Lajmet
A po shpërthen një betejë për pushtet brenda Qeverisë së Kazakistanit?
Viteve të fundit ka qenë zakon i Nazarbaevit që të zhduket nga publiku kur ka pasur trazira në Kazakistan.
Published
5 years agoon
By
Betim GashiAto që nisën si protesta paqësore dhe u përhapën shpejt në Kazakistan, duke u shndërruar në trazira të mëdha menjëherë pas Vitit të Ri, duket se kanë shkaktuar diçka krejt tjetër – një betejë për kontrollin e niveleve të larta të pushtetit në vend.
Protestat masive të ditëve të fundit në dhjetëra qytete për kushtet e këqija socio-ekonomike në një vend të pasur me naftë dhe burime të tjera, po errësohen nga një luftë për pushtet midis administratës së presidentit, Qasym Zhomart Toqaev dhe besnikëve të ish-presidentit të parë të vendit, Nursultan Nazarbaev.
Njoftimi i 8 janarit për arrestimin nën dyshimin për tradhti të ish-kreut të Komitetit për Sigurinë Kombëtare (KNB), Karim Masimov, ishte treguesi më i qartë se ndërkohë që forcat e sigurisë vazhdojnë operacionet e tyre “anti-terroriste” në mbarë vendin, një tjetër betejë po zhvillohet midis zyrtarëve më të fuqishëm të Kazakistanit.
Lëvizjet dhe kundërlëvizjet
Masimov, i cili u lirua nga detyrat e tij si shef i Komitetit për Siguri Kombëtare më 5 janar, është një peshk i madh në detin politik të Kazakistanit, megjithëse ai nuk është përmendur shumë në media në muajt e fundit.
Por, arrestimi i njeriut besnik të ish-presidentit Nazarbaev është një tregues kyç se presidenti aktual Toqaev po përdor dështimin e supozuar të inteligjencës dhe forcave të sigurisë vendase për të dalluar “terroristët e stërvitur nga jashtë” – Toqaev pretendon se ata ishin pas trazirave – me qëllim të pastrimit të Qeverisë nga besnikët e ish-presidentit Nazarbaev.
Nazarbaevit, 81 vjeç, i cili drejtoi Kazakistanin për gati 30 vjet deri në vitin 2019, iu dhanë poste të rëndësishme dhe pas largimit nga pozita e presidentit, pasi ai dhe disa nga anëtarët e familjes së tij vazhdojnë të kenë ndikim të madh në vend. Aq shumë, saqë presidenti Toqaev shpesh përqeshet nga kritikët dhe analistët se i është i varur nga Nazarbaev, i cili shumë prej tyre pretendojnë se ende ka ndikim në vendimmarrje në Kazakistan, pavarësisht largimit nga Presidenca.
Veprimi i Toqaevit pas shpërthimit të protestave masive për të hequr Nazarbaevin nga detyra e tij si kryetar i Këshillit për Siguri Kombëtare të Kazakistanit dhe më pas arrestimi i Masimovit, ishin shenjat e para se ai po “pastronte shtëpinë”.
Masimov ka qenë një njeri shumë i fuqishëm në Qeverinë kazake për më shumë se 20 vjet, duke shërbyer në dy mandate si kryeministër nën liderin autoritar Nazarbaev.
Më herët ai ishte ministër i Transportit dhe Komunikimit, ministër i Ekonomisë dhe Planifikimit të Buxhetit, Sekretar i Shtetit dhe kreu i Administratës Presidenciale të Nazarbaevit përpara se të bëhej shef i Këshillit për Siguri Kombëtare në vitin 2016.
Karriera e tij përpara shërbimit të tij në poste qeveritare është po aq e rëndësishme sepse si specialist i Kinës, Masimov përfaqësoi interesat tregtare të Kazakistanit në Pekin dhe Hong Kong në fillim të viteve të 90-ta dhe supozohej se kishte luajtur një rol në transferimin e parave në bankat e Hong Kongut për ish-presidentin Nazarbaev, i cili konsiderohet si një nga njerëzit më të pasur në Kazakistan.
Fakti që Masimov është i arrestuar dhe i akuzuar për krime të rënda duket se është një shenjë e keqe për Nazarbaevin dhe anëtarët e pasur dhe të fuqishëm të familjes së tij, asnjë prej të cilëve nuk është parë në publik që nga fillimi i protestave.
Në të njëjtën kohë, sekretari për media i ish-presidentit Nazarbaev, Aidos Ukibay shkroi në Twitter më 8 janar se “Elbasy (titull nderi për i Nazarbaevin e që do të thotë “udhëheqës i kombit”) ndodhet në kryeqytetin e Kazakistanit, qytetin e Nur-Sulltanit”.
Ky formulim është domethënës pasi kishte raporte të pakonfirmuara më 7 janar se Nur-Sulltan nuk ishte më emri që zyrtarët kazak po përdornin për kryeqytetin, duke nxitur kështu edhe më shumë thashethemet se Nazarbaev dhe trashëgimia e tij po shkatërroheshin tërësisht nga presidenti aktual Toqaev.
Ishte Toqaev ai që e riemëroi kryeqytetin nga Astana në Nur-Sulltan menjëherë pasi Nazarbaev dha dorëheqjen më 19 mars 2019 dhe ia dorëzoi pushtetin Toqaevit, besnik i tij për një kohë të gjatë.
Asgjë për të parë këtu
Në një përpjekje të dukshme për të shpërndarë idenë se nuk ka ndonjë problem mes dy liderëve, Ukibay tha se “Elbasy po zhvillon një sërë takimesh konsultative dhe është në kontakt të drejtpërdrejtë” me presidentin Toqaev.
Ai u kërkoi mediave që të mos përhapin “informacion të rremë dhe spekulativ” dhe më e rëndësishmja, këmbënguli se Nazarbaev vullnetarisht kishte hequr dorë nga pozita e kreut të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Një postim vijues në Twitter nga Ukibay shtoi se “Nazarbaev ka pasur disa biseda me telefon me liderët e qeverive që janë miqësore me Kazakistanin”.
Megjithëse nuk ka pasur raportime që Nazarbaev ka biseduar me krerët e vendeve mike si Rusia apo Kina, të cilët kanë thënë publikisht se kanë folur me Toqaevin, një raport i 5 janarit thoshte se udhëheqësi bjellorus Alyaksandr Lukashenka kishte folur me të vërtetë me Nazarbaevin për trazirat.
Ukibay shkroi gjithashtu në Twitter se “Elbasy u bën thirrje të gjithëve që të mblidhen rreth presidentit të Kazakistanit për të kapërcyer sfidat aktuale dhe për të siguruar integritetin e vendit tonë”.
Këto komente janë interesante pasi sugjerojnë se Nazarbaev duhet të njihet ende si “udhëheqësi i kombit” dhe, së dyti, se ai është në kontakt dhe mbështet Toqaevin në përpjekjet për të shtypur protestuesit në mënyrë që të rimarrë kontrollin e vendit pas trazirave që kanë lënë zyrtarisht dhjetëra të vdekur, qindra të plagosur, rreth 6,000 persona të arrestuar dhe qindra milionë dollarë dëme materiale.
Por, për shkak të një bllokimi të internetit të imponuar nga shteti dhe ndërprerjes së shërbimeve të telefonisë celulare brenda Kazakistanit, këto shifra është e pamundur që të verifikohen edhe pse raportet e pakta që kanë dalë nga ndërprerja e komunikimit, flasin për shifra më të mëdha viktimash.
Gjatë gjithë krizës, Nazarbaev nuk është parë apo dëgjuar, megjithëse kjo nuk është domosdoshmërisht një tregues që diçka nuk shkon me Elbasyin ose se ai po heshtet nga presidenti.
Viteve të fundit ka qenë zakon i Nazarbaevit që të zhduket nga publiku kur ka pasur trazira në Kazakistan.
Por, fakti që një zyrtar besnik si Masimov është nën arrest, sigurisht nuk është një shenjë e mirë për Nazarbaevin.
Sidoqoftë, vlen të përmendet se Masimov nuk ka lidhje me klanet e fuqishme në Kazakistan dhe për këtë arsye ishte një objektiv i lehtë për presidentin Toqaev.
Fillimi
Protestat paqësore pas një rritjeje drastike të çmimeve të karburantit që filloi në qytetin perëndimor të naftës Zhanaozen, menjëherë pas Vitit të Ri u shndërruan shpejt në protesta për problemet ekonomike, mungesën e mundësive për të marrë pjesë në procesin politik dhe dështimin e Qeverisë për të bërë më shumë për të zgjidhur ndonjë nga këto probleme.
Presidenti Toqaev urdhëroi uljen e çmimit të karburantit, më pas pranoi dorëheqjen e Qeverisë më 4 janar në përpjekje për të qetësuar trazirat që po rriteshin më shpejt nga sa mund të pritej.
Por, më 5 janar ai ndryshoi tonin e tij dhe tha se “terroristët e stërvitur nga të huajt” ishin pas protestave dhe Toqaev e përdori këtë si pretekst për të urdhëruar një operacion sigurie që përfundimisht mbuloi të gjithë vendin dhe bëri thirrje për ndihmë nga Organizata e Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO) e udhëhequr nga Rusia.
Deri në atë kohë dhe me Masimovin ende në krye të Këshillit Kombëtar të Sigurisë, policia dhe forcat e sigurisë kishin qenë jashtëzakonisht pasive, ndërsa protestat u rritën në përmasa dhe u përhapën në të gjithë vendin.
Që nga emërimi i Toqaevit si president në detyrë në vitin 2019, ka pasur një epokë të re protestash në Kazakistan të papara që nga fundi i viteve të 90-ta, dhe forcat e zbatimit të ligjit dhe të sigurisë janë bërë gjithnjë e më të afta për t’iu kundërvënë shprehjeve publike të pakënaqësisë, duke u përballur me shpejtësi me qindra njerëz dhe duke ndaluar aktivistët dhe organizatorët para mbajtjes së protestave të planifikuara.
