Lajmet

Jennifer Lopez dhe Ben Affleck drejt martesës?

Sipas ish-publicistit të këngëtares, lidhja tani është shumë serioze!

Published

on

A po bëhen më të zhurshme këmbanat e dasmës së dy yjeve?

Kjo po ndodhë, të paktën sipas ish-publicistit të këngëtares, Rob Shuter, i cili së fundmi zbuloi për Fox News detaje rreth çiftit dhe sa i lumtur është ai që ata vazhduan lidhjen e dikurshme, transmeton UBT News.

“Gjithmonë më dukej se dashuria e tyre nuk u largua kurrë. Unë isha me të duke shkruar deklaratën e tyre [fillestare] të ndarjes që bëri xhiron e botës – e shkrova atë deklaratë. Dhe kur po e shkruaja, u ndjeva shumë i trishtuar”, tha ai.

“Para se të shtypja ‘send’, ndjeva këtë moment të vërtetë trishtimi, sepse ndjeva se këta të dy ishin të bërë për njëri-tjetrin. Besoj se ata kishin dashurinë e duhur, por ishte koha e gabuar. Kishte gjithmonë diçka të veçantë tek ata. Kështu që unë jam shumë i lumtur që ata janë rikthyer bashkë”, shtoi Shuter.

Rob tha se koha ka ndryshuar dhe presioni që të dy superyjet përjetuan në fillim të vitit 2000 nuk është i njëjtë tani, përcjell UBT News.

“Kur ata ishin bashkë, ata ishin në çdo kopertinë të çdo reviste të madhe, javë pas jave”, tha ai. “Por kjo nuk ndodhë tani. Publiku është ende i interesuar për ata, por mediat botërore kanë ndryshuar. Njerëzit tani po konsumojnë lajmet në internet. I njëjti presion nuk është aty. Nuk është aq i rrezikshëm. Kështu që ata mund të kënaqen”.

Ai tha se Jennifer Lopez e ka me shumë seriozitet këtë lidhje, për shkak të disa elementeve.

“Jennifer nuk do të na lejonte t’i shihnim ata të ecnin së bashku në park ose në tapetin e kuq nëse nuk do të shihte një të ardhme. Ata mund të ishin takuar në heshtje, të dilnin në krah dhe të argëtoheshin së bashku. Bota nuk do të dinte kurrë për të. Por fakti që ata po na lejojnë ta shohim këtë më tregon se është serioze”./UBTNews/

Aktualitet

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, pjesë e Forumit Ekonomik Botëror në Davos 2026

Published

on

By

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, është ftuar dhe regjistruar për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror 2026, i cili do të mbahet në Davos, Zvicër.

Pjesëmarrja e Rektorit në Open Forum Davos – The Future Starts Now 2050 përfaqëson një njohje të rëndësishme ndërkombëtare për UBT-në dhe rolin e saj në arsimin e lartë, inovacion dhe zhvillim të qëndrueshëm.

Kjo pjesëmarrje paraqet gjithashtu një mundësi të veçantë për të kontribuar drejtpërdrejt në diskutime dhe takime globale që formësojnë të ardhmen, si dhe për të prezantuar modelin UBT 5S dhe konceptin UBT Smart Self-Sustainable City, si modele të së ardhmes.

Ky model përputhet plotësisht me temat kyçe që do të trajtohen në Open Forum Davos, duke reflektuar një qasje bashkëkohore ndaj zhvillimit të qëndrueshëm dhe përgatitjes së kapitalit njerëzor për sfidat e së ardhmes.

Modeli, i konceptuar nga Prof. Dr. Edmond Hajrizi dhe i zbatuar edhe në praktikë, po gjenë gjithnjë e më shumë interes për prezantime, studime dhe publikime, si dhe po vlerësohet si një model praktik tashmë i implementuar në ekosistemin e UBT-së. Programi i këtij viti në Davos fokusohet në pesë sfida kryesore globale, ku dialogu dhe bashkëpunimi publiko-privat janë thelbësore për progres.

Në qendër të diskutimeve janë rritja ekonomike, qëndrueshmëria dhe inovacioni si imperativa ndërsektoriale, të cilat do të udhëheqin qasjen e liderëve ndaj kompleksitetit global dhe krijimit të mundësive të së ardhmes.

Forumi Ekonomik Botëror në Davos mbledh liderë botërorë nga qeveritë, biznesi, shoqëria civile dhe akademia, me qëllim zhvillimin e dialogut të avancuar dhe bashkëpunimit global për adresimin e sfidave më të rëndësishme të kohës sonë.

Continue Reading

Aktualitet

Nga përvoja në udhërrëfyes akademik: Profesori dhe studiuesi i medias Musa Sabedini promovon në UBT librin për gazetarinë hulumtuese

Published

on

By

Në ambientet e UBT-së, u zhvillua një ngjarje akademike dhe kulturore me rëndësi të veçantë për komunitetin universitar dhe median kosovare: promovimi i librit më të ri të profesorit, gazetarit dhe publicistit Musa Sabedini, i cili po vlerësohet si një kontribut me peshë për zhvillimin teorik dhe praktik të gazetarisë hulumtuese në Kosovë dhe më gjerë.

Me praninë e rektorit të UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, profesorëve, studentëve, studiuesve të medias, si dhe miqve e familjarëve të autorit, u promovua vepra voluminoze “Gazetaria Hulumtuese: Misioni, rreziqet, etika dhe sfidat profesionale”, një libër i dedikuar studentëve të gazetarisë, studiuesve të medias, gazetarëve hulumtues, redaktorëve dhe profesionistëve të përkushtuar që, edhe në rrethana të vështira, mbeten besnikë ndaj së vërtetës dhe interesit publik.

Ngjarja u karakterizua nga një dialog i hapur akademik ndërmjet autorit dhe pjesëmarrësve, ku përveç prezantimit të strukturës dhe përmbajtjes së librit, u diskutuan sfidat bashkëkohore të gazetarisë hulumtuese, dilemat etike dhe roli i saj në funksionimin e demokracisë.

Libri u prit me vlerësime të larta nga të pranishmit, duke konfirmuar rëndësinë e tij si një burim referencial për studimin dhe praktikën e gazetarisë hulumtuese në Kosovë dhe rajon.

Në fjalën e tij përshëndetëse, rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, e përgëzoi profesorin Sabedini për botimin e librit, duke e cilësuar atë si një ndër veprat më të rëndësishme dhe më cilësore në fushën e gazetarisë hulumtuese në hapësirën akademike shqiptare.

Ndërsa dekani i Fakultetit Media dhe Komunikim në UBT, Ferid Selimi, vlerësoi angazhimin profesional dhe kontributin e vazhdueshëm të profesor Sabedinit në ndërtimin e mendimit kritik dhe profesional të studentëve të gazetarisë.

Recensenti i librit, Safet Zejnullahu, theksoi se vepra “Gazetaria Hulumtuese: Misioni, rreziqet, etika dhe sfidat profesionale” vjen në një kohë kur themelet tradicionale të gazetarisë po tronditen ndjeshëm nga ndikimi i teknologjisë digjitale.

Ai nënvizoi se, ndryshe nga gazetaria tradicionale, ku profesionalizmi ishte më i konsoliduar pavarësisht kufizimeve teknike, gazetaria e sotme online ofron mundësi të shumta, por shpesh e ka zbehur thellësinë dhe rigorozitetin e gazetarisë hulumtuese për shkak të presionit të shpejtësisë dhe fragmentimit të informacionit.

Sipas Zejnullahut, autori me të drejtë e ka strukturuar librin në tri pjesë kryesore:

  • pjesa e parë trajton misionin, rreziqet dhe sfidat e gazetarisë hulumtuese, të ilustruara me raste konkrete vendore dhe ndërkombëtare;
  • pjesa e dytë analizon ndikimin e gazetarisë së internetit dhe transformimin e profesionit;
  • ndërsa pjesa e tretë fokusohet në teknikat moderne të raportimit hulumtues, të përshtatura për epokën digjitale.

Për librin dhe profesionalizmin e autorit Musa Sabedini, kanë dhënë kontribut në këtë promovim edhe ish zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi dhe dy kolegët e respektuar Faton Ismajli dhe Betim Musliu

Një vlerë e veçantë e librit, sipas recensentit, janë 101 pyetjet dhe udhëzimet për gazetarinë hulumtuese, të ndërtuara mbi përvojë profesionale, literaturë relevante dhe raste konkrete, që përfshijnë dimensionin profesional, etik, ligjor dhe logjistik të gazetarisë hulumtuese.

Duke folur për librin, profesori Musa Sabedini theksoi se kjo vepër përfaqëson kurorëzimin e një përvoje mbi 35-vjeçare në gazetarinë profesionale, me theks të veçantë në gazetarinë hulumtuese. Ai nënvizoi se libri nuk është vetëm manual profesional, por një reflektim i thellë akademik mbi përvojat reale, sfidat, rreziqet dhe dilemat etike të profesionit.

Autori theksoi se përmbajtja e librit mbështetet në një arkiv të pasur profesional, në përvojën e tij akademike si ligjërues në UBT, në pjesëmarrjen në konferenca ndërkombëtare dhe në punime shkencore të botuara në revista prestigjioze.

Sipas tij, 101 pyetjet dhe udhëzimet përbëjnë thelbin praktik të librit, duke shërbyer si një udhërrëfyes etik dhe profesional për studentët, gazetarët e rinj, por edhe për profesionistët me përvojë.

Profesor Sabedini theksoi se gazetaria hulumtuese mbetet një nga shtyllat më të rëndësishme të demokracisë moderne, një mekanizëm thelbësor për zbardhjen e aferave, ndriçimin e padrejtësive dhe mbrojtjen e interesit publik.

Në një kohë kur presionet politike dhe ekonomike mbi mediat janë në rritje, ai vlerësoi se gazetaria hulumtuese duhet të mbrohet dhe të zhvillohet si e mirë publike, duke kërkuar mbështetje institucionale, angazhim qytetar dhe integritet profesional.

Libri përfundon me një mesazh të qartë për brezat e rinj të gazetarëve: profesionalizmi, guximi, integriteti dhe përkushtimi ndaj së vërtetës janë kushtet themelore për mbijetesën dhe dinjitetin e gazetarisë hulumtuese.

Continue Reading

Lajmet

​Ambasadorët takohen me Kurtin, interesohen për ligjin për të huaj dhe atë për automjete

Published

on

By

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministrin në detyrë, Besnik Bislimi, ka zhvilluar sot një takim me ambasadorët, të ngarkuarit me punë, shefat e misioneve diplomatike dhe përfaqësuesit diplomatikë të akredituar në Kosovë.

Në kuadër të komunikimit të rregullt me trupin diplomatik dhe zhvillimeve të fundit në vend, Kurti dhe Bislimi i informuan të pranishmit për fazat e zbatimit të Ligjit për të Huaj dhe Ligjit për Automjete, ligje këto të harmonizuara me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

Sipas një komunikate të Qeverisë, ata theksuan gjithashtu veprimet afirmative që institucionet e Kosovës do të ndërmarrin për zbatimin e plotë të këtyre ligjeve.

Në komunikatë theksohet se faza e parë e zbatimit ka nisur sot dhe parasheh një periudhë informimi për dispozitat ligjore.

“Vizitorët që hyjnë në vendkalimet kufitare do të pajisen me materiale informuese me udhëzime të qarta mbi të drejtat, detyrimet dhe procedurat përkatëse. Paralelisht, do të organizohen sesione informuese me qytetarë, fushata informimi përmes mediave dhe do të funksionalizohen linja telefonike informuese. Kjo fazë informuese do të zgjasë deri më 15 mars 2026, kur pritet të nisë zbatimi i plotë i Ligjit për të Huaj dhe Ligjit për Automjete, me synim lehtësimin e qëndrimit të shtetasve jorezidentë në Kosovë.

Gjatë takimit, kryeministri Kurti i njoftoi ambasadorët edhe për domosdoshmërinë e fillimit të integrimit gradual të sistemeve të shëndetësisë dhe arsimit, si pjesë e një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe afatgjate.

Ai theksoi se ky proces do të zhvillohet në koordinim me Bashkimin Evropian, duke marrë parasysh edhe brengat dhe këshillat e komunitetit joshumicë serb në Kosovë.

Në fund, Kurti ritheksoi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për sundimin e ligjit, zbatimin e barabartë të legjislacionit dhe forcimin e rendit juridik, duke vlerësuar se periudha në vijim është thelbësore për funksionalizimin e plotë të këtyre proceseve.

Continue Reading

Lajmet

​Aktakuzë për krime lufte ndaj N.C

Published

on

By

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj N.C., për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

Sipas komunikatës së prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se e pandehura N.C., gjatë periudhës 1998-1999, në cilësinë e personit zyrtar-gardiane në Burgun e Prishtinës, paralelja për gra në Lipjan, në bashkëkryerje me zyrtarë të tjerë të burgut, ka shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare gjatë konfliktit të armatosur, përkatësisht kohës së luftës.

Sipas aktakuzës, N.C., gjatë gjithë kësaj periudhe, në mënyrë sistematike, i ka keqtrajtuar të burgosurat shqiptare, duke i kanosur për jetë dhe torturuar në mënyrë çnjerëzore me mjete të ndryshme , si shkop gome, shqelma dhe grushte, deri në alivanosje, duke u shkaktuar lëndime trupore. Si pasojë e këtyre rrahjeve, viktimat kanë pësuar dhunë psikike, gjendje ankthi dhe frike, dhe u është cenuar rëndë dinjiteti njerëzor”, thuhet në njoftim.

Rasti i ka kaluar për shqyrtim Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Continue Reading

Të kërkuara