Presidenti amerikan, Donald Trump, gjatë prezantimit të liderëve në mbledhjen e parë të Bordit të Paqes, ka vlerësuar edhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Duke iu drejtuar Osmanit para të pranishmëve, Trump u shpreh: “Faleminderit shumë, punë të mirë jeni duke bërë edhe ju.”
Deklarata erdhi në kuadër të takimit inaugurues të Bordit të Paqes, ku po marrin pjesë liderë nga vende të ndryshme të botës.
Trump nis Bordin e Paqes, Osmani dhe Rama pjesë e takimit
Ka nisur sot takimi inaugurues i Bordit të Paqes, i thirrur nga Donald Trump, në një ngjarje që ai e cilësoi si historike dhe me ndikim të madh global. Pjesë e këtij formati ndërkombëtar janë edhe Kosova dhe Shqipëria, të përfaqësuara nga liderët e tyre shtetërorë.
Kosova përfaqësohet nga presidentja Vjosa Osmani, ndërsa Shqipëria nga kryeministri Edi Rama, duke theksuar përfshirjen aktive të dy vendeve në këtë nismë për paqe dhe bashkëpunim ndërkombëtar.
Në fjalën hapëse, Trump falënderoi të pranishmit dhe mediat për vëmendjen e madhe.
“Kjo është një ditë e madhe dhe shumë njerëz po e ndjekin,” tha ai. “Kemi një grup të madh liderësh, dhe ata që nuk janë këtu po e ndjekin përmes Zoom-it. Shpresoj që ta shijojnë.”
Ai ritheksoi synimin e Bordit: “Ajo që po bëjmë është shumë e thjeshtë: paqe. Quhet Bordi i Paqes dhe ka të bëjë me një fjalë të lehtë për t’u thënë, por të vështirë për t’u arritur: paqe.”
Sipas tij, ky është një ndër forumet më të rëndësishme të krijuara ndonjëherë. “Besoj se është bordi më me pasoja, sigurisht për nga fuqia dhe prestigji. Nuk ka pasur kurrë diçka të ngjashme,” deklaroi Trump.
Ai nuk kurseu kritikat për vendet që nuk kanë pranuar ftesën për t’iu bashkuar nismës. “Pothuajse të gjithë e kanë pranuar, dhe ata që nuk e kanë bërë, do ta bëjnë. Disa po përpiqen të tregohen pak të zgjuar – por kjo nuk funksionon. Nuk mund të luani të zgjuarin me mua,” u shpreh ai.
Takimi pritet të vijojë me diskutime mbi konfliktet aktuale, nismat diplomatike dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, ndërsa pjesëmarrja e Kosovës dhe Shqipërisë shihet si një zhvillim me rëndësi për rajonin në kuadër të përpjekjeve globale për paqe.