Protestat e fundit nuk kanë ndonjë liderë të qartë dhe ato shpërthyen spontanisht, por duket e çuditshme që ndërsa protestuesit marshonin nëpër rrugët e qyteteve dhe u mblodhën në një numër të madh në sheshet kryesore, autoritetet prisnin që të vendosnin forcat e rendit për të shuar trazirat në rritje, derisa Masimov u shkarkua nga pozita e shefit të Këshillit Kombëtar të Sigurisë.
“20,000 terroristë”
Kishte disa njerëz të armatosur në mesin e mijëra demonstruesve në Almati gjatë mbrëmjes së 5 janarit dhe ata u përfshin në të shtëna me forcat e sigurisë, pasi ndërtesat qeveritare u pushtuan ose u dogjën dhe shumë dyqane u plaçkitën.
Është e paqartë se kush qëndron pas dhunës, megjithëse zyrtarët kazakë me siguri do të japin pretendime të mëtejshme se kush janë ata dhe çfarë i motivoi.
Presidenti Toqaev pretendoi se vetëm në Almati kishte 20,000 terroristë dhe deri më 7 janar, i gjithë vendi ishte në një alarm të “nivelit të kuq” për shkak të një “kërcënimi terrorist”.
Më pas ai njoftoi se kishte autorizuar forcat e sigurisë të “qëllonin për të vrarë pa dhënë asnjë paralajmërim”.
Se si një numër kaq i madh “terroristësh” mund të kishin qenë të pranishëm në Kazakistan –me sa duket pa tërhequr vëmendjen e shërbimeve të sigurisë që janë treguar kaq efikase në pengimin e përpjekjeve të grupeve të vogla opozitare aktive në Kazakistan –është shumë e vështirë të imagjinohet.
Toqaev tha përmes llogarisë së tij në Twitter më 7 janar se kishte pasur “gjashtë valë” sulmesh nga terroristët në Almati dhe përsëri tha se ishin 20,000, “disa prej tyre nuk flisnin gjuhën kazake”, të cilët “po rrihnin dhe vrisnin policët dhe ushtarë të rinj… po plaçkisnin objektet dhe dyqane private, po vrisnin qytetarë dhe po përdhunonin vajza të reja”.
Këto postime në Twitter më pas u fshin.
Një nga teoritë që është përpahur është se ata që ishin të armatosur dhe me sa duket po plaçkisnin ishin anëtarë të grupeve të organizuara kriminale që lulëzuan nën qeverinë e Nazarbaevit, dhe ndoshta u lëshuan për të kundërshtuar çdo përpjekje për të hequr Nazarbaevin dhe rrethin e tij të brendshëm nga pushteti.
Ky sugjerim lidhi me organizimin e grupeve të armatosura vëllanë e Nazarbaevi, Bolat dhe gjithashtu nipin e ish-presidentit, Samat Abish, i cili është zëvendësudhëheqës i Këshillit Kombëtar të Sigurisë.
Abish thuhet se u shkarkua më 5 janar, por sipas shërbimit të shtypit të Këshillit Kombëtar të Sigurisë më 8 janar, ai është ende në postin e tij.
Pse tani?
Ajo që mund të kishte shkaktuar konfliktin e brendshëm të Qeverisë është gjithashtu një çështje hamendjeje, me shumë të tillë që thonë se protestat u përdorën për të rrëmbyer pushtetin.
Akezhan Kazhegeldin, i cili ishte kryeministër në vitet e 90-ta nën regjimin e ish-presidentit Nazarbaev, përpara se të shkonte në mërgim, tha se besonte se kishte një “komplot” kundër presidentit Toqaev nga forcat e sigurisë, gjë që mund të shpjegojë pse Toqaev kërkoi ndihmë nga CSTO, pasi kishte humbur besimin në forcat e tij.
Kazhegeldin pyeti se pse zyrtarët vendas të zbatimit të ligjit nuk arritën të zbatonin shtetrrethimin mbarëkombëtar që ishte vendosur dhe pyeti “si ndodhi që ndërtesa e Këshillit Kombëtar të Sigurisë në Almati u plaçkit dhe armët ranë në duart e njerëzve të panjohur?”.
Një arsye tjetër për manovrimin mund të vijë nga video e një vizite të Toqaeviz dhe Nazarbaevit në Moskë më 27 dhjetor, që tregon se Nazarbaev është mjaft i dobët, duke bërë që disa të besojnë se mbështetësit e presidentit të parë kazak besojnë se ai është afër vdekjes dhe po përdor mundësinë e ofruar nga trazirat për të sfiduar dhe larguar Toqaevin nga pushteti.
Të tjerë thonë për të njëjtën arsye se ishin njerëzit e Toqaevit që vepruan në një përpjekje për të rritur fuqinë e tyre përpara se Nazarbaev të vdiste.
Disa e interpretojnë vendimin e shpejtë të Rusisë për të vendosur një forcë të vogël paqeruajtëse të CSTO-së në Kazakistan – hera e parë në ekzistencën 30-vjeçare që ajo ka vendosur një forcë të tillë – si një shenjë e mbështetjes së Kremlinit për Toqaevin.
Madje ka teori që sugjerojnë se Nazarbaev dhe Toqaev po punojnë së bashku si pjesë e një plani për të çliruar veten nga zyrtarë të tjerë, të paspecifikuar.
Analisti politik kazak, Dimash Alzhanov vuri në dukje se nëse Nazarbaev ose familja e tij largohen ose janë larguar tashmë nga Kazakistani, ata mund ta bëjnë këtë vetëm me dijeninë dhe miratimin e Toqaevit.
Informacionet e reja që do të dalin në ditët në vijim, teksa ngjarjet do të vazhdojnë të zhvillohen, padyshim që do të rrisin ose hedhin poshtë disa nga analizat dhe mund të dalin edhe më shumë skenarë të makinacioneve në prapaskenë.
Është e drejtë të thuhet se edhe pse disa nga protestat paqësore vazhdojnë, dhe derisa forcat e sigurisë ndjekin “terroristët e stërvitur nga jashtë” të Toqaevit, ka një betejë tjetër që po zhvillohet brenda sallave të pushtetit në Nur-Sulltan që do të formësojë të ardhmen e vendit në muajt dhe ndoshta vitet e ardhshme. Rfe
Lajmet
Profesori i UBT-së dhe mësimdhënësit e UBT International Smart Schools pjesë e SHIELD Cybersecurity Training në Riga
Published
3 minutes agoon
August 27, 2026By
ubtnews
Profesori i UBT-së, Jon Doone, së bashku me mësimdhënësit e UBT International Smart Schools, Ganimete Marmullaku, Ibrahim Nici dhe Vjollca Baxhaku, morën pjesë në trajnimin ndërkombëtar SHIELD Cybersecurity Training, të zhvilluar në Riga.






Pjesëmarrja e përfaqësuesve të UBT-së dhe UBT International Smart Schools në këtë ngjarje ndërkombëtare dëshmon përkushtimin e institucionit për avancimin e vazhdueshëm të njohurive dhe praktikave profesionale në fushën e sigurisë kibernetike, veçanërisht në mjediset arsimore.
Trajnimi ofroi njohuri bashkëkohore dhe praktika konkrete për forcimin e sigurisë kibernetike, mbrojtjen e të dhënave dhe rritjen e ndërgjegjësimit për rreziqet digjitale në institucionet arsimore. Përmes sesioneve trajnuese dhe shkëmbimit të përvojave ndërkombëtare, pjesëmarrësit patën mundësi të njihen me qasje dhe praktika të reja për adresimin e sfidave që lidhen me sigurinë digjitale në shkolla.
Lajmet
Bëhu pjesë e tranzicionit energjetik: Studio Inxhinierinë e Energjisë në UBT
Published
42 minutes agoon
August 27, 2026By
UBTNews
Programi Bachelor në Inxhinieri të Energjisë në UBT është një studim unik që të përgatit për një nga profesionet më të kërkuara dhe më mirë të paguara në treg. Ky program është krijuar posaçërisht për t’iu përgjigjur nevojës urgjente për eksperte të rinj.
Po ashtu, me Strategjinë e Energjisë së Kosovës 2022-2031 dhe direktivat e BE-së, investimet private e publike po fokusohen masivisht në këtë sektor, çka e bën këtë diplomë një garanci për një karrierë të sigurt.
Për t’ju përgjigjur kërkesave specifike të industrisë, programi ofron orientime të specializuara në fushat më inovative. Studentët trajnohen në mënyrë të thelluar në teknologjitë e energjisë së rinovueshme, si ajo solare, e erës, gjeotermale dhe biomasa. Një drejtim tjetër kyç është specializimi në ruajtjen e energjisë me bateri dhe menaxhimin e rrjeteve inteligjente (Smart Grid). Programi mbulon gjithashtu konvertimin e energjisë, termodinamikën, makinat elektrike, si dhe teknologjitë tradicionale që përfshijnë mirëmbajtjen dhe rivitalizimin e blloqeve të termocentraleve Kosova B.
Përmes një qasjeje praktike dhe interaktive, gjatë studimeve do të zhvillosh aftësi në projektimin, analizën dhe optimizimin e sistemeve energjetike. Do të mësosh të përdorësh metoda simulimi, të vlerësosh ndikimet mjedisore dhe të zbatosh zgjidhje efikase energjetike. Gjatë periudhës së stazhit, studentët ekzekutojnë projekte të pavarura kërkimore dhe trajnohen për udhëheqjen e projekteve teknike, duke u përgatitur plotësisht për të hyrë me sukses në tregun e punës.
Nëse dëshiron të kesh një profesion me ndikim real dhe të jesh pjesë e tranzicionit energjetik në Kosovë e më gjerë, zgjidh Inxhinierinë e Energjisë në UBT dhe shndërro pasionin tënd për teknologjinë në një karrierë premtuese!
Lajmet
Vdiq Ratko Mlladiq, i dënuar për gjenocid në Srebrenicë
Published
1 hour agoon
August 27, 2026By
UBT News
Ish-komandanti i ushtrisë serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiq, i dënuar nga një gjykatë ndërkombëtare për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit të kryera gjatë luftës në Bosnje më 1992-1995, ka vdekur në moshën 84-vjeçare.
Lajmi u bë i ditur nga Radio Televizioni i Republikës Sërpska.
Mlladiq ishte dënuar për një akuzë për gjenocid, për pesë akuza për krime kudër njerëzimit dhe katër akuza për krime lufte nga Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavi (ICTY) në Hagë më 2017 – mbi 20 vjet pasi ndaj tij u ngrit aktakuzë.
I njohur nga viktimat e tij dhe të tjetër si “kasapi i Bosnjës”, gjykata e gjeti Mlladiqin fajtor për urdhërimin e masakrimit të më shumë se 7.000 burrave dhe djemve në Srebrenicë më 1995 – mizoria më e madhe e kryer në Evropë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.
Që nga vendimi i Tribunalit në Hagë, numri i viktimave nga gjenocidi në Srebrenicë është rritur në mbi 8.000.
Mlladiq po ashtu u shpall përgjegjës nga Tribunali edhe për rrethimin dhe bombardimin e kryeqytetit të Bosnjës, Sarajevë – një krim kundër njerëzimit që sipas gjykatës ndërkombëtare rezultoi me vdekjen e 4.548 ushtarëve boshnjakë dhe 4.954 civilëve. Vlerësohet se po ashtu 50.000 persona ishin plagosur gjatë rrethimit.
Tribunali i Hagës gjeti po ashtu presidentin e kohës së luftës në entitetin serb të Bosnjë e Hercegovinës, Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiq, se kishte ndërmarrë politika që çuan në akte të gjenocidit dhe krimeve kundër njerëzimit, ndërkaq Mlladiq, komandanti i tij kryesor i ushtrisë, sipas gjykatës, i kishte ekzekutuar këto plane.
Mlladiq dhe Karaxhiq u akuzuan se kishin udhëhequr një zinxhir komandues mbi operacionet me qëllim spastrimin etnik të Bosnjës nga joserbët, përmes torturës, frikësimit, dëbimeve të detyruara të popullsisë dhe vrasjeve masive.
I cilësuar nga nacionalistët serbë dhe shumë serbë të Bosnjës si hero, Mlladiq komandoi forcat serbe të Bosnjës gjatë luftës në Bosnjë më 1992-1995, konflikt në të cilin janë vrarë më shumë se 100.000 persona.
Tribunali i Hagës konstatoi se kur Srebrenica ra në duart e forcave serbe të Bosnjës në korrik të vitit 1995, Mlladiq dha urdhra të drejtpërdrejta që trupat serbe të Bosnjës të grumbullonin dhe të ekzekutonin burrat dhe djemtë boshnjakë, që po përpiqeshin të largoheshin nga zona.
Gjykata po ashtu gjeti se forcat serbe të Bosnjës më pas tentuan të fshihnin dëshmitë e gjenocidit duke rivarrosur trupat e viktimave në varre masive, të shpërndara në zona të izoluara rurale përreth Srebrenicës.
Gjenocidi në Srebrenicë ishte edhe më tronditës për shkak se qyteti ishte vlerësuar nga Kombet e Bashkuara si zonë e sigurt për refugjatët, të cilët po iknin nga lufta në pjesë të tjera të Bosnjë e Hercegovinës.
Trubunali tha se Mlladiq kishte udhëhequr rrethimin e Sarajevës, që nisi në prill të vitit 1992 dhe zgjati për më shumë se tre vjet.
Në fakt, bllokada e Sarajevës nga trupa nën komandën e Mlladiqit zgjati nga prilli i vitit 1992 deri në shkurt të vitit 1996 – më shumë se dy muaj pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Dejtonit që i dha fund luftës. Atëbotë, ky ishte rrethimi më i gjatë i një qyteti në luftën moderne.
Karaxhiq u dënua për gjenocid më 2016, përfshirë edhe për gjenocidin në Srebrenicë, dhe u dënua me 40 vjet burgim. Apeli i tij ndaj vendimit të gjykatës u refuzua në mars të vitit 2019 dhe dënimi iu rrit në burgim të përjetshëm.
Mlladiq iu shmang arrestimit për 16 vjet me ndihmën e ushtrisë serbe, të aleatëve të tij të kohës së luftës dhe të familjes së tij.
Ai u arrestua në maj të vitit 2011 në fshatin Llazarevo, afër qytetit të Zrenjaninit në veri të Serbisë, pasi një informacion anonim iu dërgua Policisë nga dikush që kishte thënë se kishte parë një burrë që i përngjante në Mlladiqin.
Nga nisja e gjykimit ndaj tij në maj të vitit 2012, Mlladiq u deklarua i pafajshëm. Në një moment në fillim të procesit gjyqësor, Mlladiq bëri me duar gjestin e prerjes së fytit duke iu drejtuar një nëne të një prej viktimave të gjenocidit në Srebrenicë.
“Mlladiq vuri në lëvizje, nën kontrollin e vartësve të tij oficerë, operacionin në shkallë të gjerë, të mirëorganizuar që la të vrarë shumë se 7.000 burra dhe djem brenda pak ditësh”, deklaroi prokurori i Tribunalit të Hagës, Dermot Groome gjatë gjykimit.
“Krimet e kryera renditen në ndër më të tmerrshmet në historinë e njerëzimit dhe përfshijnë gjenocid dhe shfarosje, si krim kundër njerëzimit”, deklaroi gjyqtari kryesor Alphons Orie teksa lexoi përmbledhjen e vendimit ndaj Mlladiqit në nëntor të vitit 2017.
“Shumë nga këta burra e djem u mallkuan, u ofenduan, u kërcënuan dhe u detyruan të këndonin këngë serbe dhe u rrahën teksa prisnin ekzekutimin e tyre”, tha Orie.
Kryeprokurori i Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavi, Serge Brammertz, e cilësoi vendimin si “arritje të madhe” sepse ai e mbante përgjegjës Mlladiqin edhe për ndalimin e dhjetëra mijëra joserbëve në kampe ku shumë u rrahën e u përdhunuan, dhe po ashtu e mbante përgjegjës për zhvendosjen e mbi 1 milion personave në përpjekje për të rishkruar hartën demografike të Bosnjës.
Mlladiq ishte larguar nga gjykatorja disa minuta para se të lexohej vendimi për shkak se ai kishte nisur të bërtiste me zemërim: “Gjithçka që ju keni thënë është gënjeshtër e pastër. Turp. Të gjitha janë gënjeshtra!”.
Pas shpalljes së vendimit, viktimat dhe anëtarët e grupit të viktimave, Nënat e Srebrenicës, thanë se shpresonin që vendimi do të ndihmonte në pajtim, edhe pse shprehën keqardhje që Mlladiq nuk u shpall fajtor për të gjitha akuzat që u ngritën ndaj tij.
Familjarët që humbën më të dashurit e tyre në gjenocidin në Srebrenicë thanë se nuk kishte një dënim të duhur për të ndëshkuar Mlladiqin.
“Edhe nëse do të jetonte 1.000 herë dhe do të dënohej 1.000 herë me burgim të përjetshëm, drejtësia prapë nuk do të ishte vendosur”, u shpreh para shpalljes së vendimit, Ajsa Umiroviq, e cila humbi 42 të afërm në gjenocidin në Srebrenicë.
Vendimi ndaj Mlladiqit ishte i fundit i shpallur nga Tribunali, i cili u themelua në Hagë më 1993 për të ndjekur krimet e kryera në luftërat në Ballkan në fillim të viteve ’90.
Në qershor të vitit 2021, Gjykata e OKB-së në Hagë refuzoi apelin e dorëzuar nga Mlladiqi dhe konfirmoi vendimin për burgim të përjetshëm.
Vitin e kaluar, Tribunali për krime të luftës i OKB-së refuzoi kërkesën e Mlladiqit për lirim urgjent në Serbi për shkaqe shëndetësore. Në vendim, gjykata tha se gjendja e Mlladiqit, ndonëse e pasigurt, ishte e qëndrueshme dhe trajtimi i tij në burgun në Hagë ishte në një standard të pranueshëm.
Mlladiq u lind më 12 mars 1942 në Kallinovik, që atëbotë ishte pjesë e Shtetit të Pavarur të Kroacisë – një shtet kukull i Gjermanisë Naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Si anëtar i Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, Mlladiq nisi karrierën e tij në Ushtrinë Popullore Jugosllave më 1965. Ai u bë figurë e njohur gjatë luftërave në Ballkan që shpërthyen pas shpërbërjes së Republikës Federative të Jugosllavisë./REL/
Lajmet
10 përmbytjet më të rënda që kanë tronditur botën vitet e fundit
Published
2 hours agoon
August 27, 2026By
UBT News
Përmbytjet janë ndër fatkeqësitë natyrore më shkatërruese në botë dhe vitet e fundit kanë prekur gjithnjë e më shumë vende, nga Azia dhe Afrika deri në Evropë dhe Amerikën e Jugut.
Reshjet ekstreme, stuhitë tropikale, shkrirja e akullnajave dhe shembja e digave kanë shkaktuar humbje të mëdha njerëzore, shkatërrim të banesave dhe infrastrukturës, si dhe zhvendosjen e qindra mijëra njerëzve.
Nga përmbytjet katastrofike në Libi në vitin 2023 e deri te tragjedia më e fundit në kufirin Nepal–Tibet, këto janë disa nga rastet më të rënda të viteve të fundit.
- Nepal-Tibet – gusht 2026
Një nga katastrofat më të fundit dhe më të rënda është ajo që goditi kufirin mes Nepalit dhe Tibetit më 26 gusht 2026. Përmbytjet e rrufeshme u shkaktuan nga një shembje masive akulli dhe shkëmbinjsh në Himalaje, e cila krijoi një rrjedhë të fuqishme uji dhe balte përgjatë luginave.
Sipas të dhënave të fundit, të paktën 165 persona kanë humbur jetën në Nepal, ndërsa rreth 1,500 persona janë raportuar të zhdukur në Nepal dhe Tibet. Më shumë se 700 prej personave të zhdukur besohet se janë shtetas të huaj.
Përmbytjet shkatërruan shtëpi, ura, rrugë dhe pjesë të infrastrukturës, ndërsa ekipet e shpëtimit po përdorin helikopterë për të evakuuar të mbijetuarit dhe për të dërguar ndihma. Në mesin e personave të prekur janë edhe turistë dhe pelegrinë që udhëtonin drejt zonës së malit Kailash.

- Kina – përmbytjet e korrikut 2026
Në korrik 2026, tajfuni Maysak goditi rajonin Guangxi në jugperëndim të Kinës, duke sjellë reshje ekstreme dhe përmbytje masive.
Sipas të dhënave të raportuara nga autoritetet kineze, të paktën 159 persona humbën jetën, ndërsa 10 të tjerë vazhdonin të ishin të zhdukur deri më 21 gusht. Në disa zona u regjistruan deri në 90 centimetra shi, ndërsa në qytetin Nanning përmbytjet pasuan edhe shembjen e gjashtë digave.
Katastrofa shkaktoi dëme të mëdha në banesa dhe infrastrukturë. Vetëm në qytetin Guigang, dëmet ekonomike direkte u vlerësuan në rreth 14 miliardë juanë, ose afërsisht 2 miliardë dollarë.

- Pakistan – sezoni i përmbytjeve 2025
Pakistani u përball me një sezon jashtëzakonisht të rëndë të përmbytjeve gjatë vitit 2025. Reshjet e fuqishme të musoneve dhe përmbytjet e rrufeshme prekën veçanërisht provincat Khyber Pakhtunkhwa, Punjab, Sindh, Balochistan dhe Kashmirin e administruar nga Pakistani.
Bilanci përfundimtar i sezonit kaloi 1,000 viktima, ndërsa më shumë se 1 milion njerëz u prekën nga katastrofa.
Përmbytjet shkatërruan mijëra shtëpi, rrugë dhe ura, ndërsa në zonat malore rrjedhat e ujit dhe rrëshqitjet e dheut e bënë shumë të vështirë evakuimin. Katastrofa u konsiderua një prej krizave më të mëdha humanitare të Pakistanit në vitet e fundit.

- Spanjë – Valencia, tetor 2024
Në fund të tetorit 2024, rajoni i Valencias në Spanjë u godit nga reshje jashtëzakonisht intensive. Uji përmbyti qytete të tëra, rrugë dhe autostrada, ndërsa automjete u morën nga rrjedhat e ujit dhe baltës.
Në fazat e para u raportuan 95 viktima, por bilanci u rrit ndjeshëm më vonë. Përmbytjet u konsideruan ndër më vdekjeprurëset në historinë moderne të Spanjës.
Përmbytjet shkaktuan dëme të mëdha në shtëpi, biznese dhe infrastrukturë. Ato u bënë gjithashtu objekt i debatit të madh mbi sistemet e paralajmërimit dhe menaxhimin e emergjencave.

- Vietnami – tajfuni Yagi, shtator 2024
Tajfuni Yagi goditi veriun e Vietnamit në shtator 2024, duke sjellë reshje të mëdha, përmbytje dhe rrëshqitje dheu.
Fillimisht u raportuan dhjetëra viktima, por bilanci u rrit shpejt. Deri më 13 shtator, autoritetet vietnameze raportuan 254 persona të vdekur si pasojë e tajfunit, përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut.
Yagi shkaktoi dëme të mëdha në rrjetin rrugor, banesa, fabrika dhe infrastrukturën energjetike. Përmbytjet prekën veçanërisht zonat veriore dhe komunitetet pranë lumenjve.

- Afganistan – maj 2024
Në maj 2024, përmbytjet e rrufeshme goditën disa provinca të Afganistanit, veçanërisht Baghlanin në veri të vendit.
Sipas autoriteteve, bilanci arriti në 315 viktima, ndërsa më shumë se 1,600 persona u plagosën.
Mijëra shtëpi u dëmtuan ose u shkatërruan dhe shumë familje mbetën pa strehim. Përmbytjet shkatërruan gjithashtu toka bujqësore dhe bagëti, duke rritur rrezikun e një krize ushqimore për komunitetet e prekura.

- Kenia – prill-maj 2024
Kenia u përball me reshje të jashtëzakonshme gjatë pranverës së vitit 2024. Përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut prekën shumë pjesë të vendit, përfshirë zonat rreth kryeqytetit Nairobi.
Më 5 maj 2024, autoritetet raportuan 228 persona të vdekur nga përmbytjet dhe pasojat e reshjeve të dendura.
Qindra mijëra njerëz u prekën nga katastrofa, ndërsa shtëpi, rrugë, ura dhe toka bujqësore u dëmtuan. Situata u përkeqësua edhe nga frika për tejmbushjen e digave dhe rritjen e nivelit të lumenjve.

- Brazili – Rio Grande do Sul, maj 2024
Një nga katastrofat më të mëdha të përmbytjeve në Amerikën e Jugut ndodhi në shtetin Rio Grande do Sul të Brazilit në maj 2024.
Reshjet e dendura bënë që lumenjtë të dilnin nga shtrati dhe përmbytën qytete të tëra. Në një moment, rreth 150,000 njerëz kishin mbetur pa shtëpi, ndërsa dhjetëra mijëra të tjerë prisnin evakuimin.
Më 13 maj, numri i viktimave kishte arritur në 143 persona, sipas autoriteteve të mbrojtjes civile.
Katastrofa preku rëndë edhe ekonominë e rajonit, pasi shumë biznese, ferma dhe rrugë u përmbytën ose u shkatërruan.

9. Gjermani dhe Belgjikë – korrik 2021
Në korrik 2021, reshje jashtëzakonisht të dendura shkaktuan përmbytje katastrofike në Gjermani, Belgjikë, Holandë dhe Luksemburg. Zonat më të goditura ishin Rheinland-Pfalz dhe North Rhine-Westphalia në Gjermani, si dhe pjesë të Belgjikës.
Në Gjermani humbën jetën të paktën 180 persona, ndërsa në Belgjikë u raportuan 39 viktima, duke e çuar bilancin e katastrofës në mbi 220 të vdekur.
Lumenjtë dhe përrenjtë u rritën me shpejtësi dhe përmbytën qytete e fshatra brenda pak orësh. U shkatërruan ose dëmtuan rëndë shtëpi, ura, rrugë, linja hekurudhore dhe rrjete të komunikimit. Mijëra njerëz u evakuuan dhe shumë komunitete mbetën për ditë të tëra pa energji elektrike dhe ujë të pijshëm.
Përmbytjet u konsideruan një prej katastrofave natyrore më të rënda që kishte goditur Evropën në dekada dhe sollën një debat të madh mbi sistemet e paralajmërimit për mot ekstrem, pasi në disa zona paralajmërimet nuk arritën te banorët në kohë.

- Derna, Libi – shtator 2023
Një nga katastrofat më tragjike të viteve të fundit ndodhi në Derna të Libisë, në shtator 2023, pas stuhisë Daniel.
Reshjet ekstreme shkaktuan shembjen e dy digave, duke lëshuar një sasi masive uji drejt qytetit. Lagje të tëra u përfshinë nga uji dhe shumë ndërtesa u shkatërruan.
Një javë pas katastrofës, Reuters raportonte se rreth 11,300 persona kishin humbur jetën dhe rreth 10,100 të tjerë ishin të zhdukur vetëm në Derna, sipas të dhënave të Gjysmëhënës së Kuqe.
Përmbytja shkatërroi ura dhe rrugë dhe izoloi pjesë të qytetit. Numri i madh i viktimave e bëri katastrofën një nga fatkeqësitë natyrore më vdekjeprurëse të dekadave të fundit në Afrikën e Veriut.

Këto raste tregojnë se përmbytjet nuk janë më vetëm një fenomen sezonal, por mund të shndërrohen brenda pak orësh në katastrofa me pasoja të mëdha njerëzore dhe ekonomike.
Nga rrjedhat e ujit dhe rrëshqitjet e dheut në Azi, te reshjet ekstreme në Evropë dhe shembja e digave në Libi, faktorët ndryshojnë nga një rast në tjetrin.
Megjithatë, një element është i përbashkët: zonat e populluara pranë lumenjve, digave dhe rajoneve malore mbeten veçanërisht të ekspozuara.
Rasti më i fundit në kufirin Nepal-Tibet e riktheu edhe një herë vëmendjen te rreziku që paraqesin akullnajat dhe ndryshimet e shpejta në zonat malore.
Ndërkohë, përmbytjet në Pakistan, Kinë, Spanjë, Brazil, Kenia dhe vende të tjera tregojnë se përballimi i reshjeve ekstreme kërkon sisteme më të mira paralajmërimi, infrastrukturë më të fortë dhe reagim më të shpejtë në raste emergjente.
/A.K/
Profesori i UBT-së dhe mësimdhënësit e UBT International Smart Schools pjesë e SHIELD Cybersecurity Training në Riga
Rusia kërcënon Britaninë: “Po luani me zjarrin”
Bëhu pjesë e tranzicionit energjetik: Studio Inxhinierinë e Energjisë në UBT
Vdiq Ratko Mlladiq, i dënuar për gjenocid në Srebrenicë
10 përmbytjet më të rënda që kanë tronditur botën vitet e fundit
Përmbytjet në Nepal: Mbi 350 të vdekur e 900 të zhdukur
Vdes në burgun e Hagës krimineli i luftës Ratko Mlladiq
Serbia tërhiqet nga 3×3, shmanget përballja me Kosovën në Taranto
Nisin xhirimet e filmit të shkurtër “Deltar” me regji të Ibër Dearit
Të kërkuara
-
Lajmet3 weeks agoInfantino kërkon falje për gabimet, por ruan mbështetjen e drejtuesve të FIFA-s
-
Sport3 weeks agoUellsi tërheq mbështetjen për Infantinon, kërkon ndryshim në krye të FIFA-s
-
Aktualitet3 weeks agoRusia sulmon Ukrainën me raketa balistike dhe dronë: Të paktën 14 të vrarë në Kjiv
-
Lajmet3 weeks ago“Spider-Man: Brand New Day” thyen rekorde, i afrohet miliardit në vetëm pak ditë

