Lajmet

​A do të sjellë 2025-ta një ndryshim të madh për udhëtarët në BE?

Published

on

Fundjavën e kaluar mund të zbulohej Sistemi i ri i Hyrje/Daljes në Bashkimin Evropian (EES).

Ky sistem i ri nënkupton se kur një shtetas jo i BE-së hyn në cilindo prej 29 vendeve të zonës së lëvizjes së lirë, Schengen, ai duhet ta regjistrojë emrin e plotë dhe kombësinë, t’i japë gjurmët e gishtërinjve dhe të fotografohet – sipas të gjitha gjasave në një kabinë me vetëshërbim.

Sistemi u miratua nga BE-ja në fund të vitit 2017 dhe do ta heqë vulosjen manuale të pasaportave jo të BE-së, përkatësisht do ta zëvendësojë sistemin e vjetër me një bazë të madhe elektronike të të dhënave.

Sipas Komisionit Evropian, sistemi i ri do të ndihmojë në parandalimin e migrimit të parregullt, do t’i ndihmojë shtetasit e vendeve të treta të udhëtojnë më lehtë, do t’i identifikojë përpjekjet për ta tejkaluar kohën e lejuar të qëndrimit, ose për fshehje të identitetit.

Megjithatë, ai nuk u funksionalizua – as më 10 nëntor siç ishte planifikuar, e as në datën rezervë, më 17 nëntor.

Por, për të qenë më të saktë, datat nuk u përcaktuan kurrë me vendosmëri.

Flitej që kjo mund të ndodhte dikur edhe në tremujorin e fundit të këtij viti dhe nuk ishte hera e parë që u shty.

As në vitet 2022 dhe 2023, sistemi i ri nuk ishte gati.

Dhe, shtrohet pyetja: përse këto vonesa të vazhdueshme?

Një përgjigje është se bëhet fjalë për një ndërmarrje masive të teknologjisë informative dhe, në këtë shkallë, ajo nuk ka qenë e testuar më parë.

Kur në tetor, ministrat e Brendshëm të BE-së ranë dakord se prezantimi në nëntor nuk është i mundur, ishin Franca, Gjermania dhe Holanda – tri shtete anëtare me shumë pika të hyrjes – që e frenuan.

Ministria e Brendshme gjermane tha atëkohë se sistemit qendror kompjuterik, që do ta mbështeste sistemin e ri, e që mbikëqyret nga agjencia e BE-së, eu-LISA, i mungon “stabiliteti dhe funksionaliteti i nevojshëm”.

Një diplomat i BE-së, i cili ka dijeni për çështjen, u shpreh edhe më ashpër, duke i thënë Radios Evropa e Lirë se i gjithë sistemi është “i dobët” dhe se nuk është testuar përpara nisjes zyrtare.

Ndërsa agjencia e BE-së, eu-LISA, tha se të gjitha vendet anëtare të BE-së janë gati teknikisht, ka frikë se sistemi i ri do të krijojë kaos në qendrat kryesore të kontinentit, duke goditur kështu biznesin dhe turizmin me radhë masive kufitare.

Një nga problemet është se BE-ja donte ta lansonte sistemin kudo në të njëjtën kohë. Por, në Bruksel tani flitet për një qasje me faza, që do të thotë se rregulloret e miratuara tashmë, duhet të ndryshohen.

Kjo mund të bëhet nëse ka vullnet politik, i cili duket se ekziston, por i takon Komisionit Evropian të përcaktojë se çfarë do të thotë saktësisht qasja me faza.

Ndërkohë, shumë qendra dhe pika kufitare do të vazhdojnë të përgatiten për lansimin eventual të sistemit në vitin 2025, duke shtuar më shumë barriera automatike dhe kabina të vetëshërbimit, si dhe duke trajnuar stafin dhe rojet kufitare.

Pasi të funksionalizohet ky sistem, qytetarët jashtë BE-së i pret edhe një gjë tjetër.

Plani është që rreth gjashtë muaj më vonë, të procedohet me Sistemin Evropian të Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS).

Ky do t’i mbulojë të gjithë udhëtarët e përjashtuar nga vizat me BE-në, përfshirë shtetasit e SHBA-së dhe Britanisë, por edhe ukrainasit, gjeorgjianët dhe moldavët, si dhe qytetarët e shteteve të Ballkanit Perëndimor jashtë BE-së.

Vlen të theksohet se marrja e miratimit nga ETIAS-i nuk është vizë dhe nuk garanton hyrjen.

