Aktualitet

A mund ta ndalojë ligji amerikan Trumpin nga tërheqja e trupave nga Evropa?

Published

on

Plani i administratës së presidentit Donald Trump për tërheqjen e një pjese të trupave amerikane nga Evropa ka rikthyer në qendër të vëmendjes debatet mbi kufizimet ligjore dhe pasojat në sigurinë rajonale. Sipas të dhënave të fundit nga Pentagoni, Shtetet e Bashkuara pritet të tërheqin rreth 5 mijë trupa nga Gjermania, vend ku aktualisht janë të dislokuar rreth 36 mijë ushtarë.

Kjo lëvizje përbën rreth 14 për qind të forcave në këtë vend dhe prek drejtpërdrejt një brigadë luftarake si dhe një njësi të artilerisë me rreze të gjatë, të cilat fillimisht ishin planifikuar të vendoseshin gjatë administratës së Joe Bidenit.

Zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, ka sqaruar se ky vendim është rezultat i një rishikimi të thellë strategjik që reflekton nevojat aktuale në terren, ndërkohë që prania totale amerikane në Evropë mbetet mes 80 mijë dhe 100 mijë trupave, duke shërbyer si shtylla kurrizore e strukturës së NATO-s.

Megjithatë, zbatimi i këtij plani ndeshet me barriera ligjore të rëndësishme të vendosura nga Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) për vitin 2026.

Ky ligj specifikon se Pentagoni nuk mund ta ulë numrin e trupave në Evropë nën nivelin prej 76 mijë ushtarësh për më shumë se 45 ditë pa përmbushur një sërë kushtesh strikte. Këto kushte përfshijnë detyrimin për të vërtetuar se masa është në interes të sigurisë kombëtare, kryerjen e konsultimeve me aleatët e NATO-s dhe raportimin e detajuar përpara Kongresit.

Ndonëse këto dispozita nuk e ndalojnë dot përfundimisht vullnetin e presidentit, ato e shndërrojnë tërheqjen në një proces tejet kompleks, të kushtueshëm dhe të ngadaltë. Për më tepër, ekspertët vlerësojnë se një zhvendosje e tillë mund të dëmtojë gatishmërinë ushtarake, pasi forcat në Gjermani janë të integruara thellë në strukturat globale të komandës. Nga ana tjetër, reagimi nga Berlini ka qenë i matur; ministri i Mbrojtjes Boris Pistorius e quajti vendimin të pritshëm, ndërsa kancelari Friedrich Merz theksoi se riorganizime të tilla janë pjesë e zakonshme e strategjisë globale amerikane.

Continue Reading

lajme

Kosova mposhtet nga Italia në futsall, synon vendin e dytë kundër Gjeorgjisë

Published

on

By

Kombëtarja e Kosovës në futsall ka pësuar humbjen e dytë radhazi ndaj Italisë në kuadër të Grupit 10 të raundit kryesor kualifikues për Kupën e Botës 2028.

Pas disfatës me rezultat 4:3 në Prishtinë, “Dardanët” u mposhtën edhe në ndeshjen e kthimit të zhvilluar në Barletta me rezultat 3:0. Golat për nikoqirët u realizuan nga Gabriel Motta, Antonio Molaro dhe Maurizio Silvestri.

Përfaqësuesja kosovare mbetet në kuotën e tri pikëve të grumbulluara nga fitorja ndaj Gjeorgjisë në ndeshjen e parë.

Përballja e radhës dhe vendimtare për Kosovën do të zhvillohet më 24 shkurt, kur në shtëpi do të presë Gjeorgjinë, me synimin për të siguruar pozitën e dytë në grup dhe kalimin në fazën e play-off-it. /E.A/

Continue Reading

Vendi

Moti sot

Published

on

By

Moti sot në Kosovë parashihet të jetë i vranët dhe me intervale me diell, njofton Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.

Sipas IHMK-së, vranësirat vende-vende mund të sjellin riga lokale shiu.

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 2 dhe 5 gradë celsius, ndërsa ato maksimale të ditës parashihen të arrijnë nga 11 deri në 15 gradë celsius. Era do të fryjë nga drejtimi i juglindjes me shpejtësi prej 1 deri në 4 metra për sekondë. /E.A/

Continue Reading

Live

SHBA ngre akuza ndaj tre operativëve të mbështetur nga Irani për komplote terroriste në Evropë

Published

on

By

Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së (DOJ) ka ngritur akuza penale ndaj tre operativëve të mbështetur nga Irani, të cilët akuzohen për përfshirje në një seri komplotesh terroriste në SHBA dhe Evropë, përfshirë një sulm të dështuar ndaj një baze ushtarake në Mbretërinë e Bashkuar, raporton BBC.

Sipas aktakuzës së bërë publike nga autoritetet amerikane, agjentët iranianë orkestruan një plan sulmi në bazën ushtarake ajrore “RAF Fairford” në Gloucestershire të Mbretërisë së Bashkuar, ku janë të vendosura forcat e armatosura amerikane. Të akuzuarit janë shtetasi iranian Mohsen Mohajeri, shtetasi irakian Mohammad Ali al-Hassani dhe shtetasi me dy shtetësi (iraniane-irakiane) Mohammad Baqer Saad Dawood al-Saadi. Unë prej tyre akuzohet se ka komunikuar me kontaktet e tij në Mbretërinë e Bashkuar nga një burg në Nju Jork, ku po pret gjykimin për akuza të mëparshme, ndërsa dy të tjerët kanë vepruar nga Irani.

Në deklaratën e Departamentit të Drejtësisë thuhet se triot i ngarkohet përgjegjësia për planifikimin e sulmeve në Evropë nën emrin e një grupi fiktiv me pseudonimin “Harakat Ashab al-Yamin al-Islamiya” (HAYI). Nga 18 sulmet terroriste në Evropë për të cilat ky grup mori përgjegjësinë gjatë pranverës së këtij viti, shtatë prej tyre ndodhën në Britani, përfshirë zjarrvënie, përdorim eksplozivi dhe sulmin me thikë ndaj dy burrave çifutë në Londër.

Drejtori i FBI-së, Kash Patel, deklaroi se kjo aktakuzë dëshmon vendosmërinë e Iranit për të kryer sulme terroriste në Evropë dhe SHBA, duke shtuar se të akuzuarit ishin të përfshirë në afërsi të 20 përpjekjeve për sulme në mbështetje të Trupave të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) dhe milicisë irakiane Kataib Hezbollah.

Sa i përket ngjarjes në bazën ajrore britanike, hetimet tregojnë se në gusht dhe shtator al-Hassani kishte paguar bashkëpunëtorë në Britani për të kryer vëzhgime dhe për të siguruar logjistikën, përfshirë blerjen e furgonave, fuçive me lëndë djegëse dhe lëndëve kimike për shpërthim. Më 27 shtator, tre furgona të dyshimtë u pikasën nga një fermer lokal afër bazës “RAF Fairford”, gjë që çoi në ndërhyrjen e policisë dhe arrestimin e shtatë personave në Britani.

Teherani zyrtar i ka mohuar kategorikisht akuzat për përfshirje në incidentin e bazës ushtarake britanike. /BBC/

 

Continue Reading

Lajmet

Kuvendi i Kosovës mblidhet nesër në seancë të jashtëzakonshme për Raportin e Progresit

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës do të mbajë nesër një seancë të jashtëzakonshme, e cila është caktuar të nisë në orën 13:00.

Në qendër të këtij takimi të jashtëzakonshëm të deputetëve do të jetë debati parlamentar lidhur me Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, dokument ky që i është dorëzuar zyrtarisht institucioneve të Kosovës para pak ditësh.

Përfaqësuesit e popullit pritet të diskutojnë gjetjet kryesore, të arriturat dhe sfidat e evidentuara nga Bashkimi Evropian sa i përket përmbushjes së reformave dhe standardeve evropiane në vend. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara