Lajmet

A mund të jetë Moldavia shënjestra e radhës e Rusisë?

Më 28 shkurt ndodhi një protestë në Moldavi.

Published

on

Disa persona u grumbulluan dhe shqyen posterët e presidentes moldave, Maia Sandu, duke i hedhur në tokë e duke shkelur mbi to. Kjo ndodhi më 28 shkurt në kryeqytetin moldav.

Protesta e fundit anti-qeveritare në Kishinjev u organizua nga grupi që e quan veten Lëvizja për Popullin, që mbështetet nga anëtarët e partisë moldave të afërt me Kremlinin, Partisë Shor. Themeluesi dhe lideri i kësaj partie, Ilan Shor, më 2017 u dënua për mashtrim, përkatësisht për vjedhjen e 1 miliard dollarëve nga tri banka moldave më 2014, shkruan REL. 

Duke valëvitur flamujt e Moldavisë, turma – shumica prej të cilëve raportohet se u sollën në kryeqytet me autobusë – i bëri thirrje Qeverisë së re pro-perëndimore që të paguajë faturat e publikut të energjisë elektrike për sezonin e dimrit dhe që “të mos e përfshijë shtetin në luftë”.

Pasi pak kohë më parë Qeveria paraprake moldave ra për shkak të zemërimit të publikut lidhur me rritjen e çmimeve, presidentja Sandu dhe të tjerët kanë akuzuar Moskën se nga prapaskena po nxit këto protesta dhe po tenton që ta destabilizojë edhe më tej Moldavinë.

Sandu së fundmi ka zbuluar detaje drithëruese lidhur me një plan të supozuar për grusht-shtet që erdhi mes frikës se presidenti rus, Vladimir Putin, mund të zgjerojë luftën e tij në Ukrainë edhe në Moladvi, duke përdorur trupat ruse që janë në rajonin e shkëputur pro-rus, të Transnistrisë. Kremlini mund të mos shkojë kaq larg, thanë ekspertët, por megjithatë Moska dëshiron jo vetëm që të shfrytëzojë situatën e dobët në të cilën gjendet Moldavia tani, por edhe të përpiqet ta shpërqendrojë Kievin dhe mbështetësit e tij perëndimorë.

“Rusia dëshiron që të përdorë situatën e destabilizuar në Moldavi për të rritur frikën rreth Transnistrisë dhe të tentojë të provokojë Ukrainën që të ndërmarrë veprime ushtarake – të portretizohet nga propaganda ruse si agresore dhe të krijojë një tjetër situatë krize”, tha për Radion Evropa e Lirë, Dionis Cenusa, bashkëpunëtor në Qendrën e Studimeve të Evropës Lindore me seli në Vilnius.

Mes presionit në rritje të Kremlinit, Perëndimi ka mbështetur Sandun, vendi i së cilës është i vendosur mes shtetit anëtar të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, Rumanisë, dhe Ukrainës, me të cilën ndan një kufi prej 1.222 kilometrash. Në Moldavi, presidenti përfaqëson shtetin në arenën ndërkombëtare dhe ka ndikim të madh mbi politikën e jashtme.

Më 21 shkurt, presidenti amerikan, Joe Biden, u takua me Sandun në Poloni dhe “riafirmoi mbështetjen e fuqishme të SHBA-së për sovranitetin dhe integritetin territorial të Moldavisë”.

Në korrik të vitit 2022, Moldavia, së bashku me Ukrainën, morën statusin e vendit kandidat për në BE, vendim që nxiti zemërim në Moskë.

Grusht-shtet

Më 13 shkurt, Sandu njoftoi se Rusia po planifikonte një grusht-shtet në Moldavi, duke theksuar se inteligjenca ukrainase kishte ndarë detaje për këtë plan të supozuar disa ditë më herët. Individë me të kaluar ushtarake, jo vetëm nga Rusia, por edhe nga Bjellorusia, Serbia dhe Mali i Zi, ishin rekrutuar që ta zbatonin këtë plan, tha Sandu.

Të kamufluar si civilë, ky grup më pas do të caktohej që të merrte kontrollin e ndërtesave qeveritare në Kishinjev, duke marrë edhe pengje. Ata do të kishin mbështetjen e të ashtuquajturave grupe të brendshme kriminale, të cilat, sipas Sandu, do të përfshinin edhe Partinë Shor dhe një grup të lidhur me ish-politikanin dhe oligarkun, Vladimir Plahotniuc. Ky i fundit ka ikur nga shteti pasi është akuzuar për korrupsion të gjerë dhe abuzim me pushtetin.

Sipas presidentes moldave, Rusia kishte tentuar ta destabilizonte shtetin e saj në fund të vitit 2022, por shërbimet lokale të sigurisë kishin arritur të prishnin këto plane.

Në përgjigje të akuzave për grusht-shtetin e planifikuar, Departamenti amerikan i Shtetit tha se përderisa raportimet për këtë çështje nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur, “sigurisht se kjo gjë nuk është jashtë sjelljes ruse, dhe ne absolutisht qëndrojmë me Qeverinë moldave dhe popullin moldav”.

Një ditë më vonë, më 14 shkurt, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, hodhi poshtë pretendimet e Sandus duke i quajtur “absolutisht të pabaza dhe të paqëndrueshme”. Një javë më vonë, Putin njoftoi se Rusia kishte tërhequr dekretin që njihte sovranitetin e Moldavisë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve lidhur me Transnistrinë.

Dekreti kishte hyrë në fuqi më 2012 kur raportet e Rusisë me Perëndimin ishin më pak të tensionuara. Ky dekret u anulua për të “siguruar interesat kombëtare të Rusisë” pas “ndryshimeve të thella që po ndodhin në marrëdhëniet ndërkombëtare”, u tha në njoftimin e publikuar në ueb-faqen e Kremlinit. Ky vendim i Putinit ishte hakmarrje për “përpjekjet e dështuara të Kremlinit për të organizuar grusht-shtet”, shkroi në Twitter, Vlad Lupan, ish-ambasador i Moldavisë në Kombet e Bashkuara.

Rrëzimi i Qeverisë

Përderisa Moldavia mund të ketë shmangur grusht-shtetin nga Kremlini, shteti vazhdon të jetë i paqëndrueshëm dhe i pambrojtur. Më 10 shkurt, Natalia Gavrilita, që atëbotë ishte kryeministrja pro-perëndimore e shtetit, dha dorëheqje, duke thënë se Moldavia po përballej “me kriza të shumta”. Gavrilita tha se kur Qeveria e saj u zgjodh në vitin 2021, askush nuk e priste që do të duhej të menaxhonte “kaq shumë kriza të shkaktuara nga agresioni rus në Ukrainë”.

Një krizë e energjisë shpërtheu vitin e kaluar kur Rusia papritur zvogëloi furnizimet e saj me gaz për në Moldavi, shtet që është krejtësisht i varur nga Rusia sa i përket gazit natyror. Kjo gjë bëri që inflacioni të arrinte në nivel rekord, duke nxitur pakënaqësi në mesin e publikut.

“Moldavia është një prej shteteve që është prekur më së shumti nga lufta në Ukrainë, jo vetëm për shkak të afërsisë gjeografike, por për shkak të dobësive që ka si një ekonomi e vogël me lidhje të afërta si me Ukrainën, ashtu edhe me Rusinë”, shkroi Banka Botërore në raportin e fundit për këtë shtet.

Moldavia po ashtu është përballur me sfidën e akomodimit të refugjatëve nga Ukraina, me mbi 100.000 refugjatë të regjistruar deri në fund të janarit, sipas të dhënave të marra nga agjencia për refugjatë e Kombeve të Bashkuara.

Më 16 shkurt, Parlamenti në Moldavi zgjodhi Qeverinë e re të udhëhequr nga kryeministri Dorin Recean, ish-këshilltar për siguri i Sandus, dhe ministër i Brendshëm nga viti 2012 deri më 2015. Në një shtet me ndasi të mëdha, votimi për zgjedhjen e Qeverisë ishte i ndarë në mesin e partive. Partia pro-perëndimore për Veprim dhe Solidaritet dha 62 vota në favor të Qeverisë, ndërkaq partitë opozitare pro-ruse, Blloku Zgjedhor i Komunistëve dhe Socialistëve dhe Partia Shor, bojkotuan votimin për ekzekutivin e ri.

Duke pasur parasysh se karriera e tij ka qenë e fokusuar në çështje të sigurisë dhe kërcënimit të perceptuar nga Moska, emërimi i Recean ilustron më mirë se “rritja e sigurisë së shtetit” ka marrë një rëndësi më të madhe në Kishinjev, shkroi Kamil Calus, analist në Qendrën për Studime Lindore me seli në Varshavë.

Kërcënimet për sigurinë e Moldavisë janë reale. Më 10 shkurt, një raketë ruse e lëshuar nga deti kaloi përmes hapësirës ajrore moldave dhe goditi caqe në Ukrainë. Pas incidentit, Moldavia thirri në bisedë informuese ambasadorin rus.

Edhe para se të konfirmohej në postin e kryeministrit, Recean kishte zemëruar Moskën, duke bëtë thirrje për çmilitarizimin e rajonit të Transnistrisë dhe tërheqjen e 1.1000 trupave ruse që gjenden atje. Kjo thirrje nxiti një përgjigje nga zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

“Ne do t’iu rekomandonim bashkëbiseduesve tanë moldavë që të jenë shumë të kujdesshëm me deklarata të tilla”, tha Peskov gjatë një konference për media në Moskë më 20 shkurt, duke shtuar se raportet mes dy shteteve ishin “shumë të tensionuara”.

Transnistria, me shumicën e banorëve që flasin rusisht, shpalli pavarësinë nga Moldavia më 1990 për shkak të frikës se Kishinjevi mund të kërkonte ribashkim me Rumaninë fqinje, me të cilën ndan një histori dhe gjuhë të përbashkët.

Të dyja palët zhvilluan një luftë të shkurtër, por lufta e përgjakshme e pranverës së vitit 1992 përfundoi me stacionimin e trupave ruse në Transnistri për të intervenuar në anën e separatistëve. Që atëherë, ata kanë pretenduar se kanë vepruar si trupa paqeruajtëse.

Kur Moska nisi pushtimin e shkallës së gjerë të Ukrainës vitin e kaluar, zyrtarët amerikanë dhe të tjerët paralajmëruan se Kremlini po ashtu kishte sytë kah Transnistria, duke shpresuar që të krijojë një urë tokësore përgjatë brigjeve të Detit të Zi të Ukrainës.

Agjencia kombëtare e inteligjencës së Moldavisë ka paralajmëruar për disa skenarë në dhjetorin e vitit 2022, duke thënë se Kremlini po e shqyrton mundësinë e hapjes të një fronti të dytë.

Lajmet

Kurti: LDK-ja i hodhi poshtë të gjitha propozimet tona për marrëveshje

Published

on

By

Gjatë fjalimit të tij në seancën parlamentare që po diskutohet çështja e presidentit, kryeministri Albin Kurti ka drejtuar kritika të ashpra ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ai deklaroi se ky subjekt ka treguar mospërfillje ndaj ofertave të shumta për arritjen e një dakordimi politik.

Në sallën ku mungon opozita për shkak të bojkotit, Kurti theksoi se partitë opozitare po përdorin bllokada institucionale me synimin e vetëm për të dëmtuar fituesin e zgjedhjeve të fundit. Sipas tij, kompromisi duhet të jetë parimor dhe jo një mjet për përfitime personale të individëve.

“Marrëveshje politike dhe kompromisi për koalicion qeverisës është gjëja më normale. Kompromisi nuk është pazar për të rehatuar figura politike”, u shpreh Kurti.

Kreu i qeverisë shtoi se çdo marrëveshje duhet të pasqyrojë fuqinë që partitë kanë marrë nga votat e qytetarëve. Ai u shpreh i habitur me faktin që opozita nuk ka propozuar asnjë emër konkret për postin e presidentit, përkundër kërkesave të tij.

“Nuk mund të gjeni askund në Evropë e as në botë që ka një subjekt që ju thotë partive sillni tre emra dhe ne ju votojmë. Nëpër takime unë kam përmendur edhe emra të këtyre partive opozitare, por ata nuk përmendën kurrë asnjë emër, pse e bënë këtë nuk e dimë”, deklaroi kryeministri.

Kurti zbuloi gjithashtu se i kanë ofruar LDK-së një partneritet të gjerë qeverisës, duke i propozuar poste ministrore me peshë të madhe, madje dyfish më shumë sesa partnerit tjetër të koalicionit, Listës Guxo, por që këto propozime nuk janë pranuar.

Haxhiu: Bojkoti i opozitës po e bllokon qëllimisht procesin kushtetues

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka paralajmëruar se vendimi i partive opozitare për të mos marrë pjesë në seancën për presidentin po e çon vendin drejt një ngërçi të dëmshëm.

Sipas saj, ky veprim jo vetëm që pengon procedurat ligjore, por edhe “e shtyn vendin drejt një krize të panevojshme”.

Haxhiu sqaroi se pas dështimit të seancës së 5 marsit për shkak të mungesës së kuorumit, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për sqarime, ku mori përgjigje se detyrimi i deputetëve për pjesëmarrje në votim është tashmë i qartë.

“Përgjigja ishte e qartë, kjo çështje është vendosur njëherë. Nuk ka hapësirë për shmangie nga ky detyrim”, u shpreh Haxhiu.

Ajo rikujtoi se prezenca në sallë nuk është çështje dëshire, por një obligim zyrtar që buron nga mandati i deputetit.

“Deputetët janë të obliguar që të jenë të pranishëm dhe të votojnë, përveç kur kanë marrë leje paraprake”, nënvizoi kryeparlamentarja.

Në përmbyllje, Haxhiu shtoi se ndonëse nuk synon t’i detyrojë subjektet opozitare të ndryshojnë bindjet e tyre politike, mbetet kërkesë e qytetarëve që të zgjedhurit e popullit të përmbushin detyrën e tyre dhe të mundësojnë zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.

Opozita refuzon të marrë pjesë në seancën për diskutimin e presidentit

Deri sa po pritet të fillojë seanca e thirrur në Kuvendin e Kosovës për diskutimin e zgjedhjes së presidentit, partitë opozitare kanë zgjedhur të mos marrin pjesë, duke e konsideruar këtë thirrje si joserioze dhe spektakël politik.

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, konfirmoi shkurtimisht se partia e tij nuk do të jetë pjesë e këtij procesi:“Nuk marrim pjesë në seancë. Kjo është show propagandues i VV-së.”

Nga AAK-ja, Besnik Tahiri akuzoi kryeministrin se po e shndërron Kuvendin në arenë për debate të brendshme partiake

“Kurti në vend se të flasë në organe të partisë, do që platformën e Kuvendit ta kthejë në diskutim të brendshëm”, u shpreh Tahiri.

Ndërkaq, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, bëri të qartë se pa marrëveshje paraprake nuk ka lëvizje nga qëndrimet e tyre.

“Kemi thënë që fillimisht të ketë marrëveshje mbi parime të caktuara dhe pastaj të vijmë e t’i propozojmë emrat”, tha Hamza.

Me bojkotin e shpallur nga tri partitë kryesore opozitare, mbajtja e seancës mbetet në pikëpyetje, pasi pa prezencën e 80 deputetëve rrezikohet dështimi i procesit vetëm një ditë para skadimit të afatit kushtetues.

Foto: REL

Continue Reading

Lajmet

Dështon shmangia e procedurave për ligjin e energjisë: Përplasje mes pozitës dhe opozitës

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës ka dështuar të miratojë shmangen e afateve procedurale për Projektligjin për Energjinë Elektrike, pasi propozimi mori vetëm 63 vota për, përballë 45 votave kundër të opozitës.

Opozita e cilësoi këtë nxitim si të dëmshëm dhe me prapavijë politike. Ferat Shala nga PDK-ja kritikoi mungesën e dëgjimeve publike, ndërsa Janina Ymeri nga LDK-ja u shpreh se votojn kudër pasi ky ligj prek sigurinë energjetike dhe atë kombëtare në raport me KOSTT-in.

“Votojmë kundër shmangies sepse ligji prek sigurinë energjetike dhe atë kombëtare në raport me KOSTT-in. Nuk mbështesim shmangien nga procedura e rregullt”, u shpreh Ymeri.

Në anën tjetër, Besnik Tahiri nga AAK-ja theksoi se vendosja në agjendë përmes shmangies është vetëm humbje kohe në prag të përfundimit të mandatit. Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, akuzoi opozitën për bllokim të qëllimshëm të reformave.

“Ky është vendim politik. Po i humbni shtetit 9 milionë euro dhe po pengoni integrimin në tregun rajonal dhe atë të Bashkimit Evropian”, sipas Tahirit.

Përveç këtij ligji, Kuvendi nuk miratoi as shmangien e afateve për Projektligjin për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore.

 

Continue Reading

Lajmet

FSK rrit gatishmërinë për ndërhyrje emergjente në male

Published

on

By

Në Qendrën Nacionale të Trajnimit për Kërkim Shpëtimit ka përfunduar Trajnimi Bazik i Kërkim-Shpëtimit Malor.

Gjatë këtij trajnimi, pjesëmarrësit përfituan njohuri dhe aftësi të specializuara në fushën e operacioneve malore, duke përfshirë: orientimin në terren malor, teknikat bazike të alpinizmit, përdorimin e pajisjeve teknike, menaxhimin e situatave emergjente, kërkim-shpëtimin në terrene të vështira, si dhe ofrimin e ndihmës së parë në kushte malore.

Trajnimi u zhvillua në përputhje me standardet profesionale dhe synon rritjen e kapaciteteve operacionale të FSK-së për reagim efikas në operacione kërkim-shpëtimi dhe emergjenca në mjedise malore në Mbështetje Ushtarake Autoriteteve Civile.

 

 

 

 

Continue Reading

Lajmet

Biblioteka Kombëtare e Kosovës forcon bashkëpunimin me Bibliotekën Kombëtare të Belgjikës

Published

on

Një takim i rëndësishëm bashkëpunimi është zhvilluar mes drejtoreshës së Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Blerina Rogova Gaxha, dhe drejtoreshës së Bibliotekës Kombëtare të Belgjikës, Sara Lammens.

Në takim ishte i pranishëm edhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Belgjikë, Agron Bajrami, si dhe Kimete Mitrovica Basha nga fondacioni “Ydriz Basha” i Novosejt. Gjatë takimit u diskutuan mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, shkëmbimin e përvojave profesionale dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta në fushën e bibliotekarisë dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore.

Në kuadër të vizitës, stafi i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës pati mundësinë të njihet nga afër me ambientet e bibliotekës në Belgjikë, përfshirë koleksionet e veçanta, dorëshkrimet dhe librat e rrallë. Ata gjithashtu u njohën me proceset moderne të digjitalizimit dhe praktikat bashkëkohore të menaxhimit të materialeve bibliotekare.

Kjo vizitë u vlerësua si një mundësi e rëndësishme për shkëmbim përvojash dhe avancim profesional, duke hapur rrugë për bashkëpunime të reja institucionale.

Continue Reading

Të kërkuara