Autorizimi, i vlefshëm për tre vjet, do të kushtojë 7 euro dhe do të duhet të plotësohet nga të gjithë personat e moshës 18 deri në 70 vjeç.

Përjashtime do të mund të bëjnë individët me viza dhe leje qëndrimi, refugjatët, mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe pasagjerët transit në aeroporte.

Për ETIAS-in, BE-ja ra dakord në vitin 2018 dhe, sikurse EES-ja, ai është pjesë e përpjekjeve për ta bërë zonën Schengen më të fuqishme dhe më të kontrolluar.

Me imigracionin sërish në krye të agjendës politike në të gjithë bllokun, ka të ngjarë që të ketë një shtytje të fortë nga disa shtete anëtare, si dhe nga vetë Komisioni Evropian, për t’i funksionalizuar të dyja sistemet në vitin 2025./REL/

Vendi

UBT organizon Konferencën më të madhe shkencore për Mjekësinë Sportive, me pjesëmarrjen e profesionistëve botërorë

Published

on

By

UBT do të mirëpresë më 21 tetor, Konferencën e Dytë Ndërkombëtare për Mjekësinë Sportive – ICSM 2026, e cila do të bëjë bashkë profesionistë shëndetësorë, hulumtues, akademikë dhe ekspertë të sportit për të diskutuar zhvillimet e reja në mjekësinë sportive, inovacionin dhe qëndrueshmërinë në praktikën klinike dhe sportive.

Konferenca, e organizuar nga Instituti për Mjekësi Sportive i UBT-së, në bashkëpunim me International Federation of Sports Medicine (FIMS), SHAPE Project – Sport, Health, and the People dhe Kosovo Association of Sports and Exercise Medicine (KASEM), në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, do të zhvillohet nën temën “Innovation and Resilience in Sport Medicine”, duke krijuar një platformë për shkëmbimin e njohurive shkencore, përvojave profesionale dhe praktikave bashkëkohore në këtë fushë.

Në kuadër të konferencës do të trajtohen tema me rëndësi për zhvillimin e mjekësisë sportive, përfshirë shëndetin funksional, radiologjinë, ortopedinë, teknologjitë e veshshme (wearable technologies), inteligjencën artificiale dhe mundësitë që sjell inovacioni teknologjik në përmirësimin e kujdesit shëndetësor dhe performancës sportive.

Konferenca synon të forcojë bashkëpunimin ndërmjet komunitetit akademik, profesionistëve shëndetësorë dhe sektorit sportiv, duke nxitur diskutimin mbi qasjet e reja shkencore dhe zbatimin e tyre në praktikë.

Konferenca është e akredituar nga Oda e Mjekëve të Kosovës (OMK), në kuadër të Edukimit të Vazhdueshëm Profesional (EVP).

Për më shumë informata rreth programit, të interesuarit mund të vizitojnë: LINKU.

Continue Reading

Vendi

Skenderaj: Qëlloi qenin me armë, policia ia sekuestron armën

Published

on

By

Një person është shoqëruar në polici pasi dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në drejtim të qenit të një bashkëqytetari në Skenderaj. Ngjarja ka ndodhur të dielën, më 18 tetor, rreth orës 10:20.

Pas raportimit të rastit, Policia e Kosovës, në konsultim me prokurorin e shtetit, ka ushtruar kontroll në shtëpinë e të dyshuarit, ku ka gjetur dhe sekuestruar një armë gjuetie.

I dyshuari është intervistuar nga hetuesit policorë dhe më pas, me vendim të prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt. Rasti po hetohet nën dyshimin për veprat penale “Përdorim i armës” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. /E.A/

Continue Reading

lajme

Gjenden mbi 140 fishekë të vjetër në një fushë në Gjakovë

Published

on

By

Gjatë ditës së djeshme, në një fushë të hapur në Gjakovë janë hasur disa municione të vjetra.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, pas marrjes së informacionit, njësitet përkatëse kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë gjetur dhe sekuestruar rreth 144 fishekë.

Lidhur me rastin janë iniciuar hetimet dhe autoritetet po kryejnë procedurat e nevojshme. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Zhduket një person në Gjakovë

Published

on

By

Një burrë është rapotuar i zhdukur në Gjakovë pasi është larguar nga shtëpia e tij dhe nuk dihet më asgjë për vendndodhjen e tij.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur më 13 tetor, rreth orës 07:00 të mëngjesit.

Familjarët kanë njoftuar autoritetet për largimin e tij nga shtëpia.

Policia e Kosovës bën me dije se rasti tashmë ka kaluar në procedurë hetimore dhe po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për gjetjen e tij. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara