment kyç kur në Kosovë po zbatohet faza e dytë e liberalizimit të tregut ku mbi 700 kompani tashmë operojnë në treg të liberalizuar dhe kjo është mënyra jonë për të siguruar që ata që prekën më së shumti pra bizneset prodhuese, pra që janë dhe shtylla kryesore të kenë përkrahjen e duhur për të bërë investime që janë të dobishme për ta dhe për ekonominë e Kosovës në shumë mënyra, duke përfshirë këtu rritjen e konkurrueshmërisë, uljen e kostos, ndikimin në uljen e importit si dhe të ketë biznese më të gjelbra dhe më konkurrueshme në Evropë sot dhe në të ardhmen”, tha Rizvanolli.
“Skema e granteve për energji të pastër do të ofrojë deri në 20 mijë euro grant për një masë të vetme ose deri në 25 mijë euro nëse kombinohen dy masa, ndërsa mbi afatet e aplikimit mund të gjinden në faqen e Ministrisë së Ekonomisë, KIESA dhe MINT”, tregoi Rizvanolli.
E pranishme ishte edhe ministrja MINT-it në detyrë, Rozeta Hajdari dhe ambasadori i Luksemburgut në Prishtinë, Sh.T. Eric Dietz./S.K/EO/